Xhevat Lloshi: Enigmat dhe befasitë e Kristoforidhit në Maltë

1269
Kur disa vjet më parë nisa të shkruaja një libër për Kristoforidhin, ngeca menjëherë: nuk dilte e qartë se kur kishte lindur ai. Vetëm pesë vjet pas vdekjes së tij më 1895, “Kalendari i Maleve” e përmendte mes emrave të artë të kombit shqiptar, por thoshte se nuk dihej datëlindja e tij. Për herë të parë një datë e ka dhënë “Buletini i Orientit” në dhjetor 1904 dhe e vendos më 1827. Këtë radhë çështja lidhej me botimin e Fjalorit të tij dhe pikërisht kjo datë jepet në Parathënien e Fjalorit të gjuhës shqipe; besoj se është marrë nga i njëjti burim, meqë shkrimin e vitit 1904 e kanë ribotuar edhe disa organe. Mirëpo pesë vjet më vonë Simon Shuteriqi, që edhe kishte të bënte me familjen e Kristoforidhit, ka përcaktuar vitin 1830 si të lindjes. Këtu niste ngatërrimi. Këtë vit e kanë pranuar më pas elbasanasit, si A. Xhuvani e Dh. Shuteriqi, prej tyre e kanë marrë edhe dy botimet e para universitare të historisë së letërsisë shqipe dhe të historisë së Shqipërisë. E. Çabej iu përmbajt datës së parë. Kurse vetë Simon Shuteriqi më 1941 e ndryshoi mendimin, e la derën të hapur: ose më 1827, ose më 1830. Në të vërtetë edhe i biri i Kristoforidhit, Filipi, këtë të fundit ka dhënë; gjithashtu edhe një nip i tij, kur ribotoi “Gjahun e malësorëve”. Ndrkohë, edhe Dh. Shuteriqi, kur u botua një letër e G. Majerit për Kristoforidhin, e ndryshoi, erdhi në tjetër përfundim, domethënë se data duhej të ishte 1826 dhe kjo është pranuar në botimin e dytë të Historisë së letërsisë shqiptare. U bënë kështu katër data: 1826, 1827, 1830, 1831. Duke shkruar një libër të tërë për Konstandinin, unë nuk mund ta lija atë me kaq datëlindje ose pa datëlindje fare. Për disa dhjetëvjeçarë më ka munduar kjo pikëpyetje dhe më fund vitin e kaluar vendosa ta zgjidhja duke shkuar në dy vende: në Maltë dhe në Tunis. Po pse atje? Për këtë nevojitet të shtjellohen shkurt vitet e para të jetës së tij.
Në Janinë si nxënës
Më 1847 ai vajti në Janinë si nxënës i gjimnazit të njohur Zosimea, ku pati rastin fatlum të ndihmonte albanologun Johan Georg fon Han për të mësuar shqipen. Për mësimet ata punonin mbi tekstin e Dhiatës së re (të përkthyer nga V. Meksi e të redaktuar për botim nga G. Gjirokastriti më 1827). Gjatë tre vjetëve Konstandini jo vetëm thithi fillesat e punës së përkthimit, por edhe e pa se çfarë roli kishte një tekst i tillë shqip dhe vetë gjuha amtare. Pas mbarimit të shkollës gjeti punë si mësues në Tiranë më 1852. Mirëpo më 1853 i vdiqën të dy prindit. Shiti gjithçka në Elbasan dhe vajti në Durrës te nuni i tij, Mimi Xhufka. Ka udhëtuar nëpër Shqipëri për punë tregtie dhe së fundi e gjejmë në Izmir të Turqisë në fillim të vitit 1857. 
Ëndrra e lindur në Janinë: të merrej me shqipen
Nuk kam dyshim, megjithatë, se nuk i ndahej ëndrra e lindur në Janinë: të merrej me shqipen. Misionarët amerikanë kishin nisur të interesoheshin për Shqipërinë dhe ndër ta doktor Rigzi, filolog i thelluar, fliste në tetë gjuhë në Pazar me tregtarët. Në ndonjë prej kontakteve të tilla, njëri prej këtyre misionarëve e ka marrë vesh se Kristoforidhi tashmë e njihte mirë një përkthim shqip, madje dinte edhe disa gjuhë, prandaj ua ka rekomanduar kolegëve në Stamboll.Kristoforidhi e pranoi menjëherë ftesën për ta lënë tregtinë e për t’u marrë me një përkthim të ri shqip. Mbërriti më 1 mars 1857 në Stamboll dhe menjëherë nisi punën. Me kujdesin e Sajrus Hamlinit, e futën në Kolegjin Protestant Amerikan në Bebek, ku qëndroi rreth katër muaj. Për ta vazhduar më tej përkthimin, Hamlini ia kaloi çështjen Shoqërisë Biblike të Londrës dhe u vendos që, duke parë aftësitë premtuese të Kristoforidhit, të kualifikohej më mirë në Kolegjin Protestant të Maltës.
Malta dhe Kristoforidhi
Grupi i ishujve që quhen Republika e Maltës qysh më 1814 ishte bërë pjesë e Perandorisë Britanike (pavarësinë e fitoi vetëm më 1964). Banorët ishin në shumicën dërrmuese katolikë, prandaj për njerëzit e vet anglezët u përpoqën të krijonin mundësi si protestantë. Shoqëria Biblike e Londrës dërgoi më 1815 një përfaqësues dhe më 1817 u krijua Shoqëria Biblike e Maltës, e cila u ngarkua si qendër e veprimtarisë për gjithë Mesdheun. Jo rastësisht prandaj, kur më 1822 në Stamboll pati turbullira të rënda, dorëshkrimi i përkthimit të V. Meksit u dërgua për t’u ruajtur në Maltë. Aty u kërkua të nxirrej një kopje, e cila u dërgua në Korfuz, ku më 1819 ishte ngritur Shoqëria Biblike Joniane. Këtu me redaktimin e dorëshkrimit dhe ndjekjen në shtyp u mor G. Gjirokastriti, ndërsa gjithçka u realizua me vullnetin e fortë të Isak Laundzit, drejtues i kësaj dege, madje ai që ka përcaktuar edhe alfabetin për shqipen.Për shkak të kushteve të mira si pikë qendrore, Malta u zgjodh edhe për të hapur një shkollë, e cila synonte arsimimin për nxënës nga 100 milionë banorë të Orientit. Më 1845 u ble një truall në gjirin e Shën Julianit, tre kilometra nga qendra e Valetës, kryeqytetit të vendit. Ishte në një faqe kodre të lartë, prej ku hapej një pamje e bukur e detit deri në Sicili, madje kishte ditë kur në horizont mund të shquhej mali i Etnës. Shkolla mbështetej në parimet e Pestalocit. Ishte shkollë hibride, sepse përfshinte si studentë, që do të përgatiteshin për misionarë, ashtu edhe studentë të tjerë, të cilët merrnin mësime për shkencat e tjera dhe mund të bëheshin mësues, përkthyes, punonjës në diplomaci e në fusha të tjera. Për të ardhurit nga Lindja shkollimi ishte falas, si dhe ishte ngritur një konvikt me 50 vende. Të huajt vitin e parë mësonin anglishten, kështu e mësoi aty edhe Kristoforidhi. Provimet bëheshin çdo javë, por nga viti 1859 u vunë provimet me shkrim në fund të vitit. Pushimet ishin më 15 korrik deri 1 tetor dhe më 24 dhjetor deri më 2 janar. Kur erdhi Kristoforidhi, drejtor u bë Rev. Ewart, pastaj John Patterson, kurse në fillim të vitit 1859 u caktua Charles Popham Miles. Ai zbatoi parimin, që studentët mund të ushtronin të lirë besimin e tyre. Vajta në Maltë me besimin, se do të gjeja dokumentacionin e atij kolegji. Gjatë pranimit sigurisht që do të ishin plotësuar të dhënat për regjistrimin, duke nisur me datëlindjen. Po sidomos më tërhiqte njoftimi, që për secilin nxënës mbahej një libër i sjelljes, domethënë do të gjeja të dhëna edhe për Konstandinin tonë. Në dhjetor 1864, kur A. Tomsoni nga Stambolli po interesohej për Kristoforidhin, që ta thërriste nga Tunisi për përkthimet, ka qenë pikërisht drejtori Ch. P. Miles, i cili nga Malta ka shkruar se Kristoforidhi kishte qenë student i mirë i greqishtes, se mund të lexonte Homerin e Dhiatën greqisht, se kishte përkthyer ungjijtë dhe se ishte larguar me sjellje të mirë dhe me urimet më të mira nga drejtori i Kolegjit. Rrjedhimisht, kishte një libër të sjelljes për të. Por pësova një zhgënjim të rëndë. Që në fillim Kolegji i Maltës ishte ndeshur me një armiqësi të thellë nga kleri vendës, i cili i nxori telashe vazhdimisht, si rrjedhim, në mes të korrikut 1865 u mbyll. Autorja Salv. Mallia, në një punim për historinë e tij, botuar më 1990, për fat të keq shkruan, se nuk ka gjetur asnjë gjurmë materialesh arkivore në Angli. Për ta kuptuar konkretisht përse mungon dokumentacioni, në vend të stërhollimeve, do të mjaftonte një fakt i mëvonshëm. Kisha metodiste Floriana Wesleyan, e ndërtuar më 1883, një ndërtesë me gdhendje të bukura në gur, pa kaluar një vit nga shpallja e Republikës së Maltës, më 10 prill 1975 u shtetëzua dhe sot është qendër e veprimtarive kulturore, në veçanti muzikore. Nuk paskemi qenë vetëm ne, që i shndërruam kishat në salla për veprimtari të tjera. Nuk lashë vend pa zhbiruar për të gjetur çfarëdo thërrimesh me njoftime që i përkisnin një shekulli e gjysmë më parë. Isha në Arkivin Kombëtar, në Ministrinë e Arsimit, në Bibliotekën Kombëtare, në Universitetin e Msidës, në Shoqërinë Biblike të Maltës, në disa kisha e deri te Gjendja Civile e Qytetit, ku për çudi dokumentacioni niste pas vitit 1864. Atëhere vendosa të shkoja për së dyti në Arkivin Kombëtar, që ndodhet nja tridhjetë kilometra larg Valetës, në Rabat, i cili është pranë qytetit historik të Mdinës, dikur kryeqytet, vendbanim i lashtë prej më shumë se 4000 vjet, sot qendër e rëndësishme turistike, e mbiquajtur “Qyteti i Heshtur”, sepse nuk lejohen makinat. Rruga për Rabat shkon paralel me një akuedukt (ujësjellës) të vjetër shumë të gjatë, me harqe si këmbë ure, të ndërtuara me gurë. Në autobus një bashkudhëtar vendës më tregoi diçka, që një shqiptari i bën përshtypje. Malta është një ishull shkëmbor, prandaj, nuk ka shumë ujëra dhe detyrohet të merret edhe me shkripëzimin e ujit të detit. Nga e keqja, fshatarët shpojnë gypat e ujësjellësit dhe e shpërdorojnë ujin njësoj si te ne. Punonjësit e Arkivit, ashtu si kudo edhe në institucionet e tjera, më kishin pritur me gatishmëri për të ndihmuar dhe ishin pak të shqetësuar, që nuk mund të më ofronin asgjë. Por këtë herën e dytë u shtrova një pyetje: meqë Malta është një vend detar, nuk ka se si të mos ketë regjistrat e portit për hyrjen dhe daljen e anijeve. Për fat këto materiale ishin hedhur në kompjuter dhe me kokëfortësi për shumë orë nuk u ndava nga ato faqe me gjithfarë shkrimesh dore, derisa më në fund diçka më buzëqeshi.
Kristoforidhi ka shkelur në Maltë në fund të korrikut 1857
Në Treguesin e Departamentit të Doganave për vitet 1814-1980 shënohet se në orën 19 të datës 28 korrik 1857 ka ardhur nga Napoli anija “Due Fratelli” dhe mes emrave të pasagjerëve është Cristoforo Constantino. Kombësia shënohet “maltese”! Ndoshta ai e ka shqiptuar “albanese” dhe ata të doganës ia kanë veshur si malteze. Nuk jepet data e lindjes, por mosha: 28 vjeç. Me një llogari të thjeshtë datëlindja i del 1829, domethënë m’u shtua ndërlikimi, në vend që të kthjellohej. Të paktën një gjë doli e sigurt: Kristoforidhi ka shkelur në Maltë në fund të korrikut 1857. Besoj se ishte nisur nga Stambolli nga mesi i muajit, kishte ndalur në Durrës për të mbyllur disa prej llogarive dhe prej andej ka lundruar për Bari e ka udhëtuar deri në Napoli, ku ka kapur anijen “Dy vëllezërit”. Them se mbylli disa prej llogarive, sepse dëshmohet që një vit më pas, gjatë pushimeve të verës 1858, ka paguar një borxh, që i kishte mbetur pa shlyer në Elbasan. Kur ishte në Stamboll, Kristoforidhin e kishte takuar I. Laundzi dhe tashti do të ishte nën mbikëqyrjen e tij. Por ishte ngjallur një konflikt i fshehtë dhe i thellë midis tyre. Që më 1856 Laundzi kishte vendosur të bënte një ribotim të Dhiatës së vitit 1827. Tashti dilte se do të bëhej një përkthim i ri prej një njeriu të paprovuar. Ka dokumentim të gjerë për këtë ngatërrim dhe kundërvënie të ashpër të Laundzit, për të cilën nuk ka vend këtu, por Kristoforidhi e ka argumentuar përpjekjen e vet me shkrimin e parë “Memorandum për gjuhën shqipe” të qershorit, domethënë vetëm një muaj para se të nisej për Maltë. Pra, në Maltë ai erdhi si student, por me një përkthim të ri toskërisht të një pjese të madhe të Dhiatës së re. Deri në tetor kur do të nisnin mësimet, ai është marrë me hedhjen e përkthimit në të pastër. Laundzi vuri re se kishte përdorur një alfabet origjinal, me shkronja greke e latine të përziera, prandaj i kërkoi që të zbatonte alfabetin e tij, të vitit 1827, gjatë kopjimit. Banesa e Laundzit ishte pak larg nga Kolegji dhe ai kishte vështirësi për ta mbikëqyrur, madje ka shkruar në një rast: “Sado që t’i kem hapur sytë, rrallë kam mundur ta shoh atë”. Gjithsesi, nga bisedat e rralla midis tyre del dukshëm se në një rast Kristoforidhi i ka thënë: “Unë e bëj këtë punë nga dëshira për të qenë i dobishëm për bashkatdhetarët e mi”. Ky është thelbi i viteve të tij në Maltë. 
Si përktheu “Dhiatën e re”
Kështu, Konstandini mësonte anglishten, ndiqte kurset teologjike dhe vazhdonte punën me përkthimin. Siç ka shkruar vetë pas dy vjetësh: “Më 1958 unë e kisha përkthyer Dhiatën e re në gjuhën shqipe dhe pa humbur kohë nisa ta rishikoja, duke e krahasuar me origjinalin greqisht dhe me botimet e fundit të përkthimeve anglisht, italisht, greqishte e re e turqisht dhe, kur gjeja ndonjë ndryshim midis këtyre versioneve, kërkoja në Komentaret anglisht për këto raste të vështira”. Janë ruajtur disa libra të ndryshëm, të cilat i ka siguruar Konstandini në Maltë, mes tyre të anglishtes, fizikës, historisë, e veçan një Histori e Skënderbeut e vitit 1858 dhe një i Kurciusit për Aleksandrin e Madh, ku flitet për prejardhjen e lashtë të shqiptarëve dhe madje për pellazgët. Besoj se prej veprës së J. G. fon Hanit dhe prej këtyre e kanë burimin të dhënat historike për shqiptarët, të dhëna që i jepnin mbështetje frymëzimit të tij atdhetar. Nga ana tjetër, kështu bien poshtë pohimet e peshkopit të Korçës në vitet 1930, Evlogji Kurillës, se Kristoforidhi iu përvesh përkthimit të Biblës fare i papërgatitur. Do t’i shtoj edhe diçka tjetër kësaj, që të mos tingëllojnë këto si fjalë që i qëndisim ne sot për t’i zbukuruar gjërat, siç po ndodh sot pa kursim. Ditën e fundit të vitit 1859 I. Laundzi i ka shkruar Londrës nga Malta, se përkthyesi i ri i paraqiti Ungjillin e Mateut të shkruar pastër e bukur. Ndër të tjera aty lexojmë: “Gjatë bisedës me të pashë se ai ka një plan për të ardhmen, që ta shtypë gjithë Dhiatën e re dhe, po të caktohet, ta përhapë vetë. Ai thotë se mund të shpërndajë deri gjashtë ose shtatë mijë kopje”. Me këtë e kemi të dokumentuar se Kristoforidhi ishte rrëmbyer nga një ide e madhe: të botonte dhe ta përhapte vetë në atdhe një libër shqip. Mësimet në Kolegjin e Maltës i shërbenin kësaj ideje dhe e ndihmonin për ta kryer me kompetencë. Me të mbaruar rishikimin e versionit toskërisht, Kristoforidhi nisi edhe përgatitjen e një Dhiate të re gegërisht. Nënkomiteti i botimeve në Londër i shqyrtoi mendimet e I. Laundzit dhe siç i kishte rregullat, kërkoi që të bëhej verifikimi dhe redaktimi i teksteve. Përfundimisht, Kristoforidhi gjatë viteve në Maltë përgatiti dy variante të përkthimit. Prej tyre, dorëshkrimet e gegërishtes u përdorën më 1866 për botimin në Stamboll, ndërsa të toskërishtes mbetën për më vonë. Gjatë kërkimeve në Londër më 1972 i kam gjetur këto dorëshkrime dhe janë 5 fletore me katër ungjijtë e Letrat, mungojnë vetëm Punët e apostujve. Kishte të drejtë t’i kërkonte I. Laundzit që të ndërhynte te Shoqëria Biblike për të ndërmarrë shtypjen e tyre pas redaktimit, e për këtë përkthyesi i bëri disa propozime Laundzit. Të gjitha iu nisën Londrës më 15 mars 1860, duke përfshirë punimin e rëndësishëm “Shënime mbi Shqipërinë. Gjuha dhe përkthimi i shkrimeve të shenjta”, të cilin e kam botuar më se dyzet vjet më parë. Nga Londra nuk erdhi ndonjë përgjigje inkurajuese. Atëhere Kristoforidhi u shkroi letra disa përfaqësuesve, madje edhe Hamlinit, me të cilin kishte nisur kjo histori në Stamboll. Pa asnjë përgjigje, ëndrrat e tij kishin mbetur pezull. Në Maltë nuk kishte më përse të rrinte. Ku të shkonte? Dhe atëhere gjeti një zgjidhje tejet të çuditshme, të denjë për refugjatët tanë të sotëm: vendosi të shkonte nja 280 kilometra më në jug-perëndim, në Tunis. Po më parë e vlen të përmendet një incident i veçantë në Maltë. Ndër të tjerë, atje ishte edhe një student nga Greqia, me mbiemrin Kalopothakes. Do të dilte më pas se ishte nipi i një përfaqësuesi të Shoqërisë Biblike në Athinë, dr. Kalopothakesit. Si njeri me formim filologjik, që në veçanti njihte mirë mitologjinë e letërsinë e vjetër greke. Kristoforidhi do të kish një përshtypje vetjake për legjendat biblike. Ia ka shprehur pa të keq bashkë studentit të Kolegjit në Maltë. Dhjetë vjet më vonë, kur tashmë Kristoforidhi kishte bërë emër me përkthimet e veta biblike, ky Kalopothakesi ia ka njoftuar xhaxhait të vet mendimet e dikurshme të Kristoforidhit. Nga Athina xhaxhai ka njoftuar menjëherë Londrën. I ka shtyrë smira vetjake apo ndonjë motiv me prapamendim, nuk e di, porse A. Tomsoni ishte i detyruar të mos i kalonte pa vëmendje këto fita, sepse kjo mund t’i sillte ndërlikime të rënda. U detyrua ta thërriste Kristoforidhin dhe është ballafaquar me të. Kështu nga Malta Kristoforidhi po largohej, pa e ditur se nga një bisedë e pafajshme do të kishte më vonë pasoja dramatike. Në Treguesin e Departamentit të Doganave, që përmenda më lart të Arkivit Kombëtar në Rabat, është regjistruar se nga Malta më 14 korrik 1860 është nisur anija angleze “Brig” me emrin “Presidente”, e ngarkuar me grurë. Ndër 13 udhëtarët e saj përmendet i pesti Cristoforidi Const. Çuditërisht përsëri kombësia shënohet malteze, por edhe më e habitshme është se mosha jepet 34 vjeç. Sigurisht, tre vjet pas hyrjes në ishull më 1857 Kristoforidhi nuk mund të rritej 6 vjet! Po të bëhen njehsimet, del se ishte i datëlindjes së vitit 1826, domethënë edhe një herë në vend që të më ndriçohej puna, kthehesha përsëri te pështjellimi. Mbetej të bëja një hetim tjetër në Tunizi.
Sigal