Ana Dervishi/ Afërdita Selimaj, zëri brilant i Radio Tiranës

772
Sa krenare ndjehet shoqja ime e vjetër, gazetarja , Afërdita Selimaj, e lindur në Tiranë, por që origjinën e ka nga Tërbaçi i Vlorës, fshat me tradita të hershme atdhetare, ku si thonë vargjet e një kënge popullore labe “Për liri në këtë tokë/ është derdhu gjak me okë…, fshat që u lidh totalisht me Luftën Nacionalçlirimtare. Krenarinë ja shtojnë asaj dhe ja rinojnë moshën edhe prindërit e saj fisnikë, emërmirë nënë Refija, një bashkëshorte model, nënë e përsorur e gjyshe embëltare dhe i paharruari e kujtimndrituri Murat Selimaj, babai i saj që në LANC sakrifikoi për lirinë e vendit e pas çlirimit u vu në mbrojtje të tij. Afërdita dhe katër motrat e saj, krenohen e ndjehen të privilegjuara që ecin në gjurmët e prindërve të tyre atdhetarë.
Mëkuar nga baltëmjalta e origjinës
Afërdita Selimaj, e mëkuar nga baltëmjalta e origjinës e duke ecur gjurmëve me histori të asaj treve, prej dekadash, që në moshë të re e deri sot, ju fut punës me pasion si gazetare në fillim në gazetën “Shkëndja” të Lushnjës dhe pas disa vitesh në Radio Tirana. Në Radio -Tirana, përvoja e saj, është arkiv me vlerë për sot e për brezat që do të vijnë në atë radio famëmadhe, nga e cila në trifjalëshin “Ju flet Tirana”, të dhjetra e qindra gazetarëve tingëllon i freskët ende edhe zëri i ëmbël, i ngrohtë, emocionues e kumbues i gazetares tonë Afërdita Selimaj. Pasionin i saj për gazetarin është pikasur që në gjimnaz, ku Afërdita botonte shkrimet e saj në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Bashkimi”.
Në rrethin e Lushnjës
Afërdita, pasi u diplomua për gazetari, emërohet në rrethin e Lushnjës. Atje gazetarja e re, një vajzë energjike, me trup mesatar, fytyrë qeshur, flokë të shkurtra, veshur thjeshtë, shkoi me bindje e dëshirë për të zbatuar detyrat që do të merrte në sektorin e gazetarisë. Shpejt u ambientua me qytetin, njohu botën shpirtërore të komunitetit myzeqar dhe hodhi hapat e para në punë, fillimisht në qytet e më tej nëpër fshatra. Fillimi në gazetari për të s’qe i lehtë, por me punë, me dashuri për profesionin shpejt u bë një gazetare me pjekuri dhe me emër për kohën.
Lushnjari, mjeshtri i penës, mësuesi i talentuar e publicisti i mirënjohur Dhimitër Shtëmbari , që drejtonte me kopetencë gazetën e atëhershme të Lushnjës “Shkëndija”, që e njohu dhe e ndihmoi personazhen e këtij shkrimi, shprehet se: “Afërdita Selimaj në detyrën e saj fisnike të gazetares në Lushnje, duke patur formim të lartë teorik e duke shfrytëzuar përvojën që gjeti tek ne me vullnet, përgjegjësi e punë të palodhur u bë një mjeshtre në gazetari, duke sjellë nga çdo skaj i rrethit, tematikë të larmishme në sektorin e shtypit lokal të atij rrethi. Mjaft nga problemet që kapte ajo qenë me vlerë dhe për organet qendrore të shtypit . Në arkivin e publicistikës të Lushnjës, përfundon ai, të shkruar e të botuar, është dhe përvoja e gazetares ende të re atëherë, që ka vlera për gazetarët e çdo brezi.”Lushnja, thotë Afërdita, jo pa nostalgji, qe për mua shkolla e parë e jetës, ku unë mësova shumë nga banorët bujarë të nderuar e të respektuar lushnjarë nga intelektualët e çdo profili, në veçanti nga dy miqtë e intelektualët Dhimitër Shtëmbari e ish shefi veteran i arsimit të Lushnjës Dhosi Jani. Me përvojën e shkollës të Lushnjes erdhi në Radio Tirana. Qysh në ditët e para të ardhjes në Radio – Tirana, të gazetares Afërdita Selimaj u njoha e miqësova me të. Ajo nga kolektivi ynë u prit me ngrohtësi, u ndihmua e kualifikua shpejt dhe sot ajo shprehet se përvojën e gjeti në atë kolektiv, inkurajimi e mbështetja që ju dha e futën shpejt në rrugën e gazetares, ku Radio e Afërdita si në simbiozë ushqenin njëra- tjetrën e si dy binjake ecën udhëve të Atdheut me siglën “Ju flet Radio-Tirana”…
Afërdita edhe sot që kanë kaluar disa dekada kur erdhi në Radio-Tirana e që u njoha e miqësova, miqësi që e ruajmë si gjënë më të shtrenjtë e të shenjtë, ruan e shfaq cilësitë më të mira të njeriut: urtësinë, çiltërsinë, ëmbëlsinë, thjeshtësinë, diturinë, etjen për të mësuar, komunikimin njerëzor, tolerancën, flet pak e dëgjon shumë. Ajo të tërheq në bisedë si lulet bletët, ka një zë të ëmbël, të butë, që kur s’të mërzit, por kumbues sidomos nëpërmjet mikrofonit.
Ajo për mua e koleget, është një pjesëtare e familjes së madhe të Radio- Tiranës, ndaj e quaj “Bijën e Tërbaçit edhe bijë të denjë të Radios”. Selimaj ishte dhe mbetet e re në profesion në çdo shërbim, cicëronjëse në çdo stinë. Ikte të martën në bazë me detyra ngarkuar, merrte e jepte me mikrofonin “Huer” në krah me siglën “Ju flet Afërdita Selimaj, Radio-Tirana” nga çdo skaj i vendit dhe kthehej të premten, si bleta punëtore me mjaltë, të cilën e shkarkonte në Radion tone, që ushqente e mjaltonte dëgjuesit . Dhe përsëri e përsëri shkonte me shërbime nga Tropoja në Konispol, kthehej, fliste, jepte lajme, kronika, reportazhe etj . Sa mirë e me pjekuri, me dashamirësi e respekt komunikonte shoqja ime e mirë me kolektivin tonë në vitet e punës të përbashkët.
Drejtuesit e Radios e vlerësonin dhe e çmonin punën e kësaj gazetare të talentuar.
Mes idhujve të Radio- Tirana
Nëpërmjet mikrofonit të saj, ajo fitoi respektin e simpatinë e dëgjuesve kudo në Shqipëri. Idhuj frymëzimi e model në punë për Afërditën siç kujton ajo, veç kolektivit në tërësi si një “shkollë“ e dytë e jetës së gazetares pas Lushnjës, në veçanti ishte drejtuesi i saj në Radio Agim Papaproko dhe mjeshtrit e mëdhenj të asaj radijo: Agron Çobani, Timo Luto, Alfons Gurashi, Zamira Koleci, Shkëndie Shehu, Ahmet Shqarri, Xhelil Aliu,Amalia Dhamo etj. Afërdita Selimaj punoi e vazhdon të punojë në radio, me mikrofonin e “artë“ me zërin brilant, pa pretendime e kërkesa të pamerituara. Kurrë s’ka kërkuar, dhe as ka punuar për lavdi, ndonëse lavdinë me punë, sakrifica e emrin e mirë që e ka kudo, e meriton plotësisht. Puna e saj është vlerësuar e fiksuar në Librin e Artë të Radio- Tiranës, ndonëse e meriton që t’i jepet nga organet kompetente edhe një titull Nderi, qoftë edhe Mjeshtre e Punës. Shtoj këtu se fluturakja e mikrofonit, “Ju flet Afërdita Selimaj “ në punë e në jetë, në kolektivin e Radios e në mbarë vendin, gjithë dashamirësit e saj, i kanë dhënë pa asnjë “votë“ kundër, titullin e lartë “NJERI”, për të cilin Maksim Gorki, thoshte: “Gjatë gjithë jetës time kam kënduar vetëm një Himn: Rroftë NJERIU!. Sa krenar e bukur tingëllojë fjala NJERI…”
Për njerëz të tillë, të ditur, të emancipuar, tolerant, në shërbim të Atdheut, që aderojnë për demokraci e ecin me kohën, që mbajnë titullin “Njeri” si Selimaj, sa shumë ka nevojë shoqëria jonë e sotme në tranzicionin e stërzgjatur e me shumë probleme shqetësuese.
Njerëz me emrin e merituar “NJERI”, si Afërdita Selimaj, kërkonte t’i gjente nëpër rrugët e Athinës të lashtë filozofi Dhiogjen, “Ditën me diell e qiri të ndezur në dorë“.
Duke i dëshiruar gjithë të mirat shoqes time më të mirë, Ikonës së Radio Tiranës dhe gazetarisë, një idhull për gazetarët e rinj, i uroj shëndet, lumturi e ende për vite të tjera që vijnë, zëri bilbilues i saj tek mikrofoni “Ju flet Radio Tirana” nga Afërdita Selimaj, të kumbojë i ëmbël e tërheqës, e kurdoherë rinor.
Sigal