Gëzim Kabashi/ APD & ATSH: Një ekspozitë fotografike në 25-vjetorin e eksodit 1991

598
Kështu titullohet ekspozita fotografike që do të hapet në Durrës nga 2-7 mars të këtij viti. Kjo veprimtari që organizohet nga Autoriteti Portual Durrës APD, në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit dhe Agjencinë zyrtare të shtypit ATSH rikthen në vëmendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin masiv me anije në Mars 1991. Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane. Ekspozita do të sjellë për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së Gani Xhengo dhe Arben Çela kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia”, ku do të hapet ekspozita, përmes fotove bardhezi mund ti rikthehen emocioneve të 25 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit. Pamjet filmike të portit në vitin 1991 do të shfaqen në një monitor, ndërsa në pjesën e dytë do të ekspozohen edhe fotot, me pamje aktuale të portit më të madh të vendit. Kjo veprimtari është tregues i ndjeshmërisë dhe i bashkëpunimit të tre prej institucioneve publike me rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë.
Eksodi 1991
Java e parë e marsit 1991 ka hyrë në memorien e shqiptarëve me një fjalë të vetme: Eksodi. Ajo kujtohet si java e largimit masiv të mijëra bashkatdhetarëve, për të cilët askush nuk mbajti statistika. Jo vetëm në Durrës, nga ku u nisën dhjetëra anije e motopeshkatore, të tejmbushura me qytetarë të të gjitha moshave, por edhe në anën tjetër të Adriatikut janë gjendur të papërgatitur dhe megjithëse kanë kaluar 25 vjet shifrat janë kontradiktore. Mediet italiane shkruan në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë. Një gjë është e sigurt: përkufizimi “eksod biblik” i shkonte mjaft afër të vërtetës, jo për mijëra e mijëra qytetarët që u larguan, por për nga motivet që i shtynë ata të lënë pas dheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Njerëzit që iu ngjitën anijeve në marsin e vitit 1991 shfrytëzuan shumë pak ditë, ndoshta vetëm 100 orë për të ikur. Ishin orët që i dhanë grushtin e fundit diktaturës. Në korrik të vitit 1990 qindra qytetarë që “vranë frikën” dhe kërkuan strehim në ambasadat e vendeve perëndimore ishin përcjellë nga autoritetet policore të kohës me autobusë nga Tirana drejt portit të Durrësit. Më pas me tragete në Itali, Francë e Gjermani. Durrësi gjatë gjithë muajit shkurt 1991 përjetoi disa tentativa të njerëzve për ti hapur dyert e portit, përpjekje që shpesh herë nënshtroheshin vetëm nga zinxhirët e tankeve të diktaturës në rrugë. Qyteti bregdetar nuk mund ta harrojë javën e parë të marsit të 25 viteve më parë. Të ardhur nga e gjithë Shqipëria burra e gra të të gjitha moshave guxonin për herë të parë ti drejtoheshin lirisë së ëndërruar. Pamjet apokaliptike të djemve dhe vajzave që ngjiteshin nga cimat dhe litarët në vaporët e tejmbushur janë në memorien e shqiptarëve edhe pas një çerek shekulli. E po ashtu në gusht 1991, kur shpresat e mijëra shqiptarëve të tjerë që shkuan me anijen “Vlora, u kyçën në stadiumin e Barit. Ekspozita që po hapet me nismën e Autoritetit Portual Durrës është një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.
Eksodi 1991
Në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish.
6 mars
Motopeshkatorja “Panajot Papa” 141 vetë
Anija “Alba” 600 vetë
Motopeshkatorja “Ibrahim” 273 vetë
Motopeshkatorja “Fadil Dauti” 35 vetë
7 mars
Anija “Lirija” 4000 vetë
Anija “Kallmi” 1000 vetë
Anija “Tirana” 3000 vetë
Anija “Apollonia” 300 vetë
Anija “Gj. Sokoli” 300 vetë
Motopeshkatorja “Zagri” 100 vetë
Motopeshkatorja “Kepi i Rodonit” 150 vetë
Motopeshkatorja “Mitat Dauti” 100 vetë
Motopeshkatorja “26 marsi” 15 vetë
“Inxh. Ilia Plasa” 150 vetë
Anija “Legend” 5000 vetë
Anija “Sazani” 400 vetë
Anija “Butrinti” 500 vetë
(Të dhënat nga libri-album “Brindizi, il porto della speranza”
Mario Ada Editore 2006)
Së shpejti komdeia “Të çmendurit Adams” 
“Të çmendurit Adams” është një komedi e re muzikore që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga 5 marsi ora 19:00. Përmes lojës profesioniste të aktorëve, kërcimeve apo kengës totalisht live, sigurohet argetimi i publikut. Një shfaqje ku preken mjaft tema universale, ndër të cilat më kryesorja është ajo e vlerave të familjes. Ku gjenden ato? Një familje në aparencë e “çuditëshme” përballë familjes tradicionale.Një histori fantastike dashurie mes dy adoleshentëve dhe një makth për çdo baba. Wednesday Adams, dikur një vogëlushe e mbushur me ligësi të hijshme e të papërmbajtshme, që do të helmonte vëllain e vet vetëm për një xhiro me ambulancë – tashmë është rritur dhe ka gjetur dashurinë. Fatkeqi – Lukasi – një djalë i ëmbël e romantik nga një familje e zakonshme, të cilin familja Adams nuk e ka njohur asnjëherë. Dhe sikur të mos mjaftonte, Wednesday i rrëfen dashurinë të atit dhe i përgjërohet të mos i tregoj të ëmës. Tashmë Gomez Adams, duhet të bëj atë që nuk e ka bërë kurrë më parë – të mbaj një sekret nga gruaja e tij që e adhuron aq shumë saqë puth edhe tokën ku ajo shkel, Morticias. Gjithçka do ndryshoj për familjen Adams brenda një nate kaotike kur Lukas dhe prindërit e tij “normal” ftohen për darkë nga të “çmendurit” Adams.
Ju ftojmë të takoni familjen Adams. Premtojmë argëtim ferri me drita të ndezura në sallë.
Sigal