Xhemil Frashëri/ Si doli nga rrethimi Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH

1376
Sigal

Nuk harrohet Operacioni “1828” i forcave ushtarake naziste gjermane dhe forcave të regjimentit kuisling

Nuk harrohet Operacioni “1828” i forcave ushtarakë naziste gjermane, në të cilin vunë në veprim edhe forca të regjimentit kuisling vendas dhe banda të spektrit kolaboracionist e paraprin, një numër operacionesh të tjerë lokalë ushtarakë të armiqve në Shqipërinë e mesme, të veriut dhe te jugut, në kuadrin e Mësymjes së Parë të Përgjithshme të tyre, të Dimrit 1943-1944. Në këto kushte të rënda për LANÇ të popullit shqiptar në të gjithë vendin bërthama e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, me një mendim të kthjelltë drejtuan LANÇ dhe UNÇSH në të gjithë vendin, duke përfshirë zonën Shëngjergj-Çermenikë-Martanesh, në të cilën vepronin në kushte shumë të vështira. Një rol të veçantë luajti në këtë drejtim Enver Hoxha, personaliteti më i rëndësishëm i kësaj periudhe. Sintezën e këtij roli e jep Spiro Koleka, drejtues i rëndësishëm në LANÇ, në shkrimin e tij me titullin: “Nga dimrat e luftës, në pranverën e lirisë”, “Nëpërmjet organizatës së Partisë të Qarkut të Elbasanit, shkruan ai – shoku Enver vendosi lidhje me organizatat e të gjitha qarqeve dhe me një pune të pandërprerë dhe në kushtet e ilegalitetit të thellë, drejtonte Partinë dhe të gjitha forcat partizane, duke i frymëzuar për luftë e qëndresë heroike”.

Vetë bërthama kryesore e LANÇ dhe Komanda e Shtabit të Përgjithshëm, me në krye Enver Hoxhën, u vënë në këtë kohë në kushtet e Operacionit “1828” në zonën Shëngjergj-Çermenikë-Martanesh në kushte shumë të vështira e të rrezikshme. Gjatë kësaj kohe, pushtuesit nazistë gjermanë, të informuar, sikurse del nga burimet historiografike të asaj kohe, nga kolaboracionistët vendës, ishin ne dijeni të pranisë së tyre në këtë zone dhe bëri të gjitha përpjekjet që mund të bënin për t’i likuiduar ata. Të dhëna të shumta për situatën, në të cilën u gjendën dhe  përballuan Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe Komanda e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH jepen në burime të asaj kohe. Sipas librit memorialistik të Enver Hoxhës me titullin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, në pragun e fillimit të Operacionit “1828” të armikut ishte menduar, që organet drejtuese në fjalë të kapërcenin lumin Shkumbin para shkrirjes së dëborës, kur ujërat e lumenjve fryhen dhe këta bëhen të pakalueshëm në këmbë apo me kuaj dhe të kalonin në krahinat e Polisit, të Shpatit, në krahina të tjera të Shqipërisë së jugut etj., duke shmangur rrezikun evident, si dhe duke siguruar kushte me të përshtatshme për realizimin e drejtimit të LANÇ dhe të UNÇSH që vepronin në të gjithë Shqipërinë. Për realizimin e këtij plani u ngarkuan Shtabi i Brigadës III Sulmuese, i cili gjendej ne Labinotin e Poshtëm dhe batalionet e Çermenikës dhe të Dumresë. Këta duhet të vinin në gatishmëri formacionet luftarake që komandonin. Por kalimi u pengua.

Në këto rrethana, grupi i udhëheqësve ndoqi rrugën e lëvizjeve nëpër terren, në zonë. Lëvizja filloi me 23 dhjetor 1943. Në grupin në fjalë, sipas lirimeve, ishin 33 veta. Midis tyre gjendeshin: Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Nako Spiru, Spiro Koleka, komandanti i Shtabit Aleat të Ndërlidhjes pranë Shtabit te Përgjithshëm të UNÇSH, Gjenerali Dejvis dhe oficerë të tjerë anglezë, vartës të tij, si dhe partizanët që shoqëronin grupin. Më te moshuarit midis anëtarëve të Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm qëndruan te fshehur në bazë, të siguruar dhe armiku nuk mundi t’i zbulojë. Grupin e ndihmuan në veprimet e tij veprimet disinformuese të bëra në këtë drejtim nga organizma drejtuese të LANÇ, të cilat orientuan armikun dhe kontribuuan në dështimin e përpjekjeve të tij për zbulimin e grupit. Enver Hoxha përpunoi idenë mbi rrugët që duhej të ndiqeshin në këtë situatë. Këtë çështje e pasqyron Gogo Nushi në letrën e tij të 16 janarit 1944 dërguar anëtarëve të KQ të PKSH, që gjendeshin në Shqipërinë e jugut.

Letra në fjalë thotë se në të përcilleshin edhe porositë e dhëna nga Enver Hoxha, për të kapërcyer situatën e krijuar. Sipas këtyre porosive nuk duhej të pritej ndihmë nga Brigada II dhe ajo III, “por, me forcat e Korçës, që ndodhen aty të spastrohen sa me pare Mokra, Polisi e Shpati. Këtë ai e sheh, sipas letrës, si mjet “në se doni të bëni diçka për t’u ardhur në ndihmë”.

Lëvizja u realizua neper një terren shumë të vështirë, në kushtet e një dimri të egër në male, duke çarë nepër dëborë e suferinë. Me ngjyra të gjalla jepen këto vështirësi nga Enver Hoxha në librat: “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë” dhe “Mes njerëzve të thjeshtë”, si dhe në shkrime të tjera dhe në fjalime të tij. Grupi kishte mungesë ushqimesh. Ai kaloi në Kaptinën e Martaneshit, në malet e Gollobordës, ne Qarrishtë të Çermenikës së Vogël, u detyrua të kthehej përsëri në Okshtun, lëvizi në drejtim të Kostenjës, Orenjës, Shmilit, Mirakës, Polisit, Fushë – Buallit, Shushicës së Elbasanit, Shelçanit, Trepsenishtit, Nezharit, Selcës së Shpatit, Strisit, Kishtës, Dërsnikut, Shënepremtes së Korçës dhe më 5 mars 1944, doli ne Opar, u drejtua në Panarit, në vendqëndrimin e ri, nga do të drejtonte UNÇSH.

Në letrën që shkruan Gogo Nushi thotë se, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Këshillit të Përgjithshëm janë në një gjendje kritike, në pyje dhe të rrethuar. Në burime memorialistike kemi ndeshur të dhëna edhe për qëndrimin shembullor, të guximshëm dhe të vendosur të Enver Hoxhës në këto kondita shumë të vështira, duke frymëzuar për qëndresë të gjithë pjesëmarrësit në grupin në marshim. Edhe ne marshimet e mëpasme, Enver Hoxha shfaqi një energji dhe një qëndresë të admirueshme morale e fizike, duke dhënë para të gjithëve një shembull të lartë. Pati raste që ai edhe atë ushqim të paktë e krejt të pamjaftueshëm që i kishte rëne ne pjesë, të barabartë me atë të gjithë te tjerëve, deri me partizanin e thjeshtë të grupit, ia jepte partizanit me të ri në moshë, atij që thuajse ishte fëmijë, pjesëtar i grupit të shoqërimit, në gjendje të rënduar fizike, për shkak të stërmundimit. Shpesh herë, duke u gjetur ne ndonjë bazë, ne intervale të marshimit, ndërsa të tjerët, sikurse është e natyrshme dhe e kuptueshme shtriheshin e merrnin ndonjë sy gjumë për të qenë në gjendje për marshimin që do të fillonte rishtazi të nesërmen, Enver Hoxha shtypte deri vonë natën me makinën e tij daktilografie letra, udhëzime dhe direktiva për organet drejtuese të Partisë, të LANÇ dhe për shtabe drejtuese formacionesh luftarake të UNÇSH, për kuadro drejtuese të këtyre organizmave etj.

Duke bëre fjalë për rrugën që bëri Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH për të mbërritur në Shqipërinë e jugut, Enver Hoxha ne marsin e vitit 1944 i shkruante Nako Spirus sa vijon: “Pas kaq vuajtjesh, mbërritëm ne Korçë dhe morëm kontakt me shokët. Erdhëm nga ana e Shpatit dhe vuajtëm 20 e ca dite duke kaluar mik me mik gjithë zonën Shpat-Vërçë. Situatën në Çermenikë e lamë të pandryshuar; kishte mjaft reaksion, sikurse ne Shpat e në Vërçë; sado që kishte disa çeta balliste, populli e urrente Ballin dhe kishte shumë simpati për ne. Kudo që vajtëm, në miq e në shokë, na kanë pritur si jo me mire. Kur ndodheshim ne Kishte, një batalion yni i Korçës, i komanduar prej Riza Kodhelit, vetëm me daljen e tij në Shënepremte dhe pa hedhur asnjë pushkë vuri ne ikje gjithë forcat balliste që ishin grumbulluar, që prej Riza Kishtës, deri te Maliq Dushari e Musa Beu i Moglicës; të gjithë në Elbasan e mbajtën vrapin nga frika.

Vetëm ardhja e këtij batalioni bëri që të zbrazej terreni prej ballistëve. Këtë e pamë vete me sy, bile edhe me tërheqjen e  tyre të parregullt. Këtu situata nuk ishte, ashtu e vështirë, si nga ajo anë. Brigada I, e cila kishte luftuar mire kudo që ka qenë, ishte thirrur me urgjencë prej shokëve nga Berati dhe Mehmet Shehun me tri batalione i çuan në Çermenikë të na marrin ne, por ne kishim ikur nga Shpati”.

Një përshkrim mbresëlënës të vështirësive të përjetuara gjatë lëvizjeve të Shtabit të Përgjithshëm në kohën e rrethimit të tij në krahinën e Martaneshit jep Gaqo Progri, ish-pjesëtar i grupit që shoqëronte Shtabin e Përgjithshëm në atë kohë. “Armiqtë – shkruan ai ne kujtimet e tij – kanë bëre një rrethim të hekurt, por komanda edhe në këto çaste kritike kërkon me çdo kusht që te dalim nga rrethimi”. Në vijim, duke përshkruar lëvizjen në kushtet e vështira të motit, kur rreziqet i ndiqnin ata si hija e tyre, ai shkruan: “Në udhëtim drejt Okshtunit. Prapë filloi të fryjë e të bjerë dëborë. Shokët e Komandës na japin zemër, na japin kurajë për të qenë të përgatitur për vështirësi të tjera më të mëdha. Enveri nuk e ndjen lodhjen si dhe sa të tjerët; bije i fundit për të fjetur dhe ngrihet vazhdimisht i pari. Nëpër këtë dimër të acartë, sikurse shpjegon autori i kujtimeve, në palcën e dimrit grupi në marshim kaloi nëpër Kaptinën e Martaneshit, 1875 metra të lartë. Autori i kujtimeve na përshkruan edhe një episod të tillë, të cilin lexuesi nuk mundet ta harrojë: “Është shumë ftohtë dhe nuk mund të qëndrohet me shumë se gjysmë ore roje. Në mes të “shërbimit” nëpër furtunë, partizani i vogël, Rafail, na thotë, se nuk bën dot roje. I mjegullohen sytë. I dridhen këmbët. Shokët e komandës menjëherë urdhëruan që t’i jepej djalit diçka për të ngrënë, pak qumësht që kemi nga kutia dhe që e ruajmë për ndonjë hall të madh. Shpojmë kutinë, ia vëmë në gojë dhe i themi: “Thith, por mendo edhe për të tjerët”. Si piu pak qumësht, filloi të marrë veten. Në mëngjes, para nisjes, në një gavetë që kemi me vete, e derdhem atë pak qumësht, e holluam me ujë dhe filluam ta ndajmë me shokët me një filxhan pa bisht që kemi. Kur erdhi radha te shoku Enver, ai mori filxhanin me qumësht, thirri partizanin e vogël, Rafail dhe ia dha racionin e vet”.