Xha Malua, biri besnik dhe “heroi”i pashpallur i rrëzës së Korçës

885
Sigal

 Ai gëzonte një popullaritet të gjerë dhe besim të madh për cilësitë morale që kishte

Historia e popullit tonë është e mbushur plot me mendim e veprim patriotik, me dashuri dhe ndjenjë të veçantë atdhedashëse. Kjo është një aksiomë e pranuar nga çdokush, por, në këtë të përgjithshme në historinë e tij, ka patur disa që kanë ndriçuar rrugën, disa që në momente të veçanta kanë bërë vetë histori. Objekti i këtij shkrimi nuk është t’i shtoj gjë historisë, por dëshira dhe detyrimi moral për të ndriçuar me dritën e tyre ndërgjegjen patriotike të këtyre familjeve dhe në veçanti të xha Malos, që me veprimtarinë dhe dritën e tij edhe në natën e errët të ndihmon të gjesh rrugën e drejtë dhe të mos pengohesh nga shkurret e ferrat që mund të hasësh në të.

Kush ishte xha Malua?

Ismail quhej. Por në zonën e Korçës thirrej Malo Vinçani (Dervishi). Moshatarët e thërrisnin Malo, me të rinjtë xha Malo, ndërsa ne më të vegjlit e familjes, e përbërë nga 4 vëllezër e një motër, e thërrisnim Baba. Kjo për dy arsye: Së pari baballarët tanë biologjikë, Qaniu dhe Izeti, kishin emigruar në Amerikë e Australi, ndërsa kujdestarinë dhe përgjegjësinë e rritjes së fëmijëve të tyre e kishte xha Malua. Së dyti, Xha Malua, me dashurinë, ngrohtësinë, përkujdesjen dhe sjelljen atërore ndaj nesh dhe gjithë familjes, na i ka brumosur dhe ushqyer këtë ndjenjë të thellë sa ne fëmijët e dy vëllezërve emigrantë të tij ta donim dhe respektonim si baba. Ai ishte një baba i veçantë, ishte një xha Malo- mal me trup, mal me mend dhe mal me zemër. Sa e sa kujtime, mbresa e episode lidhen me këtë njeri, jo vetëm nga ne, por dhe nga kushdo që e ka njohur e jetuar afër tij. Xha Malua u lind më 1892 në fshatin Vinçan të Korçës. U rrit dhe u edukua në një ambient familjar e fisnor me tradita e ndjenja të mëdha patriotike. Xhaxhallarët e tij, Karemani, Nuriu e Feimi kishin marrë pjesë aktivisht në mbështetje në krah të Themistokli Gërmenjit për mbrojtjen e “Republikës së Korçës”. Në moshë të re shkoi në Amerikë si emigrant ekonomik. Atje u njoh me mjaft emigrantë e patriotë korçarë. U njoh me Fan Nolin e Mihal Gramenon dhe u bë një nga aktivistët më të flaktë të shoqërisë patriotike “Vatra” si dhe ishte kryetar i degës të kësaj Shoqate të qytetit Xhemistonit në SHBA. Ai ishte një përkrahës i flaktë i programit demokratik të Fan Nolit, duke tërhequr mbas vetes mjaft emigrantë bashkëfshatarë të zonës. Në vitet 20-23 kthehet në Shqipëri. Revolucioni i Qershorit i vitit 1924 e gjen prapë në krah të Fan Nolit. Si Fanolist e demokrat, ai ka dhënë një ndihmesë të vyer në fitoren e revolucionit. Noli, me përgatitjen e fushatës dhe mbas fitores, midis patriotëve e demokratëve të tjerë korçarë gjeti dhe mbështetjen aktive të xha Malos si propagandist dhe organizator i revoltës dhe mbrojtës të fitoreve të tij. Ai mobilizoi, së bashku me demokratë të tjerë, edhe vullnetarë të armatosur, ndërmjet tyre dhe të vëllanë Izetin. Pushtimi fashist italian e gjeti në Shqipëri. Për xha Malon fillon një etapë tjetër e ndërgjegjes së tij patriotike, demokrate e liridashëse. Menjëherë mbas Konferencës së Pezës më 16 shtator 1942, në fshatin Vinçan, me iniciativën dhe përkujdesjen e pjesëmarrësve në konferencë dhe veçanërisht të Nexhep Vinçanit, në nëntor të vitit 1942 u krijua Këshilli Antifashist NACL ndër të parat këshilla në rrethin e Korçës me kryetar xha Malon dhe nënkryetar Sadik Dervishin kushëririn e tij. Për të filloi një jetë e mbushur plot me veprimtari, sakrifica por dhe e lavdishme, ku shkëlqyen cilësitë morale, shpirtërore të këtij njeriu por dhe ato organizuese e drejtuese. Me zgjerimin e luftës, shtoheshin dhe repartet e njësitë partizane, si dhe radhët e tyre me djem e vajza të rinj. Xha Malua, tashmë si Kryetar i Këshillit Krahinor, ku bënin pjesë disa fshatra të Rrëzës së Korçës, ka dhënë një ndihmesë të veçantë në mobilizimin dhe organizimin e tyre, në përmbushjen e gjithë detyrave dhe përgjegjësive që kishin Këshillat NACL në atë periudhë. Ai gëzonte një popullaritet të gjerë dhe besim të madh për cilësitë morale që kishte, për vizionin e qartë, për luftën, por dhe për mençurinë, gjakftohtësinë e ndershmërinë në zgjidhjen e problemeve apo kontradiktave që lindin në momente të caktuara.

Një ish-partizan i ri në atë periudhë tregon: “Së bashku me një shok na u ngarkua detyra që të shkonim në fshatin fqinj, Goskovë, për të marrë disa ushqime të mbledhura nga pushteti i fshatit për partizanët. Kur mbërritëm në fshat për të marrë materialet, Këshilli i fshatit, për momentin, nuk i kishin gati. Unë i fola fjalë të renda dhe e kërcënova kryekëshilltarin. Ky gjest ju raportua Komandës të Batalionit njëkohësisht edhe Kryetarit të Këshillit Krahinor, xha Malos. Komanda e Batalionit e konsideroj si një veprim negativ shumë të rëndë për faktin, se ato ishin ndihma dhe jo detyrime dhe se duke kërcënuar kryekëshilltarin cenoheshin rendë marrëdhëniet që ekzistonin ndërmjet pushtetit dhe luftërave që kishin qëllim të njëjtë. Për këtë po mendohej të më jepej një dënim i rendë ashtu siç zbatohej disiplina partizane për këto raste. Me ndërhyrjen e xha Malos, me gjakftohtësinë e mençurinë që e karakterizonte problemi u trajtuar si papjekuri e nxitim dhe unë u dënova vetëm me mbajtjen në krah për një muaj rresht të mitralozit të rendë gjatë  marshimeve”.

Sa e sa herë, gjatë luftës, xha Malua dhe xha Sadiku janë kërcënuar me jetën nga okupatori dhe bashkëpunëtorët e tij dhe jo vetëm me fjalë por dhe me ekspedita të posaçme për kapjen e tyre. Sadiku, si zëvendësi i parë i xha Malos, merrej  me shumë detyra e veprimtari. Në fshatin Vinçan edhe pse nuk pati asnjë bashkëfshatar të dilte me armë kundër luftës, por kish ndonjë që mbante qëndrim të lëkundur dhe jo shumë dashamirës. Pati dhe raste të tilla, kur vinin partizanë në fshat e ndaheshin nëpër baza, ata ndjenin qëndrimin jo miqësor të ndonjë bashkëfshatari. Xha Malua dhe xha Sadiku me zgjuarsi e durim, me objektivin e qartë të luftës për çlirimin e Atdheut nga pushtuesit, punonin që të mbylleshin këto të çara të vogla dhe fshati të qëndronte kompakt në interes të luftës. Me thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm Antifashist NCL për mobilizimin e gjithë popullit për të luftuar pushtuesin dhe bashkëpunëtorët e tij, Këshilli Antifashist i fshatit e krahinës, me punën e tyre sqaruese bënë që disa të gënjyer nga propaganda e armikut, si dhe shumë të rinj e të reja, të rreshtoheshin dhe mbushnin radhët e reparteve e njësive partizane dhe sot mbajnë titullin e veteranit të luftës. Këto dy familje të fisit sot mbajnë dy pllaka me mbishkrimin: “Kjo shtëpi ka qenë bazë e Luftës Antifashist NCL”. Nga këto dy familje mbajnë titullin e ndritur të veteranit të Luftës NÇL, 9 burra e gra si dhe në vazhdim të edukatës, ndërgjegjes e traditës të paraardhësve të tyre, kanë dalë 12 oficerë e oficerë që kanë shërbyer me nder e dinjitet në repartet e njësitë e Ushtrisë Popullore. Xha Malua, për kontributin e vyer gjatë gjithë jetës së tij patriotike është nderuar me disa Urdhra e Medalje si dhe në kuadrin e 100- Vjetorit të Pavarësisë dhe 70 -vjetorin e formimit të Këshillit të Parë Antifashist NCL në zonën e Korçës, në vitin 2012, nga Këshilli i Komunës Voskop, ju akordua titulli:

“QYTETAR NDERI I KOMUNËS” me motivacion:

“Patriot i zjarrtë dhe demokrat i flakët”

Pjesëmarrës në Shoqërinë Atdhetare “Vatra”.

Kryetar i degës së kësaj shoqate për qytetin e Xhemistonit në SHBA

Përkrahës i Programit Demokratik të Fan Nolit

Mbështetës pa rezerva i Luftës NAÇL

Organizator dhe Agjitator i zgjuar i programeve të Këshillit NAÇL

Kryetar i Këshillit NÇL Krahinor

Gjithashtu pjesëtarëve të tjerë të luftës dhe mbas luftës të këtyre dy familjeve, për sakrificat dhe punën e tyre të ndërgjegjshme e dinjitoze u janë akorduar disa Urdhra e Medalje.

Arianit Dervishi