Mira Meksi: “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” psikologjia e personazheve realë historikë, i përgjigjet botës ilire

1400
Sigal

PERSONAZH/ Flet shkrimtarja Mira Meksi: Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time

Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” ka ngjallur shumë diskutime në publik. Por edhe vetë kritika nuk është treguar e heshtur për të treguar indiferente. Mund të themi se romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një ndër romanet më intrigues në treg, për vetë subjektin, fabulën, mënyrën e rrëfimit, ngjarjet e shumta dhe me karakter të thellë historik. Ky roman përbën në vetvete një letërsi ndryshe, që përkon me risitë e kësaj mënyre të shkruari tek krijuesit tanë.

 Romani “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” është një roman me ngjyresë historike. Në ç’raport qëndron historikja me fiksionin në roman?

 Meqenëse, ka një mangësi të konsiderueshme të dokumentacionit historik, duket sikur peshorja anon nga fiksioni, trilli; nga legjendat dhe mitet. Në të vërtetë, shtyllat e fuqishme që mbajnë ngrehinën e romanit janë historike: personazhet historikë, kronologjia e ngjarjeve dhe zhvillimeve historike, betejat, ideali i Teutës. Gjithsesi, ky roman me ngjyresë historike ka një veçanti: objekt rrëfyes ka Kujtesën. Mbi të gjitha, është një roman historik, ku psikologjia e personazheve realë historikë, por edhe atyre të fiksionit, i përgjigjet asaj epoke, botës ilire.

 Personazhi kryesor, Teuta, paraqitet edhe si mishërimi hyjnor i gjarprit-totem të Ilirisë. Me çfarë mekanizmi keni punuar për ta realizuar këtë?

 Miti i lashtë grek i Kadmit dhe Harmonisë, të parëve me prejardhje hyjnore të ilirëve, miti bazik i këtij romani, rrëfen për birin e tyre Ilyriosin, që foshnjë e mbështolli gjarpri duke i përçuar vetitë e tij hyjnore. Për analogji, në roman Teuta ushqehet me limfën e gjarprit–totem të ilirëve dhe shndërrohet kështu në mishërimin njerëzor të tij.

 Romani juaj nis me një skenë të fuqishme, ku mbretëresha e Ilirisë, Teuta, përgatitet të vrasë veten. Përse keni zgjedhur një fund të tillë për Teutën mbretëreshë dhe luftëtare? Historike, fiksion?

 Të dyja bashkë. Historia nuk thotë asgjë për fatin e Teutës pas luftës së parë iliro-romake dhe pushtimit të Ilirisë prej Romës. Ka gojëdhëna që rrëfejnë për vetëvrasjen e mbretëreshës Teutë, por trupi i saj nuk u gjend kurrë. Ky ka qenë një ngacmim për t’i dhënë asaj një fat të tillë në roman, por edhe vetë rrjedha  ngjarjeve aty të shpinte. Nga ana tjetër, ngacmimi vuri në lëvizje mekanizmin e trillit, i cili iu përgjigj idesë se, edhe pas zhdukjes fizike, Teuta, apo më mirë shpirti i saj, do të vazhdonte të printe Ilirinë.

 Vetëvrasja e saj duket si një akt i vullnetshëm i saj, por helmi që përdor është “mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, i cili është edhe titulli i romanit.  Duket sikur kjo vetëvrasje është një akt i përgatitur që më parë, apo sikur është jashtë vullnetit të saj. A mund të na e sqaroni?

 Gjithçka lidhet me misionin e epërm të Teutës, e cila përveçse është strategia e luftërave pushtonjëse të Ilirisë dhe farkëtarja e lavdisë së vendit të saj, është edhe shpirti i popullit të saj dhe përtëritësja e prejardhjes së tij hyjnore. Priftëreshat e Ilirisë janë edhe rojtaret e këtij misioni të Teutës. Ato i druhen dobësisë njerëzore të mbretëreshës, zemra e së cilës dashuron një burrë. Mallkimi i tyre në formën e helmit është pikërisht për të vrarë zemrën njerëzore, në çastin kur ajo do të bëhet pengesë për të përmbushur misionin e Teutës. Pa dashur të zbuloj më shumë nga romani, mund të them se vetëvrasja e Teutës është njëkohshëm edhe e vullnetshme edhe e diktuar nga fuqitë jashtë saj.

Si në përgjithësi të gjithë romanet që keni shkruar, rrëfimi bëhet në retrospektivë. Njëlloj si te romanet “Porfida Ballo në Versailles”, apo “E kuqja e Demave”, edhe në këtë roman, skena e fillimit është edhe skena përmbyllëse. Po shkruhet që ky libër ka strukturën e trupit të një gjarpri, një gjarpri që kafshon bishtin e tij. Çfarë simbolike mbart e gjithë kjo?

  Është tamam kështu, kujtesa e gjarprit të skalitur si tatuazh në trupin e Teutës i rrëfen ngjarjet pasi ato kanë ndodhur. Dhe nuk i shpëton asnjë detaj, madje qashtërsia e tyre është e jashtëzakonshme. Në retrospektivë. Romani hapet me një skenë nistore, e cila është edhe skena përmbyllëse në mbarimin e saj. Është struktura e një uroborosi, gjarprit që kafshon bishtin e tij dhe që bart një simbolikë sa të fuqishme, aq edhe të lashtë. Është simboli i vijimësisë, i ciklit të mbyllur të jetës dhe i përjetësisë.

Shkrimtari sillet edhe si historian, pa dyshim. Dhe është zgjedhja e tij. Historianët e lashtë, por edhe ata modernë një pjesë, japin si shkak të fillimit të luftës së parë romako-ilire vrasjen e ambasadorëve romakë prej Teutës. Në romanin tuaj ndodh krejt ndryshe. Cila të jetë vallë e vërteta historike?

 E kam shpallur që në krye të herës se nuk mëtoj të jap të vërtetën historike me këtë roman. Kam ndërtuar Ilirinë time dhe Teutën time, sigurisht duke u bazuar në fakte historike, në realitetin e asaj kohe, por edhe në mite dhe legjenda, e duke ia nënshtruar të tërën prosedeve të trillit romanesk. Polibi i lashtësisë, sidomos, shkakun e luftës së parë iliro-romake, e paraqet si hakmarrjen e Romës ndaj Teutës, për vrasjen e ambasadorit të saj menjëherë pas audiencës që dy të dërguarit e Romës patën me Teutën, dhe ku i kërkuan të ndalonte piraterinë ilire që bënte kërdinë mbi anijet tregtare italike. Historianë modernë kanë hedhur dyshimet e tyre mbi shkaqet e vërteta që shtynë Romën të ndërmerrte veprime ushtarake kundër Ilirisë. Kam interpretuar edhe unë faktet historike që njohin një shumësi interpretimesh. Në roman, vrasja e ambasadorit romak është thjesht një Casus Belli, një shkak për luftë i sajuar dhe i kërkuar nga Roma, e cila mëtonte të kishte zotërimin e porteve të Hadrias, të cilat ishin në dorën e Teutës.

 Beteja e Medionit, por edhe betejat detare janë përshkruar me një hollësi të jashtëzakonshme. Kemi llojet e anijeve, armatimet, formacionet e ushtrisë, teknikat e luftimit. Dhe janë zhvilluar përpara gati 2300 vjetësh. Si ia keni dalë t’i përshkruani kësisoj?

 Historianët e lashtësisë kanë dhënë jo pak fakte historike mbi betejat kryesore që unë kam përshkruar në roman. Jo vetëm për betejën e Medionit, por edhe të Kerkyrës, ku Polibi jep deri edhe emrin e komandantit të flotës së Ligës së etolëve dhe akejve. Detajet për to, mënyrat e luftimit të kohës, por edhe ndërtimin e anijeve, lembeve, katafrakteve, triremave dhe pesëremave, por edhe armët e përdorura, – dhe ushtria ilire e Teutës, si ajo e tokës, ashtu edhe flota e saj, qenë të pajisura me armatimet më moderne të kohës, – u morën për analogji nga betejat e kohës që zhvilluan grekët apo qoftë edhe romakët, dhe për të cilat ka shumë më tepër të dhëna historike. Pjesa tjetër është një studim i mirëfilltë në bazë skemash i këtyre betejave dhe përshkrimi i tyre.

Prozatore, përkthyese letrare, publiciste dhe botuese

Themeluese dhe drejtore e revistës letrare ( 3 numra në vit) 16 vjeçare Mehr Licht, anëtare e rrjetit europian të revistave letrare eurpiane EUROZINE

Themeluese dhe drejtuese e dy kanaleve televizive ne Tirane dhe shkup “Alsat Tv”

Aktiviteti Letrar

  Ka përkthyer nga gjuha e huaj në shqip autorë si: Dumas, M. Yourcenar, M. Duras, Baudelaire,Lamartine, Rimbaud etj  dhe Marquez, Borges, Neruda, Paz, Sabato, Allende, Javier Marias, Vargas Llosa, Saramago, Fuentes, Cela, Lorca, Bernardo Atxaga, etj

 Ka përkthyer nga shqipja në frëngjisht dhe në spanjisht:   “30 vjet Poezi” të I. Kadare;  Antologjia e Poezisë së  sotme shqipe në spanjisht

Vepra origjinale dhe punime:      Romanet:   “Frosina e Janinës”;  “Porfida –Ballo në Versailles”,  “ E kuqja e demave”, “Mallkimi i Priftëreshave” ,  “ Planeti i ngrirë”; “Fantazma me sy njeriu”

(Romane për adoleshentë)

Novelë: “ Ballo në Versailles”

Përmbledhje me tregime: “ Mali i shpirtrave”; “Buzë të  panjohura gruaje”; “Zonja plake e Parisit”

Antologjia e Poezisë së sotme Aragonase

Eseistikë:  “Leximi i ndaluar dhe shkrimet e fshehura”

 Letërsi për fëmijë: Katër përmbledhje me përralla dhe një novelë e ilustruar: “Magjistrica e 12 pasqyrave”