Theodhora Prendi: Si mbeta në Vuçitern, sepse nuk ecja më nga plagët

96

Intervistë e pa publikuar e ish partizanes 16 vjeçare, Theodhora Prendit, dhënë  Radio Tiranës, me rastin e 28-29 Nëntorit, 2001

 Në Zhurë të Kukësit është plagosur Kadri Hazbiu dhe Sheme Nika.

 Pjesa e dytë

Në redaksinë tonë,  erdhi Pavlina Terpini,  mbesa e ish partizanes, Theodhora Prenti. Ajo solli një intervistë interesante të partizanes, që është ndarë nga jeta, por që la prapa një emër të bukur…Znj Pavlina me një sjellje aristokrate, foli paksa si për hyrje rreth kësaj interviste dhe rreth idesë së saj për pasqyrim. Që në rreshtat e parë të intervistës pashë një botë gruaje shqiptare të rrallë, ku lufta kishte lënë gjurmët në mënyrën e përcjelljes së ngjarjeve. Gjeta aty një rrëfim zemre që vetëm një grua që ka përjetuar situate të vështira mund ti rrëfejë me aq ndjenjë dhe saktësi.

Çfarë hanit kur ishit në mal?

Theodhora – Ç’të gjenim. Kur na jepnin fshatarët, nëse do të kishin, hanim edhe ne, sepse nga fshatari mbaheshim, pasi ne nuk kishim gjë me vete. Ne vetëm luftonim armikun; nëse i zinim gjë atij, do të hanim, ndryshe mbaheshim vetëm nga fshatarët. Duhet thënë e vërteta që ata na jepnin nga buka e fëmijëve të tyre dhe se fshatarësia e mbajti në krahë luftën me bukë e ushqim.

  Pasi larguam armikun, Brigada e Pestë u caktua që të niset në Veri.

Kaluam Shkumbinin një natë, arritëm në Kërrabë. Kur kalonim Kërrabën, u diktuam pak, sepse gjatë ecjes linim gjurmët tona dhe rruga dukesh nga drita. Pas kësaj kaluam faqen e Dajçit komplet. Prej aty në Qafë të Tujanit, nuk mbaj mend shumë mirë emrat e zonës, sepse kujtesa e një 76-vjeçareje më pengon, ndërsa atëherë isha 17 vjeç. Në Qafën e Tujanit kemi zënë xhandarët që ishin aty. Unë dhe Vitorja, ishim të një kompanie. Halim Xhelo foli në telefon me kuislingët. Ata erdhën me fuqi të tjera dhe luftuan. Ikëm e vazhduam rrugën për në Mat. Vajtëm në Burrel ku gjetëm zogistë, por unë nuk di të them për politikën, sepse atë e bënin të tjerët, ndërsa ne ishim ushtarë. Prej andej kemi shkuar në Peshkopi dhe prej aty drejtimi ynë ishte Kukësi. Kaluam Kalanë e Dodës dhe mbërritëm në Zhurë të Kukësit. Para se të kalonim në Gjakovë, kemi luftuar në Urën e Shenjtë. Halim Xhelua ka hipur në majë të minares e që aty luftonte me mortajë. Aty është plagosur Kadri Hazbiu dhe Sheme Nika. Kështu që, mua më ngarkuan të tërheq këta dy shokë për në Tropojë ku ishte një spital për partizanët.

Në mal, në shpellë ishte spitali?

Theodhora – Jo, jo në mes të qytetit, sepse Tropoja ishte e çliruar në atë kohë. Unë duhej t’i shoqëroja. Shemja kishte marrë një plumb në gjoks që i kish dalë prapa shpatullave, kështu që kolona vertebrale nuk i punonte; kështu as këmbët dhe as duart nuk i lëvizte dot më. U detyruam të presim degë pemësh, të cilat i lidhëm me rripat që kishim dhe sajuam një barelë ku e vumë shokun tonë. Po ashtu Kadriu kishte marrë një plumb në kofshë dhe nuk ecte dot. Bënim duart kryq, i ngrinim të dy shokët me shumë vështirësi e mundim. S’kishim të hanim gjë prej gjëje, por fshatarët kishin mbledhur gështenjat dhe i kishin mbuluar me borë, dhe ato hanim.

Mbërritët në spital?

Theodhora – Po, i çova dhe i dorëzova shokët në spital. Sa e panë mjekët Shemen në atë gjendje, u dëshpëruan. Unë i thashë: “Mos u tremb Sheme, se do të shërohesh dhe do të kthemi bashkë në Vlorë, me flamur.”  Por ai mu përgjigj: “Ti që mu gjende nënë e motër, do të kthehesh në Vlorë, Dhora, por Shemja jo.” E vërtetë ashtu ndodhi. Sa vajta të shihja pak Kadriun sesi u stabilizua, kur u ktheva, Shemja kishte vdekur. Qava sikur ta kisha të afërmin tim; madje, prekem edhe sot kur e kujtoj, sepse jemi dashur vëllazërisht, sa nuk tregohet, sepse nuk ka shkrim e shpirt ta pasqyrojë sesa e mbronim e ndihmonim njëri-tjetrin. Si e mbarova këtë detyrë, u ktheva në Qafën e Prushit. Aty kishte akoma luftë. U futëm në Gjakovë, pastaj kaluam në Prizren. Atje kam bërë edhe një fotografi. Prizreni sapo ishte çliruar. Pashë një fotograf dhe iu luta të më bëjë një fotografi. Dhe i mora xhaketën e bardhë një vajze prizrenase, se doja të dilja civile dhe jo me rroba partizane. Atë fotografi e kam në shtëpi dhe e kam kujtimin më të bukur të jetës sime..

Kaluam nëpër Prizren dhe u drejtuam për në Prishtinë.

Gjatë atij udhëtimi filluan të më priheshin këmbët, sepse më kishte kapur sëmundja e verdhëzës. Ashtu e sëmurë, mezi ecja, arrita deri në Prishtinë e pastaj në Vuçitern. Aty u takuam me forcat bullgare që shoqëronin ushtrinë gjermane që të kalonte. Mbeta në Vuçitern, sepse nuk ecja dot më. Bashkë me dhjetë partizanë të tjerë të plagosur, me aq pak fuqi sa kishim, u kthyem në Prishtinë. Aty na ka pritur një mjek shqiptar, Daut Mustafai apo Mustafa Dauti,[1] se nuk e mbaj mend mirë, ndaj e ngatërroj, i cili na vizitoi të gjithëve dhe, pasi mjekoi shokët, më tha: “Ti je më e sëmurë nga këta, prandaj duhet të mjekohesh”. Vende në spital nuk kishte, se ishin bërë bombardime dhe pavijonet ishin zënë të gjithë, megjithatë aty u rregulluam të gjithë. Midis shokëve kam fjetur edhe unë. Ata më ndihmonin nga krahët që të kryeja çdo nevojë personale që unë kisha. Më kanë thënë se mjeku Mustafai është bërë profesor[2] i madh, por unë më vonë asnjëherë nuk arrita të lidhesha me të dhe të mësoja ecurinë e tij. Ai më futi në një dhomë ku gjeta Qibrie Ciun dhe një shoqen e saj, File, që i bënte shërbim, sepse Qibria sapo kishte dalë nga kampi i përqendrimit dhe ishte dobësuar shumë nga torturat; kështu që u bëmë tri shoqe në dhomë. Pas disa kohësh Qibria u kthye në Shqipëri, ndërsa unë akoma, sepse u mjekova edhe ca në Prishtinë. Me qenë se vinin shumë të plagosur dhe të sëmurë, ky mjek më mori në shtëpinë e tij. Aty ishin katër vëllezër dhe dy motra, si dhe nëna e tyre plakë. Ato flisnin turqisht dhe më shoqëronin e më shërbenin gjithë ditën me ngrohtësinë e tyre; më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës. U jam shumë mirënjohëse e falënderuese asaj familjeje dhe gjithë popullit kosovar! Të gjithë na hapnin dyert, na prisnin ngrohtësisht e na  thoshin “Shqipëri e Moçme”. S’mund t’ua hedhësh poshtë. Unë u martova, u bëra nënë me fëmijë, hallet nuk më mundësuan, nuk u mora më me politikë, por dashurinë për Kosovën e kam në shpirt, sepse më pritën tamam sikur të më kishin vajzën e tyre. Nuk kam për t’ua harruar kurrë. Kur u hap rruga për në Kosovë, kisha një dëshirë të madhe për t’u takuar me ata njerëz, por mosha nuk më lejon.

Kur u kthyet nga Kosova, Shqipëria ishte çliruar, si u ndjeheshit ju kur vendi nuk kishte më armiq?

Theodhora – Sigurisht, shumë kryelartë. Kudo që shkonim, njerëzit na nderonin; jo vetëm për ato vite, por gjatë gjithë periudhës së pas Çlirimit isha femër e respektuar. Lufta jo vetëm që nuk na tjetërsoi, të bënim maskarallëqe, siç thoshte armiku, por na formoi me dashurinë për njëri-tjetrin. Ky është mendimi dhe drejtimi im. Këtë lloj dashurie kam për shokët dhe këtë dashuri ua ushqej edhe fëmijëve të mi që të shkojnë me njëri-tjetrin.

– Në fund të bisedës, kam dëshirë të dëgjoj prej jush një përshëndetje. Çfarë do t’i thoni, sidomos brezit të ri, në këtë Festë të Çlirimit.

Theodhora – Do t’u them që të kenë dashurinë me njëri-tjetrin, siç e kishim edhe ne partizanët në atë kohë, që takoheshim me njëri-tjetrin si motra me vëllain. Sot them dhe lëshoj lot, sepse i kam dashur, edhe pse ne ishim nga treva të ndryshme të vendit; njëri nga fshati e tjetri nga qyteti, por ne ishim të barabartë.

Për veten time u them shqiptarëve ta duan njëri-tjetrin. Jemi shqiptarë dhe është turp për Shqipërinë e për ne, që luftuan gjithë jetën, të përbuzemi nga të tjerët. Ne  kemi luftuar me nder e me dinjitet, dhe kështu duhet të jemi..

 Albert Z. ZHOLI