Sali ONUZI/ 70 vite nga dita e krijimit të Brigadës së 24 Sulmuese

638

U themelua më 4 tetor 1944 në Bicaj të Lumës dhe kreu beteja të rëndësishme kundër pushtuesve

Sot më 4 tetor 2014, në Bicaj të Lumës, festohet 70-vjetori i krijimit të Brigadës së 24 Sulmuese. Është një nga formacionet partizane që ka lënë gjurmë të ndritshme në vitet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duke dhënë një ndihmesë të vlefshme në fitoren e lirisë, që e renditi Shqipërinë në fund të kësaj lufte të përgjakshme në krahun e fitimtarëve. Shifra dhe fakte nga veprimtaria e Brigadës në Luftën Antifashiste Nacional çlirimtare:

-U krijua me 560 partizanë (siç e kishin filluar dhe brigadat e tjera) dhe brenda muajit tetor 1944, në terrenin e Kukësit, Brigada e kapi shifrën e 1000 luftëtareve. Në fund, sipas dokumenteve zyrtare, ajo kishte 1185 partizanë, shumica nga Luma, Gora, Dibra, po edhe nga Shkodra, Lezha, etj..

 Komanda e Brigadës:

Komandant u caktua Ndreko Rino, “Hero i Popullit”, nga Libohova e Gjirokastrës, me parë komandant batalioni në Brigadën e I Sulmuese. Komisar i saj u caktua Abedin Shehu nga Bicaj i Lumës, ish -komunist që në gjimnazin e Shkodrës dhe drejtues i partisë në Qarkun e Lumës, ish-oficer i shkolluar në Itali.

-Aksioni i parë luftarak i saj ishte një pritë e organizuar në bashkëveprim me Brigadën e XVIII S të Dibrës kundër një kolonë gjermane në rrugën Kukës-Prizren.

-Në fillim të nëntorit 1944 merr urdhër për të marrë pjesë në Luftën për çlirimin e Tiranës.

-Nga data 8-10 nëntor, për 3 ditë e net me radhë, Brigada e XXIV S, me një marshim të sforcuar luftarak arrin në Tiranë, ku komanda e saj merr detyrën luftarake:

Rajoni i saj do të ishte mes Brigatës seë I S dhe Br. XXIII S në krahun e djathtë të rrugës Tiranë-Vorë, nga Autoreparti, Ura e Kamzës, Kodrat e Domjes, (me thellësi deri në Laknas), me detyrë: Të godasë dhe asgjësojë forcat gjermane që vinin për të hyrë në Tiranë nga Vora ose për të dalë nga Tirana për në Vorë.

-Do të bashkëvepronte me Brigadën e X S dhe batalionin “Antonio Gramshi, të vendosur në anën e majtë të rrugës Tiranë-Vorë, në kodrat e Kasharit”.

-Brigada hyri menjëherë në luftë me datë 11 nëntor, në etapën përfundimtare të sajë dhe për 7 ditë e net, 4 batalionet dhe kompanitë e saj, në kushte të vështira moti (shiu të dendur), në mungesë të theksuar të armëve kundërtanke, u ndesh me forcat gjermane që tentonin të hynin ose të dilnin nga Tirana.

-Brigada ka zhvilluar këtu luftimet më të ashpra në historinë e saj. Përballë tankeve dhe autoblindave gjermane, partizanët e Brigadës vunë gjokset e tyre duke shkruar faqe heroizmi të pashembullt.

Në këto luftime të Brigadës ranë 15 kuadro e partizanë:

-Vehbi Shehu,

-Ramadan Shahu,

-Nuredin Braha,

-Sadik Palushi,

-Hakik Gjici,

-Mahmut Neci,

-Ramadan Kotarja,

-Xheladin Mici,

-Abaz Peposhi,

-Sabri Gjici,

-Idriz Gafurri,

-Elmaz Ademi,

-Osman Qinami,

-Gani Duraku,

-Shefit Smana.

Pas çlirimit të Tiranës Brigada merr detyrë dhe niset në ndjekje të forcave gjermane, drejt Lezhës dhe Shkodrës. Në këto luftime vritet partizani Xhafer Ollomani.

Më 24–27 nëntor Brigada e 24 S lufton e sulmon forcat gjermane në vijën Beltojë-Bërdicë-Bahcallëk, përballë një mbrojtjeje gjermane të përforcuar, të mbështetur fort me artileri të rëndë (të vendosur në Kalanë e Rozafës) me kundërsulme edhe natën.

Në këto luftime të ashpra nga Brigada e 24 S bien 5 partizanë:

-Imer Mata,

-Isuf Seferi,

-Islam Xhahu,

-Emri Halilaj

-Hasan Lika

Me 28 nëntor në darkë Br. 24 S zë pozicion në lagjet periferike të qytetit të Shkodrës dhe me 29 nëntor në mëngjes ajo është në mes të qytetit, ku atë ditë parakalon para popullit të Shkodrës, që ka mbushur rrugët dhe pret me brohori çlirimtarët.

Jeta e Brigadës vazhdon edhe pas çlirimit

Për një javë në dhjetor 1944, së bashku me Br. 27 S të Shkodrës, Br.24 S marshoi drejt Ulqinit dhe Tivarit dhe pastaj veproi në Shkodër, Malësi, Kukës e Shijak, ku u shpërnda në maj 1945.