Hamza MALAJ/ Ushtria Nacionalçlirimtare ishte një ushtri heroike jo terroriste

721
Sigal

Kohët e fundit në debatet për 70- vjetorin e çlirimit, disa pinjollë ballistë, në një debat televiziv u munduan të argumentojnë, për faqen e tyre të zezë, se ushtria Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar, ishte një ushtri terroriste. Dhe pse? Sepse njësitet guerile, që vepronin në qytet, kishin asgjësuar spiunët e fashizmit. Ku ta dinin partizanët e varfër, se ballistëve u dhembte kaq shumë zemra për spiunët, sa të arrijnë ta quajnë ushtrinë që u çliroi atdheun si ushtri terroriste. Nejse e dimë të gjithë mendjen dhe zemrën ata nuk e kishin vënë për luftën kundër pushtuesit, por për komandaturat gjermane! Dihet se në luftë nuk shkohet për salltanete se pastaj u këndojnë gratë siç dhe u kënduan: “Ju humtë vula/ dhe ju o burra / harram i paçi/ byrek e pula!/”

E vërteta ka qenë se ato njësite guerile, i dhanë zjarr gjithë qyteteveVranë edhe spiunë të fashizmit se na kishte pushtuar atdheun, por spiunët u goditën edhe në radhët e partizanëve, mbasi kishin hyrë për qëllime të caktuara: të vrisnin kuadrot kryesore të luftës dhe të sabotonin luftën heroike të popullit shqiptar!

Pas këtyre që thamë më lart, mendoj të mos e zgjatim më tej bisedën se logjika juaj do të na shpjerë te bombat atomike të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki, dhe do ta quani edhe ushtrinë Amerikane ushtri terroriste! Dua tu kujtoj këtyre ballistëve, se në qytete nuk u vranë vetëm spiunë të fashizmit por ranë heroikisht edhe bij të popullit, të spiunuar dhe tradhtuar nga ata që nuk kishin as moral e as Atdhe! Harrojnë zotërinjtë e ballit se Vojo Kushin me shokë e spiunuan spiunët dhe i vrau fashizmi. Harrojnë se Perlat Rexhepin me shokë, po ashtu i spiunuan spiunët dhe i vrau fashizmi, se heronjtë Topanase në Vlorë, po ashtu i spiunuan langot dhe i vrau pushtuesi, heroinat Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, i spiunuan të shiturit dhe i varën në rrapin e Çerçizit, pushtuesit bashkë me ballistët. Po heronjtë e Vigut kush i spiunoi? Tani më thoni zotërinj se kush janë terroristët në këtë mes, partizanët apo lakenjtë e fashizmit!Si mund të konsiderohet ushtria jonë partizane një ushtri terroriste, kur ajo gjatë luftës nuk ngriti asnjë kamp përqendrimi, siç ndërtuan ushtritë e tjera që i rrethuan robërit në tela me gjemba, por me një zemërgjerësi proverbiale i adresoi gjithë robërit në shtëpitë e fshatarëve. Dini ju zotërinj ballistë ndonjë ushtri tjetër të ketë vepruar në këtë mënyrë si ushtria jonë? Dhe pastaj akuzojeni për terrorizëm!  Sa për dëshmorët Ju zoti Roshi, me këmbënguljen tuaj të pabazuar dilni e flisni njësoj si të kishit qenë vetë në luftë! Dhe sikur të kishit numëruar dëshmorët e luftës. Mos gënje shumë se nuk do të të besojnë as ata që të kanë zgjedhur kryetar. Me kë u ndeshën ballistët që, sipas jush ranë dëshmorë? Se me pushtuesin ju nuk bëtë asnjë luftim dhe asnjë betejë. Ju ishit bashkëpunëtorët e tyre më të ngushtë. Prandaj edhe aleatët nuk dërguan asnjë oficer ndërlidhës pranë ballistëve. Do të dish të vërtetën për dëshmorët, urdhëro:

– Dëshmorë të shpallur me ligj, 9470 vetë

– Shtetas shqiptar të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët e tyre 6436

– Të asgjësuar në 23 kampet e përqendrimit, në Greqi, Itali, Austri, Poloni, Prishtinë, Zemun, Bitol e Strugë gjithsej:1004

– Shuma e përgjithshme që del nga këto statistika të sakta është: 28.110 persona. Kjo është e vërteta nga ata që bënë luftën, që u kënduan këngë trimave në fushën e betejës. Doni këngët: “U erdh spiuni në portë, vaj djema/ hapeni se jemi shokë, vaj djema!…etj. Ja edhe vajtimi i një nëne labe për djalin që ish vrarë si ballist: Sos mu vrave partizan, e zeza djalo/ që të të qaja me nam/ Mu vrave për tradhëti/ s’të them dot asnjë fjali, e zeza djalo!