Sigal

Goditja e gjeneral Vinçanit dhe puna me rusët për hartën sekrete topografike

Leonard VEIZI 

Ai ka vendosur ta thotë të vërtetën, dhe për këtë nuk pendohet aspak. Madje për ta bindur veten në një gjë të tillë ai mbështetet tek një citat që e ka fort për zemër e që thotë: “E vërteta duhet thënë tej dhimbjes që ka ndodhur, ndryshe njerëzit nuk e kuptojnë”. Tanimë është krejt i thinjur, por fytyra e tij nuk tregon shenja lodhjeje, edhe pse jeta i ka dhënë goditjet e veta. Energjik deri në fund, ai mendon se ka ende shumë për të përfunduar, nga gjithçka i ka mbetur në mes nga periudha e urdhrave të ashpër. Gjatë karrierës ushtarake atij i është besuar të drejtojë njësinë më të madhe të ushtrisë shqiptare, korpusin. Por duket se ai vetë nuk është mjaftuar vetëm me kaq. Për të mos thënë krejt të kundërtën, që gradat dhe posti i lartë ushtarak nuk kanë qenë kënaqësia e vetme për karakterin e tij. Ka menduar gjithmonë që, edhe pse iu përshtat jetës së vështirë të ushtarakut me valixhe në dorë, ai do të ishte më i aftë të bënte jetën e një artisti bohem, ku peneli i piktorit apo pena e poetit do të kishin vlerë më të madhe se pistoleta “TT” që mbante i detyruar në brez. E megjithatë, jeta, dhe pse duket e shkurtër, është po aq e gjatë sa për t’u rikthyer pas, për të humbur pak nga koha e çmuar e për t’u takuar me pasionin e vjetër, atë pasion që deri pak më parë kishte bashkëjetuar në zyrën e komandës, në qendrën e fortifikuar apo çadrën e fushimit. Në të vërtetë, ai nuk është shkëputur për asnjë çast nga ky pasion.

Pas daljes në pension, Novruz Dervishaj, ka hedhur në letër plot shënime mbi të kaluarën dhe pozicionin e tij ushtarak. Madje, ai tani ka në proces vëllimin ne titullin “Vitet tona në Shtabin e Përgjithshëm”. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” gjenerali i pa dekretuar, Novruz Dervishaj, rrëfen detaje të panjohura nga jeta e tij ushtarake në krye të një prej njësive të rëndësishme të ushtrisë shqiptare:

JETËSHKRIMI

 12 vjet në drejtimin e korpusit

Novruz Dervishaj u lind në vitin 1936, në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës. Pas përfundimit të 7-vjeçares, në vitin 1949, pranohet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundon në vitin 1953. Studimet e larta i vazhdon në Shkollën e Bashkuar gjatë viteve 1953-1956, në degën e topografisë. Në vitin 1956 del oficer me specialitet topograf. Për rezultate të shkëlqyera në mësime, merr një gradë më lart. Pasi punon 5 vjet në Tiranë si oficer-topograf, emërohet në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ku për gjashtë vjet u mor me përgatitjen e shtabeve të ushtrisë. Gjatë viteve 1964-1966 përfundon studimet në Akademinë Ushtarake. Në vitin 1969 emërohet Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë, ku qëndroi deri në korrikun e vitit 1974. Ndërkohë, gjatë viteve 1971-1972, vazhdoi Shkollën e Lartë të Partisë, ku kreu kursin e lartë të filozofisë. Gjatë vitit 1974 u emërua për disa muaj në detyrën e shefit të shtabit të Korpusit të Pukës. Po në vitin 1974 (më 9 korrik) emërohet komandant i Korpusit të Këmbësorisë në Gjirokastër, ku qëndroi për 12 vjet. Në tetor të vitit 1985 emërohet Komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Fier. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1989, kur u transferua për në Tiranë. Punoi në rajonin nr.1, ku u mor me problemet e mbrojtjes civile. Pas 38 vjetësh shërbimi në ushtri, në mars të vitit 1991, del në pension.

Si u lidhët me ushtrinë?

Krejt rastësisht. Dendur thuhet se, zanatin e kam trashëgim nga babai apo e kam zgjedhur vetë, me dëshirën time. Kjo për rastin tim nuk ka vend. Pasi kisha bërë 4 vjet të shkollës fillore në vendlindje, një nga xhaxhallarët e mi më mori në Korçë për të vazhduar shkollën unike. Më pas erdha në Tiranë. Vazhdoja klasën e gjashtë. Kisha dalë me një shokun tim për shëtitje dhe u gjendëm përpara një godine ku sot janë ambasadat. Rrotull saj kishte dhe moshatarë të tjerë. U futëm në oborrin e ndërtesës. Pas pak doli një oficer me trup të vogël dhe buzagaz. Na u afrua dhe na pyeti nëse donim të shkonim kadetë. Kështu, të ndihmuar dhe nga biografia, u bëmë ushtarakë që në moshën 12-vjeçare.

Sa vite shërbyet në ushtri?

Uniformën e ushtarakut e mbajta për 42 vjet, duke shkelur me të shumë anë të vendit dhe duke ngjitur madje edhe shkallët e karrierës në ushtri. Ja kështu e nisa rrugën e oficerit, një rrugë të cilën nuk mund ta merrja me mend se do të kërkonte nga unë aq e aq sakrifica. Shkolla “Skënderbej” ka vendin e saj të nderuar për ato fillime, ndërsa vulën e formimit si kuadër ushtarak e vuri Shkolla e Bashkuar.

Ishte e vështirë të ndiqte një shkollë ushtarake?

Shkolla e Lartë Ushtarake ishte me kërkesa të rrepta. Jo kushdo mund ta përballonte. Disa nga ne e lanë përgjysmë. Por unë e pranoj, se ajo, me gjithë darën e saj formale dhe shpesh absurde të kërkesës, nuk na bëri keq. Përkundrazi, na formoi, duke na përgatitur për t’i përballuar vështirësitë që ka brenda puna e oficerit. Jo kushdo mund të jetë oficer. Pas kësaj kisha marrë gradën e togerit në specialitetin e topografit.

Ku u emëruat pas përfundimit të shkollës?

Reparti i topografisë në atë kohë ishte vendosur në fund të Laprakës. Ishte nëntor i vitit 1956, kur bëra rrugën e parë të shërbimit. Shkuam në komandën e flotës te gjeneral Vinçani. M’u kujtua ky detaj, sepse hijen e atij gjenerali e pashë pas shumë vjetësh në Fier. Gjenerali i kishte lënë me kohë punët në drejtimin e ushtrisë. Ishte goditur “për gabime të rënda” dhe merrej me sistemimin e tokave. Më vinte ndër mend pamja e tij burrërore dhe uniforma për merak. Në zyrën e tij të rëndë e të mobiluar me shijen e tij, çdo gjë fliste lidhur me detyrat e marinës, ndërsa vetë i zoti i asaj zyre mbante uniformën e gjeneralit të këmbësorisë. Ata që ishin me mua atë ditë shërbimi, u bënë gjeneralë, patën fatin e Vinçanit, dikur i mbuluar me lavdi. Edhe ata u goditën, u përjashtuan nga ushtria, u internuan. Jeton vetëm njëri. Të tjerët kanë lënë kockat, s’e di se ku. “Pse kaq shumë masa e goditje ndaj gjeneralëve?” – pyes veten dhe sot.

Keni tentuar të largoheni nga radhët e ushtarakëve?

Në vitin 1960 bëra një kërkesë, ose më mirë një letër ministrit. Doja të vazhdoja universitetin. Por nuk mund ta merrja me mend atë qejf-mbetje të eprorëve. Më thirrën në komandën e repartit, pastaj në Drejtorinë Politike. Një oficer, që më shihte me inat, në emër të Beqir Ballukut, më tha se nuk mund ta kuptonin kërkesën e një oficeri që kërkonte të linte karrierën ushtarake. Pas prishjes me rusët, nuk ekzistonte më si mundësi për të vazhduar. Më porositën të punoja mirë. I detyruar të pranoja, duke kapërdirë me zor ato që thanë, përfundova në dhomën time në Laprakë.

Keni punuar me ekipet ruse?

Me rusët do të punonim për shumë vjet. Pas ’60-s politika kishte vendosur mure, që do të na mbante të izoluar. Ne as i dinim dhe as i përfytyronim ato sajesa. Atje lart kishin në dorë fatin tonë. Sido që ndodhi, ndoshta të shtyrë nga ndonjë puqje gjaku, ndoshta nga nostalgjia për rininë tonë, as unë, por as shumë të tjerë, nuk i harruam dot ato kohë që punuam dhe jetuam me rusët. Nuk mund ta harroj Viktor Jevstratovin dhe as Osipovin, të dy ukrainas. Flija me Osipovin në një dhomë. Punonim në Borsh për hartën e bregdetit. Të bregdetit nga Llogaraja në Shën Vasil, të asaj zone që quhet Riviera Shqiptare. Ata për shumë vite na dhanë gjithçka, më të mirën e dijeve të tyre, duke derdhur djersë për shërbimin tonë topografik, që atë periudhë po rritej.

Ç’ndodhi pas kësaj?

Isha i ri e jetoja me shpresa. Nuk mund ta dija që rrugët tona do të pasonin me shtrëngimin e asaj mbylljeje që po vinte. Kush mund ta mendonte se pas vitit 1960 pasioni do ta mposhte arsyen dhe lufta do të na fuste në një rrugë pa fund. Ftohja politike me kampin Lindor na ndau nga bota. Këtej e tutje do të mësoheshim me shumë gjëra. Kërkova largimin nga Topografia. S’e pata të lehtë ta bëja këtë hap. Rasti e solli që eprorët e mi të më hapnin rrugë. Kështu, nisa rrugën e oficerit komandues.

DËSHMIA/ Nga vëllimi në proces “Vitet tona në shtabin e përgjithshëm”

Petrit Dume, modeli i gjeneralit që adhuroja

Shtabi i Përgjithshëm më 10 korrik 1943 përbëhej nga Shtabi Operativ, Komisariati Politik, Komisariati Ekonomik, Seksioni i brendshëm, Seksioni i Shëndetësisë, pastaj u pa e nevojshme të shtoheshin edhe Seksioni i Informacionit, Grupi i Ndërlidhjes ai i Xhenios dhe njësiti i sigurimit të Shtabit. Shtabi i Përgjithshëm u nis si një organ kolegjial. 18 vjet pas këtij organizimi, Novruz Dervishaj rrëfen jetën e tij dhjetë vjeçare në Shtabin e Përgjithshëm: “Kur në dhjetor 1961 më çuan në Drejtorinë Operative, në Degën e Shtabeve, nga do që vërtitesha, pa e kuptuar m’u ngulit një mendim që nuk mund ta largoja: “Si do të ecte jeta ime pas topografisë, a do të mund t’i përballoja detyrat me atë lehtësi si deri tani. E kuptoja se jeta ime do të rritej e bashkë me të më shtoheshin punët duke u bërë ato gjithnjë e më të vështira. Të punosh në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, është privilegj, e aq më shumë ne Drejtorinë Operative. Këtë nuk e shikoj kurrë nga pozita superiore egoiste. Kur shkela në këtë drejtori qendrore të funksionimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe për pasojë e tërë ushtrisë, isha fare i ri e pa përvojën e duhur të njohjes së punëve të drejtimit ushtarak. Kisha atëherë rininë time dhe njohjen në fushën e topografisë. Vija nga shkollat ushtarake, të cilat i kisha mbaruar me sukses. Aty e dija se më prisnin punë të tjera, të ndryshme e të pa njohura. Por vendosa të eci në atë rrugë. U futa në mes të një kolektivi të ditur e me vullnet për punë. Ata më dhanë modelin e oficerit. Truri i asaj drejtorie ishin Vaskë Gjino, Spiro Shalësi, Ernest Jakova, por mbi të gjithë unë admiroja Petrit Dumen. Pa dinamizmin e tij ushtria nuk mund t’i fitonte ato cilësi luftarake dhe nuk mund të arrinte ato nivele gatishmërie, të cilat pata mundësi në sa e sa raste t’i shikoja nga afër. Në atë drejtori qendrore grumbullohej dhe përpunohej një informacion i shumanshëm, për ne nuk kishte kufizime, kështu aty e karrikova memorien time me të dhëna të plota dhe aq të domosdoshme për një oficer komandues. Prandaj e çmoj periudhën prej 6–7 vjetësh që punova aty. E di që vitet e më pasme, kur tashmë isha kthyer në komandues ushtarak, më dhanë njohjen e tyre të pazëvendësueshme, por ajo kishte në themel një bazament të fortë e të qartë, punën në Drejtorinë Operative. Përpara më hapej një rrugë e gjatë dhe interesante në fushën e drejtimit të njësive. Por prapë pyesja dhe e verifikoja veten: “A e dija mirë se çfarë dhe si duhej vepruar?!” Kjo pyetje më ka rënduar gjatë shumë viteve. Asaj nuk i dhashë kurrë një përgjigje të qartë, as kur e mbylla detyrën e komandimit ushtarak pas 20 vjetëve në detyrat e shkallës operative, por as sot që jam larg atyre kohëve. Mund të shënoj pa drojë që gjatë karrierës sime ushtarake jam përpjekur që ta kryej mirë dhe brenda afateve detyrën time dhe sipas kërkesave të rregulloreve. Kam zgjidhur detyra të shumta, dendur të ndërlikuara e të mbështetura në porosi gojore të eprorëve, pa arsyetuar shumë në mbështetjen që ata më jepnin, sepse detyra ushtarake nuk duron llafe të shumta”.

Fatet e ndryshme të ushtarakëve

“Fati i atij kolektivi me të cilët punova në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, ishte i ndryshëm. Secili duke shkelur në rrugën e tij bëri karrierë ushtarake. Oresti, Kristaqi dhe Faiku shkuan komandantë brigade, Vaska, Spirua Veipi dhe Malua komandant korpusi, Mujua pedagog në Akademi, Gjergji Shef i Shtabit të Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare Fier, Ernesti vazhdonte të mbetej Zv Drejtor, ndërsa mua, në korrik 1969 më çuan Komandant të Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë. Për 7 vjet që punova në Drejtorinë Operative të Shtabit të Përgjithshëm, pata fatin ta njoh nga afër Dumen në punë e sipër. Dhe jeta e përbashkët ka punën por ka marrëdhëniet njerëzore mbi të gjitha. Prandaj u futa në botën e tij shpirtërore, pashë nga afër qëndrime për problemet e mëdha të mbrojtjes të thëna aq shpejtë e thjeshtë, aty shfaqej karakteri i tij, prirjet dhe dëshirat, shqetësimi për mbarëvajtjen e punëve ne ushtri, mënyra e komunikimit dhe kurajoja që ai falte me bollëk duke të dhënë krahë për t’i bërë më të lehta detyrat tona. Nuk ngutej, por as harronte e as lëshonte. Ai, më mirë se kushdo e dinte detyrën e eprorit, por edhe hallet e vartësit”.

Me Spiro Shalësin

Si u përpunuan Bazat e Arit Ushtarak

“Gjatë viteve që punova në Drejtorinë Operative, në Degën e Përgatitjes së Shtabeve, pata fatin të punoja me të talentuarin Spiro Shalësi. Metodist dhe fjalë ëmbël, vendimtar në ato që i kapte lapsi apo na udhëzonte. Si ai të dytë nuk takova më. Sepse më pas, kur unë u bëra komandues njësie, isha i detyruar t’i kujtoja ata që më kishin drejtuar dhe mësuar si Spiro Shalësi. Ky gjeneral i talentuar të mësonte si të veproje. Drejtoria Operative kishte kuadro të ditur, dinamikë dhe me eksperienca të shumta mbi supe. Ne më të rinjtë përbënin ekipin energjik dhe dendur na quanin, e ardhmja. Erdhi 1974 dhe e shkërmoqi çdo gjë, duke mos pyetur se a do të kishte mundësi ndërtimi. Në vitet ’60-të, u përpunua materiali teorik që paraqiste Bazat e Artit Ushtarak të Luftës Popullore, i cili u quajt “Referati i Ministrisë së Mbrojtjes”. Ky material u miratua nga Hoxha dhe më 1963-shin u fut në përdorim të ushtrisë. Punoja atëherë në Drejtorinë Operative, ku u grumbulluan materialet të hartuara nga grupi i punës me pjesëmarrjen e Gjeneralëve Spiro Shalësi, Ernest Jakova dhe Thoma Xhixho. Për kompletimin e tij dhe vërtetimin e vlerave për armë e shërbime, punuan gjatë të gjitha drejtoritë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ato, kur referati u punua në Durrës, u mbajtën materiale ndihmëse, të cilat u cilësuan: “Një punë me vlera për zbërthimin e Referatit të Ministrit”.

DREJTORIA OPERATIVE

Dëshifrimi i fotografive ajrore

“Kur punoja në Drejtorinë Operative, pata rastin të shkel e të njoh terrene të tjera. Pa këtë njohje nuk mund ta parafytyrosh siç duhet luftimin e mundshëm e as metodikat nuk mund t’i hartosh të plota. Për këtë ndoshta më kanë ndihmuar edhe maketet e terrenit, në të cilin derdhet forma e tokës, por puna me fotografitë ajrore të jep një njohje të saktë të tij. Nga një fotografi ajrore, e marrë nga 15 apo 20 mijë metra lartësi, çdo gjë mund të kuptohet dhe deshifrohet me një saktësi të mrekullueshme. Kam parë një foto të tillë të fushimit në Apoloni, në janar të 1969-s, para se të bëhej stërvitja me trupa “Shpiragu”. Aty, në lartësinë 15000 metra nga toka dallohej çdo gjë, deri në tryezat e fushimit. Më 1969 shkova nga Tirana në Mirditë, do ngjitesha në Pukë e pastaj do të shkoja në Gjirokastër. Atje repartet i kisha të shtrirë nga Llogoraja përgjatë gjithë kufirit jugor, në 140 km e deri në Kolonjë. Ndërsa në thellësi, deri në Vlorë, Berat e Skrapar. Kështu, kur zbrita në Fier, ato reparte bashkë me terrenin i kisha njohur e shkelur me kohë. Të gjitha këto përbëjnë vetëm një pjesë të asaj që quhet njohje e situatës, po të flasim me termin ushtarak, pjesa tjetër, ndoshta më e rëndësishmja, mbetet jeta e gjallë, e cila është komplekse, e bukur dhe dashamirëse, por që herë-herë shfaqet e ashpër e me paradokset e saj, sidomos, po të futet elementi që vepron jashtë ndërgjegjes sonë”, – rrëfen Novruz Dervishaj.