Sadik MURRAJ/ Pesë breza në një familje të bashkuar rreth idealeve të LANÇ

956
Sigal

Familja e Isa Kalemajt, pjesëtare aktive në LANÇ dhe mbartëse e traditave atdhetare

Familja e Isa Kalemit nga Mërtinji i Përmetit, ka një vazhdimësi të admirueshme të brezave të saj me idealet e LANÇ  dhe renditet në ato raste të familjeve, të cilat kontribuan masivisht në LANÇ, dhe brezat e tyre më të rinj po ecin në atë rrugë të lavdishme të paraardhësve. Kështu ndodh edhe me familjen e njohur të Isa Kalemit nga Mërtinji i Përmetit. Në kuadrin e 70 vjetorit të rënies dëshmor të Hysen Kalemit, u zhvillua një veprimtari përkujtimore, e cila do të na mbetet në kujtesë si një takim ku morën pjesë pesë breza të kësaj familje të lidhur fort me njëri-tjetrin nga idealet atdhetare dhe liridashëse që kjo i transmeton pafundësisht, çka të kujton rrënjët e një rrapi që gjelbëron nëpër shekuj.

LUFTËATRËT E FAMILJES KALEMAJ

Pak fjalë për disa nga pjesëtarët më të njohur të kësaj familje, të cilët kontribuan dhe bënë sakrifica të mëdha në LANÇ.

Isa Kalemi, babai, duke qenë në emigracion në Francë në vitet ‘30-të të shekullit të kaluar, u lidh dhe bashkëpunoi me militantët e njohur atdhetarë Halim Xhelo, Mane Nishova, Qeriba Derri, vëllezërit Nushi, Kadri Baboçi, Xhemal Fratari, Fehmi Muço, ish anëtarë të PK të Francës, dhe ndjenjat atdhetare iu rritën pafundësisht. Me kthimin e tij në atdhe, iu përkushtua tërësisht çështjes atdhetare në luftë kundër regjimit antipopullor të Zogut dhe pushtimit fashist të vendit. Isai bëhet një aktivist i njohur i LANÇ në krahinën e Dëshnicës, duke bashkëpunuar me militantët dhe udhëheqësit e luftës në Qarkun e Gjirokastrës, si Mustafa Matohiti, Shefqet Peçi, Meleq Gosnishti, Lumo Pavari, Miro Xhunga, Kame Aliu etj. të cilët bujtën aty dhe u pritën me bujarinë më të madhe. Tre djemtë e tij, Mersini, Hyseni dhe Faiku, dolën partizanë dhe shtëpinë e tyre në Mërtinj e kthyen në një bazë nga më të njohurat e LANÇ. Madje mbas çlirimit të vendit aty u vendos administrata e pushtetit popullor dhe u mirëpritën reformat në rindërtimin e vendit.

FËMIJËT E FAMILJES

Mersini, djali i madh, në vitin 1944 u bë anëtar i rinisë antifashiste. Mbas çlirimit të vendit kreu shkollën e MPB dhe shërbeu disa vite si oficer i Policisë Popullore në Këlcyrë, Përmet, Gjirokastër e Tiranë. Më pas u emërua shef i pasaportizimit në Kom. Ekz. të rrethit Tiranë. Hyseni, dëshmor i Atdheut: Më 1925 shkoi në emigracion në Francë bashkë me familjen dhe u kthye në vendlindje në moshën 19 vjeç. Ditën e pushtimit fashist të vendit, më 7 Prill 1939, ishte ushtar në Durrës, ku luftoi bashkë me shokët përkrah Mujo Ulqinakut. Në vitin 1940 strehohen familjarisht në Tiranë, dhe Hyseni u lidh me çetën partizane të Myslim Pezës, mori pjesë aktive në njësitet guerile të qytetit dhe në demonstratat antifashiste. Më 1942 u martua me Faikenë, e bija e atdhetarit të njohur Nuri Pagria, me të cilën në vitin 1943 i lindi djali i vetëm Mustafai. Në vitin 1944 Hysen Kalemi inkuadrohet në Brigadën XII Sulmuese Partizane, duke u shquar për guxim dhe sakrifica të larta. Veçanërisht vendosmëria e tij e rrallë spikati në luftimet që bëri brigada në rrethinat e Peqinit për të ndalur një autokolone naziste, e cila shkonte si përforcim në betejën e Tiranës. Në këtë luftim të përgjakshëm Hyseni ra Dëshmor i Atdheut, bashkë me disa shokë partizanë. Në qytetin e Peqinit është ngritur një lapidar me emrat e këtyre dëshmorëve, ku është skalitur edhe emri i Hysen Kalemit.

Lule Elezi (Kalemi) e bija, lindi më 20 maj 1920. Në vitin 1936 u martua me Samit Elezin, arsimtar nga Mërtinji, nga një familje e madhe atdhedashëse e lidhur me LANÇ. Samiti ishte sekretar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit. Mbas çlirimit si arsimtar mori Statusin e Veteranit të LANÇ. Lulja ndihmoi në LANÇ me ushqime e veshmbathje për partizanët.

Faiku:  Doli partizan me batalionin “Naim Frashëri. Më 26 janar 1944 u radhit në Brigadën VI Sulmuese. Mbas çlirimit të vendit kreu studimet në Shkollën e MPB dhe si oficer policie shërbeu në Këlcyrë dhe Përmet. Më pas u lirua, u kthye në fshat dhe u zgjodh kryetar i kooperativës bujqësore të Mërtinjit, që ishte nga më të dalluarat në rrethin e Përmetit. Më pas punoi me shumë korrektesë në Kombinatin Ushqimor, Tiranë, derisa doli në pension. Tani është veteran dhe bën një jetë aktive në mbrojtje të idealeve të LANÇ.

Mustafai, djali i Hysenit, lindi në vitin 1943. Pas rënies së të atit dëshmor, u rrit nën kujdesin shembullor të gjyshërve, Isai dhe Fatimeja, xhaxhallarëve dhe hallës Lule. Me dëshirën e madhe për dije, përfundoi Shkollën Teknologjike në Tiranë dhe Shkollën Ushtarake të Aviacionit në Vlorë. Shërbeu si teknik aviacioni në Regjimentin e Rinasit, duke u dalluar për aftësi të larta profesionale dhe korrektesë shembullore në kryerjen e të gjitha detyrave të mbrojtjes së Atdheut derisa doli në pension. U martua me Shpresa Zeqon dhe kanë katër fëmijë: Sokoli, Genci, Irena dhe Fata, të katër kanë formuar personalitetin e tyre me figurë të pastër morale dhe aftësi profesionale, ku punojnë dhe jetojnë. Mbi gjithçka kjo familje e re ruan nderimin më të madh për babanë e Mustafait, Dëshmorin e Atdheut, Hysen Kalemi, për të cilin në 70 vjetorin e rënies, organizuan një veprimtari përkujtimore. t të katërt të familjes Kalemi.

DISA VLERËSIME

Dalan Buxheli: Është nder i madh të jesh i pranishëm në këtë veprimtari përkujtimore që i kushtohet dëshmorit Hysen Kalemi, biri i një familje të njohur atdhetare. Parafolësit e bënë biografinë e heroizmit të tij. Ai u vra nga nazistët për çlirimin e Peqinit, atëherë kur në betejën e Tiranës, populli i kryeqytetit i ndihmoi dhe i furnizonte luftëtarët e lirisë me bukë dhe ujë, të cilët hidheshin mbi zinxhirët e tankeve me bombat në gji për t’i shkatërruar plotësisht dhe për të arritur fitoren më 17 Nëntor 1944. 311 trima, bij të popullit nga e gjithë Shqipëria, ranë për çlirimin e Tiranës. Gjaku i tyre akoma nuk ishte tharë kur më 29 Nëntor 1944 u arrit fitorja më e madhe në historinë e vendit tonë, Çlirimi i Shqipërisë. Përkujtimi me nderim që po i bëjmë Hysenit, është edhe një respekt shumë i madh për familjen e tij atdhetare dhe për të gjithë ju pasardhësit e denjë të saj.

Gjikë Kurtiqi: Është kënaqësi e veçantë për mua të marr pjesë në këtë nderim të madh që i bëhet familjes Kalemi dhe posaçërisht Hysenit, Dëshmor i Atdheut. Me këtë rast ju sjell përshëndetjet më të përzemërta të shokëve të redaksisë së gazetës “Kushtrim brezash”, Kristaq Laka dhe Sadikut. Veçanërisht ju përshëndes edhe në emër të shokut Rustem Peçi, Kryetar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ. Ai nuk mundi të vinte këtu për arsye pune. Kishte shumë dëshirë edhe për faktin se babanë e tij, Shefqet Peçin, Mustafa Matohitin dhe shokët e tyre, familja Kalemi i priti me bujari të madhe në ditët e luftës, duke ndarë me ta kafshitën e bukës. Në LANÇ dëshmorët dhanë gjakun e tyre dhe ajo luftë mbetet përjetësisht si më e lavdishmja në historinë e Shqipërisë. LANÇ i siguroi lirinë dhe pavarësinë Atdheut tonë dhe askush nuk mund ta mohojë kontributin e partizanëve dhe gjakun e dëshmorëve të Atdheut.

VAZHDIMËSIA

Stafeta e lavdisë partizane dhe idealeve të LANÇ përcillet me madhështinë e saj edhe në brezat e kësaj familje të njohur. Dhe ja, përmes entusiazmit të madh të pjesëmarrësve, nga familja e Mustafait bëhen pasardhës veterani Devis Genci Kalemi dhe Ervin Fatmir Kalemi. Ndërsa si pasardhës të familjeve të dëshmorëve marrin dokumentin përkatës Mustafa Hysen Kalemi, biri i dëshmorit, Fetije Halim Elezi­­, etj…