Ikonat që lartësuan RTSH

1463
Sigal

Emisionet “Teatri në mikrofon”, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” dhe “Fjala artistike” do mbeten në memorien e kombit. Kujtimet për Kuken, Averin, Kulen, Konomin dhe krijimtarinë e Koreshit, Xhuvanit, Kongolit, Cergës etj

Kujtimet  e  Kadri Metohut : Nuk harrohen Afërdita Averi, Zerina Kuke, Kiço Fotiadhi, Ismail Sharra, Virgjil Kule, Amalia Dhamo, Feride Konomi


02-
Mbeten unike. “Teatri në mikrofon”, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Fjala artistike”

 

03-. Për emisionin “Teatri në mikrofon” realizimi i parë dramaturgjik ishte romani “Një vjeshtë me stuhi” i Ali Abdihoxhës.”

 

04- Repertori i “Teatrit në mikrofon” u pasurua me krijimtarin e Vath Koreshit, Dhimitër Xhuvanit, Nasho Jorgaqit, Gazmend Kongolit, Agim Cergas


Albert  Z. ZHOLI
Me origjinë nga Berati, ka lindur në vitin 1931, Në vitin 1934, familjarisht u vendosën me banim në Tiranë. Si mbaroi shkollën fillore, pasioni dhe dëshira e nxitën për të ushtruar veprimtari në fushën e teatrit. I shtyrë nga kjo dëshirë vazhdoi studimet (pas çlirimit) në liceun artistik “Jordan Misja” në degën e dramaturgjisë, regjizusës dhe mjeshtërisë së aktorit.

Si  i kujtoni  studimet?
Në vitin 1951 kur isha akoma nxënës në liceun artistik lidha marrëdhënie bashkëpunimi me radio Tiranën si bashkëpunëtor i jashtëm. Për një periudhë kohe u angazhova në realizimin e emisioneve muziko- letrare. Gjatë kësaj kohe kam shkruar dhe realizuar në mikrofonin e radios disa emisione për edukimin muzikor e letrar, duke shkruar për kompozitorët Xhuzepe Verdi, Puçini, Maskanji etj. Në fushën e letërsisë artistike kam shkruar emisione letrare kushtuar shkrimtarëve të njohur botëror si: Hygo, Shiler, Shekspiri, Dante Aligeri etj. Në këtë rubrikë kam shkruar dhe realizuar dhe disa emisione kushtuar shkrimtarëve tanë të njohur si: Fan Noli, Vaso Pasha, Naim Frashëri e shumë të tjerë. Periudha e viteve 1930-1940,karakterizohej nga një nivel i ulët i zhvillimit të vendit tonë. Me ardhjen e studentëve që kishin kryer studimet në Evropë në profile të ndryshme, jeta dhe zhvillimi i vendit gjatë kësaj
periudhe pati një ecuri të mirë në të gjitha fushat, për faktin se këto kuadro që erdhën nga perëndimi ishin mjaft të përgatitur dhe me një ndjenjë të lartë respekti dhe dashurie për atdheun.

Krijimi i Radio Tiranës

Nga kjo gjendje për sa i përket me sipër vlen të përmendet dhe krijimi i Radio Tiranës, ku për të parën herë u dëgjua në një pjesë të mirë të zonave të vendit tonë anonçimi “Ju flet Tirana”. Anonvimin e parë vlen të përmendet që e kreu aktorja e mirënjohur Drita Pelingu. Krijimi i radios u bë në vitin 1938.
Vendi në të cilën filloi veprimtarinë radioja dhe ku u vendos ajo aparaturë mjaft e varfër në krahasim me nivelin teknik të kohës, ishte një dhomë e vogël në bashkinë e asaj kohe të Tiranës, e cila është prishur dhe në vendin e saj është ndërtuar muzeu kombëtar.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia, pas një periudhe të shkurtër Radio Tirana u vendos në një godinë tek rruga e Kavajës dhe u pajis në atë periudhë me një aparaturë më të avancuar të kohës. Siç dihet dhe siç dëshmohet nga dëshmitarët e kohës emisionet e radios në atë periudhë u shtuan dhe pati një ngritje në nivelin e realizimit. Emisionet gjatë kësaj periudhe transmetoheshin pjesa më e madhe direkt, për faktin se në atë periudhë nuk kishte aparaturë regjistrimi. Emisionet muzikore dhe letrare ilustroheshin direkt nga veprat botërore simfonike dhe vokale të cilat ishin regjistruar ne disqet e firmës “Odeon”. Veprimtaria e radios në kohën e pushtimit fashist drejtohej nga Galeaci i dërguar nag Italia si dhe drejtor ishte Gjergj Bubani, që karakterizohej nga një aftësi shumë e mirë gazetareske, organizator i mirë dhe me një ndjenjë të lartë fisnike patriotike.

Mbas çlirimit…
Mbas çlirimit të Shqipërisë m’u dha mundësia për të vazhduar studimet e larta në Akademinë e arteve të bukura të Pragës gjë e cila u realizua pasi kisha kryer studimet në liceun artistik të Tiranës dhe kisha realizuar një punë të gjerë bashkëpunimi me radion ashtu siç e përmenda dhe më lartë.
Veprimtaria e radios që nga krijimi i saj dhe deri më sot shënon një numër të madh realizimesh në të gjitha fushat e jetës. Po ashtu gjatë kësaj periudhe vlen të përmendim punonjësit anoncues të programeve siç janë zonja Plasari,Viktori Xhaçka pastaj me kalimin e kohës përmendim Vera Zhejin që ishte një folëse e shkëlqyer me diksion të pastër dhe një kulturë të gjerë, në këtë rast vlen të përmendim dhe folësin e mirënjohur Haki Bejleri dhe më vonë  me folësin  Kiço Fotiadhi i cili karakterizohej nga një forcë e shëndoshë në leximin logjik të tekstit dhe diksionin e pastër.

Kthimi nga Praga
Mbas kthimit tim nga Praga u emërova me dëshirën dhe kërkesën time si regjisor në Radio. Kjo kërkesë ishte për faktin se një pjesë të kolektivit të këtij institucioni ishte i njohur për mua. Për një periudhë të gjatë kohe kam përpunuar në ndërgjegjen time mendimin që në emisionet e radios të realizoheshin emisionet dramatike si; teatri për të rritur ashtu dhe teatri për fëmijë. Kjo dëshirë që në ditët e para të fillimit të punës më nxiti që të merrem me krijimtarinë dhe realizimin e emisionit: “Teatri në mikrofon”, më vonë, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Fjala artistike” si dhe emisioni humoristik “Estrada në mikrofon”. Emisionet e mësipërme realizoheshin në bashkëpunim me aktorët e skenës si të Tiranës dhe të tërë Republikës. Për emisionin “Teatri në mikrofon” realizimi i parë dramaturgjik ishte romani “Një vjeshtë me stuhi” i Ali Abdihoxhës.”Shkodra e rrethueme “ e Ndoc Nikaj etj. Një rëndësi të veçantë pati thyerja e
konceptit në grupin e redaktorëve të radios ku qarkullonte mendimi se qenia e një regjisori në radio ishte komoditet i tepruar, por ky mendim shumë shpejt u thye për faktin se emisioni “Teatri në mikrofon”, i cili transmetohej një herë në javë fitoi një popullaritet në mbarë dëgjuesit. Repertori i këtij emisioni filloi të pasurohej me shpejtësi, për faktin se pjesa më e madhe e botimeve letrare të vendit si romane, novela dhe tregime u dramatizuan me shumë dashuri nga ana ime dhe gjetën realizim të plotë. Repertori i “Teatrit në mikrofon” me temat për vendin tonë u pasurua me krijimtarinë e shkrimtarëve tanë, siç ishin Vath Koreshi, Dhimitër Xhuvani, Nasho Jorgaqi, Gazmend Kongoli, Agim Cerga etj. Këtij repertori të emisionit “Teatri në mikrofon” iu shtuan dhe veprat e shkrimtarëve të shquar botëror si: Xhek London, Xhon Gollsuord, Elio Vitorini, Aleksandër Nekses, Shollohovi, Tolstoi, Ibsen etj. Kjo krijimtari e mësipërme më vuri në pozita pune për dramatizimin dhe përshtatshmërinë e tyre në emisionin “Teatri në mikrofon”. Këtij emisioni plus veprave të mësipërme që përmenda iu shtua dhe emisioni “Heroizmi i popullit tonë në shekuj” në të cilin pasqyrohej në formën e dramatizimit jeta, veprat dhe heroizmi i heronjve tanë qoftë të së kaluarës dhe të Luftës Nacional- Çlirimtare. Për realizimin e këtyre dy emisioneve si dhe të emisionit “Fjala artistike në mikrofon” një kontribut të madh bashkëpunimi kanë dhënë dhe aktorët e teatrit kombëtar si Mihal Popi, Naim Frashëri, Lazër Filipi, Pjetër Gjoka, Marie Logoreci, Margarita Xhepa, Besa Imami etj.

Specializimi në Itali
Kur lindi ideja për ngritjen e televizionit mbi baza profesionale mua më dërguan për specializim në Itali, në RAI në Romë, qendra e prodhimit të programeve televizive. Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit tim në RAI u përpoqa të merrja strukturën organizative dhe përafërsisht strukturën e programeve që transmetoheshin aty. Së bashku me tre specialistë të tjerë teknik, inxhinier u përpoqëm që të  ndërtonim një ide më të saktë në ndërtimin e televizionit tonë. Si u kthyem në Tiranë parashtruam para drejtorisë dhe kolegjiumit kërkesat tona për ngritjen profesionale të emisioneve tona televizive. Me ato çka pamë dhe mësuam në RAI për një moment të caktuar pësuam një deziluzion dhe mosbesim për të arritur dëshirat tona. Ky mendim na lindi, sepse teknika e përsosur e asaj kohe e RAI-it, studiot e mëdha dhe profesionalizmi i lartë i tyre na bëri që të mendonim shumë, nëse do të mundeshim të realizonim një përqindje të caktuar të dëshirave tona.

Transmetimet e para televizive
Transmetimet e para televizive filluan që në pranverë ose më saktë, në muajin Prill të vitit 1960, ku nuk dispononim asnjë studio të vogël për instalimin e një aparature të varfër. Kishim marrë me qira një dhomë të një shtëpie private dhe bënim transmetimin direkt të një programi shumë të kufizuar. Kishim vetëm një operator një kamera pothuajse jashtë përdorimit, të cilën e përdorte Beqir Derhemi. Në atë kohë transmetimet tona  ishin shumë të ngushtuara në kohë  dhe sinjali televiziv nuk mbulonte as çerekun e Tiranës. Transmetimi i programeve bëhej direkt dhe nën kujdesin e redaktores Stoli Beli, e cila ishte njëkohësisht redaktore e emisionit të fëmijëve në redaksinë e Radios.

Ndërtimi i godinës së re
Me ndërtimin e godinës së re të radios ku është dhe sot televizionit iu dha një ambient i vogël për të ngritur studion televizive nga ku transmetoheshin programet. Koha e transmetimit nuk ishte më shumë se katër orë në ditë. Me një vendim të veçantë të qeverisë të asaj kohe u ndërtua godina e televizionit ku është aktualisht dhe sot. Kjo godinë dhe studiot e saj në vështrimin e kërkesave të kohës së sotme kanë mangësi të theksuara dhe mundësi të vogla për realizime të emisioneve me nivel të lartë artistik dhe profesional. Me kalimin në godinën e porsandërtuar kuadri i këtij institucioni u plotësua në përqindjen më të madhe nga redaktorët, inxhinierët dhe teknikët e radios. Në mbështetje të eksperiencës që morëm nga RAI shumë shpejt ndërtuam strukturën organizative si dhe strukturën e programeve për 6 orë transmetim. Në strukturën organizative bënin pjesë redaksia e informacionit, redaksia e kulturës, redaksia e muzikës, redaksia për emisionet e fëmijëve, redaksia shkencore dhe sektori teknik për mirëmbajtjen dhe përdorimin e aparaturave. Duhet të përmendim që folësit e parë në televizionin e porsa-ngritur ishin: Afërdita Averi, Zerina Kuke, Kiço Fotiadhi, Ismail Sharra dhe më vonë Virgjil Kule, Amalia Dhamo, Feride Konomi etj…(të më falin që ndoshta për momentin s’i kujtoj.)

Aparaturat e montuara
Duhet thënë  se aparaturat e montuara për realizimin dhe transmetimin e programeve televizive ishte prodhimi i parë eksperimental kinez. Në procesin e punës qoftë dhe të regjistrimit të emisioneve kjo aparaturë ishte shumë defektoze dhe amatoreske. Si rezultat i këtyre defekteve të mëdha që kishte, qeveria e asaj kohe vuri në dispozicion një fond valutor për blerjen e disa kamerave dhe disa aparateve të tjera regjistruese dhe transmetuese. Blerja e këtyre aparateve ndihmoi shumë në përmirësimin e nivelit të realizimit dhe transmetimit të emisioneve. Organizimi i punës duke u mbështetur nga eksperienca e radios ishte mjaft i mirë. Çdo javë  bëhej  analiza e programeve të transmetuara dhe miratohej programi televiziv i javës së ardhshme. Këtë detyrë e kishte drejtoria dhe kolegjiumi i televizionit. Në vazhdim të punës për ngritjen e cilësisë së emisioneve dhe shtimin e orëve të transmetimit na u dha një fond nga
qeveria si dhe një numër fuqi punëtore që të specializoheshin për kameraman, teknik etj. Nga ky fond  u blenë disa kamera, aparatura e laboratorit të filmit, Moviola e montazhit dhe dy aparatura të tjera montazhi “Ampeks”. Për 112 punonjës që na u shtuan u organizuan kurse specializimi për kameraman, montazhier dhe laborant. Për realizimin e këtyre kurseve patëm ndihmën e disa punonjësve të kinostudios si regjisori Kristaq Dhamo, Gëzim Erebara, Endri Keko, Faruk Basha etj.

Gazeta “Zëri i popullit”
Gjatë kohës që ky kuadër po kualifikohej, doli në gazetën”Zëri i Popullit” shkrimi “Kur flet klasa nuk flet burokratizmi”. Mbi këtë artikull organet shtetërore dhe partiake ngritën organizmat e kontrollit që quheshin “Kontrolli i klasës punëtore”. Ekipi i kontrollit punëtor që erdhi tek ne ishte nga uzina e Autotraktorëve në të cilin bënin pjesë tornitor, fonditor, frezator. Ky ekip shoqërohej nga një instruktor i komitetit të partisë së rajonit. Përbërja e këtij ekipi siç shihet ishte e panjohur me specifikën e punëve televizive.
Ky ekip qëndroi në televizion për një periudhë një javore. Në një takim që kam pasur me këtë ekip më bënë pyetjen mbi ngarkesën e punës që ka çdo punonjës. Une iu përgjigja duke iu thënë se çdo redaktor ka në ngarkesë një emision në javë 20-30 minuta. Kjo përgjigje ata i çuditi dhe filluan të ironizojnë duke thënë: “Ju bokeni pallë, si ka mundësi që një redaktor të realizojë në një javë vetëm 20 minuta!” emision. Unë u përpoqa t’i shpjegoj teknologjinë e punës duke i sqaruar se ky redaktor për këtë emision do të shkojë në bazë, do të gjejë temën, do të xhirojë ambientet, do të xhirojë ata që interviston dhe si të ketë mbaruar këtë punë, kthehet në Tiranë. Filmi i xhiruar për këtë emision kalon në laborator për t’u  larë, kalon në Moviolë për  t’u bërë montazhi dhe gjenden elementët për ilustrimin e transmetimit të këtij emisioni. Ky proces i gjatë pune atyre nuk u interesoi fare dhe filluan të qeshin duke thënë: “Ju qenkeni mbytur në burokraci!!!”. Në mbledhjen e kolektivit ata dhanë konkluzionet e tyre duke thënë se nga kolektivi i punonjësve të televizionit duhet të shkurtohen 112 vetë. Vendimi i tyre u bë ligj dhe gjeti zbatimin e plotë. Unë duke qenë në funksionin e udhëheqësit artistik, duke dëgjuar këtë konkluzion ndjeva zemërim dhe shqetësim të madh gjë, e cila më nxiti të bëj një përplasje nervoze me ta duke mos marrë parasysh pasojat që do të më prisnin.

Programet artistike
Gjatë kohës së punës time në televizion jam marrë dhe me realizimin e programeve artistike siç janë: Realizimi i koncerteve të mëdha festive të Vitit të Ri dhe të evenimenteve të tjera. Po ashtu u përpoqa dhe bëra disa realizime për të futur në ekranin tonë emisionin: “Teatri në ekran” si dhe “Estrada në ekran” etj. Nuk kaloi shumë kohë nga kjo përplasje me kontrollin punëtor. Nën motivin e domosdoshmërisë për qarkullim më larguan nga televizioni duke u përpjekur të më emëronin në detyra të rëndomta jashtë profilit tim. Varianti i parë për emërimin tim ishte në metalurgjikun e Elbasanit. Mbasi u kundërshtua ky mendim më emëruan që të punoja metodist në Krujë, por edhe ky variant u anulua. Komiteti Ekzekutiv i Tiranës më emëroi si bibliotekar në bibliotekën e Universitetit të Kamzës. Mbas shumë përpjekjesh dhe kundërshtimesh me ndërmjetësimin e atyre që më vlerësonin më emëruan si mësues në Shkollën e Kulturës së Tiranës.

Të hënën do lexoni

Tefta Radi: Kur  isha  mësuese  në Fushë-Arrëz  u  njoha  me  Frankon, njeriun  ideal

02- Rreth 23 vjet kam qenë gazetare gjithë ditën dhe folëse në mbrëmje

03- Vera Zheji, Haki Bejleri, Nevzat Dibra, Agron Cobani u rehabilituan për arësyen e vetme sepse duheshin për aftësitë  e tyre

04- Haki Bejleri,Vera Zheji, Nevzat Dibra, Kiço Fotjadhi, Elsa Xhai, Viron Noti, Virgjil Kule  mbeten  unikë

05- Unë nuk kam pasur rast ta takoj Enver Hoxhën edhe pse kam punuar mbi një dekadë në atë sistem,  kishte  gazetarë  të caktuar  për  të