Nikolla Pano: Ja mendimi im për shtetarët shqiptarë, nga Berisha tek Fatos Nano. Çfarë do të doja për Shqipërinë nëse do të isha President i Sh.B.A-ve. Problemet dhe mangësitë e sotme në vendin tonë

1216
Sigal

Udhëheqësit e demokracisë ranë pre e zakoneve të liderëve komunistë, rruga e ndjekur nga ta nuk ka qenë gjithmonë në interesin e Shqipërisë

Vijon nga numri i kaluar

Profesor Pano, ju përmendet që interesi i SHBA është që rajoni të jetë stabël, të sundojë shteti ligjor dhe të forcohen institucionet. Por ajo që po shohim, dhe jo vetëm në Shqipëri, është fenomeni i ri i rritjes së populizmit dhe liderëve të fortë. Dhe ky fenomen nuk po ndodh vetëm në rajon, por edhe në vendet evropiane. Dhe liderët e fortë nuk janë në përputhje me institucionet e forta. A është ky paradoksi i kohës sonë, që në njërën anë flasim dhe predikojmë forcim institucionesh dha në anën tjetër ajo që shohim praktikisht janë liderët e fortë?

Ne po shohim lindjen e të ashtuquajturit populizëm në Evropë, por edhe në SHBA, e në Lindjen e Largët. Filipinet janë një shembull pikant. Po, ka një populizëm dhe shoqërohet me polarizimin politik, që çon në paralizën e shumë qeverive dhe krijohen kushtet për rritjen e këtyre liderëve të fortë. Njerëzit lodhen nga destabiliteti, lodhen nga konflikti dhe presin që dikush të hyjë në lojë, t’i zgjidhë problemet, të vendosë rregull. Ky është një rrezik dhe është shumë e vështirë për t’u ballafaquar sepse po shohim elementë të tij edhe në demokracitë e përparuara siç janë SHBA. Ne duhet t’i adresojmë këto çështje, qofshin ato në demokracitë e avancuara apo në vende si rajoni, apo Evropa Lindore apo Evropa Qendrore. Duhet t‘i adresojmë këto probleme dhe t’i bindim njerëzit që qeveritë po punojnë për ta, se interesi më i mirë i qeverive është për njerëzit dhe duhet bërë shumë punë për edukimin qytetar në shkolla. Ne sigurisht nuk duam të shkojmë tek indoktrinimi politik, por sidoqoftë njerëzit duhet të kuptojnë natyrën e problemeve që po na çon në një polarizim politik dhe rëndësinë që qeveria t’i adresojë këto çështje.

Le të kthehemi tek marrëdhëniet e Shqipërisë me Amerikën. Ju keni vizituar shpesh Shqipërinë. Vizita e parë ishte në 1973-shin. Dy dekada më pas erdhët në dhjetor të vitit ’90. Dhe që në atë kohë keni ardhur shpesh në Shqipëri. Është e qartë se ka ndryshime, por njerëzit gjithmonë e më shumë duan të largohen nga vendi dhe në vend që të përpiqen t’i ndryshojnë gjërat këtu dhe të ndryshojnë qeverinë këtu, ata ndryshojnë vendin ku duan të kalojnë pjesën tjetër të jetës. Shkojnë në Gjermani, SHBA dhe vende të tjera perëndimore. A mundet që Shqipëria të kishte pasur një tranzicion më të lehtë dhe më të shpejtë se ky?

Ky është një problem i madh. Pozicioni i Shqipërisë ka qenë tejet, tejet i vështirë. Ka kaluar një seri krizash, duke filluar me krizën ekonomike, fill pas rënies së regjimit komunist. Pastaj patëm tragjedinë e madhe të skemave piramidale dhe në këtë periudhë që mund ta quash edhe si luftë civile patëm trazira që e destabilizuan edhe më tej situatën. Gjatë dekadës së parë të tranzicionit, shumë njerëz, veçanërisht të rinj, nisën të largoheshin nga vendi, disa për arsye sigurie, disa për arsye ekonomike. Ka qenë e vështirë për Shqipërinë që ekonomia e saj të ecë. Ky ka qenë, le të themi, problemi fillestar. Nuk pati Shqipëria atë nivel ekonomie që njerëzit me përvojë dhe zanate të bindeshin që të qëndronin e të mos largoheshin. Në Shqipëri nuk ka burime njerëzore. Shkolla prodhon shumë diplomantë, por jo në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Ne ende e kemi tribalizmin, betejë të ashpër politike, kemi nepotizmin dhe kjo i shkurajon shumë njerëzit dhe në Shqipëri nuk ka rëndësi se çfarë di, por kë njeh dhe kjo shton pesimizmin. Këto janë disa çështje që duhen adresuar dhe duket sikur po përsëris vetveten, por duhen krijuar kushtet brenda Shqipërisë, duhet krijuar barazia sociale. Ne po shohim në Shqipëri bjerrjen e asaj që mund të quhej klasë e mesme e zhvilluar dhe ky është një problem shumë serioz. Kemi problemin e stabilizimit të sistemit drejtësisë. Në momentin që flasim, Shqipëria ka një situatë kaotike, ndoshta edhe nga përpjekja për të strukturuar nga e para sistemin gjyqësor. Kjo i shkurajon investimet e huaja në vend. Korrupsioni sigurisht që i shkurajon investimet e huaja. Aktiviteti kriminal i shkurajon investimet e huaja. Ju keni nevojë për investimet e huaja. Ju keni nevojë për aktivitetet e tyre që të krijohen kushtet për të krijuar vende pune në Shqipëri, veçanërisht për të rinjtë, të cilët janë ata që duan të largohen më së shumti.

Ju thatë se në Shqipëri është më e rëndësishme kë njeh se sa çfarë di. Ju i njihni gjithë të liderët politik në Shqipëri dhe po ju kërkoj një mendim të sinqertë. Çfarë mendoni për liderët që në një farë mënyre e kanë dominuar apo dominojnë skenën politike shqiptare gjatë këtij tranzicioni të gjatë dhe të vështirë?

Kam pasur mundësinë të njoh gjithë presidentët e Shqipërisë që nga Sali Berisha tek Bujar Nishani, edhe Ilir Metën sigurisht. Kam shumë respekt për Sali Berishën. Ai ishte një nga intelektualët më brilant që drejtoi këtë vend. Por mund të them të njëjtën gjë për Fatos Nanon. Ata ishin njerëz të zotët, por fatkeqësisht në momentin kur erdhën në pushtet u përballën me një seri të madhe problemesh, disa prej të cilave nuk i përballuan dot. Disa prej tyre i trajtuan politikisht dhe për interesa politike dhe kjo më duket pak stresuese. Dhe si pasojë e kësaj ata nuk arritën që të prodhonin lidershipin për të cilin Shqipëria kishte nevojë. Ata ranë pre e zakoneve të trashëguara nga regjimi komunist. Shumë sociologë thonë se kjo ndodh, sepse këta njerëz u rritën në atë sistem. Kjo ishte gjithçka që ata dinin dhe kjo është arsyeja që ata u sollën si liderë në mënyrën që u sollën. Por ata u përballën edhe me shumë probleme të rënda dhe mënyra se si ata u përballën me këto probleme nuk ka qenë gjithmonë në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Me këta liderë që ju keni njohur historia do të jetë më bujare apo më e ashpër në krahasim me atë që thuhet sot në gazeta apo në televizor për ta?

Mendoj se historia do të shohë problemet që këta liderë trashëguan, do të shohin disa nga faktorët që ndoshta i çuan këta liderë në një shteg që ndoshta nuk ishte ai i dëshiruari, nëse ata u përpoqën të ngrinin institucione demokratike. Domethënë, ju duhet ta gjykoni një lider, bazuar në kushtet që kanë mbizotëruar kur ky person ishte kryetar shteti apo kryetar qeverie. Për fat të keq, siç e thashë, rruga e ndjekur nga gjenerata e parë e liderëve nuk ka qenë gjithmonë në interesin më të mirë të Shqipërisë dhe kjo ka kontribuar në polarizimin dhe në problemet si; krimi dhe korrupsioni, që ekzistojnë në vend dhe kjo edhe më tej pengon ardhjen e investitorëve të huaj dhe krijimin e politikave sociale që do të ishin në interesin më të mirë të shoqërisë.

Kur dikush flet për sfidat e Shqipërisë, dikush mund të pyesë, cili është problemi? Vend i vogël, i pasur, komb i ri, me minerale, dy dete, liqene, lumenj, kulturë dhe klimë mesdhetare dhe ende mbetet pa përgjigje pyetja e madhe: Çfarë problemi ka Shqipëria që nuk po i bashkohet dot klubit të vendeve të BE-së?

Pjesë e problemit të Shqipërisë është historia. Shqipëria ka qenë vendi më pak i zhvilluar… ndoshta Moldavia është më pak e zhvilluar. Pra, Shqipëria ka qenë vendi nga më të fundit, në mos i fundit, sa i përket zhvillimit. Shqipëria nuk është se pati ndonjëherë mundësinë që të fillonte të adresonte këtë problem. Shqipëria e mori pavarësinë vetëm në vitin 1912-1913. Menjëherë nisi Lufta I Botërore. Pasoi një periudhë anarkie në Shqipëri. Pastaj kemi një restaurim të shtetit shqiptar në vitin 1921 me Kongresin e Lushnjës. Dhe më vonë kemi një betejë të fortë politikë në 1921-1924 dhe pastaj kemi ardhjen e Mbretit Zog që i duhej të stabilizonte vendin dhe të vendoste autoritetin e tij. Atij i mungonin fondet për zhvillim dhe u kthye nga Italia dhe, gradualisht, u bë vasal ekonomik i saj. Dhe kur u mendua se u arrit një farë progresi, Shqipëria nuk arriti kurrë që të përballej plotësisht me sfidat e veta. Zogu ia doli të bënte diçka. Ai krijoi shtetin. U ndërtua burokracia. U përpoq të ndërtonte një sistem arsimor. Ai qëndroi në pushtet nga viti 1925-1939. Pastaj Shqipëria u pushtua nga Italia dhe u kthye në shesh betejë gjatë Luftës II Botërore dhe sërish nuk pati mundësi për një progres të vërtetë. Pastaj Shqipëria mbeti nën regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe, siç e theksuam, kushtet në vend ishin të tmerrshme. Shqipëria pati një progres të kufizuar si satelit i Bashkimit Sovjetik. Shqipëria ishte prapë vendi më pak i zhvilluar në sferën e Bashkimit Sovjetik, të udhëhequr më parë nga Stalini e më pas nga Hrushovi. Shqipëria ishte periferi. Shqipëria ishte menduar që t’i delegohej Ish-Jugosllavisë. Pak gjëra ndodhën. Shqipëria lëvizi nga tutela sovjetike në tutelën kineze, por edhe kjo aleancë ra në kolaps. Pastaj Shqipëria e Enver Hoxhës ra në autarki dhe u bazua vetëm në burimet e brendshme. Kjo ishte një politikë e tmerrshme për Shqipërinë. Vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, në 1985-n, Shqipëria filloi të kthehej gradualisht drejt Evropës Perëndimore. Por nuk kishte institucioneve të zhvilluara. Pra, Shqipëria ka pasur gjithmonë një start shumë të keq. Edhe vende si Bullgaria dhe Rumania, që ishin nën regjimin komunist, kishin një gjendje ekonomike dhe një sistem më të zhvilluar. Shqipëria nuk i kishte këto institucione, që këto vende të tjera i kishin, edhe pse de facto ishin diktatura. Pra, Shqipëria ka këtë trashëgimi me të cilën po lufton. Shqipërisë gjithmonë i duhet që të kapë kohën e humbur. Shqipëria përmbysi regjimin komunist dhe kishte gjithë ato sfida për të cilën ne folëm në fillim të viteve ’90. Shqipëria tani gradualisht po kap kohën, por institucionet do të duhet që ende të zhvillohen. Sistemi gjyqësor duhet të zhvillohet. Shqipëria po përballet me gjithë këto probleme dhe të gjitha këto e kanë një efekt në zhvillimin e saj.

Pra, historia po na përndjek. Shqipëria ka qenë në periferi të Perandorisë së Bizantit, Perandorisë Otomane, Perandorisë Ruse dhe më pas në marrëdhënie me Kinën. A është ky momenti i parë që jemi në anën e duhur të historisë?

Ne mund ta argumentojmë se Shqipëria ka pasur disavantazhet e veta për shkak të trashëgimisë.

Profesor Pano, do të doja t’ju bëja një pyetje për kohët e sotme. Duket sikur jetojmë në një kohë të çmendur. Nga njëra anë duket sikur jemi me fat që jetojmë në kohën e informacionit, në kohën e internetit që është një bekim, sepse në një dorë t’i mund të kesh botën, mund të kesh afër njerëzit ke larg, por në të njëjtën kohë ajo që ju e quani polarizim, ndarjet e hidhura mes njerëzve që njihen dhe s’njihen me njëri tjetrin…

Në mënyrë të qartë media sociale ka anët pozitive, por ka edhe anët negative. Ndër anët negative është fakti se ke këto komunitetet e vogla në internet, por nga ana tjetër ke edhe këtë mundësinë e komunikimit të liderëve përmes rrjeteve sociale. Presidenti Trump në SHBA përdor gjerësisht rrjetet sociale. Një nga personat më të ndjekur në rrjetet sociale në Shqipëri është Sali Berisha, që duket se ka 500 mijë ndjekës…

Ka 1 milion, po ashtu edhe kryeministri ka 1 milion ndjekës…

Pra, njerëz që vendosin politikat e tyre apo linjën e tyre propagandistike, sido që ta quash. Dhe këto janë disa gjëra që mund të çojnë në ato që i konsiderojmë probleme politike. Sepse njerëzit gjithmonë e më tepër po e shpenzojnë kohën në rrjetet sociale dhe gjithmonë e më tepër po shpenzojnë më pak kohë për të lexuar gazeta, libra, për të parë programe serioze në televizion. Dhe po krijohen probleme serioze, edhe në Shqipëri, sepse ju keni kaq shumë informacion dhe programe dhe keni kaq shumë debate televizive dhe shpesh nuk është se sheh ndonjë diskutim serioz të çështjeve. Me një fjali, revolucioni i medias sociale ka të mirat dhe të këqijat e veta. Një nga aspektet negative është ndikimi në jetën politike të vendit dhe në jetën kulturore dhe sociale të vendit. Dhe kjo është një gjë që ia vlen të shqetësohesh.

Pra, Shqipëria, vendi që gjithmonë ka vuajtur nga të pasurit pak, tani po vuan ngaqë ka shumë?

Për këtë që po flasim, po.

Pra, në vendin që penalizoheshe për lirinë e fjalës, tani po vuajmë, ngaqë po flasim shumë. Më shumë kakofoni sesa pluralizëm.

Po.

Nëse do të ishe President i SHBA-ve, çfarë do të dëshiroje të shihje të realizuar në një vend si Shqipëria?

Do të doja të shihja një qeveri që të niste seriozisht të përballej me sfidat që ka vendi. Do të doja të shihja një qeveri që është e shqetësuar të ndjekë një politikë të jashtme konstruktive, që mbështetet së pari në sigurinë kombëtare, brenda rajonit të Ballkanit dhe pastaj të krijojë ato kushte që i duhen Shqipërisë për t’u bërë pjesë e komunitetit evropian, si dhe të adresojë problemet sociale që kanë kapur vendin. Këto janë gjëra që çdo president amerikan do të donte për një aleat të palëkundur si Shqipëria. Padyshim, Shqipëria është aleat i palëkundur i SHBA dhe si president i SHBA do të dëshiroja ta mbaja Shqipërinë si mike dhe aleate të palëkundur dhe besnike.

Le të vijojmë edhe me një pyetje tjetër hipotetike. Nëse do të ishit president i Rusisë, çfarë do të dëshironit të shihnit të realizuar në një vend si Shqipëria?

Do të doja një vend më të hapur ndaj influencës ruse, do të doja një vend që të ndiqte linjën diplomatike të Rusisë dhe një Shqipëri të lidhur më ngushtë ekonomikisht me Rusinë.

Pyetja e fundit profesor Pano. Vizita e fundit që keni bërë në Shqipëri ka qenë në vitin 2013 dhe tani jemi në nëntor të 2018-s. Si e shihni vendin pas 5 viteve, ju që vini nga SHBA, si e shihni qytetin dhe vendin?

Sa herë vij në Shqipëri ka ndryshime të mëdha fizike, jo vetëm në Tiranë. Siç e dini, unë isha në Korçë fundjavën e kaluar dhe pashë ndryshime edhe atje. Kam udhëtuar në pjesë të tjera të vendit dhe është e qartë se ka ndryshime befasuese nga pikëpamja fizike, por ende ka probleme serioze për t’u adresuar. Nëse Shqipëria do të jetë e suksesshme në turizëm dhe mendoj, se turizmi do të jetë një faktor i rëndësishëm i ekonomisë së Shqipërisë, ka ende rrugë të papërfunduara, ka hotele që qartësisht duhet të përmirësojnë shërbimin e tyre, ka probleme të tjera. Unë dhashë një leksion për studentët e Universitetit të Tiranës, pata mundësi të flisja me studentët, ka probleme në universitete, mungesë fondesh në shkolla. Ka probleme sociale që duhen adresuar. Pra edhe njëherë, ka ndryshime të mëdha fizike, por ka ende probleme bazë që mbeten për t’u adresuar.