Dilaver Goxhaj: Edhe një herë për betejën e Tendës së Qypit

535
– Një rrëfim i jashtëzakonshëm i Gjeneralit Ziqiri Mero –
E vërteta është se në atë betejë luftuan Grupi i Skraparit dhe Batalioni I dhe III të Br I S. Unë isha komisar kompanie në Batalionin e 3-të të saj. Me Batalionin e 3-të ishte edhe komandanti i Brigadës, Mehmet Shehu. Ndodheshim në Ballaban të Përmetit dhe do marshonim në drejtim të Tomorricës, ku do të takoheshim në Vëndreshë me Batalionin I të Brigadës sonë. Batalioni i 3-të, tok me komandantin e brigadës, u nisëm nga Ballabani për në Vëndreshë rreth orës 11.00 të datës 20 janar 1944. Ndërkohë që korrieri kishte shkuar për t’i shpënë edhe Batalionit i urdhrin që të fillonte lëvizjen nga Zhepova për në Vëndreshë.

Për të shkuar nga Ballabani për në Tendën e Qypit duhej ecur përpjetë dhe vetëm përpjetë. Rreth orës 14.00, pararoja kishte dalë në qafë, përmbi Vëndreshë. Ajo njoftoi se nga e djathta dëgjoheshin të shtëna pushkësh e mitralozësh. U shtua shpejtësia nga batalioni ynë. Patrulla zbuluese e batalionit u kthye së bashku me komandantin e Grupit të Skraparit, Zylyftar Veleshnjën. Zylyftari njoftoi, se një kolonë gjermanësh prej afro 600 vetësh qe nisur nga Çorovoda, kishte hyrë në Veleshnjë dhe po sulmonte drejt Tendës së Qypit, e cila sundon nga lindja dhe nga veriu gjithë luginën e Osumit. Kapja e Tendës së Qypit nga gjermanët do të kishte në duart e tyre çelësin për të hapur rrugën dhe për të dalë menjëherë në Këlcyrë e në Përmet. S’duhej pritur asnjë minutë. Armiku nuk duhej të kapte Tendën e Qypit. Partizanët skraparllinj, që ishin pozicionuar atje, nuk kishin aq shumë forca që t’i bënin ballë të vetëm forcave gjermane. Shpejtësia nga ana jonë ishte vendimtare. Qëllimi ishte që batalioni ynë të mbërrinte në majë të Tendës së Qypit, ku ndodheshin partizanët e Skraparit, para se të mbërrinin forcat gjermane. Batalioni ynë e kapi majën përpara se ta kapnin gjermanët. Komandanti i Brigadës, pa humbur kohë, i dha detyrat komandantit të batalionit tone, Gjeli Argjirit dhe, sipas këtyre detyrave, kompanitë u nisëm për luftim. Partizanët e Skraparit u vendosën pak në të majtë. Dy skuadra me një mitraloz të rëndë dhe dy mitralozë të lehtë u lanë në majë për mbështetje me zjarr, kurse të gjithë forcat e tjera u hodhën në sulm nga lartë-poshtë kundër nazistëve. Shenjën e sulmit e dha komandanti i Brigadës, i shoqëruar nga tita-tita-tatë e borizanit Haki dhe me thirrjet: “Përpara partizanë!”,… “Në sulm Brigadë e Parë!”

Vendi ishte krejt pyll; me dushk, lajthi e shkurre. Atë e mbuloi tymi e flaka. Filluan përleshjet trup me trup. Tingujt e borisë s’kishin të pushuar edhe pse Hakiu qe plagosur në qafë dhe me dy gishta të dorës së majtë mbante gjakderdhjen, me dorën e djathtë, mbante borinë duke i rënë pareshtur. Boria bënte punë më shumë se një mitraloz.
Pjerrësia ku zhvilloheshin luftimet kishte aty këtu edhe kodrina të vogla, por njëra ishte si më e lartë. Po ta kapte armiku atë, gjithë Batalioni i 3-të vihej në rrezik. Edhe ne, edhe gjermanët vraponim kush e kush ta kapte më parë atë kodërz. Ndër tanët ishte vet komandanti batalionit Gjeli Argjiri, si dhe komandanti i një kompanie, Mefail Rozani me një skuadërkomandant e njëkohësisht mitralier, Sotir Beçka (Bulgareci), i cili, porsa qe emëruar edhe zv.komandant kompanie. Maja u kap përnjëherësh nga të dy palët… I pari që u kacafyt trup më trup me një oficer gjerman ishte komandanti i batalionit tonë. Hitleriani nxori pistoletën për ta vrarë Gjeli Argjirin, po vetëm sa e plagosi në krah. Gjeli nxori nagantin dhe, me dy tre plumba, e qëlloi në kokë dhe e la të vrarë gjermanin. Nazistët e tjerë që sulmuan atë kodër ua mbathën këmbëve, por asnjëri nuk shpëtoi i gjallë. I griu Sotiri me mitraloz…

Gjermanët nisën një grup tjetër, për të kapur atë kodër, duke sulmuar këtë radhë në krah, nga e majta e saj, sepse përfituan nga një tërheqje pa urdhër e një skuadre tonë, me komandant Vlash Arapin, i cili më vonë dezertoi. Por kodra mbahej nga Mefaili e Sotiri dhe nga tre luftëtarë të tjerë të cilët kishin kapur tre mitralozë të lënë nga gjermanët.
Edhe pse na u vra më pas Sotiri, gjermanët nuk e morën dot Kokojkën sunduese. Por armiku nuk kishte hequr dorë për kapjen e kodrës, prandaj sulmuan për të tretën herë. Komandanti i Batalionit 3-të u plagos për here të dytë. Një partizan e mori në krah dhe e nxori jashtë rrezikut. Gjermanët që sulmonin ishin në numër mbi një togë ushtarësh. Partizanëve po u mbarohej municioni. Të tre shokët, njeri pas tjetrit, iu vranë Mefailit… Mbeti vetëm… Atëherë iu turr njërit prej gjermanëve, e kapi për fyti, i nguli thikën në zemër dhe e shtriu për tokë. Kapi dhe një tjetër, por tre gjermanë iu hodhën përsipër dhe i ngulën bajonetat në trup.

Një kompani armike në këtë kohë sulmoi në krahun e majtë të batalionit tonë, por u kundërsulmuan nga partizanët e Skraparit dhe u tërhoqën. Vetëm futja në luftim e forcave të freskëta mundi ta ndryshonte gjendjen në favorin tonë. Situata ndërroi në favor të armikut për një kohë të shkurtër. Komandant Mehmeti, bashkë me komandantin e Grupit I të Skraparit, organizuan disa forca të Skraparit, mbasi Batalioni I nuk kishte mbërritur ende dhe sulmuan nga e majta me qëllim që të stabilizohej ai krah. Në atë sulm u plagos Zylyftar Veleshnja. Në këtë kohë mbërriti Batalioni Parë i Brigadës Parë.

Po qe se ky batalion nuk do të mbërrinte në ato çaste fitorja në Tendën e Qypit kishte shumë mundësi që të ishte e gjermanëve. Mirëpo, Batalioni i Parë, i cili kishte kryer një marshim të ngutshëm më se 15 km rrugë e pa rrugë nëpër një terren malor, mbërriti pikërisht në çastin aq vendimtar, duke e bërë atë rrugë për një orë e gjysmë, me vrap.
Komandanti i Brigadës Mehmet Shehu u doli përpara duke e sqaruar shpejt e shpejt komandën e Batalionit Parë për gjendjen dhe i caktoi detyrën e kundërsulmit si dhe drejtimet më të përshtatshme. Batalioni Parë kaloi në sulm në ecje e sipër, pa pushuar as edhe një minutë. Dy minuta pasi hyri në veprim Batalioni Parë, pylli nën Tendën e Qypit përsëri u ndez flake. Kishte filluar të errej dhe, që nga lart, toka dukej sikur kish marrë flakë. Armiku godiste me predha “Sharapnel” që shpërthenin në ajër dhe copëzat e tyre binin si breshër mbi forcat tona. Nuk kaloi gjatë dhe gjendja ndryshoi në dobinë tonë. Gjermanët filluan tërheqjen. Kishte mbetur pa u asgjësuar vetëm një pikëqëndrese e armikut e fortifikuar, në të majtën tonë, pak si larg. Për asgjësimin e asaj pike u ngarkua një kompani, po e Batalionit Parë. Partizanët duke shfrytëzuar errësirën që po mbulonte pyllin u afruan tinëz derisa mbërritën në lagësinë e hedhjes së granatave të dorës. U ndez një përleshje e ashpër. Armiku e pa punën pisk dhe u tërhoq duke marrë të tatëpjetën në drejtim të Çorovodës.

Pas gjashtë orë luftimesh të ashpra partizanët korrën një fitore të madhe, e cila do të ushtronte një ndikim pothuajse vendimtar në dështimin e mëtejshëm të Operacionit Armik të Dimrit. Armiku pati më shumë se 100 të vrarë dhe la në duart tona gjithë materialin luftarak që pati me vete: 1 top, 1 mortajë, 5 mitralozë të rëndë, një sasi mitralozësh të lehtë dhe pushkë; nga 120 kafshë që kishte armiku, 50 iu vranë dhe 70 u zunë nga ne, në barrët e të cilave u gjetën një numër kasetash me municion.
Fitorja e Tendës së Qypit u arrit me gjakun e 13 dëshmorëve dhe 12 të plagosurve. Të plagosur mbetën edhe komandanti dhe komisari i Grupit I Skraparit, Zylyftar Veleshnja dhe Iliaz Sevrani (Bejko). Kjo përbënte një humbje të rëndë dhe ishte e para herë që Brigada kishte pasur kaq të vrarë e të plagosur në një luftim.
Sigal