Lufta civile shkaktoi vdekjen e 7-10 milionë rusëve; burra, gra dhe fëmijë

Spiro mëhilli

- Vijon nga numri i kaluar -

Më 15 shtator 1918 forcat turko-gjermane pushtuan Bakunë. 
Lufta e Parë Botërore përfundoi me nënshkrimin e traktatit të paqes nga Gjermania, më 11 nëntor 1918 në Compiange. Ajo pati rreth 1.770.000 ushtarë të vrarë dhe 760.000 civilë të humbur. Vilhelmi II u largua nga Gjermania dhe kërkoi azil politik në Holandë. Ai ishte i bindur se gjermanët e humbën luftën nga një komplot hebre, pasi luftonin për një kauzë të drejtë. Gjermania nuk ishte e kënaqur me Traktatin e Versajës pasi e detyronte që t’u paguante Fuqive të Mëdha rreth 100 miliardë dollarë për 20 vitet e ardhshme.

Në Kongresin VI të sovjetëve, megjithëse Rusia ishte në luftë, Lenini ngriti çështjen e anullimit të traktatit të Brest-Litovskut dhe më 13 nëntor 1918, Komiteti Ekzekutiv Qendror i Sovjetëve të Rusisë anulloi traktatin. 

Në qershor 1919, në Caricin u dërgua korpusi kalorsiak i Budionit. Në frontin e jugut trupat bolshevike ruse me një arsenal 77.000 bajoneta, 16.300 shpata, 471 topa, 2046 mitraloza, kundër të bardhëve që zotëronin një arsenal me 40.000 bajoneta, 18.000 shpata, 259 topa dhe 787 mitralozë. 

Në korrik 1919 anglezët, francezët dhe amerikanët u përgatitën për një ndërhyrje të dytë duke pasur si mbështetje Denikinin me 100.000 ushtarë. 

Në vjeshtën e vitit 1919 parashikohej sulmi i përbashkët i Judeniçit dhe Denikinit. Pasi u ripushtua Caricini dhe shumë territore të tjera, Denikini filloi marshimin drejt Moskës me 3 armata. Përballeshin 140.000 forca ushtarake dhe 300 topa të reparteve të Denikinit me 170.000 ushtarë dhe 540 topa të Ushtrisë së Kuqe. 

Lenini e pa të arsyeshme që të mblidhte një shumë të madhe të hollash që mund t’u shërbenin drejtuesve të partisë për t’u larguar jashtë shtetit dhe që të financonte propagandën bolshevike jashtë kufijve të BRSS. Gruaja e Svjerdllovit, Klaudia Novgorodseva, mbante në shtëpi një sasi të madhe diamantësh dhe brilantësh, të ashtuquajtura “fondi i partisë”, produkt i plaçkitjeve bolshevike gjatë revolucionit, që anëtarët e Politbyrosë t’i kishin mënjanë si rezervë, në rast se ata e humbnin pushtetin. Në fondet e fshehta të Leninit, sipas Trockit, ishin 20 milionë rubla ari. Kjo shumë u sigurua nga sekuestrimi i pasurive private që bëri Çeka-ja, ku anëtarë të saj, me pushkë në dorë, u merrnin kryengritësve arin dhe gurët e çmuar. Këtë shumë e dinin vetëm Trocki, Zinovievi dhe Kamenievi. Pasi u largua rreziku, Lenini i ndau këto të holla për propagandën e jashtme. 

Më 28 janar të vitit 1919, në kështjellën Petropavllovsk vazhdonin ekzekutimet ndaj figurave të shquara të atij vendi. Gorki, sipas Amis Martin, ishte shprehur: 

“Lenini dhe Trocki nuk kanë as idenë më të vogël mbi kuptimin e lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Ata janë tashmë të intoksikuar nga një helm neveritës i pushtetit, sikundër mund të kuptohet nga qëndrimi i turpshëm që kanë marrë mbi vete, në krahasim me lirinë e fjalës dhe lirinë personale dhe ndaj të gjitha lirive të tjera civile, për të cilën lufton demokracia”.

Në maj 1919 armata e Judeniçit u lëshua përsëri kundër Petrogradit, sulm ky që i detyroi disa trupa ruse të tërhiqeshin nga fronti i jugut. Judeniçi pushtoi Krasnoje Sjellon dhe Gatçinan. Në këtë kohë Lenini u dërgoi një mesazh punëtorëve dhe ushtarëve të kuq:

“Shokë! Po vendoset fati i Petrogradit. Luftoni deri në pikën e fundit të gjakut; mbani çdo pëllëmbë tokë, qëndroni deri në fund, fitorja nuk është e largët! Fitorja do të jetë e jona!”

Punëtorët e Petrogradit u mobilizuan dhe thyen trupat e Judeniçit. Më 26 maj 1919, Lenini i dërgoi telegramin e mëposhtëm Këshillit të Komisarëve të Popullit të Ukrainës:

“Për të dytën herë ju lutem të më telegrafoni dy herë në javë se ç’ndihmë konkrete i jepet pellgut të Donecit. Ngul këmbë për plotësimin e kësaj kërkese. Mos e lini t’ju shpëtojë momenti i fitores kundër Grigorievit, - Është fjala për atamanin kundërrevolucionar Grigoriev, i cili në maj të vitit 1919 ngriti krye në prapavijat e Ushtrisë së Kuqe në jug të Ukrainës në rajonet e Elizavetgradit, Ekaterinosllavit, Krivoj Rogut, Hersonit. Kjo kryengritje u shtyp po në maj të vitit 1919 nga njësitë e Ushtrisë së Kuqe nën komandën e përgjithshme të K. E. Voroshillovit. mos lejoni të largohet asnjë ushtar nga ata që luftojnë kundër Grigorievit. Dekretoni dhe zbatoni çarmatimin e plotë të popullsisë, pushkatoni në vend pa mëshirë për çdo pushkë të fshehur. I gjithë kyçi i momentit është: fitorja sa më e shpejtë në pellgun e Donecit, mbledhja e të gjitha pushkëve nga fshatrat, krijimi i një ushtrie të fortë. Përqëndroni të gjitha forcat për plotësimin e kësaj detyre, mos i pakësoni përpjekjet, mobilizoni të gjithë punëtorët. Lexojuani këtë telegram të gjithë bolshevikëve të shquar”.
Lenin.

Në verën dhe në vjeshtën e vitit 1919 u organizua fushata e dytë kundër vendit të sovjetëve, e ashtuquajtura “fushata e 14 shteteve”, me pjesëmarrjen e Anglisë, Francës, Japonisë, Gjermanisë, Italisë, Çekosllovakisë, Serbisë, Kinës, Finlandës, Greqisë, Polonisë, Rumanisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Forcat kryesore përbëheshin nga armata e Denikinit. Nën sulmet e saj ushtria sovjetike filloi të tërhiqej. Ata morën Oriolin, iu afruan Tulas dhe kërcënuan Moskën. Ndërsa Trocki propozonte që Denikini duhej sulmuar nga Caricini në Novorosisk, nëpër stepat e Donit, ku banonin kozakët, armiq të pushtetit sovjetik, Stalini propozoi vijën Harkov-Pellgu Donec-Rostov, ku kishte një rrjet të dendur hekurudhash dhe ku popullata fshatare e punëtore ishin me sovjetët. Për këtë arsye në frontin e jugut u shkarkua Trocki dhe atje u dërguan Stalini, Voroshillovi, Orxhonikidze dhe Budioni. 

Më 5 shtator 1919, senatori Uilljam Barah deklaroi përpara senatit amerikan:

“Zoti kryetar, ne nuk jemi në luftë me Rusinë. Kongresi nuk i ka deklaruar luftë as Qeverisë ruse, as popullit rus. Populli amerikan nuk e do këtë luftë kundër Rusisë...mirëpo...ne po luftojmë kundër popullit rus. Ne kemi një ushtri në Rusi, po u japim municione e ushqime disa forcave të armatosura që janë armike të këtij vendi. Nuk ka as justifikim ligjor, as justifikim moral, që të justifikohen gjithë këta njerëz. Çdo vend është i lirë të zgjedhë qeverinë e tij dhe ne po e shkelim këtë parim të padiskutueshëm”.

Sipas Çurçillit, më 15 shtator 1919, Britania e Madhe kishte shpenzuar në atë kohë 100 milionë lira stërlina dhe Franca 30-40 milionë lira, vetëm për Denikinin.

Në tetor 1919 Lenini kërkoi që nga Kazani, Samara, Saratovi, Simbirsku, Ufa, Permi dhe Viatka të transportohej gruri sa pa ngrirë Vollga. Më 14 nëntor 1919 u çlirua Omsku nga trupat e Kollçakut. Më 16 dhjetor 1919 u çlirua Kievi nga trupat e Denikinit. Në dhjetor 1919 në Frontin e Lindjes u dërguan Stalini dhe Xherxhinski.

Në fillim të vitit 1920 fronti i jugut u riorganizua në frontin Jugperëndimor, si dhe u formua Fronti Autonom i Kaukazit. Në jug rrezikoheshin seriozisht Rostovi dhe Novoçerkasku, pa përjashtuar Donecin.

Në 1 shkurt 1920 Lenini i shkroi Trockit:
“Racioni i bukës duhet të zvogëlohet për ata që nuk punojnë në sektorin e transportit, që sot është vendimtar dhe të shtohet për ata që punojnë. Edhe sikur mijëra njerëz të vdesin, vendi duhet të shpëtohet”;

ndërsa Stalinit: 
“Gjendja në frontin e Kaukazit bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Në këtë gjendje nuk përjashtohet rënia e Rostovit dhe Novorosiskut si dhe ndonjë tentativë e armikut për suksese të tjera drejt veriut duke kërcënuar krahinën e Donjeckut. Merrni masa të jashtëzakonshme për të shpejtuar transportin e Divizionit 42 dhe të divizionit lituan, si dhe për të shtuar aftësinë luftarake. Shpresoj se, duke parë këtë gjendje, do të përdorni tërë energjitë tuaja për të arritur në përfundime serioze.”

Më shkurt 1920 u çlirua Ukraina nga trupat e Denikinit. Rusisë i mbeti armik vetëm Vrangeli. Lenini në Kongresin e VIII të Sovjetëve të Rusisë deklaroi se Ushtria e Kuqe kishte dhënë prova në luftë kundër Vrangelit, duke kapërcyer pengesa e fortifikata dhe se kjo duhet të jetë fitorja përfundimtare. Për zbatimin e planit u mor M.V.Frunze. Më 27 mars 1920 u çlirua Novorosisku, më 28 prill 1920 Bakuja dhe Azerbajxhani. Në tetor 1920 Azerbajxhani u detyrua nga forcat bolshevike ruse të komanduar nga Orxhonikidze që të futej në Rusi. Më 25 tetor 1920 filloi ofensiva vendimtare në fushat e Tavridës Veriore. Gadishulli i Krimesë lidhet me kontinentin me anën e një rripi të ngushtë toke prej 8 km, që mban emrin Perekop. Më 7 nëntor 1920 u çlirua Perekopi, më 16 nëntor Kërçi dhe e gjithë Krimea. Vrangeli humbi 20.000 ushtarë të vrarë e të plagosur. Mbi 300.000 intervencionistë u turrën në këtë pjesë të Bashkimit Sovjetik. Ata kapën 9/10 e flotës tregtare, një pjesë të anijeve luftarake të Detit të Zi dhe ngarkuan 112 anije me materiale të ndryshme. Humbja e Vrangelit shënoi dhe mbarimin e ndërhyrjes së huaj dhe të Luftës Civile.

Nga fundi i Luftës Civile efektivi komandues bolshevik vinte nga punëtorë dhe fshatarë pa asnjë përgatitje ushtarake. Komandantët me përvojë përbënin përbënin 10%; ata pa përgatitje ushtarake, 43%; ish-nënoficerët, që kishin dalë nga shkollat sovjetike, 13% dhe komandantë nga të ushtrisë cariste, 34%. Në vitet e Luftës Civile, në Ushtrinë e Kuqe, hynë vullnetarisht rreth 8000 oficerë të ushtrisë së vjetër. U mobilizuan rreth 50.000 oficerë, 25.000 zyrtarë ushtarakë dhe mjekë, më shumë se një e treta e të gjithë efektivit komandues dhe drejtues.

Ushtrisë së Kuqe iu desh të luftonte në jug me trupat e Denikinit, në veri me trupat e Vrangelit, në lindje me trupat e Kollçakut dhe në perëndim me ato të Judeniçit.

Dy vjet e gjysmë luftë civile dhe ndërhyrje ndërkombëtare shkaktuan vdekjen e 7-10 milionë rusëve, burrave, grave dhe fëmijëve, jo vetëm nga lufta, por edhe nga uria dhe sëmundjet. Humbjet u llogaritën në 60 miliardë dollarë. Intervecioni i armatosur në Rusi dështoi jo vetëm nga heroizmi i pashembullt i popujve të BRSS-ës, që luftuan për të mbrojtur lirinë e porsafituar, por edhe nga përkrahja e madhe që i bënë republikës së re sovjetike popujt demokratë të botës. Në Francë, në Angli, në SHBA, opinioni publik u ngrit dhe kundërshtoi me forcë dërgimin e ushtarëve, armatimeve, sendeve ushqimore dhe ndihmës me të holla ushtrive antisovjetike në Rusi. Burra shteti demokratë, gazetarë, profesorë dhe një numër i madh oficerësh protestuan kundër luftës së padeklaruar dhe të provokuar kundër Rusisë sovjetike.

Uinston Çërçilli që drejtoi fushatën aleate kundër Rusisë sovjetike, sipas Albert Kahn, në librin e tij “Kriza botërore: ditët e reja”, shkroi me ironi dhe me njëfarë sinqeriteti:

“A ishin aleatët në luftë me Rusinë? S’do mend që jo, po ata i vrisnin rusët posa i shikonin. Praktikisht ata po e pushtonin tokën ruse. U jepnin armë armiqve të Qeverisë Sovjetike. Kishin vendosur bllokimin e porteve dhe mbysnin anijet e tyre të luftës. Dëshironin që të rrëzohej regjimi, dhe këtë e përgatisnin me zell. Po ç’është kjo luftë! Intervencion-ç’turp. Ata s’pushonin së thëni se nuk u prish puna fare sesi do t’i rregullonin rusët çështjet e tyre të brendshme. Ishin të paanshëm-bum!”

Sipas anëtarit të parlamentit britanik, nënkolonelit Cecil L’Estrange Malone në 1920: “Investimet angleze dhe franceze në Rusi shkuan 1 miliard e 600 milionë lira”.

Në këtë kohë vështirësishë të tejskajshme materiale, në atë erë përvëluese, që mbante vullnetin për të fshirë gjithçka të vjetër e për të përqafuar të renë, për t’u shkrirë me kolektivin çlirimtar, për të hedhur poshtë gjithë pengesat artificiale dhe për të ndërtuar një unitet të ri jetese, u shkruan shumë poezi. Më e spikatura dhe drithëruese është poema “150 milionë”, që Majakovski e shkroi në vitet 1919-1920, duke dalë në mbrojtje të “mitit bolshevik” mbi kolektivizimin e ri:

Poshtë bota e romantizmit!
Poshtë psalmet e qarramanëve disfatistë!
Poshtë feja pesimiste e baballarëve!
Poshtë marrëzia e pronës, në çdo formë!...
Kujt i jep lëmoshë, atij që kundron barkun,
T’u tundim sopatën mbi kokë!
Të vrasim! Të vrasim!
Ju lumtë: Kafkat boshe janë taketuket më të shkëlqyera.
Mite të rinj hedhim ne...
Mblidhuni!
Dilni nga errësira mijëvjeçare!
Të gjithë!
Të gjithë!
Të gjithë!
Të gjithë ata
Që nuk munden më!
Të gjithë së bashku,
Dilni
Dhe marshoni!
(nënshkrimet)
Mjeshtri i ceremonive: HAKMARRJA
Organizatori: URIA
Bajoneta
Brauningu
Bomba
(nënshkruar: 
tre 
sekretarët)