Ja si flitet në Qytetin e Gurtë/ Nga rrëfimet e Prof. Myzafer Xhaxhiu: Diplomimi në Moskë për letërsinë klasike greke dhe romake. Dashuria reale, poezia dhe çfarë më mbeti peng

1106
Sigal

Leonard VEIZI

Ju rrëfej dashuritë e mia, ja ç’më ka mbetur peng

Intervista e profesor Myzafer Xhaxhiu poet, studiues dhe pedagogu i letërsisë antike, dhënë ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, më 04 Shtator 2009

E sjellim sërish këtë intervistë si homazh nderimi me rastin e 7-vjetorit të ndarjes nga jeta të profesorit të shquar, në 28 janar 2012.

Muzafer Xhaxhiu, i diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit. Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939. Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj. Si studiues profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve. Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999. Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”. Muzafer Xhaxhiu mbante titullin “Mjeshtër i Madh”, dekoruar nga Presidenti i Republikës për punën e tij afro shtatëdhjetëvjeçare dhe kontributin e çmuar për letërsinë dhe fjalën shqipe.

Dhënë për Telegraf më 04 Shtator 2009

Mbretëria e tij e heshtur vazhdon të ekzistojë po aq larg, përtej labirintit marramendës, atje ku lëvizet me shpejtësi kozmike për të shkuar në skajin më të largët e ekstrem. Nuk ka të bëjë fort me kibernetikën, mikroqarqet dhe as me elektromekanikën kuantike, sigurisht. Në botën e pluhurosur, më të vjetër se vetë Krishti dhe Gjoni që e pagëzoi, vërtitet Eskili dhe Plutarku, Homeri dhe Aristofani, një histori që nuk ka kthim, por që çuditërisht kthehet herë pas here. Dhe nuk duhet më shumë se një çast i vetëm që ai ta ndiejë se e kanë pushtuar rrathët e ferrit dantesk për t’u ngjitur sërish e pa shumë vështirësi në parajsën e shumëkërkuar. Këtë e ka bërë gjithmonë, kur ka dashur dhe kur nuk ka dashur, me vetëdije dhe pavetëdijen absolute. Sepse, herë pas here frymëzimi i tij mund të vinte vetëm nga atje, ku lartohen kolonat e mermerta të Akropolit apo ku shtrihen gurët e rëndë të Koloseut. Dhe kështu ditë pas dite, sot dhe si sot shumë vite më parë, mbindërgjegjja e tij ka vazhduar të ndahet dhe bashkohet herë me qytetërimin athinas dhe herë më atë romak. Pas kësaj, gjithçka që vërtitet përtej imagjinares, zbret në kohët më moderne të post/modernizmit për të mbërritur sërish në të njëjtën pikë fillestare, nga ku nisi gjithçka e mundshme dhe që s’ka të bëjë aspak me romakët apo athinasit, kartagjenasit apo fenikasit, dhe që është streha e tij e përhershme dhe fort e dashur, Gjirokastra.

Me dilemën në duhej ta intervistonim si poet apo pedagog, studiues të letërsisë apo përkthyes, u nisëm në studion e prof. Muzafer Xhaxhiut. Një shtëpi e thjeshtë ku brenda një hapësire prej një dhomë e kuzhinë, ndan botën e tij sot në 88-vjetorin e tij profesori i moshuar. E gjejmë të rrethuar me skeda e fletë të shpërndara gjithkund nëpër divan. Thotë se po punon për një fjalor të të folurës gjirokastrite. Por Xhaxhiu nuk resht së botuari edhe në shtypin e përditshëm. Kryesisht kritika e studime; hera-herës edhe ndonjë poezi. Thotë se poezia është stacioni i tij i parë. Nuk i mbahet mend se kur e ka shkruar strofën e parë, por duhet të ketë qenë rreth vitit 1928. Tetë dekada krijimtari të tij i mjaftuan gazetës “Telegraf” që, në shtatorin e kaluar, t’i jepte çmimin e karrierës për kontributin në letrat shqipe. Dy librat e botuar së fundi të Aref Mathieu janë ato çka është duke lexuar profesori tani. Nuk mund të ndodhte ndryshe, pasi të dy punimet e studiuesit francez me origjinë shqiptare – “Mikenët dhe pellazgët” dhe “Shqipëria, odiseja e pabesueshme e një populli parahelen”- i përkasin botës së tij. Edhe pse në një moshë të thyer, duket se prof. Xhaxhiu nuk e ka gjetur ende paqen e tij me leximin dhe librat. Kur “gjen” kohë hedh në letër ndonjë varg a strofë, dashuria e tij e vjetër. Dhe ndoshta po merr jetë një tjetër libër me poezi, që do të mbajë firmën Muzafer Xhaxhiut. Se te shkrimet ai gjen jetën, pasi, sikundër thotë me shaka, “dyshoj se s’më vjen vdekja kur e dua dhe, sa herë që më afrohet ajo, e urrej…” Dhe ka arsye ta urrejë, pasi nuk i ka thënë të gjitha. Një pjesë të atyre që nuk i ka thënë, na i rrëfen për gazetën…

Si nisi krijimtaria e juaj, Prof. Xhaxhiu; ishte një shkëndijë, një rastësi apo diçka e brendshme, që shpërtheu falë ndonjë ngacmimi të jashtëm?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Gjirokastër. Gjirokastra ka qenë një qytet i çuditshëm, madje vazhdon të jetë i tillë. Ka shumë mister në atë qytet prej guri dhe atje gjërat nuk ngjanin me asgjë tjetër. Pra, vetë Gjirokastra ishte një qytet që nuk ngjante me asgjë. Dëshira për të shkruar nuk më kujtohet saktësisht se kur më lindi. Por kam në mendje nënën time. Ishte bijë nga bektashinjtë e lagjes Pllakë në Gjirokastër. Duhet të kem qenë shumë i vogël, kur, me rastin e festës së Novruzit, në një ditë marsi, dëgjoja të thoshte përmendësh disa vargje nga një vjershë e Naimit.

/Ç’është ai që shkon kaluar

Është Abaz Aliu

Me dy-tri foshnja në duar

Ikën si veriu.

Aneja i thoshte këto vargje me një zë si në të qarë. Ka qenë kjo magji që më shtyu t’i thosha: “Dua edhe unë të bëj vjersha si Naimi.” Isha në klasën e dytë fillore, dhe nëna m’u përgjigj: “Protoparë, mëso mësimet dhe bëhu djalë i mirë të të mbajë bota në golë.” (të të lavdërojë bota). Më pas fillova të hidhja ku këtu e ku atje nga një strofë e nga një varg. Herë në letra e herë në fletore, në kapakë librash e ku të mundja. Kështu nisi rruga drejt poezisë…

Një djalosh në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar, si ndiheshit në klimën letrare dhe mes intelektualëve të atyre viteve, kur mendon se në atë kohë shkruanin edhe emra të rëndë krijuesish të nivelit të Bulkës, Shuteriqit, Migjenit, Spasses etj.?

Ishte një kohë e magjishme për krijuesit. Kishte emra dhe stile të fuqishme. Shkruhej drejt dhe fort për halle njerëzish e për një vend që duhej të ishte ndryshe. Secili kishte zërin e tij, penën që e dallonte. Migjeni ishte Migjen, po kështu Bulka, Shuteriqi dhe shumë të tjerë. Unë isha një prej të shumtëve. Vija me skica, artikuj, poezi dhe shkruaja te gazeta “Bleta” apo te “Tomori i vogël”. E kujtoj me shumë mall atë kohë!

Pas Luftës ju u tërhoqët nga krijimtaria letrare dhe u hodhët në fushën e studimeve dhe të kritikës. Përse ky kalim? E tradhtuat poezinë?!

Jo, jo, nuk ishte tradhti. Ishte një largim. Madje as largim, një lloj pauze, ose një lloj “ndërrim kursi”. Më kujtohet që në 1946-n fillova të botoja poezi satirike në revistën “Hosteni”, e themeluar nga Nonda Bulka. Pra, nuk kish braktisje të poezisë, por ecje në disa shtigje të reja përkohësisht. Ka edhe diçka që ndikoi në këtë ndryshim, të cilin ju e quani “tradhti të poezisë”. Në 1946-n unë u nisa fillimisht për studime në Beograd, ku qëndrova deri në 1948-n e më pas në Moskë, deri në 1952-shin. Vende të reja, klimë tjetër letrare. Për t’ju thënë që nuk e tradhtova poezinë, ju kujtoj se në 1957-n nxora librin tim të parë më poezi – “Lirika”.

Jeni shquar më shumë si përkthyes, studiues dhe pedagog i letërsisë antike greke e romake. Si ju lindi kjo dashuri për këtë botë antike?

Studimet e mia në Moskë më orientuan drejt kësaj letërsie. Atje u laureova për letërsi klasike greke-latine dhe për gjuhë frënge. Por përsëri iu ktheva Gjirokastrës së fëmijërisë sime. Vjetërsia e tij, gurtëzimi, misteret dhe një lloj mitologjizmi më kanë shoqëruar edhe atje ku jam përballur me modernen, me zhvillimin dhe qytetërimin, sikundër ishte një pjesë e botës ku unë studiova. Si student, u magjepsa më pas me Homerin dhe Eskilin, Aristofanin e Euripidin. Ata do të bëheshin më pas miqtë e mi, pjesa tjetër imja, shokët e vetmisë sime.

Si është të jetosh për më shumë se 60 vjet në universin e Eskilit, të Aristofanit, Plutarkut e Homerit? Të ngrysesh me Helenën dhe të gdhihesh me Paridin? Ta “njohësh nga afër” Akilin, apo të endesh në rrathët danteskë të ferrparajsës…?

Do të doja të flisja gjatë për këtë. Por, sado që të flas, nuk keni për ta kuptuar ndonjëherë për aq kohë sa nuk e keni prekur, për aq kohë sa nuk keni qenë brenda saj. Është një botë tjetër, herë magjike e herë me shumë dhimbje. Marrim mitet p.sh.: e keni parë transparencën dhe bukurinë e tyre të mrekullueshme. Në to ndonjëherë kafsha, dikur vetë i zoti, bëhet shok besnik, si shqiponja e Zeusit, bufi i Atenës, gjarpri i Demetrës etj. Një herë tjetër ai bëhet viktimë e përkëdhelur e hyjit (dëshmi është ujku i Apolonit, Lykokton, Ujkvrasësi). E shikoni, pra, magjinë e mitologjisë dhe të atyre që e shkruan atë? Ja pra pse jam ndier mirë në këtë bote, brenda së cilës vijoj të mbetem i’ burgosur’.

A jeni më shumë poet apo pedagog? Ku është ai filli ndarës, që e kemi vështirë ta dallojmë?

Nëse më ndiqni si një lexues, pra, si një i dashuruar pas poezisë, vargut dhe frymëzimit, atëherë unë jam thjesht poet. Por, nëse më vini pas si një student i letërsisë, unë jam thjesht pedagogu i saj, që për 40 vjet transmetova dhe kërkova të fusja brenda botës së grekëve gjenerata të tërë studentësh. Edhe unë vetë e kam të vështirë ta vë vijën ndarëse. Por, le ta lëmë kështu.

Në ditën e Shën Valentinit ju nuk arrini t’i dhuroni asgjë asaj që doni, por krijoni një perlë vargjesh dhe thoni: Dhe sot u zumë ne të dy/Një histori e vjetër/Më mirë i zënë veç me ty/Se sa të dua një tjetër./ Nga buron ky lirizëm i poetit Xhaxhiu? A njeh lirizmi ndjenja, frymëzimi një shuarje a një zvetënim me moshën?

Jo, jo. Ndjenja është universale. Nuk ka kufij, as kufij moshorë. E dini si ka dashuruar Gëtja në moshën 80-vjeçare? Zjarret janë brenda gjithsecilit. Duhet vetëm të dish t’i nxjerrësh jashtë. Të ngrohësh të tjerë me to.

Ju flisni në poezitë tuaja shpesh për një mike. Në fakt, cila ju ka frymëzuar? A është ajo “mikja” një vegim, një ndjenjë, një femër e prekshme apo thjesht e bukura që vetëm ju mund ta zbuloni, edhe atje ku ne të tjerëve na është dukur e zakonshme?

çdo poet, besoj, frymëzohet nga një dashuri reale, të qenë, të prekshme, dhe i këndon mikes në vargjet e tij. Por i këndon asaj edhe kur nuk e ka; pra, kur e ka më shumë si vegim. Madje, në këtë rast, frymëzimi mund të jetë edhe më i vrullshëm. Një fjalë e urtë latine thotë: “Mbështetemi në atë që është e ndaluar dhe shpesh dëshirojmë atë çka na mohohet.” Këtë ide e kam shprehur edhe te “Meteori”, një poezi nga libri “çmenduri natyre”. Bëhet fjalë për një vajzë që m’u shfaq si meteor

Dhe tër’hiret e saj m’i pat’dhuruar

Mora pendën të shkruaja, ish e kotë.

Meteori hënën kish mbuluar…

Cila është ajo vajzë, mos vallë Farzileti?

Nga ju kujtua Farzileti. A, po, kam një poezi për të. Një dashuri e vjetër e adoleshencës së hershme. Jua kujtoj vargjet, edhe pse është shkruar dekada më parë…

Në çastet e fundit të jetës Gëtja kërkoi merhr liht (më shumë dritë). Keni menduar se ç’do të kërkoni ju në fund të frymës suaj?

Do të kërkoj të iki në paqe. Si dikush që i ka bërë të gjitha dhe që po shkon tani te të tijët, që nuk i ka më dhe që e presin në botën e tejme. Në një nga poezitë e mia të fundit u them njerëzve:

Dhe kur të vdes, mos m’i përmendni vitet

Mos thoni ishte aq e kaq,

Iu hoq qafe shtëpisë

Doni t’jua them?

Vdiqa në moshën e dashurisë.

Disa kohë më parë ju frekuentonit shpesh Bibliotekën Kombëtare, duke treguar se jeni ende aktiv. çfarë keni aktualisht në dorë?

Kam qenë mik i vjetër i Bibliotekës Kombëtare qysh kur ajo ishte përballë hotel Vollgës. Tani, siç thotë fjala e urtë… “iku vapa me gushtin”. Ka qenë kjo bibliotekë që nuk u kursye të më jepte çka më është dashur për të pasuruar kulturën dhe për të hartuar tekstet: “Letërsia antike greke”, “Letërsia romake”, librat me shkrime të ndryshme për probleme dhe shkrimtarë të letërsisë. Tani Bibliotekën Kombëtare e kam “sjellë” në shtëpi. Kjo që shikoni, është e gjithë bota ime. Atje ku jam ndier mirë për më shumë se 70 vjet.

Sot në këtë 88-vjetor tuajin, nëse ju pyesim se cili është Xhaxhiu i vërtetë: poeti apo pedagogu, kë do të preferonit të zgjidhnit?

Fare thjesht: Xhaxhiu është pak nga të gjitha.

Bibliografi e botime

“Kritikë dhe studime letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1975

“Shkrimtarë, vepra dhe dukuri letrare” – ShB “Naim Frashëri”, 1961

“Sofokliu, tragjiku i madh i Greqisë së lashtë” – Toena, 1998

“Letërsia botërore – 1” – ShBLSh

“Letërsia antike greke” – ShBLU

“Letërsia antike romake” – ShBLU

Nga krijimtaria letrare

“Lirika” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Rapsodi magjare” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1957

“Vargje për dashurinë” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1963

“Ujërat e pranverës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1971

“Ditë maji” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1987

“Kënga e mjellmës” (poezi) – ShB “Naim Frashëri”, 1999

“çmenduri natyre” (poezi) – “Dituria”

Vepra të përkthyera në shqip

“Vesë lotësh” (antologji e poezisë botërore) – Toena, 1994

“Endre Ady” (poezi) – Albinform, 1998

Giovani Bernardi, “Faleminderit” (poezi) – Toena, 1998

“Antologji e poezisë bullgare” – Dudaj, 2001

“Antologji e poezisë lirike botërore” – Toena, 2005

Tituj, medalje, urdhra

Mban titullin Profesor Doktor

Medaljen “Mësues i merituar”

Urdhrin Naim Frashëri i Klasit të Parë

Urdhrin Naim Frashëri i Klasit të Dytë

Medaljen “Mjeshtër i madh i Punës”, dhënë nga Presidenti i Republikës më 2001-shin

FJALORI

Ja si flitet në qytetin e gurtë

Ka 12 vjet që po mban në duar fjalorin e të folurës gjirokastrite. Janë me qindra fjalë, shprehje e thënie, të cilat Xhaxhiu po i nxjerr pak nga pak në dritë. Të fosilizuara nga koha, të humbura, herë të shtrembëruara nga brezat, ato vijnë tani sikundër janë përdorur edhe 100 vjet më parë në qytetin jugor. Por shumë prej tyre përdoren edhe tani, thotë Xhaxhiu, i cili duket se është krenar kur na e shpreh një gjë të tillë. Por si i erdhi ideja për të hartuar një fjalor të tillë? Profesori Xhaxhiu thotë: “Ka shumë gjirokastritë të brezit të ri, që nuk ua dinë kuptimin shumë fjalëve që përdoren rëndom në shtëpitë e gjirokastritëve tipikë. Më ndodh edhe me nipërit e mbesën time, që më pyesin shpesh se çdo të thotë kjo e ajo, kur dëgjojnë nga goja ime apo e sime shoqeje fjalë e shprehje tipike gjirokastrite. Ndoshta kjo më ka shtyrë të nisja një punë të tillë. Kanë qenë edhe ngacmime të tjera; nga fëmijëria ime e hershme p.sh. Atëherë kur dëgjoja net të tëra ligjërimin e gjyshes sime, të anesë sime, të babait dhe motrave më të mëdha. Tani po kërkoj të hap të gjitha kasetat e memories për t’i risjellë sikundër i kam dëgjuar në atë kohë. Sigurisht, kjo kërkon edhe shumë punë. Kam arritur të mbaj gjallë kontaktet me të afërmit e mi pothuajse të së njëjtës moshë. Po kështu kam sjellë në kujtesë copëza bisedash të dikurshme, por edhe kam shfletuar shumë. E gjithë kjo botë gjirokastrite brenda së cilës kam jetuar, edhe pse nga qyteti im kam ikur që para Luftës II Botërore, ka arritur të ma lehtësojë shumë punën. Kam dashur të paraqes në fondin leksikor të ligjërimit të përditshëm atë që është thelbësore, origjinale, e tërësisht vendase. Nuk pretendoj se kam bërë më të mirën, pasi unë nuk jam leksikolog, por, të paktën, pretendoj se kam bërë një gjë që do të mbetet. Dhe kjo më gëzon. Të tjerë pas meje le ta pasurojnë atë. Rëndësi ka që unë trazova, nxora në dritë atë pasuri gjuhësore aq të veçantë në tërë vendin, karakteristike për qytetin e murrëtyer, por që ka brenda kaq diell e dritë…”