Historia e vllehve të Shqipërisë, të fshehtat, misteret e kalivet e Boboshticës

3433
Sigal

Një histori interesante për vllehët e Shqipërisë vjen nga studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi, e shkruar me mjeshtëri, me sinqeritet, me ngrohtësi dhe mirënjohje. E papublikuar më parë në shtypin shqiptar. Ai na zbulon hap pas hapi tradita dhe zakonte të vjetra, tashmë të harruara, por që kur i lexon të lenë të befasuar dhe të mrekulluar njëkohësisht. Ai na rrëfen për bashkëjetesën me shqiptarët, për dasmat, fisnikërinë dhe këngët e tyre. Përmes këtij udhëtimi ne do të kemi mundësinë të hyjmë në të gjitha të fshehtat e jetës së vllehëve si nomadë. Tashmë ju do të keni rastin të njiheni me këto histori e të fshehta ditë pas dite te gazeta “Telegraf”. Rrëfimet e Ilo Mitkë Qafëzezit janë tërësisht të vërteta, ato janë ndërtuar jo vetëm nga sa i ka njohur vetë vllehët dhe nga miqësia që ai ka patur me ta, por edhe nga studimet e studiuesit rumun Kapedan Frasëriotit, i cili ka qenë mjaft i përkushtuar ndaj vllehëve të Shqipërisë. E sigurt është një gjë: do të mbeteni të befasuar. Rrëfimet po i nisim me vllehët e Boboshticës, ku rreth 30 familje vendoseshin aty çdo verë e largoheshin prej andej në çdo fillim dimri. Nëse shkoje te kalidhet e tyre do të kishe mundësinë të provoje djathë kaçkavall të paprovuar ndonjëherë, kos që pritet me thikë, dhallë të freskët me aromë trëndeline, dhe erën e malit, që të gjitha këto të bëjë të mendosh se gjendesh në parajsë. Aty ka pastëri, rregull, hierarki të përkryer, gjithçka të habit. Te kalivet gjen një treg të madh bulmeti, ku mund të blesh gjithçka nga që dëshiron.

Kalidhet si koshka bletësh

“Kur i sheh së largu këto kalive thua se po ke përpara ndoca kosherëza mizëbletësh apo kërpudha të mëdha (Th. Kapidan, Frasërotii, 37-38). Kur vemi që nga Korça për në fshatin Dardhë përtej grykës së Boboshticës, mbë të djathtë të rrugës së re, në rrëzat e malit të Lisec ndën një sheshtirë të qarkuar prej malesh, që nuk e rrahin pothuajse fare erërat erëforta, syri i udhëtarit sheh me habi një shumicë kasollesh, nis kështu rrëfimin e tij Ilo Mitkë Qafëzezi.  Janë kalivet e vllehëve të Shqipërisë nomadë, të cilët beharit verojnë bagëtinë në malet plot kullota të Korçës edhe, në dimër e shkojnë në vëri, pranë buzëdeteve të ngrohta shqiptare. Në muajin korrik të vjetëm , duke u ngjitur për në Dardhë u kthyem dhe ne për një copë herë që të shohim këto kalive të çudtitshme sa edhe të  bukura. Janë lart nga 30 copë kalive në trajtën e një mullareje a të një qipiu të madh me bar së largu, këto kasolle të duken si ca të vërteta “koshka mizëbletësh”. Përveç këtyre, mbë një anë të të togut të kalibevet, është edhe një ndërtesë e vogël e gurtë, e cila shërben si depo e bulmetrave të zbritura prej malit, ku është “stani-fabrikë” e kaçkavallit prej kaliteti të shkëlqyer e të tjera”

Takim me çobanbashin

“Në derë të depos na priti plaku “çobanbash”, xha Plasoti, (i ati i çobanbashit) -tregtar kaçkavallesh (Thoma Plasoti, i mirënjohuri si në Korçë si dhe në tërë Shqipërinë). Plaku xha Plasoti me hapsin e madh të depos, ndër duar,  të bën përshtypjen e njëj “Shën Pjetri” të vërtetë, si ruajtës e kujdestar i togjeve “të kuleçëvet kaçkavallë të bukur e fort të pastër, plaku çobanbash mban dhallin for të shijshëm, me të cilin  “qiras” edhe vizitonjës korcarë, qoftë se psonisin apo jo nga bulmetrat e çkëlqyera të stanit të tyre. Me qetësinë  të Shqipërisë, xha Olasoti, plaj 70-vjeçar, është tepër i kënaqur dhe hera-herës u kallëzon shtruar-shtruar çobanëvet djelmoshë se sa keq ishte në kohrat e Turqisë, kur s’kishte darkë e drekë prej perëndie që të mos xheremetisej me nga një e më shumë të pjekura kur e shkelte kapedani Ali Farmaqi dhe të tjerë hajdutë, të cilët pasi hanin mirë-mirë, kërcenin nga një valle rrotull stanit duke kënduar:

Mirëse të gjetëm/ O çoban bash/ Se darkë e drake/ O nga një dash/”

Përgatitja e avëlmendeve

“Përveç dy a tre çobenëve të kësaj kollonie pitoreske, të gjithë të tjerët ishin ndër malet me tufat e bagëtive. Njëri nga barinjtë na shpie ndër kalivet, përshkrimin e të cilave do ta japim gjerësisht më tej, ashtu siç e bën bukur profesori Kapidan i Universitetit të Kllushit të Rumanisë në librin e tij të titulluar “Frasërotii” Përjashta kalibeve ishin të gjitha plakat çobanka, duke tjerur me furkë apo duke gatuar gjellën, edhe pranë tyre po luanin rrëmeti i shumë kalamanëve të shëndetshëm e fytyrpjekur. Përbrenda “kasollevet” ndë të gjitha ato gratë dhe vashat po ujdisnin gropat e zakonshme (pranë hyrjes) së kasolles, mbë të djathtë) për të storasur avëlmendet e tyre. Pyetmë dhe na thanë se ajo ditë ishte dita e caktuar, kur të gjitha këto shtëpresha, punëtore si mbletët, bënin po atë punë

Atë ditë bëhej më çdo kalive “instalimi” avëlmendeve, kurse siç na thanë, gjer atëherë ishin bërë parapërgatitjet e tjera të kësaj industrie të bekuar shtëpiake, si lëvrimi i leshit, të tjerurat, majë e hinit etj. Pothuajse gjithë këto kasolle prej purtekash të këtyre vëllehëve nomadë të Shqipërisë që janë mbase “njerëzit më të lumtur të kësaj natyre, me gëzim të shihte syri edhe një a dy djepe të thjeshtë, ndë të cilët flinte apo rrinte zgjuar e të vështronte me ca sy të zez të mprehtë, voci lonjak vllah, vashë a djalë, bariu i nesërm i tufës së bekuar apo mbase “çobanbashi” dhe tregtari i bulmetrave të uruar e aq të mira të Shqipërisë”.

Lidhja në djep si mumjet e Misirit

Voci e vocja e djepi ishte mbështjellur dhe lidhur në djepe porsi të gjitha foshnjat tona në Shqipëri, në qytete dhe fshatra, me mënyrën e qëmoçme, të cilën mënyrë një shëtitar ingliz Smart Hugher-i, sot e një qind vjet të shkuar, e quan “të mbështjellur” e të lidhur si mumjet e Misirit” Këta vllehë ndënshtetas të urtë, të bindur sa edhe punëtorë, të çkathët e të fortë, kanë historinë e tyre fort të nderesaçme, (interesante) të përnguljes në vendin t’ënë dhe ndër viset e tjerë të Ballkanit Jugor. Mbi këtë pikë do të përshkruajmë një studim të shkurtër në këtë shtyllë, kur të vinjë radha. Kemi disa mijë vllehë shqiptarë të mirë që jetojnë bashkë me ne, një pjesë e tyre rrojnë veçuar, mirëpo një tjatër, mjaft i madh, si për shembëll voskopojarët, korçarët e të tjerët, pasi u vendosën në qytetin tënë të ardhur këtu pas prishjes së Voskopojës u asimiluan aq mirë me ne, me anë të krushqive dhe janë çquar dhe po çquhen aq si tregtarë edhe si profesionistë të çdo dege në mest tonë, sa edhe si shqiptarë e qytetarë të mirë”.

 Vepror HASANI