Abaz Fejzo – gjenerali poliglot i mjeteve të blinduara

978

Rezultonte një “dorë e hekurt” që përdorej nga udhëheqja e lartë në zona të mprehta mbrojtjeje

Në vitin 1925-n, në Tragjasin e burrave të zgjuar dhe trima lindi Abaz Fejzo, një djalë me temperament të veçantë. I mbetur pa baba, Abazin e rriti dashuria dhe dhembshuria e nënës, një grua e mrekullueshme shqiptare. Ajo e ushqeu birin e saj me dashurinë për dije, për trimëri dhe ndershmëri. Arsimin fillor e kreu në fshat. Që kur ishte i vogël i pëlqente të bëhej oficer, ndaj konkurroi dhe fitoi të drejtën për në Shkollën Ushtarake Mbretërore “Skënderbej”, por në vitin 1938 largohet për të vazhduar Shkollën amerikane Bujqësore të Kavajës dhe atë Teknike të Korçës. Pra, gjatë ciklit të arsimit të mesëm kaloi në tri profile të ndryshme, ku përfitoi njohuri të gjithanshme. Abaz Fejzo u njoh me shokë të ideve përparimtare, antidiktatoriale dhe antifashiste, ndaj u përfshi në veprimtari të shumta revolucionare. Përjashtohet nga shkolla “për veprimtari subversive” dhe, me vendim të posaçëm e izolojnë në vendlindje. Këtu Abazi nisi udhën e gjatë të luftës kundër fashizmit, si anëtar i Grupit Komunist të të Rinjve, duke u përfshirë në aksionet dhe njësitet guerilje. Në krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese ishte në detyrën e komandantit të kompanisë, më pas komandant batalioni e komisar brigade. Si ushtar e komandues i të gjitha luftimeve dhe funksioneve në njësinë heroike elitë të UNÇSH-së, Abaz Fejzo tregoi se i përkiste një fushe dhe profesioni të filluar që në rini, se aty do të shpaloste aftësitë e një ushtaraku të talentuar.

Pas çlirimit të atdheut majori caktohet në Divizionin e Korçës dhe, me të dhënat e një ushtaraku të përgatitur dhe ambicioz, niset me grupin e parë për studime në Moskë. Kur rikthehet merr detyrën e shefit të shtabit po në Korçë dhe në një mision tjetër të rëndësishëm si diplomat ushtarak në Itali. Ka shërbyer si komandant brigade në Burrel, në Vlorë, Përmet, Gjirokastër, Durrës dhe Tiranë. Kjo lëvizje e shpeshtë në gjithë hapësirën shqiptare tregon se ai ishte një lider shumë i përgatitur në organizimin dhe gatishmërinë e njësive luftarake me rëndësi të veçantë. Kështu, Abaz Fejzo rezultonte një “dorë e hekurt” që përdorej nga udhëheqja e lartë në zona të mprehta mbrojtjeje. Kudo ku ai shkoi punoi me entuziazëm, me energji, shkathtësi, vrull, plot kërkesa, disiplinë dhe profesionalizëm të lartë. Mençuria, rreptësia, drejtësia dhe dashuria për njerëzit ishin virtytet e këtij udhëheqësi të rrallë. Deri këtu e më pas, Abazin do ta stimulonin kryesisht etja e jashtëzakonshme për dije dhe kulturë, e ndërthurur me një ambicie të natyrshme njerëzore.

Duke shpresuar në aftësitë e tij intelektuale, Abazi i zgjuar dërgohet në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë, ku studenti shqiptar, me përvojë ushtarake e njohës i katër gjuhëve të huaja (anglisht, frëngjisht, italisht, rusisht) i përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera. Për tre vjet ai e mahniti trupin pedagogjik për erudicionin brilant të pakrahasueshëm me akademistët nga kombe dhe ushtri të botës. Ishte i vetmi oficer i atij institucioni prestigjioz, ku libreza e tij nuk kishte nota, pasi, në vend të vlerësimeve me notë lexohej shënimi “Në nivelin e Profesorit”.

Përfundimet e shkëlqyera dhe kultura e tij poliedrike merituan një nder të rrallë. Ai u laureua me “Medalje Ari” dhe, si i vetmi ushtarak madhor akademist nga një vend i huaj, por mik i ngushtë i Rusisë, brenda një grupi studentësh në shtetin sovjetik ai u ftua në sallën me famë botërore “Georgievskaja” të Kremlinit, e rezervuar enkas për ceremoni madhështore qeveritare dhe për pritjen e kryetarëve të shteteve nga mbarë bota. Në kulmet marramendëse të intelektit e të kulturimit në ish-Bashkimin Sovjetik, atdhetari dhe ushtaraku Abaz Fejzo mbajti mbi kokë “kurorën” e atdheut, nderin dhe krenarinë e popullit, të cilit i dedikonte gjithçka.

Emërohet në Brigadën e Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, një port strategjik dhe baza ushtarake më e rëndësishme përgjatë bregdetit shqiptar. Për këtë qëllim, Brigada e Mbrojtjes Bregdetare në Durrës dispononte një fuqi ushtarake të shumëllojshme, si këmbësori, tanke, artileri tokësore, kundërajrore e bregdetare dhe, në rast konfliktesh sigurohej nga deti dhe mbështetej nga ajri prej Flotës Luftarake Detare dhe Aviacionit. Ishte koha kur nisi fortifikimi masiv i sistemit të mbrojtjes. Ndërkohë, struktura e Brigadës së Mbrojtjes Bregdetare në Durrës kishte pësuar një riorganizim, që e fuqizonte potencialin e saj mbrojtës dhe kundërgoditës. Pikërisht, në këto rrethana të reja komandohej nga Abaz Fejzo, për t’i dhënë një vizion, organizim dhe gatishmëri të lartë kësaj njësie operative të rëndësisë së veçantë. Këto përgjegjësi dhe detyra gjenerali vizionar dhe i paepur i plotësoi hap pas hapi, duke pasur sukses e duke marrë vlerësime tepër të larta. Tek Abaz Fejzo shihej personaliteti në rritje, me kapacitete të mirëfillta si teoricien dhe udhëheqës i rangjeve strategjike, që rivalizonte me kundërshtarët e përtej Adriatikut. Mirëpo, në ato stade historike, në shtetin dhe Forcat e Armatosura shqiptare po ravijëzoheshin ndryshime thelbësore në fuqizimin dhe gjeostrategjinë ushtarake.

Karriera e këtij lideri të rangut të lartë shkëlqeu më shumë kur u caktua në Brigadën e Parë Tankiste në Zall-Herr, si komandant i parë i saj dhe mandej si komandant i Komandës së Mjeteve të Ushtrisë Popullore Shqiptare. I orientuar nga situata e jashtme dhe përballë mundësive të ndërhyrjeve ushtarake ndaj vendit tonë, në përshtatje me direktivat e Këshillit të Mbrojtjes, titullari i një strukture të re që dilte në Shqipëri, falë edhe diapazonit dhe përfitimit të përvojave të luftërave, formuloi dhe lëshoi idetë e tij strategjike e organizative. Sipas Abaz Fejzos, për vendin e vogël me popullsi të kufizuar për luftë dhe me flotë detare-ajrore jo aq sa të armiqve, rrugëzgjidhja gjendej te pajisja e Forcave të Armatosura shqiptare me mjete të blinduara. Ato e kompensonin mjaftueshëm këmbësorinë, aviacionin etj., si dhe e rrisnin efektivitetin e mbrojtjes gjatë manovrueshmërisë në hapësirën fushore e bregdetare të vendit. Në kushtet e një shteti të centralizuar, por jo aq të pasur si Shqipëria, tanket mund të quheshin edhe një prirje e tepruar, por prania e fuqisë goditëse dhe shpërthyese e tyre paraqitej si një domosdoshmëri kombëtare, paprekshmërie dhe sovraniteti. Prandaj, nën udhëheqjen organizative, programore dhe zbatuese të strategut tankist shqiptar, u hodhën bazat moderne ligjore, teorike, organike, stërvitore, të gatishmërisë dhe përdorimit luftarak të armës së re dhe më të fuqishme të Forcave Tokësore të Ushtrisë.

Duke qenë i azhurnuar me zhvillimet e armës së tankeve në Lindje e në Perëndim, komandanti energjik i mjeteve të blinduara mori nga viti në vit miratimet e Këshillit të Mbrojtjes për sjelljen nga Kina të tankeve të tipit më të fundit të pajisur me aparaturë e armatim të sofistikuar. Si rezultat, Forcat e Armatosura dhe mbrojtja shqiptare disponuan tetë brigada tankiste, me rreth 300 tanke, potencial ky që fqinjët e vlerësonin realisht e që mbrojtja e atdheut nuk e ka njohur asnjëherë në histori. Gjeneral Abaz Fejzua u bë një tankist i shkëlqyer, një komandant, një shtabist, një shok autoritar dhe i thjeshtë që, me shembullin vetjak të njeriut e të ushtarit, qëndronte, bashkëjetonte dhe drejtonte ditë e natë, në ujë e në mal, i veshur me kominoshet e tankistit. Abazi ishte origjinal edhe në polemika, i pëlqenin “përplasjet” konstruktive në dobi të përmirësimit të gjendjes, të rritjes së fuqisë dhe lavdisë së armës tankiste, sepse i përmbahej dhe ndiqte parimin e përpunuar se stërvitja nuk duron shabllonizma. “Rregulloret,- përsëriste ai,- të mësojnë parime, kurse lufta zakonisht vjen si e kundërta e tyre. Lufta është krijimtari në fuqi të dytë, që do të thotë intuita jote plus ajo e armikut.” Abaz Fejzo fliste me kompetenca profesionale, sepse ishte edhe sistematik i literaturës botërore: “Armiku nuk është budalla, pavarësisht se sillet si i tillë. Qysh në çastin kur ju do ta çmoni më të dobët, që aty e keni nënshkruar me dorën tuaj disfatën”. Askush nga gjeneralët e atëhershëm të ushtrisë nuk krahasohej me të, për sa i përkiste njohjes së mendimtarëve dhe strategëve të mëdhenj të njerëzimit, si Sun Xuja, Klauzeviçi, Bonoparti, Hanibali, Skënderbeu, Zhukovi, Ajzenhaueri, De Goli, Mont Gomeri, Bredi, Romeli, Vasilievski, Frunze, Mak Arturi etj. Abaz Fejzo posedonte një bibliotekë nga më të pasurat në plejadën e gjeneralëve e strategëve të forcave të armatosura shqiptare.

Gjeneral Abaz Fejzo ishte simboli i riorganizimit dhe i armës tankiste shqiptare, intelektual i kompletuar e poliglot, komandant gjitharmësh i kohëve moderne, njohës i përkryer i doktrinave ushtarake, një arkitekt i jetës ushtarake europiane, me brumosje atdhetare realiste, duke prekur majat më të larta në hierarkinë ushtarake shqiptare. Por Shqipëria dhe ushtria nuk mundën ta trashëgojnë deri në fund një gjeni ushtarak si Abaz Fejzo. Nën goditjen e pamëshirshme të “Fshesës së hekurt”, në dhjetor 1974, me akuza absurde, të inskenuara nga ideologjia moniste, bashkë me gjeneralë e komandantë të lartë, ai përfundon në internim, në gjyq dhe deri në Burgun e Burrelit, ku edhe vdiq në vitin 1987. Jeta dhe trashëgimia e këtij personaliteti të shquar meriton studime dhe përjetësime në historinë e kombit e të ushtrisë shqiptare.