Isa Halilaj/ Sami Vesel Duraku, nderi i qytetarisë kuksiane

1347
Sigal

Familja Duraku, e ardhur nga Gjakova, është ndër të parat familje që themeluan qytetin e Kukësit e lanë gjurmë në histori

Familja e Sami Durakut, një nga më të moshuarit e këtij rrethi, është një nga familjet e njohura atdhetare e patriote që në çdo kohë, nuk kanë kursyer çfarë kishin, në të mirë të qytetit e kombit, në të mirë të njerëzve dhe lirisë së vendit. Po ashtu, si ndër familjet e para që themeluan këtë qytet verior, ata kanë nxjerrë personalitete të kulturës, artit e arsimit, ku ndër më të spikaturit vetmohet Sami Vesel Duraku…  Familja e 82-vjeçarit Sami Durakut, është ndër të parat familje, që pas vitit 1922 themeluan Qytetin e Kukësit, të ardhura nga Gjakova, Peja, Prizreni e rrethina.  Ata gjetën strehë e punë për t’i shpëtuar ndjekjes serbo – sllave e bashkë me fiset lumjane të Elezëve, Dullëve, Gurëve e Zenelëve janë qytet formuesit e Kukësit midis Drinit Bardhe dhe Drinit Zi. Jetë e vështirë por krenare për familjen Duraku që rriti pesë djem e një vajzë  me punën plot mundim të prindërve shembullor Vesel e Dife Duraku. E gjithë jeta 82 – vjeçare e Sami Durakut është e pasur me përpjekjet e një njeriu punëtor e aktivist i përkushtuar në realizimin e detyrave të kohës si qytetar, si kuadër e intelektual dhe prind shembullor, që Kukësi e ka vlerësuar e respektuar si birin e tij të nderuar, si një patriot e atdhetar të vërtetë. Samiu lindi më 4 Mars 1932 në lagjen “Liri ” të Kukësit të vjetër. U rrit me vështirësi në një familje shumëfrymësh e vetëm një krah pune pa bazë ekonomike. Qe nxënës shembullor i shkollës fillore e unike “Bajram Curri” të Kukësit. Vështirësitë ekonomike të familjes bëjnë që në moshën 13- vjeçare, më 1947 Samiu të ndërpres  shkollën dhe punësohet për bukën e gojës në Bankën e Shtetit – dega Kukës si pastrues.  Punon me zell po edhe mësimit nuk i shqitet. Lexon e studion pa ndërprerje e veçse pastrues ai mëson të përdor shumë mirë makinën e shkrimit dhe makinën llogaritëse, tepër të nevojshme për Bankën. Drejtuesit e bankës, duke parë zgjuarsinë e korrektësinë e këtij djaloshi pa mbaruar viti, e emërojnë ndihmës llogaritar referent dhe kryellogaritar. Në vitin 1954 emërohet Drejtor i Bankës Shtetit Kukës për Rreth dhe Qark, ku shërben deri më 1965. Nga ky vit e deri më 1977 punon në administratën shtetërore si instruktor, sekretar i Këshillit Popullor të Qytetit në Bashkimet Profesionale të rrethit Kukës, redaktor i gazetës “Kukësi i Ri”, deri më 1982. Nga ky vit deri më 1992, dhjetë vjet, ka drejtua Degën e Bankës së Kursimeve Kukës, duke mbyllur karrierën 45- vjeçare të punës si nëpunës i shtetit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, si nëpunës e drejtues, puna e Sami Durakut është vlerësuar maksimalisht nga qytetaria kuksiane, nga kolegët dhe eprorët e tij për korrektësinë dhe për figurën e pastër  qytetare. Ai përveç mirënjohjes mbarëqytetare kuksiane ka marrë edhe një sërë medalje e dekorata dhe Urdhrin e Punës, si dhe ka pasur votëbesimin popullor  në shumë forume gjatë 45- vjetëve. Veç punës zyrtare me ekonomin dhe financat, për të cilat qe kualifikuar e diplomuar që nga 1969, Samiu ka qenë një bashkëpunëtor i përhershëm i shtypit të shkruar si në “Bashkimi”, “Puna”, “Kukësi i Ri”, ”Ekonomia” etj, duke trajtuar me nivel profesional problemet ekonomike – financiare të  Ndërmarrjeve të Kukësit si Minierat e Uzinën e Bakrit, NB, Ndërtimin e më gjerë, si dhe probleme të edukimit kulturor e sportit. Qe veprimtar i zellshëm në aktivitetet kulturore si amator. Nga mosha 14 vjeç morri pjesë në kor, estradë, teatër e kulturë masive të kohës. U shqua si aktor i roleve të njerëzve të thjeshtë veçanërisht në pjesët teatrore si “Pëlhura e Zezë”, “Në emër të Lirisë”, “Andrra në diell” të Ndrek Lucës e tjerë. Korrektësia në punë i krijoi mundësi për të shkuar me Estradën e Kukësit në turne edhe jashtë rrethit, në një kohë kur puna në bankë nuk mbetej mangët.

Personalitete si Sami Duraku edhe pas daljes në pension nuk i shqiten punës e veprimtarisë. Nga viti 1992, kur doli në pension, Samiu iu kushtua jo vetëm publicistikës si më parë, po botoi edhe 10 libra, kushtuar jetës qytetare, botës së fëmijëve, respektit për mësuesit e nënat, për njerëzit e punës e qytetarin kuksian në vite.

Duke bashkëpunuar klubet letrare “Andon Pashku” Kukës, “Fidani”, “Rrapi” e “Kosova” -Prizrenit në vite, Sami Duraku e afirmoi veten edhe si shkrimtar me një bibliografi të pasur duke i dhënë lexuesit e bibliotekave këto libra: “Fjalë zemre për mësuesin”, “Mirësia e nënave tona”, “Kujtime për vendlindjen, Kukësin dhe kuksianët” vëllimi i I 2005 dhe vëllimi i II 2006, “Roli i Ekonomistit”, “Për njerëzit e punës”, “Bota e fëmijëve”, “Çifti i mrekullueshëm Ilmi e Voltrand Bejko”, “Lubica Kroi – Nënë Tereza e Kukësit” dhe “Fragmente nga jeta ime”. Të gjitha këto në periudhën 2003- 2013. Në të gjitha këto vepra e shkrime Sami Duraku shquhet për objektivitet e modesti letrare, tregon respekt të admirueshëm për objektin që trajton në shkrime e portrete qytetarin kuksian që fëmijë në shkollë, në punë e në jetë pa tam-tame po me realizëm. Tregimet e tija janë të sinqerta e dashamirëse për një cep të atdheut siç është Kukësi se dhe aty ka jetë e qytetari, punë e bujari e mbi të gjitha respekt siç është rasti i librave për beratasin Ilmi Bejko, bashkëshorten e tij gjermane Valtrant Bejko që kuksianët e quajtën motra Vali, mësuesen e shkëlqyer të fëmijëve të tyre, apo Lubica Kroin një serbo-shqiptare e shkëlqyer, që autori me të drejtë e quan “ Nënë Tereza e Kukësit” si mjekja popullore që shëroi mjaft qytetar me barin e melhemin e luleve të natyrës kuksiane. Ose shkrimet për Bashkim Musën, Milaim Durakun, Uk Sinanin, Halil Ahmeti, Qemal Sinamati, Avni Domi, Engjëllushe Basha, Rushe Hallaçi. Ixhiron Olloni etj.. Në mbyllje nuk mund të lemë pa përmendur jetën familjare me vëllezërit e motrën e shkëlqyer të njohur e të respektuar në Kukës, si dhe 55 vitet martesë me Naxhie Isuf Dulin nga Shkodra, edukatoren e palodhur të çerdheve  të fëmijëve në Kukës, me të cilën rriti dhe edukoi 4 fëmijët e tij të mrekullueshëm. Ajo me shoqet e saj u shqua për punën në emancipimin e nënave kuksiane me edukatën qytetare. Ata rritën dhe edukuan se bashku katër femijë: një djalë dhe tre vajza: Kastriotin, Hyrien, Sabajetin, Anilën të gjithë të arsimuar e dinjitoz të kësaj familje.

Ne punën time si mësuese e studiues krahas të tjerëve, për punën dhe botimet e librave të mi, kam patur ndihmën dhe vlerësimin e vëllezërve Sami e Milaim Duraku, të cilët janë vlerësuar shumë për kontributin e dhënë si qytetarin intelektual në publicistikë, në librat e shkruar me të cilat janë afirmuar si misionarë të qytetarisë përparimtare dhe qëndrimin atdhetar të tyre. Milaim Duraku, vëllai i Samiut, gjithashtu është i njohur për punën shembullore drejtuese në Rrethin e Kukësit dhe si intelektual veç shkrimeve të shumta ka botuar edhe dy libra me vlerë. Jeta dhe vepra e Sami Vesel Durakut mbetet një model për brezat e qytetit të Kukësit për të mos u harruar kurrë.

Para pak ditësh, më 8 qershor, u shua ylli i qytetarisë Kuksiane, ekonomisti, publicisti e shkrimtari Sami Duraku. Si qytetar i denjë i Kukësit të Vjetër Sami Duraku u përcoll për në banesën e fundit me nderimin më të madh, ashtu siç u ka hije për këto raste kuksianëve të nderuar të qytetit e të fshatrave, që kanë ditur t’i respektojnë vlerat e qytetarisë për personalitete të tilla.