Më 31 dhjetor Lufta e Gjormit mbush 83 vite nga dita që u bë. Nuk është ndonjë jubile, por nuk e anashkalon dot. Ajo u zhvillua kundër forcave italiane dhe kolaboracionistëve vendas. Lufta në Gjorm, Çeta Plakë me komandant Neki Imerin, Çeta e Ballit me komandant Hysni Lepenicën dhe gjithë populli i Zonës Vlorë-Mallakastër janë e do të mbeten një pikë referimi sa herë të flitet a të bëhet për atdheun, për lirinë. Aq më tepër sot, kur luftërat po përhapen si zjarri, si murtaja.

Ishte një dimër i ashpër si rrallëherë tjetër 31 dhjetori 1942-së. Çeta Plakë kishte plot 27 ditë që ishte formuar. Kishte bërë në çdo 3-4 ditë një aksion të suksesshëm në Gjorm, në Sirokëmba, në Mavrovë, në Radhimë etj. Kolonel Klemente drejtonte operacionin kundër Lumit të Vlorës, që shkaktonte turbullira. Mercenarët u varën (zbritën) për mali për në Gjorm duke lënë Tragjasin, Dukatin. Edhe sot nuk dihet pse u prish drejtimi për në Qafën e Shëngjergjit, ca thonë se kush merrte Gjormin kishte marrë krahinën. Mbase për të mos e patur Gjormin në shpinë. Vetëm dy shtigje hyrjeje kishte Gjormi, Kalbaq dhe Mata, ato i kishin zënë gjalmëzestë. Luftëtarët i pritën në shtigjet mbi fshat. I hëngri maliheri ardhësit. Plot 86 vetë, 85 shqiptarë dhe një italian, koloneli. Të gjithë bij nënash. Kështu do të ndodhte kur bashkëpunon me armikun. Edhe luani nuk del gjithmonë fitimtar kur sulmon strofkullën e tjetrit. Por edhe logjika e luftës është se kush sulmon duhet të ketë pesë a dhjetë herë më shumë, aq ishte edhe raporti i humbjeve 8 në 80 vetë. Vetëm tetë u vranë nga mbrojtësit, gjashtë prej tyre komandantë njësitesh dhe 80 nga kundërshtari.
Po të bisedoje dikur me pleqtë e Gjormit, por edhe të krahinës, me ata që i kishin vënë gjoksin Luftës së Gjormit e që kishin lënë në betejë shokët më të mirë në lulen e rinisë së tyre dikur, ata hapur apo ndënë zë do të të thoshin se Çetës Plakë “bulmetin ia deshën, por hakun nuk ia dhanë kurrë dhe kjo ndaj çetës ka qenë një nga padrejtësitë më të mëdha. Ca i shkuan në plumb më herët, komandantët Neki Imeri, Xhafer Dakani e të tjerë e ca më vonë, ish gjeneralët Hito Çako, Abaz Fejzo.
E nisi Çeta aktivitetin si Çetë e Zonës Vlorë-Mallakastër-Fier, u quajt Plakë, sepse ishte e para çetë, fill pas asaj të Pezës. Luftoi si ajo, përsëriti bëmat e Gjergj Kastriotit, 25 beteja e 25 fitore, ai përmbi një dekadë, kjo për vetëm tre muaj dhjetor ’42-prill ’43. Aty ishte e gjithë krahina. Gjithë ajka e djalërisë që nga Myzeqeja në Labëri e që nga Dukat-Tragjasi e deri në Mallakastër, tamam si dikur me Zenel Gjolekën, me Tafil Buzin e me Rrapo Hekalin. Formacionet e mëdha luftarake ngrihen aty ku janë njerëzit që e duan lirinë, që e mbështesin atë, që bëhen pjesëmarrës, që sakrifikohen për të. Nga 1939 që filloi lëvizja antifashiste deri 20 janar 1944 kur u rreshtua Brigada V, në atë trevë kanë vepruar djemtë e asaj çete, ata krijuan dy batalione “Ismail Qemali” dhe “Perlat Rexhepi”, me djemtë e asaj çete u armatos me luftëtarë dhe prijës Brigada V. e pikërisht këto nuk janë thënë. Ajo çetë ka qenë fidanishtja ku u mboll e mbiu armata e ardhme e luftëtarëve. Është vështirë të gjesh komandantë e komisarë të ardhëm në formacionet e mëdha partizane pa qenë më parë anëtarë të Çetës Plakë, që nga Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Hito Çako, Rrahman Perllaku, Xhule Çiraku, Vehbi Hoxha, Refat Bajrami, Abaz Fejzo, Halim Ramohito, Kadri Hazbiu, Çelo Arrëza, Sali Ormëni, Tanush Shyti, Arif Hasko, Tol Arapi, Bako Dervishi, Mevlan Dervishi, Delo Balili, Rrapo Dervishi, Manush Myftiu, Et’hem Gjinushi, Mystehak Lila, Kadri Brahimi, Bexhet Mema, të gjithë “selinë” e kishin në Gjorm e prej aty në gjithë Labërinë, Myzeqenë, Toskërinë. Të kishe mundësinë që të të pyesnin dikur se nga je dhe u thoshe nga Gjormi, për një çast ndaleshin e të shikonin mirë, pastaj ulnin kokën dhe heshtnin, vetëm Hito Çako më ka pyetur në janarin e vitit 1967 në një stërvitje të madhe në Qafëdëllinjë dhe me heshtjen që bëri kur i thashë nga Gjormi, unë e kuptova ç’deshi të thoshte me heshtjen që pati. Njëri ish gjeneral aty pranë tha: thuaj nga Gjormit e mirë. E Hito iu kthye: ” Ik more tutkun, ku di ti!” Më kujtohet në 25 dhjetor vitin 1982, edhe unë me një grup të Gazetës “Luftëtari” zbarkuam në Gjorm për 40 vjetorin e Luftës së Gjormit. Unë që isha prej andej e dija mirë se kush kishte luftuar e kush kishte mbajtur në këmbë luftën atë mot kundër mercenarëve më 31 dhjetor 1942-2 janar 1943, por nuk e kisha guximin t’i intervistoja. Ua kishte marrë zërin, meritat, koha që erdhi. Ata që dinin heshtnin. Ata që flisnin ishin ca që vetëm tregonin ç’kishin bërë të tjerët e heshtur. Nuk citonin me emër, nuk thoshin në cilën shtëpi u mblodhën, hëngrën bukë, fjetën për sheshi. Madje ishte edhe ndonjëri që thoshte se teknikën e shkrimit që rrëmbyen djemtë e Gjormit në Vlorë e kishin çuar në shtëpinë e tij. Unë ndrydhja buzët dhe heshtja, kisha dëgjuar aq shumë kur isha fëmijë nga pleqtë kur bisedonin dy e tre. Madje kur ndalën njërin, nga ata të vërtetët luftëtarë pa zë, nga ata që luftuan, por që i ishte kyçur goja, për të mësuar për luftën, ai me mençuri u afroi veshin, me demek jam i vrarë nga veshët, kur e pyetën për luftën (që o dinte ai o nuk dinte tjetër në Gjorm), tha: “Siç e sheh mor bir unë me zor rrëmbej këmbët, e ku kam mend unë t’u tregoj për ato që doni ju, hajt mirëmbetçi”.Dhe iku qetë-qetë. Unë e dija se ai ishte filozof dhe orator që dinte e mbante një dasmë me fjalë, se kishte qenë palca e asaj lufte bashkë me shokët e vet, por…Ai mund të bënte edhe diagnozat edhe prognozat e së ardhmes së sistemit që jetonim. Ua rrëmbyen luftën, ua rrëmbyen sakrificat, zërin, nuk flisje dot për Xhafer Dalanin, për Neki Imerin, për Qani Shenën, për Abaz Fejzon, për Hito Çakon, për Sadik Premten. Automatikun e dëshmorit Bako Tafili, që u fut si ujk i tërbuar mes mercenarëve natë e 1 janarit 1943, që vrau dhe u vra dhe e gjetën pas katër ditësh të ngrirë, e ekspozuan në Muzeun e Vlorës deri më 1947 më poshtë shënimin: “Pushka e dëshmorit Bako Tafili, që buçiti si top në Luftën e Gjormit 31 dhjetor 1942-2 janar 1943” e hoqën bashkë me diçiturën dhe e zëvendësuan me një tjetër, që nuk ishte nga Gjormi. Neki Imeri protagonist i spikatur, intelektual me tri gjuhë, trim dhe organizator i hyri luftës me mëndje dhe me gjoks, pa hile, madje edhe me shtëpi dhe prokopi të tij.Nekiu e filloi me antifashizëm në Tiranë student, pastaj me guerilje në Vlorë- Sarandë, me rininë në qark, me organizimin e këshillave NÇL, me ngritjen e njësive të armatosura luftarake e shkoi deri komandant i Çetës Plakë. Por Neki Imeri ishte njeri politik e jo ideologjik, nuk njihte as klasa, as proletariat, ai njihte atdhe, popull, liri, kjo ishte për të trinia e shenjtë, ai ideal, sikurse e thotë në autokritikën e vet, kishte “vetëm Nacionalçlirimtaren. Nuk trazohem”! (AQSh, 2,3 1943).”Luftën- paska thënë një personalitet i madh- e bëka politika, nuk e bëka ideologjia”.

Sadik Premte kishte autoritet në Vlorë, te Çeta Plakë Nekiun, komandantin e kishte kunat, të gjithë korifejtë e luftës aty ishin xhepistë, kishin simpati për Sadikun. Donin ta shkrinin atë çetë që të binte Sadiku, deshën ta ç’ vendosnin epiqendrën e Çetës në Mallakastër, misioni i Mehmet Shehut, vajtja atje pa e kërkuar kush këtë qëllim, e kishte dërguar Enveri për t’i prerë krahët Sadik Premtajt në Vlorë. Këtë qëllim pati edhe atentati ndaj Neki Imerit. Është fakt se Gjormi, kur mori vesh se u plagos Nekiu, ishte në Kocul dhe nuk pyetën për Vjosën, shkuan në Çorrush, i vunë këmbën gardhit dhe Lamçe Kuqe u fut brenda ku ishte Nekiu i plagosur dhe shehu doli në shkallë e foli: “Avashni o gjormë”! Këto janë stërthënë në Gjorm, por nënë zë dje.
Eh, sa gjëra thuheshin në Gjorm për djemtë e tij që i qau me shpirt, pa zë, i borroiti dhimbshëm pyjeve, tutje kullotave me zërin që shurdhohej nga zilet që vajtonin. Kam patur fatin të kem pasur një baba të zgjuar, veteran, me dekorata lufte, edhe medaljen e trimërisë, që vdiq 92 vjet me mendjen top deri sa “iku” për të mos u kthyer më.


















