95 vjeçari i tre regjimeve dhe luftëtari i orëve të para

1198
Luftëtari i lirisë, partizani dhe veterani aktiv i LANÇ Hekuran Lila festoi në gjirin e familjes, të miqve dhe shokëve të tij të luftës e të punës, 95-vjetorin e lindjes, të jetës me shpresë, besim e optimizëm për t’i dhënë ende atdheut punë dhe Organizatës së Veteranëve përvojën e tij, shumëvjeçare organizuese dhe drejtuese. Hekuran Lila lindi më 8 janar 1921 në fshatin Tërpan të Beratit, me prejardhje atdhetare, fisnike dhe me emër, si në të gjithë krahinën e fshatit edhe në fisin Lila në breza, të parët e tij në çdo moment historik të vendit kanë luftuar me trimëri kundër çdo pushtuesi të huaj, për liri, pavarësi dhe drejtësi në Shqipëri.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare ishte “shkollë”, që kërkonte jetë njerëzish
Hekurani në Tërpan u rrit, u arsimua, u edukua dhe u formua në brendësi të shpirtit me traditat më të mira atdhetare të trashëguara në familje, ku flamuri kombëtar dhe himni i tij përkatësisht kurrë nuk u hoq nga shtëpia dhe shpirti i tyre. Si kudo në Shqipëri edhe në fisin Lila, djaloshi 18-vjeçar Hekurani e priti me urrejtjen më të madhe pushtim fashist të vendit të 7 prillit 1939. Hekurani tok me të rinjtë e zjarrtë të fshatit kërkuan armë, që të luftonin fashizmin, por nuk iu dhanë. Në fshat erdhën ilegalët e parë antifashistë, që u mbështetën nga banorët, sidomos nga rinia, ku bënte pjesë edhe Hekurani. Rezistenca e demonstrimet antifashiste rriteshin vazhdimisht. U krijuan njësitet dhe çetat e para partizane në qarkun e Beratit, kështu që mbas Çetës së Pezës, në fshatin e Hekuranit, në nëntor 1942, shkoi Çeta e Skraparit “Riza Cerova” me komandant Ramiz Aranitasin dhe komisar Orhan Frashërin dhe zv.komisar Gjeli Argjiri, ku mblodhën fshatin dhe banorët njëzëri zgjodhën këshillin antifashist nacional çlirimtar të fshatit, me kryetar Bajram Lila dhe sekretar Muharrem Lila, të dy nga fisi ku lindi Hekurani. Ditën e nesërme, Hekurani si njohës i mirë i zonës dhe aktivitetet antifashiste të banorëve të saj, shoqëron çetën partizane si udhërrëfyes drejt fshatit Rehovë, ku u krye aksioni i çarmatosjes së ushtarëve italianë të postës, u hapën depot e drithit dhe u ndanë mbi 100 kw grurë familjeve të varfra të Rehovës, Zhapokikës, Çorrogjafit etj. Me çetën partizane Hekurani u nis jo vetëm i udhërrëfyes, por edhe si anëtar i saj. Më tej Hekurani rreshtohet partizan në batalionin “Riza Cerova”, me komandant Xhevahir Spathara dhe komisar Muharrem Meqemeja. Dhe në këtë formacion partizan, ai nuk la asnjë aksion luftarak pa marrë pjesë në luftën e ashpër kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit. Rrugën e tij luftarake si partizan e vijoi në Brigadën e 10 Sulmuese, nga data 29 tetor deri 17 nëntor 1944 për çlirimin e Tiranës dhe parakaloi si të gjithë fitimtarët para popullit të kryeqytetit dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare. Lufta, shprehet Hekurani, për ne ishte një shkollë e madhe sakrificash, që kërkonin kokë dhe fitorja ishte kurorë lavdie e merituar, që në krah të aleatëve të mëdhenj sovjeto-anglo-amerikanë, na nxori faqebardhë, sepse fituam lirinë dhe pavarësinë e plotë. Në atë zjarr lufte, vazhdon ai me të folurën e tij të ngadaltë, por të vendosur, ne u kalitëm, u burrëruam dhe pastaj me amanetin e dëshmorëve të luftës në zemër, iu përveshëm punës rindërtuese të vendit të shkatërruar e të varfëruar”. 
Rindërtimi i Shqipërisë kërkonte organizim dhe dituri
Pas çlirimit të atdheut, Hekurani deri në prill 1945 shërbeu në mbrojtje të kufirit të Shqipërisë së Jugut, Gjirokastër-Përmet, ku krahas mbrojtjes kryheshin edhe punime për ndërtimin e urave dhe rrugëve të prishura nga lufta. Si ushtarak vijoi në batalionin “Zapator”, në kompaninë e parë, në rindërtimin e urave të hedhura në erë nga armiku, gjatë rrugës nacionale nga Shëngjini në Sarandë. Hekurani punonte mirë, me ndërgjegje e cilësi dhe ndaj është falënderuar shumë herë nga eprorët e tij. Më 10 korrik 1948 titullohet oficer dhe pasi mbaroi me rezultate të larta një vit specializim në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, u ngarkua me detyrë në forcat bregdetare të ushtrisë në rrethin e Durrësit. Kryen edhe shkollën dyvjeçare për kualifikim të mëtejshëm si kuadër ushtarak dhe caktohet komandant i repartit usht. Nr. 5000. Prej vitit 1960 deri 1975, ai punoi në ushtri, në sektorin e xhenjos me detyra komanduese, deri sa doli në pension në moshën e caktuar me ligj 55-vjeçare. Në ushtri ai punoi me ndërgjegje e përgjegjshmëri të lartë dhe gjithnjë detyrat luftarake dhe ato të punës, i realizonte në kohë e me cilësi. Lufta ishte akt i rrallë trimërie, por jo më pak edhe puna ndërtimtare. Hekurani gjithnjë njihte vetëm ecje përpara, pa u tërhequr nga vështirësitë. Këtë e tregon thjesht dhe pa asnjë mburrje, gjoksi i tij ndriçohet nga 12 dekorata, urdhra e medalje të dhëna nga organet më të larta të shtetit.
Puna në dobi të shoqërisë, nuk të lodh kurrë
Daljen në pension, Hekurani nuk e vlerësoi si “pushim”, por si vazhdimësi jete e pune, ku të kërkonte nevoja e shoqërisë dhe e atdheut. Ai u aktivizua dendur me organizatat e masave dhe veçanërisht me organizatën e veteranëve të luftës antifashiste nacional-çlirimtare të zonës Nr. 1 tek ish-poligrafiku i Tiranës. Njëzet vjetët e aktivitetit të Hekuranit në këtë rajon janë një album i madh veprimtarish atdhetare, ku ai ka spikatur si organizator, drejtues dhe aktivist i palodhur. “Të mos harrojmë kurrë vuajtjet e së kaluarës, të njohim dëshmorët dhe të mbajmë gjallë idealet e ëndrrat e tyre për Shqipërinë, të shtojmë sa më shumë dijet dhe të forcojmë disiplinën në punë, të lexojmë libra e gazeta, të shtojmë radhët e organizatës sonë që ajo të mos venitet kurrë”, – ja këto ishin motoja e punës njëzetvjeçare të këtij veterani një shekullor në organizatën e veteranëve, ku ai militon. Hekuran Lila është një arkiv i gjallë historie, lufte e pune, por ai nuk vetreklamohet, nuk mburret. Jep shembullin e vet, ndihmon të porsazgjedhurit, si drejtues të organizatës me pasardhës veteranësh cilësorë, propagandon gazetën “Kushtrim Brezash” dhe punon që të shtohen abonimet në atë organ dinjitoz të organizatës. Ai është një ndër të shumtit veteranë, që kurrë nuk u lodhën për të mbajtur gjallë në zemrat e të rinjve të sotëm idealet e patjetërsueshme të LANC, të lirisë, drejtësisë, jetës së gjallë atdhetare e kombëtare. Duke folur për Hekuranin, ne dhe ai, nuk harrojmë asnjëherë veteranët e ndarë nga jeta, më të rinj, por që jetojnë në zemrat tona, si Nazmi Murati, Dashamir Harxhi,Thoma Taçi, Reshat Toro, Aleks Plushku etj. Dhe po ashtu gëzohemi tok me Hekuranin, kur shohim pasardhës të devotshëm veterani, si Ndue Përshqeta, që ndan në çdo familje gazetën dhe aktivizohet vazhdimisht në veprimtaritë e organizatës. Për kontributin e shquar e për një periudhë shumë të gjatë kohore në organizatën e Veteranëve, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, i ka akorduar veteranit Hekuran Lila titullin më të lartë: “Nderi i organizatës së LANÇ”, me një motivacion plotësisht të merituar vlerësues.
Duke mbrojtur historinë e LANÇ, garantojmë të ardhmen e Shqipërisë
Veterani që po ngjit mbylljen e shkallëve të një shekulli, i mbajtur në trup e në logjikë, në memorie e në lëvizje, shqetësimet e moshës i kalon me punë, jo vetëm në familje, por edhe me shokët, e sidomos në aktivitetet e organizatës së veteran në lagje, zonë e më gjerë. Ai merr pjesë gjallërisht në takime përkujtimore, në festime ngjarjesh madhore të vendit e të luftës, thuajse në të gjithë vendin. Mbetet mbresëlënëse dhe nuk harrohet gjallëria e tij në festimin e 70-vjetorit të Brigadës 10 S në Lushnjë e gjetkë. Hekurani mbetet kuadër i drejtë e i rreptë, si gjithnjë edhe në atë që bën edhe në ato që thotë. Ai nuk duron dot pakujdesitë, hipokrizitë, gënjeshtrat dhe sidomos ata individë që përpiqen të hedhin poshtë apo më keq, të baltosin vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar. Dhe nga thellësia e shpirtit të tij mallkon: “Turp për këta palohistorianë që luftën e madhe të popullit tonë për çlirim e quajnë ‘luftë civile! Ishte luftë, ku me armë në dorë luftuan 70 mijë partizanë shqiptarë e të kombësive të tjera kundër nazifashizmit, ishte luftë që mori aq shumë dëshmorë”. Flokëthinjuri ynë i nderuar, nuk njeh pleqëri. Ai përkujdeset për shëndetin e bashkëshortes, fisnikes Esma, me të cilën kanë treçerek shekulli bashkë; lindën, rritën dhe edukuan katër fëmijë, që koha e solli të shpërndahen nëpër botë, por që nuk e harrojnë atdheun dhe prindërit. Kurse Hekurani nuk harron asnjë ditë që të ngjisë shkallët e Shtëpisë së Veteranëve të Tiranës, aty në katin e pestë, në qendër të kryeqytetit… në roje të historisë së LANÇ, të idealeve të shenjta të saj, të amanetit dhe gjakut të të rënëve, që me gjithë dëshmorët dhe martirët e kombit të çdo periudhe historike janë në themelet e lirisë.
Sigal