Bektash Çela, përkthyesi i misionit anglez, që shfaqi filmin e parë në Tepelenë

846
Sigal

71 -vjetori i  Çlirimit të Tepelenës/ Nga ditari i njeriut që drejtoi Tepelenën në vitet 1955-1957

Janë disa njerëz që linden në heshtje, rriten në heshtje, punojnë në heshtje, drejtojnë në heshtje, jetojnë në heshtje, i shërbejnë vendit në heshtje, ikin nga jeta në heshtje, lënë gjurmë të mira në heshtje dhe në mënyrën më absurde… lihen në heshtje! Një personazh të tillë e “zbuluam” krejt rastësisht disa ditë më parë në Tepelenë. Mund të mos e kishim “zbuluar”, nëse nuk do të ishte bërë shkas biseda me një grup intelektualësh tepelenas, lidhur me 71 vjetorin e çlirimit të Tepelenës dhe figurat që kanë luftuar për këtë çlirim e kanë punuar për ndërtimin dhe drejtimin e punëve të Tepelenës. Personazhi ynë quhet Bektash Rushit Çela, i lindur 95 vite më parë, i ndarë nga jeta 10 vite më parë, në një pleqëri të qetë e të lumtur për shkak të familjes së madhe, të lidhur fortë e të qetë që la prapa. Për Bektash Çelën dëgjova ato që ai i ka dëgjuar rrallë sa ishte gjallë. Ajo që më nxiti të ndalem për këtë figurë me rastin e 71 vjetorit të çlirimit të Tepelenës është fakti që tepelenasi i madh” e i “harruar’ Bektash Rushit Çela, nuk figuronte në “listën” zyrtare të personaliteteve që janë nderuar e do të nderohen e kujtohen sot, në 15 shtatorin e çlirimit, të historisë dhe zhvillimeve të Tepelenës. Por ai figuron në memorien vlerësuese të qytetarëve. Bektash Çelën, menduam ta bëjmë personazh në këtë 15 shtator të përvjetorit të 71-të të çlirimit të Tepelenës, për vetë “profilin” që ka pasur jeta e tij. Katër gjëra ka “prodhuar” me bollëk në jetën e tij Bektash Çela i Tepelenës: fëmijë, profesione, dinjitet, thjeshtësi, përkushtim në punë, respekt për njerëzit dhe prej njerëzve mes të cilëve u gjend për 85 vite të jetës së tij. E për ta risjellë në kujtesën e zyrtarëve indiferentë tepelenesave ndaj kësaj figure, që sot janë sa nipërit dhe mbesat e Bektash Çelës, menduam të publikojmë në gazetën “Telegraf” disa momente historike nga jeta e tij, të cilat ai ka “fiksuar” në ditarin që ka lënë si “pasuri” për familjen…

Fakte nga ditari, siç i ka shkruar Bektashi… 

– U linda në qytetin e Tepelenës, më 10 korrik 1919, në një familje me tradita, me besë e përkushtim për atdheun.

– Kisha një baba, Rushit e quanin, “burrë zakoni” që më “torturonte’ për t’u bërë fëmijë, punëtor, burrë, prind dhe njeri i denjë për familjen e shoqërinë.

– Kisha një nënë, që më rriti me sakrifica dhe shumë dashuri, duke derdhur lot, kur unë nisa të rropatesha për të fituar vetë bukën e gojës e që më priste gjithë merak te dera, deri sa kthehesha në shtëpi.

– Në vitet 1934-1936, kam punuar si kamerier në kafenetë dhe mensat e asaj kohe në Tepelenë.

– Në vitet 1936-1939, shkova në Kuçovë, ku punova në shoqërinë naftë-nxjerrëse “AIPA”, fillimisht si traktorist në puset e naftës e më pas si shofer dhe llogaritar.

– Në vitin 1941, nisa punën si shofer transporti mallrash në parkun e ushtrisë italiane në zonën Tiranë-Durrës.

– Në 15 shtator 1943, pas çlirimit të Tepelenës, braktisa punën dhe u bëra pjesë e Luftës Nacional-Çlirimtare në batalionin partizan “Baba Abaz”.

– Në janar 1944, përzgjidhem personalisht prej Mehmet Shehut, si shofer dhe roje i tij personal në Brigadën e I  Sulmuese.

– Gjatë luftës, kam pasur në përdorim edhe një makinë tip “Fiat-Autokaret”, me të cilën shtabi i brigadës më ngarkonte me detyrë të transportoja partizanë, mallra e ushqime dhe sidomos armë.

– Gjatë luftës, më ngarkuan detyrën të drejtoja 5 makina transporti me shoferë gjirokastritë, më të cilët transportuam armatim e ushqime për partizanët në Kosovë, duke kaluar në linjën Gjirokastër-Përmet-Leskovik-Korçë-Pogradec-Qafë Thanë-Strugë-Kosovë, duke udhëtuar për 3 ditë me radhë.

– Në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë” në Tepelenë, kur isha duke transportuar miell për forcat partizane në Hormovë, ndesha në rrugë me një autokolonë gjermane që vinte nga Greqia e cila, sa pikasi që unë ktheva rrugë mbrapa, më sulmoi me predha antitank duke më ndjekur deri në Luzat-Tepelenë-Veliqot-Turan, ku i shpëtova edhe sulmit.

– Në muajt maj-nëntor 1944, punova si përkthyes pranë misionit anglez në zonën operative Vlorë-Gjirokastër, i ngarkuar me këtë detyrë prej udhëheqjes së PKSH dhe shtabit të zonës operative, mbasi zotëroja mirë gjuhët gjermanisht, italisht, greqisht e disi anglisht.

– Pas mbarimit të luftës, në dhjetor 1944 iu ktheva profesionit të traktoristit në puset e naftës në Kuçovë.

– Në vitet 1945-1949, nisi profesionin e tregtarit në Tiranë e më pas po në Tiranë, nisa profesionin e bukur të kino-operatorit, duke shfaqur filma.

– Me mallin për vendlindjen dhe tepelenasit e mi, më 7 nëntor 1949 u ktheva në Tepelenë, për të shfaqur filmin për herë të parë në këtë qytet dhe filmi i parë që solla për të shfaqur në Tepelenë ishte “Beteja e Stalingradit”.

– Pas shfaqjes së filmit të parë dhe për herë të parë, nuk u largova nga Tepelena por nisia punën si kino-operator i qytetit dhe i krejt rrethit.

– Në qytetin e Tepelenës,  shfaqja film çdo ditë, ndërsa në Memaliaj vetëm 1 herë në javë për minatorët dhe këtë punë në Memaliaj e bëra deri në fund të vitit 1955, kur në qytet u hap kinemaja dhe atje përgatita një djalë me emrin Myqerem, i cili punoi shumë vite si kino-operator në qytetin e minatorëve, gjersa më pas u zëvendësua nga Sotir Sotiriu, Gëzim Hysesani, Gëzim Bijo etj..

– Në vitet 1955-1957, me propozim të banorëve të Tepelenës dhe të organeve të partisë e pushtetit, u propozova dhe u votova nga populli si kryetar i bashkisë të qytetit Tepelenë.

– Pas kësaj detyre, iu riktheva përsëri profesionit tim të dashur të kino-operatorit të shfaqjes së filmave në Tepelenë, punë që e vazhdova deri në vitin 1980, ku gjatë këtyre viteve kam përgatitur shumë kino-operatorë të rinj për qytetet Gjirokastër, Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë.

– Në vitin 1960, nga fundi i marrëdhënieve me sovjetikët, u zgjodha kryetar i shoqatës së miqësisë Shqipëri-Bashkimi Sovjetik për zonën e jugut, sekretar ka qenë shefi i arsimit të Gjirokastër, njeriu i mirë Spiro Gusho.

– Kryetar i shoqatës kombëtare Shqipëri-Bashkimi Sovjetik ka qenë shoku Hysni Kapo.

– Tani që po shkruaj këto kujtime e këtë ditar që po e lë si kujtim për brezat pasardhës të familjes time, jetoj në pension e pleqëri të qetë, rrethuar nga fëmijët, nuset e djemve, dhëndurët, nipërit e mbesat e mia që më duan shumë, prej të cilëve nuk dua të largohem shpejt… por largohem i kënaqur!

Një kujtesë për Bashkinë e Tepelenës

Këtë kujtesë ma lanë si porosi disa tepelenas. Nga bisedat që zhvillova 1 javë më parë me ta në Tepelenë, ata shprehën trishtimin e harresës së padrejtë që i është bërë Bektash Çelës dhe bindjen e tyre, se njeriu i mirë dhe kontribut-plotë i këtij qyteti, do përbënte një nder për bashkinë e qytetit, nëse do nderohej. Komuniteti e ka nderuar në gjithë vitet e punës së tij. Ai ka shërbyer pa bujë, pa naze, pa dredhje e përdredhje, pa servilizma e pa qëllime të mbrapshta. E tha mirë, ish-drejtuesi Mehmet Muçi: Në rastin e Bektash Çelës, nuk është fjala thjeshtë për një karton “Qytetar Nderi” që në Tepelenë e kanë marrë edhe baxhoxhinj, e magazinier domatesh, apo njerëz që nuk kanë as lidhje kontributesh, krahinore e as kanë kaluar kurrë nëpër Tepelenë. Nderimi i Bektashit të Rushit Çelës së mirënjohur në Tepelenë është tregues vlerësimi për njerëz që kanë drejtuar Tepelenën e viteve të vështira, që kanë kontribuar në luftë e në çdo profesion. Fundja, ai mbetet dhe njihet si tepelenasi përkthyes i misionit anglez, si ish-kryetar bashkie model e si tepelenasi që solli dhe shfaqi të parin film në Tepelenë.

Përparim HALILI