Rikthehet Superliga, Tirana kryeson, Kukësi rrëzohet në shtëpi

511
Sigal

U mbajtën, dje, ndeshjet e javës së katërt të Kampionatit shqiptar me Kukësi-Partizani që hapën siparin në orën13:00. Ndeshja e djeshme pa çuditërisht fitues skuadrën e Partizanit, që arriti të mundte Kukësin në të njëjtën mënyrë që mundi Skënderbeun, vetëm se këtë radhë goli u shënua jo nga penalltia, por nga një goditje dënimi e ekzekutuar nga Racic nga largësia e 16 metrave. Në fakt lojën e bënë verilindorët që krijuan shumë raste, por pa mundur dot të finalizonin me një gol, disa herë të ndaluar nga fati, një herë nga traversa e disa herë nga portieri Hoxha. Ndeshja u zhvillua në një terren të vështirë dhe shumë të rrëshqitshëm çka bënte që skuadrat ta humbnin ritmin e lojës dhe ndërtimin e aksioneve. Partizani pas fitores së djeshme kalon në 7 pikë po aq sa edhe Kukësi që humbet kështu mundësinë për të ndarë kreun me Tiranën, të paktën për këtë javë. Ndeshjet e orës 17:00 u luajtën mes Flamurtari-Vllaznia dhe Tirana-Elbasani, me bregdetarët që nuk arritën të shkonin më larg se një barazim pa gola ndaj shkodranëve dhe me kryeqytetasit që fitojnë ndaj Elbasanit. Në fakt rezultati i djeshëm është shumë pozitiv për Vllazninë që vjen direkt pas ndodhive të së enjtes ndaj Tiranës dhe vendimit të Komisionit të Disiplinës. Ky rezultat e shfaq Vllazninë shumë të fortë në ndeshjet në transfertë pasi deri më tani ka fituar një ndaj Teutës dhe barazoi ndaj Flamurtarit, por jo çdo gjë shkoi mirë për shkodranët pasi në minutën e 86  futbollisti Dema doli me karton të kuq dhe i la me 10 futbollistë, por gjithsesi Flamurtari nuk arriti të ndryshonte rezultatin duke e lënë çdo gjë në 0-0, pra një  ndeshje  aspak pozitive për këta të fundit që shpresonin të ruanin ritmin si skuadër pretendente dhe që aktualisht ndodhen në kuotën e 7 pikëve bashkë me Kukësin dhe Partizanin, Vllaznia  ndodhet në vendin e parafundit dhe ka mbledhur vetëm 2 pikë deri më tani. Nga ana tjetër duket se Tirana e ka bërë të rrugës shënimin e golit në minutat e fundit pasi arriti të marrë një fitore të vyer ndaj Elbasanit vetëm në minutën e fundit të kohës shtesë (92’)  me një gol të Debatik Currit. Kjo fitore në fakt erdhi më e vështirë nga ç’pritej për Tiranën pasi Elbasani dukej të mos ishte e njëjta skuadër që pësoi atë humbje turpëruese 5-1 me Teutën. U zhvillua një ndeshje shumë e fortë dhe e luajtur nga të dyja skuadrat me Tiranën që provonte më shumë në sulm dhe e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 11 me anë të Bushic, por që do të pasohej nga goli i barazimit për Elbasanin  me anë të Kaculit në minutën e fundit të pjesës së parë. Në pjesën e dytë kemi një lojë sulmi të Tiranës dhe mbrojtje të Elbasanit që ishin shumë të kënaqur me një barazim në transfertë, por rezultati ndryshoi atëherë kur askush nuk e mendonte ku, në minutën e dytë shtesë, Debatik Curri arrin të shënojë golin që vlen jo vetëm 3 pikë por edhe kryesimin e kampionatit. Kujtojmë që edhe në këtë ndeshje ka pasur kartonë të kuq me Bakajn që ka lënë tiranasit me 10 lojtarë.

Ndërkohë ndeshjet e orës 20:00 u ndanë të dyja në barazim 0-0, si Apolonia-Skënderbeu ashtu edhe Teuta-Laçi. Ne fakt, pavarësisht rezultatit, ndeshja e Apolonisë me Skënderbeun ishte shumë emocionuese, me shumë raste dhe shumë e shpejtë, kjo falë edhe Skënderbeut por edhe kundërsulmeve mjaft të shpejta të vendasve që tregojnë edhe një herë se në fushën e tyre janë kockë e fortë. Kjo është ndeshja e dytë radhazi pa fitore për kampionët në fuqi dhe që e shohin veten të katapultuar në vendin e 4, tre pikë larg Tiranës kryesuese. Në ndeshjen tjetër mes Teutës dhe Laçit rezultati i bardhë 0-0 tregon edhe një herë forcën që ka skuadra e Laçit në fazën e mbrojtjes, që edhe pse nuk ka arritur asnjë fitore deri më tani e sheh veten në kuotën e tre pikëve. Ndërkohë Teuta edhe pse luante në shtëpinë e vet e pati të pamundur të tregonte veten përballë Laçit. Pas përfundimit të javës së katërt  kryesimin e kampionatit e merr Tirana me 10 pikë e ndjekur nga Flamurtari, Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani të gjitha me nga shtatë pikë.

Ndeshjet e luajtura dje

Ora 13:00

Kukësi 0-1 Partizani

Ora 17:00

Flamurtari 0-0 Vllaznia

Tirana 2-1 Elbasani

Ora 20:00

Apolonia 0-0 Skënderbeu

Teuta 0-0 Laçi

 Tabela e renditjes pas javës së katërt është si më poshtë:

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 4 3 1 0 10
2 KF Flamurtari 4 2 1 1 7
3 KF Kukësi 4 2 1 1 7
4 KF Skënderbeu 4 2 1 1 7
5 KF Partizani 4 2 1 1 7
6 KF Teuta 4 1 1 2 4
7 KF Apolonia 4 1 1 2 4
8 KF Laci 4 0 3 1 3
9 KF Vllaznia 4 1 2 1 2
10 KF Elbasani 4 0 0 4 0

Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së  merr vendimin për Vllaznia-Tirana

 Komisioni ka marrë vendimin për ngjarjet e shëmtuara në ndeshjen e të enjtes në “Loro Boriçi” dhe ashtu siç pritej vendimi është i rreptë. Të dyja skuadrat janë prekur nga ana financiare me Vllazninë që i duhet të paguajë një gjobë 1 milion  lekë (të reja) për sjelljen e keqe të tifozëve të saj dhe për mos marrjen e masave të duhura për organizimin e ndeshjes si skuadër pritëse që ishte, gjithashtu dënohet edhe me 10 ndeshje në shtëpi pa tifozë. Nga ana tjetër edhe Tirana është gjobitur me 500 mijë lek (të reja) për sjellje të shëmtuar të tifozëve të saj gjatë ndeshjes dhe me 15 ndeshje pa tifozë në shtëpi duke qenë se rastet e dhunës nga tifozët  e kësaj skuadre janë të përsëritura. Një pikë e veçantë i është kushtuar edhe tifogrupit ‘Tirona Fanatics’ që nuk do të lejohen ta ndjekin në asnjë ndeshje skuadrën e tyre për sezonin 2014-2015. Kujtojmë që dënimi vlen vetëm për ndeshjet brenda shtëpisë (si në kupë dhe në kampionat)  pasi tifozët nuk e kanë të ndaluar ta ndjekin skuadrën e tyre në ndeshjet jashtë,përjashtim bën vetëm tifogrupi ‘Tirona Fanatics’ që nuk do lejohen në asnjë stadium.

  Bundesliga, Bayern rikthehet tek fitorja dhe tek kreu.

U zhvillua java e tretë e kampionatit gjerman ku pa si fitues Bayern Munchen që ka arritur të mundi Shtutgartin 2-0 në shtëpi,një fitore  vlefshme kjo  që i vë bavarezët në vend të dytë me pikë të barabarta me Leverkusen që barazoi 3-3 me Werder Bremen. Fitore 3-1 në shtëpi ka arritur edhe Borusia Dortmund ndaj Freiburgut që e dërgon në vendin e tretë të renditjes direkt pas Bajernit. Ndeshjet e ardhshme do të luhen në datën 20 shtator me bavarezët që do ndeshen me Hamburgun dhe me Borusian që do të luajë në transfertë ndaj Mainzit.

Kampionati spanjoll, Barcelona bind, Reali ngec në derbin e Madridit

 Kampionati spanjoll në javën e tretë të tij vjen me surpriza me Barcelonën që  ka arritur të rrëmbejë një fitore të pastër në shtëpi  2-0 ndaj Bilbaos që i jep aktualisht kreun e kampionatit me pikë të plota dhe ndodhet dy pikë para ndjekësit më të afërt që është Valencia. Surprizën  e kampionatin, ne formën e keqe të saj, vazhdon ta bëjë Reali që koleksionoi humbjen e dytë në tre ndeshje, këtë radhë humbi si ndeshjen, tre pikët por edhe derbin e qytetit me Atleticon. Pavarësisht yjeve që ka në fushë reali përsëri nuk po arrin të bindë me lojën dhe aktualisht ka grumbulluar vetëm 3 pikë dhe ndodhet në vendin e 13 në renditje. Ndeshjet e ardhshme do të jenë në datat 19/20 shtator me Realin që do ndeshet me Deportivo la Corunan.

 Serie A, Interi luan tenis, Roma-Juventus në një hap.

Kampionati italian në javën e dytë të tij tregon luftën e fortë që do të bëhet për titull, me Romën dhe Juventusin me pikë të barabarta dhe Interin qe dita ditës po bind edhe më shumë. Roma arriti një fitore të ngushtë ndaj Empolit 1-0 por që përsëri i jep tre pikët që i duhen, ndërkohë Juventus fitoi 2-0 ndaj Udinezes, në një ndeshje të kontrolluar nga fillimi deri në fund. Rezultatin e javës e arriti padyshim Inter që fitoi 7-0 në shtëpi ndaj Sasuolos për tu ndjekur nga Lacio e Canës dhe Berishës që fituan 3-0 ndaj Cesenës. Disa ndeshje do të mbahen me 20 shtator ku më kryesorja do të jetë ndeshja mes AC Milan dhe Juventus.

 Premierliga, Arsenal-City në paqe, Manchester-Chelsea në sulm.

Super ndeshja e javës së katërt të kampionatit anglez mes Arsenal dhe City është ndarë në barazim 2-2  ku City ka arritur të barazojë vetëm në minutat e fundit me anë të Demichelis, ndërsa United dhe Chelsea nuk falin duke fituar me goleadë ndaj kundërshtarëve me të parët që fituan 4-0 ndaj QPR dhe londinezëve që fituan 4-2 ndaj Swansea. Humbje surprizë bëri Liverpool ndaj Aston Villas, që pavarësisht blerjeve të reja nuk po arrin të fitojë rregullisht. Kampionatin e kryeson Chelsea me pikë të plota i ndjekur nga Aston Villa me 2 pikë më pak. Ndeshjet e ardhshme do të luhen me datë 20 shtator.