Dr. Tatjana Haxhimihali: Ja pse i jemi përjetësisht mirënjohës presidentit Wilson, përfaqësues i ShBA në Konferencën e Paqes

822
Bahri Omari u lind në qytetin e Gjirokastrës deklaroi se dy mjete themelore për përparimin e një kombi janë Fjalori, po ashtu edhe një Histori kombëtare. 
– Editorialet e B. Omarit drejtuar bashkëkombësve në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës, në kohën kur ai emigroi në ShBA (1919-1923) dhe ishte drejtor i saj mbeten unik
– “Ne shqiptarët jemi të vobektë, s’kemi libra…, po në atë baltë kemi lindur, pse të mos mendojmë për lumturinë e saj?”
-Noli- vëren ai, një nga më të zotët që kemi, të përpiqet për të shkruar historinë e Shqipërisë, siç do të ndodhte vërtet më vonë
– Është mëkat i madh për një popull që nuk di të çmojë veprimtarinë e atdhetarëve të tij. 
-“Peçi, Noli, Faiku -të tre këto figura të shquara formojnë këmbjen mbi të cilën është themeluar çështja shqiptare në Amerikë edhe më tej.” 
-Na duhet një disiplinë e shëndoshë ku të çmohen realisht meritat e njërit e të tjetrit, ashtu siç është vlerë kujtimi i dëshmorëve, ushqimi më i shëndetshëm në jetën e një populli
-Për më tepër cili shtet i vogël mund t’i bëjë ballë intrigave pa mbështetje nga ndonjë fuqi e madhe? -Shpresojmë tek anglezët dhe qeveria britanike që shqiptarëve tu rivendikohen të drejtat e tyre dhe të mos përsëriten gabimet që u bënë në Konferencën e Londrës për cungimin e kufijve të Shqipërisë
– Besim të madh kemi te presidenti Wilson, përfaqësues i ShBA në Konferencën e Paqes (Paris 1919), sepse në emër të ruajtjes së një ekuilibri forcash dhe përkrahjes së shteteve të vegjël, siç karakterizohet demokracia amerikane, ne do të gjejmë mbështetje
– B. Omari u zgjodh deputet i Gjirokastrës (me shumicë votash, përballë Myfit Libohovës, një figure të njohur prej dere të pasur e me emër) dhe përfaqësoi Partinë Popullore në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë (në vitin 1921).
Librat zgjerojnë horizontin, kur zbulojnë një pamje të panjohur e pasurojnë më tej. I tillë është libri Donika Omarit, “Jeta dhe veprimtaria e Bahri Omarit”, të cilin rastësisht e zbulova në librari edhe se ka disa muaj që ka dalë nga shtypi. Një vepër që bindshëm operon me idenë se e tashmja s’ mund të jetë e gjallë nëse e shkuara është e vdekur. Një nga ata shembuj që të shtyjnë të mendosh se kur ne e dëbojmë të kaluarën nga dritarja, ajo s’ mënon të kthehet nga dera e madhe. Përshtypja e parë: një libër nga një Omar për një Omar ngjan t’i përkasë kolanës së kujtimeve. Nuk është vetëm i tillë. Lënda është ambivalente. Materiali dokumentar, shoqëruar nga një studim konciz (pjesa e parë e librit), i shkruar nga një studiuese me përvojë në fushën e letërsisë, si D. Omari, pasuruar me të dhëna e kujtime familjare, që më mirë se ajo s’ mund t’i njihte kush (nusja e të birit të B. Omarit), evidentojnë dhe mbështesin idenë – bosht: Cili ishte Bahri Omari? Ç’ veprimtari, aktivitet e ç’raporte pati ai me atdheun dhe bashkëkombësit? Dhe kapitalja: “Ç’ krim të rëndë kish kryer ky njeri që t’i merrnin jetën?”. I lindur në qytetin me tradita të Gjirokastrës (1889), shkolluar në vendlindje, Janinë dhe në Mekteb-i Mylkije në Stamboll, ku u diplomua për Shkenca Administrative, B. Omari që herët krijoi profilin e intelektualit të formuar me shumë interesa; ajo për atdheun s’ iu nda kurdoherë. Me këmbëngulje të përhershme për mësime të mira, me dëshirën për tu bërë të denjë për vetveten dhe vendin e origjinës, janë editorialet e B. Omarit drejtuar bashkëkombësve në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës, në kohën kur ai emigroi në ShBA (1919-1923) dhe ishte drejtor i saj (kapitulli i dytë i librit përmban një pjesë të artikujve, idetë e të cilëve po i prekim më poshtë ). Në një ballafaqim të përditshëm me një qytetërim të ri, siç kanë qenë SHBA ku, që prej themelimit, shenjtërimi i kushtetutës dhe ligjet e demokracisë u bënë kredoja e jetës ekonomiko-shoqërore, ai shpalos në editorialet e gazetës përvoja pemë-prurëse për lexuesit, punëtorë, emigrantë me përbërje të ndryshme shoqërore. 
Kapitalizmi ngadhënjeu mbi feudalizmin
Kapitalizmi ngadhënjeu mbi feudalizmin sepse i shumëfishoi mundësitë për të hyrë në qytetërim duke filluar nga arsimimi. Mendimin e përparuar të kohës, atë që veprimtari politik gjerman Bebel do ta shprehte me maksimën se në shoqërinë e ardhme personaliteti kryesor do të jetë mësuesi dhe jo gjeneral, B. Omari e pati frymëzues. “Ne shqiptarët jemi të vobektë, s’kemi libra…, po në atë baltë kemi lindur, pse të mos mendojmë për lumturinë e saj?” Dy mjete themelore për përparimin e një kombi janë Fjalori, po ashtu edhe një Histori kombëtare. Për hartimin e tyre të ngrihet një komision, që do të mbetet historik,-propozon B. Omari. Noli- vëren ai, një nga më të zotët që kemi, të përpiqet për të shkruar historinë e Shqipërisë, siç do të ndodhte vërtet më vonë. Është mëkat i madh për një popull që nuk di të çmojë veprimtarinë e atdhetarëve të tij. “Peçi, Noli, Faiku -të tre këto figura të shquara formojnë këmbjen mbi të cilën është themeluar çështja shqiptare në Amerikë edhe më tej.” Na duhet një disiplinë e shëndoshë ku të çmohen realisht meritat e njërit e të tjetrit, ashtu siç është vlerë kujtimi i dëshmorëve, ushqimi më i shëndetshëm në jetën e një populli. 
Përpara botës
Në vend të huaj njeriu e kupton se sa pak ndikon ndryshimi i klimës apo i fesë përpara kombësisë së përbashkët. Përpara botës nuk duhet të sillemi si dy grupe të ndarë nga pikëpamja fetare, ashtu si edhe në Shqipëri. Vetë duhet të punojmë që të shuajmë zjarrin e propagandës së fesë, sepse themeli i ndërtesës është vëllazëria: e myslimanëve dhe e të krishterëve, ashtu si dhe ajo ndërmjet gegëve dhe toskëve. Qytetërimi prodhues që përmban forma të një lirie të re e ka nxitur artikullshkruesin, që shkruan kurdoherë me fraza të drejtpërdrejta, të vlerësojë vendin e gruas në shoqëri, duke e quajtur barometrin e përparimit të një vendi. Dihet se sa herë përjashtojmë varfërohemi, ashtu si sa herë përfshijmë pasurohemi. Një ideje të tillë B. Omari i përqaset kur vëren se shpifjet, thashethemet dhe gënjeshtrat krijojnë ndarje. Të çliruar prej tyre, duke u përpjekur të punojmë e të ecim vetë, do të jemi siç duhet. Të mëdhenj e të vegjël të mblidhemi e të shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e të huajve që po përpiqen t’i shkëpusin pjesë nga territori i saj (grekët,serbët, bullgarët). Bashkimi dhe dashuria jonë do t’i bëjë edhe të tjerët të na ndihmojnë, sepse ne s’kemi ndonjë qeveri që të marrë masa për mbrojtjen e të drejtave tona. Për më tepër cili shtet i vogël mund t’i bëjë ballë intrigave pa mbështetje nga ndonjë fuqi e madhe? Shpresojmë tek anglezët dhe qeveria britanike që shqiptarëve tu rivendikohen të drejtat e tyre dhe të mos përsëriten gabimet që u bënë në Konferencën e Londrës për cungimin e kufijve të Shqipërisë. Besim të madh kemi te presidenti Wilson, përfaqësues i ShBA në Konferencën e Paqes (Paris 1919), sepse në emër të ruajtjes së një ekuilibri forcash dhe përkrahjes së shteteve të vegjël, siç karakterizohet demokracia amerikane, ne do të gjejmë mbështetje. Por edhe kur parimet Wilsoniane nuk dolën siç pritej, përsëri shqiptarët do të kenë besim te vendi – simbol i demokracisë, vlerëson B. Omari duke u shprehur në, gazetën “Dielli”, organ i shoqërisë “Vatra” të shqiptarëve të Amerikës, ” i vetmi grup i shëndoshë që mund të përfaqësojë Shqipërinë sot .”
Idetë e artikujve të “Diellit”
Idetë e artikujve të “Diellit” duket se nuk kanë qenë vetëm propagandë. Kanë qenë motive nxitës e mbështetës në aktivitetin e dendur politik që B. Omari zhvilloi në Shqipëri, ku e gjeti me vend të kthehej pas qëndrimit trevjeçar në Amerikë. “Çdo organizmë mendon se si të gjejë mënyrën e volitshme për të përparuar në të ardhmen, për shtetin që do të ketë dhe për qeverisjen vendit. Të formojmë grupe, të bëjmë pllane se ç’mund të bëjë shteti i ardhmë…”-ishte shprehur ai në një nga editorialet e tij.
Deputet
B. Omari u zgjodh deputet i Gjirokastrës (me shumicë votash, përballë Myfit Libohovës, një figure të njohur prej dere të pasur e me emër) dhe përfaqësoi Partinë Popullore në Këshillin Kombëtar të Shqipërisë (në vitin 1921). Më vonë, kur në Partinë Popullore epërsinë e morën përkrahësit e Zogut, ai kaloi në një grupim të ri, opozitar, gjithherë me qëllimin e shprehur vite më parë: “Nuk ka Shqipëri pa përpjekjet tona të përbashkëta”. Aktiv në debatet parlamentare, propozimet e tij synojnë emancipimin e politikës shqiptare, sidomos për sa u përket aspekteve juridike të problemeve, për të cilat kishte studiuar. P.sh. për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (të gjithë të barabartë përpara ligjit), sigurimin me ligj të pavarësisë së gjyqtarit, mbrojtjen e së drejtës së pronës brenda një reforme agrare e plot ndërhyrje të tjera për çështje të administratës publike (saktësimin e projekt-ligjeve, zbatimin e rregulloreve etj.) siç përshkruhen nga autorja e librit (në pjesën e parë) me shembuj ilustrues konkretë të mbështetur në kërkimet që ka bërë në Arkivin Qendror të Shtetit. B. Omari është hartues dhe nënshkrues i deklaratës së opozitës në parlamentin e vitit 1923, ku sistemi qeveritar cilësohet “nji kundërshtim kaq i shfaqun midis fjalës dhe veprave të nji Qeverije sa nuk mund të shihet në asnji Shtet në botë!..Pastërvitja në jetën politike, ambiciet sollën ndarjen e Zogut prej patriotëve dhe sundimin e vet në kurriz të shqiptarëve”. Me një vizion liberal, duke e quajtur formimin e partive të ndryshme si të nevojshme në mbarëvajtjen e punëve të shtetit, B. Omari merr pjesë në formimin e Partisë Demokrat- Nacionale, ku kishte funksionin e sekretarit politik . Ai botoi dhe administroi gazetën “Shekulli”, organ i partisë që pati një platformë liberale e qëllime atdhetare edhe lajme të ditës, po nuk pati qenë jetëgjatë (u botuan vetëm 8 numra), sepse me ardhjen e Zogut në fuqi (1924) ajo u mbyll dhe B. Omari si disa të tjerë opozitarë emigroi në Itali ku qëndroi për 15 vjet. 
Me pushtimin e vendit
Me pushtimin e vendit nga Italia ai u kthye në Shqipëri ku filloi punë në Këshillin e Shtetit për çështje administrative, por sipas dokumenteve që paraqit autorja, ai është i survejuar nga Kuestura fashiste si në Itali dhe në vendlindje. Me themelimin e organizatës “Balli Kombëtar” B. Omari bëhet anëtar i saj pa funksione drejtuese. I vënë në shënjestër si nga italianët për qëndrime armiqësore ndaj qeverisë së tyre edhe nga komunistët, që kishin dalë me armë në dorë për të çliruar vendin, për të cilët çdo kundërshtar në rrugën e luftës për fitoren e kauzës ishte një armik. Në shkurt të vitit 1944, pas hezitimesh ai pranoi të hyjë në qeverinë e Rexhep Mitrovicës (si ministër i punëve të jashtme), qeveri që bashkëpunoi me gjermanët. Edhe se për një periudhe të shkurtër pesëmujore, ai quhet bashkëpunëtor i fashizmit. Duke mbajtur një post të tillë, i vetëmotivuar se veproi në dobi të vendit të vet, kur është përpjekur për të kursyer jetë njerëzish nga gjakderdhje hakmarrëse si ajo e Xhafer Devës, për mbrojtur territoret shqiptare nga sulmet e serbëve (sidomos kundër spastrimeve etnike në Kosovë) dhe të bullgarëve, kur ka mbështetur propozimin e Konicës paraqitur qeverisë së Greqisë për një shteti dualist greko- shqiptar me organizim politik si të Austro-Hungarisë, që do ta mbronte vendin nga rreziqe ekstreme, B. Omari nuk e ndjeu kurrë veten fajtor. As e ndjeu të nevojshme të përfitonte nga “një amnisti për faje politike” që do tu jepte dënime më të lehta bashkëpunëtorëve të fashizmit, në rast se do të paraqitej në Priskë, në prag të çlirimit të vendit, ku ishin mbledhur udhëheqësit e rinj të shtetit të ardhshëm. As nuk tentoi të arratisej jashtë shtetit si shumë pjesëtarë të organizatave të Ballit dhe të Legalitetit, i bindur se asnjëherë nuk kishte vepruar kundër interesave të atdheut, me besimin që e ka shprehur edhe dikur në artikujt e tij se “Idetë e ndryshme politike të mos merren si mëri personale.” Ndoshta mund të ketë qenë edhe një nënvlerësim i luftës që po bënin të rinjtë, partizanët, ose lodhja për tu rinisur në rrugën e emigrimit, me mendimin se çfarëdo që të ndodhte do ta përballonte, pa menduar se mund t’i rrezikohej edhe jeta, siç vë në dukje studiuesja Omari. Të dhënat biografike që jep autorja për B. Omarin si kunat me E. Hoxhën (të cilin ai e pati ndihmuar dhe strehuar në fillimet e Lëvizjes, po më vonë i prenë marrëdhëniet) tregojnë se lidhje të tilla jo vetëm që s’e kanë ndihmuar, por ka qenë e kundërta. 
Me një pretencë pa avokatë mbrojtës, siç ka qenë praktikë e shtetit monist, ai u dënua me vdekje, bashkë me gjashtëmbëdhjetë të pandehur të tjerë. Akuzave për bashkëpunim me fashistët dhe përgjegjësinë për minimin e portit të Durrësit, akt vandal i ushtrisë gjermane në ikje, (veprim për të cilin B. Omari, si ministër i jashtëm, pati dërguar edhe një notë proteste) ai iu përgjigj me “dinjitet e burrëri…Unë nuk kërkoj mëshirë, por kërkoj drejtësi”, dëshmon ish-prokurori i Gjyqit special, B. Spahiu, në kujtimet e veta (“Testamenti”). Po ashtu, siç tregon po aty B. Spahiu i pranishëm në vendngjarje, për fjalët e fundit të B. Omarit përpara skuadrës së pushkatimit, kur u është kërkuar t’i kthejnë kurrizin plotonit të ekzekutimit: “Jo askush s’duhet t’i kthejë krahët nga tytat, pasi nga shpina vriten vetëm tradhtarët dhe ne nuk jemi tradhtarë. Këtë do ta vërtetojë historia”. Dhe mendja të shkon te fjalët e Shekspirit: “Është e vështirë të trembësh një zemër që s’është e njollosur nga asgjë”. 
Libri i D. Omarit është një udhërrëfyes për të hedhur dritë mbi një figurë komplekse, atë të një patrioti të vendosur që rrethanat dhe bindjet e shtynë të mos jetë në radhët e atyre që fituan luftën. Atyreve që çdo kundërshtar e gjykonin si armik, karakteristikë që erdhi duke u bërë tipar dallues i shteteve moniste dhe i diktaturave. Në rrethana të reja, një studim kaq interesant si ky që përbën pjesën e parë të librit ka vlera të veçanta, sidomos sepse është mbështetur mbi dokumente konkrete, për të cilin ka meritë të madhe autorja. Herë-herë ndërhyrjet e studiueses me disa kujtime familjare duket sikur nuk i ndriçojnë sa duhet vlerat shkencore të veprës, ndoshta sepse nuk janë shkrirë plotësisht me materialin. Libri, me studimin (pj. I) dhe editorialet e gazetës “Dielli”(pj. II), është një arritje dhe piketë e fortë për një trajtim të mëtejshëm e gjithëpërfshirës të figurës atdhetare të Bahri Omarit.
Sigal