Ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit në Vlorë – 12 shkurt 1919

247

Mbërritja e trupit në Vlorë, censura italiane dhe fjalimet e delegatëve që shpallën pavarësinë. Ngritja e përmendores në 1932

Nga Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

Në të vërtetë, kështu ndodhi.
Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindizit. Aty u vendos mbi luftanijen italiane “Alpino”, dhe arriti në Vlorë, në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në Skelë. Aty qëndroi dy ditë. Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë, më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga Skela filloi në orën 10.00 paradite.
Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore. Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria “Djelmoshat e Vlorës”. Një nga kurorat ishte e gazetës “Kuvendi”, në të cilën thuhej: “Ismail Qemal i Vlorës! Diplomatit të vlerët”.
Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si “diplomat i vlerët”. Kur kortezhi u nis nga Skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë “Djelmoshat e Vlorës”, që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të “Shoqërisë djaloshare”. Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Më tutje, vijonte një grup ushtarësh të regjimentit të 86-të, si dhe një repart italian mitraljerësh.
Pas tyre vinte karroca që mbante arkivolin e mbështjellë me Flamurin Kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie. Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës “Kuvendi”, Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin.” Duket se Flamurin Kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, “Patriotin e Madh”. Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar “Plakun e Shqipërisë”, disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit, kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme.
Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: “Se anija luftarake, Alpino, arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; se më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit; se arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga Skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj. Ai nënvizonte se: Nuk pati asnjë Flamur Shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian: – “Më ishin bërë të njohura më parë se pjesëmarrja do të ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident.”
Në lidhje me ceremoninë e varrimit të Ismail Qemalit, në ditarin e komandës italiane, ndër të tjera do të shkruhej:
“Mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi Flamur Shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij”.
Edhe pse aty mungonte ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve, nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh. Gjenerali italian nuk na thotë se cilët qenë dy personalitetet që mbajtën fjalimet e përmortshme në tregun e qytetit. Emrat e tyre i njofton korrespondenti i gazetës “Kuvendi”. Ata qenë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy delegatë që kishin marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin si përfaqësues të Vlorës në Kuvendin Historik që shpalli Pavarësinë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912. Madje, ai na jep edhe fjalimet e tyre.
Jani Minga tha ndër të tjera:
“Popull i përzishëm! Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Vallë ç‘gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e ç‘mandatë të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirti. Pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo ku rrotulloj sytë, kudo ku mbaj veshët një zë përgjigjet për çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar dëgjohet “Vdiq Ismail Qemali! Vdiq Plaku i Vlorës! Plaku i Shqipërisë!” Heu! Thuaj më mirë o i mjerë popull vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburoja më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë Evropiane.”

Nga fjala që mbajti Qazim Kokoshi përpara trupit të Ismail Qemalit, shkëputim këto rreshta:
“Helmi dhe dëshpërimi që goditi gjithë bashkatdhetarët nga kjo gjëmë ishin aq të mëdha sa na pëlqente në ditën e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, që të mos ta besonim, donim të shpresonim që lajmi të mos ishte i vërtetë, dhe Ismail Qemali të mos kishte vdekur që kësisoj ai me gjalljen e tij të mund të kryente plotësisht qëllimin e shenjtë që kishte filluar që në kohën e djalërisë, dhe për të cilin kishte marrë në sy pësimet e mërgimin me shumë rreziqe, me shumë vuajtje e të këqija. Por, mjerisht, këto shpresa nuk u vërtetuan pse thonjtë e tmerruar të vdekjes e rrëmbyen Ismail Qemalin. Një e tillë humbje, sidomos në një kohë kur atdheu i tij priste shërbimin më të madh, priste nga fuqia e mendjes së tij kurorëzimin e të drejtave dhe të dëshirave Kombëtare, një e tillë mynxyrë, në një kohë të tillë, kur fati i të gjorit komb Shqiptar është duke u shqyer përjetë, na duket se e shton helmin e dëshpërimin tonë më shumë se çdo herë.”
Qazim Kokoshi e mbylli fjalën e tij kështu:
“Ismail Bej! Të përunjemi dhe të sigurojmë që Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e paditur, të çmon dhe kujtimin tënd do ta ketë si rrënjë të idealit të saj.”
Pas fjalimit të tyre, ushtria italiane i bëri nderimin e fundit Ismail Qemalit, duke ekzekutuar himnin mbretëror, sigurisht të Italisë.
Që këtej reparti i kalorësisë italiane së bashku me të parët e fesë, parësinë e qytetit e një masë e madhe qytetarësh vlonjatë e shoqëruan arkivolin drejt e në Kaninë, ku u varros.
Në këtë mënyrë mori fund dhe ceremonia e varrimit.

28 nëntor 1932, ngrihet përmendorja e Ismail Bej Vlorës

Përurohet përmendorja e Ismail bej Vlorës në lulishten e madhe të qytetit të Vlorës. Sillen nga Kanina eshtrat e tij. Fjalën e hapjes e mbajti prefekti Abedin Nepravishta, i cili tha ndër të tjera “enthuziazmi i popullit të Vlorës kapërcen çdo kufi duke parë përjetësimin e kujtimit të veteranit Ismail Qemali me ngritjen e një përmendorje nga N.M.T. Mbreti i Shqipëtarëve”
Nga sheshi i Flamurit, kortezhi u nis për në Kaninë, ku pasi u hap varri u nxor prej andej trupi pjesërisht i tretur, u fotografua në shumë pamje dhe u vendos në një arkivol të posaçëm.
U bënë shumë fotografi me Flamurin e parë të pavarësisë që plaku patriot kishte ngritur në Vlorë e më pas flamuri iu dorëzua prefektit nga Et-hem beu, djali i vogël i Ismail Qemalit, për t’ia dorëzuar ministrit të Arsimit me qëllim që të vendosej në muzeun kombëtar. Kur arkivoli mbërriti në Sheshin e Flamurit, përfaqësuesi i Mbretit, Gjeneral Giraldi zbuloi përmendoren.
(gazeta “Besa” – nëntor 1932)