Sigal

Agron MEMA

Jeta shqiptare gjithmonë është shoqëruar nga ngjarje tronditëse, sidomos nga vrasjet e personaliteteve të jetës politike, të cilat kanë mbetur enigmë në të gjitha kohët që atëherë kur ndodhën ato, por dhe më pas. Më të thelluara janë këto enigma që nga Themelimi i Shtetit Shqiptar më 1912-n, duke filluar me vet vdekjen e themeluesit të tij, Ismail Qemalin dhe shumë ministrave të tij, duke vijuar më tej me kohën e Mbretërisë, LANÇ-it, për të marrë përmasa tragjike kombëtare gjatë Pushtetit Komunist dhe në disa raste madje edhe në kohën e demokracisë. Ajo që është objekt i këtij shkrimi, bazuar edhe në dokumente arkivore të publikuara , por që ne po i fokusojmë për të shpërndarë disi mjegullën prej saj dhe qartësuar ngjarjen, është vrasja e Teme Sejkos dhe pushkatimit të grupit të tij pas procesit gjyqësor të vitit 1961, kur ky grup u cilësua si armiqësor dhe komplotist me synim likuidimin e RPSH-së. Themi vrasje, sepse pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu, diskutimet në Byronë Politike dhe në Procesin Gjyqësor të tij, dalin fakte dhe dëshmi se Teme Sejko ka vdekur nga torturat dhe nuk është ekzekutuar sipas ligjit dhe vendimit të gjykatës pas përfundimit të procesit gjyqësor, i cili filloi nga 15 maji i vitit 1961 në kinoteatrin “Brigada” dhe përfundoi më 14 qershor të vitit 1961 në Kolegjin e Lartë i RPSH-së me kryetar Shuaip Panariti, duke vazhduar edhe pas refuzimit për falje jete nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Po të shikohet në detaje, kemi një kohë rekord të hetuesisë dhe gjykimit të një dosjeje voluminoze të këtij grupi, fiks për një muaj gjithshka përfundon.

Pse ky nxitim?! Pa hyrë në historinë tragjike të këtij procesi, pasi tashmë dihen pasojat, mund të përmendim se ky grup u akuzua për krime kundër shtetit dhe se përbëhej nga anëtarët e arganizatës armiqësore në shërbim të zbulimeve të huaja, që ka pasur si qëllim përmbysjen me forcë të pushtetit popullor dhe skllavërimin e Shqipërisë me anë të komplotit të bashkërenduar ndërmjet monarko-fashistëve grekë, revizionistëve jugosllavë dhe Flotës së 6-të ushtarako-detare të SHBA-ve si dhe me ndihmën e disa tradhtarëve që ndodheshin brenda vendit dhe jashtë kufijve të tij. Pra, kjo është akuza që çoi në pushkatim “Grupin Çam” në verën e vitit 1961, vit që do të pasohej me shumë tronditje politike midis PPSH-së dhe PK BRSS-së. Tronditje këto që na çojnë në mendimin se kundëradmirali i Flotës Luftarake Detare të RPSH-së, Teme Sejko, ishte “kokë turku” për të përligjur distancimin politik nga BRSS dhe Traktati i Varshavës, ngjarje që vite më pas çuan në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve deri në ato diplomatike. Në kohën e këtyre ngjarjeve, BRSS gëzonte mjaft simpati tek populli shqiptar dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së, e mbjellë kjo nga vet politika e PPSH-së. Në këto situata sentimentale i PPSH-së i duhej ta përligjte armiqësinë me BRSS-në kundër popullit tonë dhe kjo do të arrihej me eliminimin e shumë kuadrove ushtarakë. Vrasja e Teme Sejkos u la në hije deri në vitin 1982, kohë kur filloi procesi gjyqësor ndaj ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiut. Nga procesverbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike dhe ato hetimore del qartë kontradikta dhe mospërputhja e deklarimeve të Kadri Hazbiut dhe të disa dëshmitarëve okularë dhe pjesëtarë në vrasjen e Teme Sejkos.

Vetë Enver Hoxha fillon e lëkundet në besimin e së vërtetës rreth akuzave të Teme Sejkos, por nuk mbajti kurrë një qëndrim transparent dhe rehabilitues, ashtu siç bëri për Nako Spirun. Madje dhe sot kur arkivat janë hapur dhe shumë fakte dhe dokumente kanë dalë në dritë, nuk po mbahet një qëndrim korrekt ndaj figurës dhe së vërtetës rreth Teme Sejkos. Në mbledhjen e Byrosë Politike të 8 tetorit 1982, mes shumë debatesh të tjera, gjejmë dhe këtë fragment dialogu: “ Enver Hoxha ndalet tek çështja e Teme Sejkos. I kërkon Kadriut se ku u bazua që e akuzoi. Kadriu i përgjigjet se deponoi Kosta Fili (i cili pohon më vonë se ka shpifur për Teme Sejkon, sipas kërkesës së Kadri Hazbiut). Gjithashtu del se Kadri Hazbiu dhe Beqir Balluku kanë ardhur tek Enver Hoxha në Dajt për t’i raportuar për Teme Sejkon. Aty i kanë raportuar problemin dhe Enver Hoxha ka miratuar arrestimin e Temes. Hekuran Isai nga ana e tij, krenohej se duke qenë ministër i punëve të Brendshme, kishte lexuar dosje të kësajë ministrie. Enver Hoxha bazohet në ato fjalë që ka shkruar në ditarin e vet për çështjen e arrestimit të Teme Sejkos. Kadri Hazbiu i kujton se me lejen e tij është shkarkuar Temja e më pas edhe është arrestuar.

Enver Hoxha: –E kemi analizuar shoku Kadri. Ne e patëm analizuar që ju kishit zbuluar një komplot të madh me Teme Sejkon, në bashkëpunim me grekët, me Flotën e 6-të amerikane dhe me jugosllavët. Kështu e dënuam këtë komplot edhe në Kongresin e Partisë, d.m.th. e kemi analizuar këtë ngjarje. Por del që ti, pavarësisht se Teme Sejko mund të ishte çfarëdo agjenti, nuk ke analizuar hiçgjë që kjo qe një punë e kurdisur nga Mehmet Shehu, nga Beqir Balluku dhe nga sovjetikët, që të na thoshte neve të mos bënim shakara me sovjetikët dhe me flotën sovjetike, se do të na sulmonin. Këtë e gjykojmë kështu ne, kurse ti as tashti nuk e gjykon kështu.

Kadri Hazbiu:-Po kur e thoni ju, kështu duhet të jetë.”

Po çfarë ka deponuar Kosta Fili që e përmend Kadriu? Më parë le të themi diçka për të. Ka lindur në vitin 1928 dhe i burgosur me 25 vjet për spiunazh si dhe me 10 vjet të tjerë për agjitacion dhe propagandë. Kosta Fili vuante burgimin në burgun e Burrelit që prej vitit 1959. Atje pyetet më 28 qershor 1983 nga hetuesi në lidhje me aktivitetin e tij, si dhe për Kadri Hazbiun. Qysh në fillim ai pohon se kishte ardhur në Shqipëri për të marrë nënën. Në hetime i kishte ardhur dhe Beqir Balluku përveç hetuesve. Në prill 1959 kishte ardhur dhe Kadri Hazbiu. Ky e kishte pyetur pse kishte ardhur në Shqipëri dhe Fili i qe përgjigjur se kishte ardhur për punën e tij. Hazbiu i kishte thënë që t’u përgjigjej pyetjeve të hetuesve dhe të nënshkruante se çfarë donin ata. Mihallaq Ziçishti kishte ardhur dhe i kish kërkuar se, pse nuk nënshkruante ato që i kërkonin hetuesit, se ata nuk e kishin problem të bënin një “Kosta Fili” tjetër. Kosta Fili ishte një zbulues grek i cili nuk dinte çfarë do të bënin grekët me Shqipërinë. Detyra e tij ishte se çfarë do të bënin sovjetikët me Shqipërinë, çfarë bazash kishin etj. Në dijeninë e Filit, Greqia e asaj kohe nuk kishte asnjë plan për të sulmuar Shqipërinë. Dëshmia më interesante e tij është kjo kur pas dëshmisë i qe falur jeta: -Në këtë kohë ndodhesha në bitucën numër 7 në burgun e Tiranës. Ishte dimër. Natën vonë më erdhi Nevzat Haznedari, më mori të lidhur dhe më çoi në zyrën e Kadri Hazbiut, ku ishte i pranishëm edhe Rexhep Kolli. Pinë nga një kafe. Kadri Hazbiu më tha: “Të fola këtu, është bërë një tenxhere me kabuni. Shiko mos i hedhësh një grusht kripë brenda e pastaj përgjigjesh ti me kokë.” Iu përgjigja se po më tha kush se duhet, unë ia hedh. Kadriu më tha se do të dalësh dëshmitar kundër Teme Sejkos, do të thonë këta se çfarë do të thuash. Unë i thashë që mjerë familja që kam në Greqi. Më vonë erdhi Nevzati me Arif Selenicën, më dhanë një letër të shkruar, të cilën unë duhej ta mësoja përmendësh e të dilja dëshmitar kundër Temes.

Unë e mësova tekstin përmendësh. Në të ishin shkruar gjëra që nuk i kisha thënë në hetuesi e për të cilat nuk kisha dijeni. Në të thuhej se unë kisha ardhur me mision vetëm me Haki Rrushitin për të përgatitur kryengritjen e armatosur në Shqipëri, të lidheshim me Teme Sejkon. Unë dola dëshmitar, bile thashë gjysmat e atyre që më kish mësuar Nevzati dhe Arifi, sepse harrova t’i them të gjitha ato që më kishin dhënë të shkruara. Temja e dëgjoi dëshminë time dhe nuk kundërshtoi. Në fakt unë për Teme Sejkon nuk kam ditur asgjë më tepër se sa më kishte thënë Haki Rrushiti. Unë nuk përjashtoj mundësinë që komploti i Teme Sejkos të jetë dora e sovjetikëve, se, sipas meje, atyre u interesonte një konflikt midis grekëve dhe shqiptarëve. Për komplotin e Temes seç bënin amerikanët unë nuk di, grekët as e përmendnin Teme Sejkon, nuk e besoj se grekët mund të koordinonin me amerikanët. Unë i kam parë edhe deponimet e Nasho Gërxhos dhe gjithnjë kam menduar me vete se po qe puna që Temeja lidhej me Nasho Gërxhon, në djall të vejë. Kur jam takuar me Jonuz Purizon mbas dënimit dhe e kam pyetur se si e bëtë këtë punë, d.m.th. për komplotin, Jonuzi më tha, se e bëri merhumi Teme, kur ai thoshte kështu edhe ne bënim amin. Nga kjo nxjerr konkluzione se Teme Sejko mund të jetë mashtruar në hetuesi që të pranonte gjëra se nuk i kishte qëllim për të diskredituar grekët. Dhe si e mashtruan e pushkatuan. Mendimin që dhashë më sipër se problemi i komplotit të Teme Sejkos ka pasë gjëra të fryra, e mbështes në faktin, se unë vetë kisha ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata dhe më akuzuan se kisha ardhur për komplote.

“ Pra sipas deklaratave të Kosta Filit që në vitin 1958, Sigurimi i Shtetit ka pasur të dhëna se një ushtarak i lartë shqiptar ishte vënë në shërbim të zbulimit grek. Në këto kushte sigurimi iu vu punës për ta zbuluar, ndërkohë, që sipas Kadri Hazbiut, në Konispol ishin zbuluar rezidenca të vogla greke. Për këtë, deklaron Kadri Hazbiu, ishte kërkuar ndihma e sovjetikve sikur Teme Sejko ishte dërguar në një akademi sovjetike, por njëkohësisht, me qëllim që për 6 muaj të zbërthehej se ishte apo jo ushtaraku i vënë në shërbim të zbulimit grek. Ky plan qe miratuar nga sovjetikët, por ngjarjet pas Mbledhjes së Bukureshtit që solli çarjen e marrëdhënieve e më vonë prishjen e tyre mes sovjetikve dhe shqiptarëve, atëherë Teme me grupin arrestohen me akuzat e lartpërmendura. Por Kadri Hazbiu nuk dinte të argumentonte, në ishte apo jo Teme agjent i sovjetikëve, por me siguri ka deklaruar se mund të merret si ta doni. Teme Sejko, unë e them me përgjegjësi përpara trupit gjykues, përpara drejtësisë së partisë, Teme Sejko është vrarë. I thotë këto duke u shprehur se kishte qenë në vendin e ekzekutimit dhe se e kishte gjetur Temen të mbytur në dru në vilën e Maminasit. Ai deklaron se Teme Sejkon unë e kam parë të vrarë, të vdekur, të shtrirë në tokë. Këto do t’i deklaronte në seancën gjyqësore të 25 gushtit 1983, por nuk jep shpjegim për vendin e varrosjes së Teme Sejkos. Po si është përgjigjur Kadri Hazbiu për çështjen e Teme Sejkos? Në dosjen e procesit gjyqësor (publikuar nga Kastriot Dervishi), e datës 12.03.1983 pyetjes se: “Pyetje:-Na shpjegoni i pandehur, si është zhvilluar procesi penal në ngarkim të armikut Teme Sejko etj?

A keni marrë pjesë në hetimin e kësaj çështjeje? Përgjigje: -Me sa kujtoj, unë kam marrë pjesë në hetimin e Teme Sejkos që në fillim, sepse pas arrestimit ai nuk i bindej hetuesisë. Për këtë arsye kam shkuar e kam folur unë, e pas kësaj hetimi ka vijuar normalisht. Unë kam marrë pjesë disa herë në hetim… më kujtohet se nga mesi i procesit hetimor, ku kam qenë i pranishëm edhe unë, Temja ka dhënë shpjegime mbi veprimtarinë e përbashkët me armikun Panajot Plaku dhe në ardhjen ilegalisht të tij në Shqipëri në dy raste. Temja shpjegoi se si kishte marrë lidhje me Panajotin , por jo si qe arratisur ai. Më kujtohet se në rastin e parë Panajotin e kishte marrë në Konispol Temja si të veshur oficer sovjetik, nga ata që ishin këshilltarë në zbulim dhe e kishte nxjerrë nga Korça. Temja shpegon se në këtë rast Panajoti kishte bërë një takim tek ura e Rrogozhinës me njerëz të panjohur që kishin dalë aty me një makinë të vogël. Më tej ai nuk dha shpjegime… Herën e dytë nuk e kujtoj se si ka ardhur Panajot Plaku dhe ç’itinerar ka ndjekur… Unë kam bindjen se hetimi i çështjes së Teme Sejkos në këtë pikë dhe për probleme të tjera është sabotuar në atë kohë. Në ç’rrethana ka ndodhur kjo, unë nuk e di. Fillimisht Teme Sejko vet ka dhënë shpjegime për Panajot Plakun, që, ai ishte rekrutuar që në kohën e Zogut kur punonte në Durrës në shoqërinë “Singer”. Temja nuk shjegoi se si Panajoti kishte rënë në dorë të jugosllavëve dhe pse u arratis… Mbasi u dënua Teme Sejkua dhe komplotistët e tjerë, duke pasur parasysh se ai kishte rezerva, është punuar me të. Para se të ekzekutohej ai, është marrë në pyetje nga Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari dhe, me sa kujtoj, është çuar për t’u pyetur jashtë burgut duke përdorur edhe dhunë fizike për të marrë edhe rezervat e fundit që kishte mbajtur. Më kujtohet se vetë kam shkuar tek vendi ku pyetej Teme Sejkua, me sa mbaj mend ka qenë kohë dreke dhe Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari më kanë raportuar se Teme Sejkua kishte vdekur gjatë ushtrimit të dhunës fizike dhe se gjë tjetër nuk kishte dhënë veç atyre që kishte thënë në hetuesi. Rexhepi e Nevzati më thanë se Temja kishte vdekur nga shtrëngimi me litar gjatë pyetjes. Unë nuk jam i sigurt, nëse e kam parë ose jo të vdekur Temen, këtë dhomën ku thonë se ishte, po kështu nuk di se ku u varros ai. Me këtë problem janë marrë Rexhepi dhe Nevzati dhe personeli tjetër. Unë kam shkuar tek vendi ku pyetej Temja me shpresën se ai kishte thënë ndonjë gjë të re e t’i shtyja afatin e ekzekutimit, por, siç thashë, kur shkova, e gjeta të vdekur.” Kjo dëshmi e Kadriut bie ndesh me dëshminë e Rexhep Kollit dhe Nevzat Haznedarit, të cilët deklarojnë se: “Rexhep Kolli:-…

Tashti vijmë lidhur me procesin e Teme Sejkos. Pse i qëndruan si shkabë këta Teme Sejkos, ne sigurisht mendonim se këta janë përgjegjës dhe e ndjekin me intensitet, d.m.th. procesin e këtyre komplotistëve, se ata ishin agjentë e spiunë të grekut e të amerikanëve e të gjitha këto. Po duke analizuar e reflekrtuar në çështjen e kësaj që këta i rrinin mbi kokë deri në pushkatim Teme Sejkos, kjo ka një bazë, sepse Teme Sejko kishte qenë kuadër kryesor, komisar batalioni në Brigadës së Parë S. Dinte allishverishet me siguri të Mehmet Shehut e Fiqirete Shehut me Dushan Mugoshën në kohën e Luftës, kishte qenë në pragun e çlirimit të Tiranës komandant i batalionit special, fill pas çlirimit të Shqipërisë, shef i sigurimit të ushtrisë, ky d.m.th. ishte përgjegjësi i tij, më vonë e mori Kadri Hazbiu dhe Teme Sejko për vetë veprimtarinë e tij, ai me siguri kishte nuhatur mbi këto, në procesin e Teme Sejkos ishte Panajot Plaku. Panajot Plaku lidhej zinxhir me të gjithë këta të tjerë që të çonte tek Kadri Hazbiu, të çonte tek Mihallaq Ziçishti, të çonte tek kapua i tyre Mehmet Shehu dhe prandaj këta e ndjekin, d.m.th. ne mendonim se e ndjekin me pasion, me precedencë, kurse në fakt digjej kjo çështja e kësaj, sepse po të fliste Teme Sejko do të nxirrte këta, do të nxirrte lidhjen e këtyre, do të nxirrte kokën e këtyre, prandaj u zhvillua procesi dhe prandaj e çuan procesin në ato shtigje ku deshën këta…”

vijon