Skifter Këlliçi: Kur hungarëzët u tradhëtuan nga Perëndimi

440
Sigal

Kur çizmja Sovjetike përgjaku revolucionin Hungarez

Në mbrëmjen e 7 nëntorit, nga Vera Zheji mësuam se trupat ruse në Budapest morën në dorë kryeqytetin

– Në verë të vitit 1950 Hungaria mundi skuadrën tonë përfaqësuese në Budapest me rezultatin: 12-0

Hungarezët u ndjenë të tradhëtuar nga Perëndimi

 

 23-tetor -11 nëntor 1956

 

Me rastin e 60-vjetorit 

 

Nga Skifter Këlliçi

 

Për dashurinë jap jetën,Për lirinë fal dashurinë.

Shandor Petëfi, poet i madh hungarez

Hungaria u bë e njohur për mua veçanërisht në fushën e sportit, sidomos të futbollit. Në verë të vitit 1950 ajo mundi skuadrën tonë përfaqësuese në Budapest me rezultatin: 12-0. Me lojtarët e saj të mëdhenj, Pushkash, Kocish, Budai e të tjerë, e më pas Groshic, Bozhik, Lorant, Hudegkuti, Cibor, Tot, të cilët në Olimpiadën e vitit 1952 në Helsinki fituan medaljet e arta dhe dy vjet më pas habitën botën pasi arritën në finale të botërorit të luajtur në Zvicër, ku, megjithëse humbën pa pritur në finale me RF Gjermane, u cilësuan më të mirët e atyre viteve në botë. 
Dija, gjithashtu, se Hungaria ishte një vend ku qysh nga viti 1944 ndodheshin trupa sovjetike. Dhe ja, në tetor të vitit 1956, u njoha me një Hungari tjetër, krejt të ndryshme, u njoha me popullin e saj me shpirt të madh liridashës, të frymëzuar edhe nga poezitë atdhetare të Petëfit dhe të rapsodive të famshme të Listit, dy prej figurave më të mëdha të popullit hungarez.

23 tetor 1956, në Budapest shpëthejnë papritur protesta

Ishte mbrëmja e 23 tetorit të vitit 1956 dhe unë, duke studiuar me pasion italishten ndiqja, veç emisioneve muzikore e sportive, edhe lajmet e emisionit të njohur Xhornale Radio (Radiogazeta), të orës 19.30. Dhe ja, befas, folësi nisi të njoftonte se protestat që kishin nisur në Budapest disa ditë më parë, ishin bërë më të ashpra, sidomos nga studentë të Institutit të Lartë Teknik. Budapesti po hapte sytë tashmë i bindur se diktaturës komuniste po i lëkundeshin këmbët.

Nga rrëfimi e hungarezit Nandor:

“Atë mëngjes të ftohtë vjeshte pashë se si brigjeve të Danubit, që ndan Budën me Peshtin, po dyndeshin qindra e pastaj mijëra njerëz. Dukej se gjithçka që kishte ndodhur në Poznan të Polonisë disa muaj më parë, do të përsëritej edhe në Budapest-tubime, revolta, paqësore e pastaj përleshje me forcat e rendit. Në Poloni këto revolta kishin sjellë në fuqi Gomulkën, dënuar me burgim më 1948 për deviacionizëm nacionalist. Rehabilitimi i Gomulkës, pranuar nga udhëheqësit komunistë rusë, dukej se ishte edhe preludi i rehabilitimit të Imre Nagit, ish-kryeministër, shkarkuar dhe përjashtuar, pastaj nga Byroja Politike, madje nga Partia  se ishtë treguar “shumë liberal”. Për ne, hungarezët, Nagi ishte shëmbëlltyrë e Gomulkës. E kam parë nga afër këtë njeri me shtat të shkurtër, fytyrë të fisme, ku binin në pah mustaqet e dendura. Nuk kishte prejardhje aristokratike austro-hungareze, ose nga borgjezia e vogël, e, aq më tepër, nuk ishte filozof i moderuar marksist si Gjeorgi Lukash, siç mendohej. Përkundrazi, vinte nga fushëtira perëndimore e Hungarisë fshatare. Pas kthimit të Gomulkës në Poloni, ne shpresonim që kjo gjë të ndodhte edhe me Nagin, pra, që të dënonte stalinizmin, që të tërhiqeshin trupat sovjetike nga vendi ynë, që të fillonin proceset e demokratizimit, që të bëheshin reforma ekonomike. Nagi i dënuar më parë për pikëpamjet tij liberale, tashmë ishte përsëri kryeministër. Por vetëm nga 23 tetori deri më 4 nëntor 1956.” 

Po, le të tregojmë më gjatë për Nagin.

Duke qenë kryeministër me pikëpamje properëndimore, ai braktisi politikën e industrializimit të sforcuar dhe të kolektivizimit të bujqësisë, të ndjekur nga Rakoshi, imitues fanatik i Stalinit. Nga shtatori i vitit 1953 dhe deri në mars të vitit 1954, arriti të ulte çmimet e artikujve ushqimorë dhe të ngrinte ndjeshëm pagat. Veç kësaj, Nagi synonte që të kufizonte rolin e Sigurimit famëkeq të shtetit (AVH), dhe më 31 tetor të vitit 1953, shpalli amnisti të përgjithshme për të burgosurit politikë. 
Me lirimin e mijërave prej tyre filluan të bëheshin të njohura  publikisht krimet e Rakoshit dhe u zbuluan proceset e kurdisura gjyqësore, me anë të të cilave qenë dënuar njerëz krejt të pafajshëm, ashtu si në proceset staliniste të viteve 1936-38 në Bashkimin Sovjetik…
Mirëpo këto masa të Nagit hasën kundërshtim të rreptë nga forcat burokratike dhe konservatore, që kontrollonin shtetin dhe Partinë, të mbështetuara dhe nga Sigurimi i Shtetit. Kjo solli që forcat prodhuese të bllokoheshin dhe niveli i jetesës të binte. Si pasojë, Nagi u thirr në Moskë dhe u akuzua se ishte shkaktar i rrënimit të ekonomisë. I kritikuar ashpër edhe për ide të rrezikshme të së djathtës, ai më 22 mars 1955 u shkarkua si kryeministër dhe u përjashtua nga Komiteti Qendor i Partisë. Dhe ja tani i rehabilituar ishte përsëri kryeministër. Por ndërkohë, në Budapest që nga 24 tetori  ndodheshin trupa të ushtrisë sovjetike, “me veprim të kufizuar”,por sidoqoftë hasën rezistencë nga populli kryeqytetas, ndaj u tërhoqën për të respektuar pavarësnë kombëtare të Hungarisë, aq më tepër që Nagi kishte kërkuar tërheqjen e  tyre të menjëhershme. Por më 1 nëntor duke parë që trupat sovjetike po përgatiteshin të riktheheshin, Nagi u takua me ambasadorin sovjetik në Budapest, Andropov  dhe protestoi ashpërsisht  ndaj këtyre veprimeve. Ndërkohë ai shpalli edhe neutralitetin e Hungarisë dhe për këtë qëllim iu drejtua me një deklaratë edhe OKB-së, që çuditërisht nuk e mbështeti. Në këtë gjëndje tëpër të nderë Byroja Politike e KQ të PK të Bashkimit Sovjetik në një mbledhje të shpejtë  mori vendim që Hungaria të pushtohej nga forcat sovjetike, madje pa pjesëmarrjen e ushtrive të vendeve të tjera pjesëtare të Traktatit të  Varshavës.

Ndërkohë, unë, duke ndjekur lajmet e Radio Rait, mësoja se zhvillimet e reja në Hungari nuk ishin vetëm vazhdimi i ngjarjeve në Poloni, por, para së gjithash, edhe pasojë e raportit të famshëm sekret të Hrushovit në Kongresin e 20-të të PK të Bashkimit Sovjetik,(17-24 shkurt 1956), ku ai kishte dënuar rreptësisht kultin e Stalinit, vdekur tre vjet më parë dhe kishte nxjerrë në pah pasojat e sundimit të tij të egër në të parin vend komunist në botë. 
Këto zhvillime ishin gjithashtu edhe si dhe kahje  të politikës së re hrushoviane për t’u afruar me vendet perëndimore pas Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit. Dhe hapi i parëLishte afrimi me Jugosllavinë e Titos, dënuar nga Stalini si tradhtar i parimeve të marksizëm-leninizmit, si revizionist që ishte hedhur në prehërin e imperializmit amerikan.

Në Hungari, ashtu si edhe në Poloni,sic thamë më sipër, ku punëtorët e Poznanit më 27 dhe 28 qershor u ngritën në manifestime ,të cilat u mbytën në gjak, zhvillimi i punimeve të Kongresit të 20-të të Partisë Socialiste Sovjetike thelloi ndarjen midis udhëheqjes konservatore staliniste dhe elementëve liberalë, (të quajtur revizionistë e reformistë) në Partine Socialiste Hungareze. Këta të fundit ndërmorëën hapa për të përshpejtuar procesin e rinovimeve në parti dhe, sa më shpejt që të ishte e mundur, për të ndërmarrë reforma, që do t’ia ndryshonin fytyrën vendit, veçanërisht në fushën ekonomike. 
Diskutime të tilla bëheshin, ndërkohë, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve, në klubin “Petëfi” si dhe në mjediset studentore. Në klubin “Petëfi” filluan të organizoheshin debate publike, së pari për orientimet që do të merrnin punimet e   Kongresit të 20-të e pastaj për një sërë problemesh të karakterit filozofik, ekonomik, historik, debate në të cilat  filluan të merrnin pjesë qindra e qindra punëtorë dhe të rinj.

 Ditë tragjike të revolucionit

Pas ngjarjeve që shpunë në shpërthimin e revoltave dhe përleshjeve me forcat e AVH-së (Sigurimit të Shtetit), ku pati dhe qindra e qindra të vrarë,  qeveria e Nagit, i rehabilituar me ngut nga burokratët stalinistë, i kishte  përjashtuar ata  nga të gjitha postet ministrore. Në qeveri ishte futur  edhe filozofi Lukash si dhe elementë të tjerë të moderuar. Por, sidoqoftë, sekretar i partisë u zgjodh Kadari, filohrushovian që zëvendësoi Gerën, edhe ai, ashtu si Rakoshi, dishepull i Stalinit.

 U fol atëherë se masakrat e 23 -25 tetorit, ishin vepër e ushtarëve rusë.

Nga lajmet e Radio Rait mësoja se tanket ruse po bëheshin gati të futeshin në Budapest. Filloi ngritja e barrikadave. Të gjithë ishin të përgatitur për luftë me çdo lloj mjeti, që nga gurët, shkopijtë e, doemos armët e municionet, që vazhdojnë të vijnë nga fabrikat e prodhimit të armëve. Janë tashmë më mijëra e mijëra që thonë se nuk janë vendimtare vetëm armët moderne për të zmbrapsur “proletarët rusë me yll të kuq në ballë”, por edhe fjalët, mbi të gjitha, shpirti i vetë popullit. 
Opinioni publik botëror nis e shqetësohet nga ashpërsimi i gjendjes në Hungari. 101 intelektualë të njohur italianë nënshkruajnë një thirrje në shenjë solidariteti me kryengritësit. (Pas shtypjes së revolucionit mbi 300 mijë komunistë italianë largohen të zhgënjyer nga partia. Edhe parti të tjera komuniste janë në krizë, midis të cilave dhe Partia Komuniste Britanike). Në këtë periudhë të tensionuar Hrushovi fluturon në Brioni për të biseduar me Titon rreth problemit hungarez. Punëtorët e fabrikave për prodhimin e armëve fillojnë të armatosin kryengritësit. Ushtarë e policë bashkohen gjithnjë e më shumë me ta. Në radhët e tyre bëjnë pjesë jo vetëm të rinj, por, madje, edhe fëmijë 10-12-vjeçarë. 
Megjithatë, ushtria sovjetike përparon, ndonëse me shumë vështirësi, ngaqë has rezistencën e kryengritësve. Ushtarët rusë mpaken dhe nuk e marrin me mend që një popull i armatosur keq, ka mundur të hedhë në erë kolona tankesh. Ka nga ta që bashkohen vëllazërisht me kryengritësit, si shokët e tyre ditë më parë. Por agjentë e AHV-së përdorin dredhi. Nga çatitë e godinave publike shtien mbi tanket ruse, për të provokuar kundërveprimin e tyre. Një grup kryengritësish kërkon që nga godina e Parlamentit të hiqen simbolet e komunizmit, por vriten nga agjentë të këtij sigurimi.

Nga burime historike në internet rreth ngjarjeve të 4 nëntorit

“Në sulmin e dytë, të nisur më 4 nëntor, forca sovjetike, përbëhej kryesisht nga ushtarë  të mobilizuar nga republikat e Azisë Qendrore, taxhikë, uzbekë, turkmenë”, të cilëve u kishin thënë se do të luftonin për të thyer ” trupat imperialiste që kishin pushtuar Egjiptin”. Por shumë kuptuan shpejt të vërtetën, kuptuan se po bëheshin mish për top për ambicjet e gjeneralëve rusomëdhenj. Pati nga ata që u çarmatosën, që u dërguan në Rusi, në vagonë të kyçur, sepse refuzuan të zbatonin urdhërat e komandantëve të tyre gjakatarë. Këto urdhëra qenë të qarta:të ndëshkohet klasa punëtore në Budapest. Ndaj tanket përparonin me kujdes nëpër rrugët e qytetit, duke goditur pallate, shkolla, vendstrehime për të plagosurit e të moshuarit. Luftimet qenë të ashpra në zonat punëtore të Budapestit, në Cepelin e kthyer në gërmadhë, në Ujpest, Kelenfold, Amgiafold në Zuglo. 
Në mbrëmjen e 7 nëntorit, daja im, me rastin e martesës bënte dasmë në shtëpinë e tij. Dhe ja, në lajmet e orës 18.00 folësja e njohur, Vera Zheji, e cila pak më shumë se një vit  më pas do të bëhej mësuesja dhe kolegia ime në mikrofonin e Radio Tiranës, lexoi lajmin e parë nga i cili ne mësuam se trupat ruse në Budapest, tashmë e kishin plotësisht në dorë situatën dhe se kundërevolucioni i kishte ditët e numëruara. Disa nga dasmorët duartrokitën. Por dukej se secili nga ne ishte pushtuar nga trishtimi në ato çaste. 
Çdo mbrëmje, duke ndjekur Radio Rain mësoja lajme edhe më të trishta: Më 11 nëntor Revolucioni hungarez ishte mbytur në gjak…  Më 22 nëntor Nagi, i strehuar në ambasadën jugosllave, bëri një përpjekje për të ikur, por patrullat ruse ndalën makinën e tij dhe e arrestuan. Më pas u mor vesh se fati i tij ishte përcaktuar pas takimit midis Hrushovit dhe Titos në Brioni. Këtë radhë Titoja, ai që ishte treguar aq entuziast për ndryshimet në Hungari, iu nënshtrua vullnetit të atij të cilit, si usta i kishte mësuar si të shkëputej nga kthetrat e dogmatizmit stalinian. 
Thuajse dy vjet më pas, më 16 qershor të viti 1958, Nagi, që së bashku me bashkëpunëtoret më të ngushtë dhe familjen ishte izoluar  diku në rrethinat e Bukureshtit , u pushkatua për tradhti të lartë. Bashkë më të edhe gjenerali Maleter,që,sic e kemi parë  u ishte kundërvënë gjeneralëve rusë,të cilët kishin kërkuar me cdo kusht që Budapesti të pushtohej. Edhe Mao Ce Duni nga Kina e largët nuk e ngriti zërin, ndonëse ishte në grindje të fshehtë me Hrushovin. Kurse Enver Hoxha ishte në kulmin e gëzimit për kthesën që po ndodhte në Hungari pas ndërhyrjes së trupave sovjetike.

Hungarezët të tradhtuar nga Perëndimi

Siç thamë më sipër, shpërthimi i revoltave masive në Budapest kundër regjimit komunist dhe pushtimit rus tërhoqi vemendjen e opinionit publik botëror.Ai u njoh me ngjarjet  e përgjakshme  telegrafike, por edhe nëpërmjet pamjeve filmike të kanaleve televizive, që kishin filluar të përhapeshin në Evropë dhe Hungari. Por qeveritë perëndimore nuk ndërhynë në këtë konflit me përmasa apoliktike, që solli mbi 25 mijë të vdekur e mbi 250 mijë hungarezë të arratisur, pra, gati 3% e popullisë. U arratisën edhe futbollistët e “Honvedit”, skuadrës së ushtrisë hungareze që ndodhej në një turne nëpër Evropë, midis të cilëve Pushkashi, Cibori, Kocishi, që luajtën për vite në kampionatin spanjoll. 
Nga dëshmia e gazetarit anglez,Viktor Sebastienit, me origjinë hungareze, në një intervistë të botuar në gazetën italiane “La Republika” më 3 tetor të vitit 1956 honmë 3 3 tetor 2006, dëshmon:

“Po, hungarezët e ndien veten të tradhëtuar nga Perëndimi.Veçanërisht nga Amerika. Por presidenti Aizenhauer ishte në prag të zgjedhjeve presidentore dhe nuk e vuri fare në diskutim këtë çështje kaq të rëndësishme, duke respektuar kështu, me sa dukej, marrëveshtjen e Jaltës për ndarjen e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore, ku Hungaria do t’i përkiste Lindjes, pra, sferës së Bashkimit Sovjetik. Kam lindur në Budapest, kam përjetuar ato ngjarje, sidoqë prindërit e mi nuk morën pjesë aktive në to, por vuajta shpirtërisht për ato që ndodhën në Hungari. Disa muaj më pas tërë familja jonë emigroi në Perëndim, por, megjthatë, nuk e harroj kurrë vitin 1956, që për mua është një jetë e tërë”. (Përsa u përket vendeve të tjera perëndimore, duhet thënë se tek ato ndikoi edhe kriza e Kanalit të Suezit në tetor të vitit 1956, ku forca të ushtrive anglo-franko-izraelite luftuan kundër ushtrisë egjiptiane”).

Nesër do lexoni:

-Si e gjeta Budapestin në vitin 1972 kur do shkoja me skudrën kombëtare në Finlandë

– Diktatura e Kadarit nuk ishte si ajo e Rakoshit a e Enver Hoxhës

Gusht 1990, përsëri në Budapest, era e lirisë ishte në çdo metër