Shpëtimi me helikopter në Malin me Gropa të studentes më 1974

461
Sigal

Malit i Miçekut, ishte me borë 40 cm trashësi dhe ngjarja ndodhi në lartësinë 1800 metër

Si u shpëtua me helikopter në Malin me Gropa, Marjana, studentja nga Tragjasi

-Urdhër i prerë: “të shpëtohet me Çdo  kusht!”

Shkonim drejt të panjohurës; dinim drejtimin, por nuk e kishim të qartë vendin konkret ku do të uleshim

(Kushtuar  aktit  shpëtimtar nga ekuipazhi i Helikopterit  “Mi-4”: Mustafa Çiçi, Fredi Prifti dhe Sinan Breshani, maj 1974)

Niazi Nelaj

Pranvera ishte ulur këmbëkryq. Muaji maj i vitit 1974 erdhi i mbarë. Natyra kishte nisur të gjallërohej. Nëpër lëndina  e në faqe të lartësive, bujitja e barit të njomë kishte jeshiluar mjediset. Nëpër maja malesh rezistonte, me “kokëfortësi ” bardhësia e borës së ngrirë, e cila ngjante me një kapuç, të bardhë mbi majat e lartësive. Poshtë tyre, në rrëzë të lartësive, nën gurë, kishin çelur lulet shumëngjyrëshe, të cilat, të kalitura e të familiarizuara me të ftohtin e stinës dhe të malit, ishin më rezistente, nga simotrat e tyre fusharake.

Studentë  të Fakultetit të Inxhenierisë  Mekanike të Universitetit të Tiranës dhe të fakulteteve të tjerë, kryenin stërvitjen ushtarake, (zborin famëkeq) në Malin me Gropa, të sistemuar në kampingun e Shkollës së Bashkuar të Oficerëve “ Enver Hoxha”, në Feken. Disa studente dhe studentë, amatorë të ngjitjeve alpinistike, pas stërvitjes ushtarake, praktikonin ngjitjen, në atë terren malor të thepisur, tërë shkëmbinj e gurë dhe shkurre, të rralla. Ata synonin të ngjiteshin në majën e Malit të Miçekut, ku bora e ngrirë ishte me trashësi  rreth 40 cm dhe lartësia e vendit mbi nivelin e detit, u afrohej  1800 m.

Në atë grup alpinistik, bënte pjesë dhe vajza nga Tragjasi i rrethit të Vlorës, Marjana, e cila vinte nga dega e Infermierisë e Fakultetit të Mjekësisë. Në stërvitjen ushtarake të grupit, sigurimin mjekësor e bënte dr. Veliu dhe një infermiere. Në këtë ngjitje alpinistike, ngjau një e papritur e mbarsur me rrezik për jetën e Marjanës. Në kohën kur grupi i vogël i “alpinistëve ” po i afrohej majës së malit dhe studentët ushtarakë, të lodhur e tërë djersë nga ngjitja, u ulën siç mundën, kush mbi një gur, e kush mbi një shkarpë, Marjana,  papritur ndjeu shtrëngim  në gjoks, të shoqëruar me frymëmarrje të vështirësuar, me djersitje të pavullnetshme dhe mjegullim të syve. Ajo nuk mund të vështronte qartë as shoqet dhe shokët e grupit, të cilët e rrethuan e donin ta ndihmonin, por s’dinin se si. Njëri nga shokët e kursit, Artani, nisi t’i bënte frymëmarrje artificiale. Frymëmarrja e vajzës të shtrirë, me zor ndihej. Artani, nga lëvizjet pa pushim për ta mbajtur shoqen në jetë, ishte kapitur fizikisht edhe vetë. Ndërkohë,  përmes reve,  depërtoi një rreze  dielli e fortë,  e cila ndriçoi rrugën nëpër të cilën po nxitonin dy njerëz, për të çuar njoftimin e trishtë lidhur me aksidentin, në qendrën e stërvitjes.

E aksidentuara,  u përmend për një çast, dhe kur pa nëpër mjegullnajën e krijuar përpara syve të saj siluetat e shoqeve dhe të shokëve që e shoqëronin portretet e shqetësuara të Dritës, të Irmës, të Silvanës, të Luljetës;  të Aleksandrit dhe të Tanit, me zë të mbytur (zë gurmazi),  i pëshpëriti Tanit: “… Të kam vëlla… po më merret… ;  u nxi në fytyrë dhe humbi ndjenjat sërish. Drita vazhdonte t’i bënte masazh, Irma e fërkonte me bore, Artani vijonte t’i bënte frymëmarrje artificiale. Nga qendra e stërvitjes mbërritën  doktor Veliu, infermier Ramizi dhe radisti me aparaturë në krah. Doktor Veliu, e këqyri studenten  me vëmendje,  i dha ndihmën e parë dhe komunikoi me komandën: “Këtu, gjendja e të sëmurës është shumë serioze, nuk mund ta lëvizim dhe kërkoj  ndihmë!”  Në gjumin e kllapisë, Marianës i paraqitej si në ëndërr babai, me rrëfimet e tij për ish-partizanët dhe trimëritë e tyre. I bëhej sikur po i rrëfente për heroizmat e Zonjës Çurre, për Shyqyri Alimerkon dhe për heronjtë e tjerë nga Tragjasi, për të cilët ajo kish dëgjuar e krenohej me ta. Grupi i studentëve, për t’i dhënë kurajo të aksidentuarës,  ia mori një kënge partizane e cila gjëmoi në atë majë mali.  Marjana, donte t’ua ndihte në atë këngë, por zëri nuk i dilte. Megjithatë,  ajo u gjallërua dhe e priti me kurajo thirrjen e radistit: “Ndizni zjarret se po vjen helikopteri!”  Drita,  ndërkohë i afroi shoqes  të sëmurë një tufë me lule mali shumëngjyrëshe, të cilat i kishin qëmtuar,  me shijë e me merak,  shoqet dhe shokët e grupit, në atë terren të vështirë,  në rrëzë të shkëmbinjve e nëpër shkurre.  Duke i dhënë lulet Marjanës,  Drita i tha,  shoqes: “Marjana,  Marjana,  po vjen pranvera,  vështro sa e bukur  po na vjen! “ Dhe i dha një tufë me lule.  E mbështollën Marjanën, me kapotën e saj dhe me disa kapota të shoqeve e ajo u ngroh e u gjallërua disi. Studentët sajuan një vig dhe e morën në krah,  e zbritën tek një shesh i vogël,  tërë gropa,  ku mund të ulej helikopteri. Ishte i vetmi shesh i përshtatshëm në atë faqe mali.

(Studenti i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, tepelenasi Turabi Halili, i cili ishte në atë grup alpinistësh dhe e ndoqi me vëmendje ndodhinë,  shkrojti një reportazh cilësor, në shtypin e kohës. Ku ta dinte Turabiu –student, se kur të diplomohej inxhenier mekanik, do të shërbente në Regjimentin e Helikopterëve, e më pas në Ofiçinën Qendrore të Aviacionit, në Rinas).

Më tej, rrëfimin po e vazhdoj me kujtimet e pilotit të dytë (aviodrejtues),  Fredi Prifti,  i cili mori pjesë aktive në atë “operacion ” shpëtimi.  Fredi ka kryer mjaft aksione shpëtimi, por, për nga shkalla e vështirësisë dhe nga zhvillimi i ngjarjeve, ai aksion shpëtimi i është ngulitur fort në memorje e nuk mund ta harrojë. Ja si e kujton Fredi këtë ndodhi: “ Ishim ekuipazh i gatshëm me helikopterin “MI – 4”,  me numër anësor 6 – 73. Ekuipazhi përbëhej nga: Mustafa Çiçi  –  komandant ekuipazhi;  Fredi Prifti –  Pilot i dytë  (aviodrejtues) dhe Sinan Breshani –  Teknik fluturues.  Sinani,  një teknik nga më të vjetrit në Regjiment dhe njeri nga më të shkathtit,  ishte pjekur  në “ furrën ” e aviacionit, e më parë kish kaluar nëpër labirintet e mësuesisë. Pjekuria e moshës dhe hallet që kish përcjellë në jetë, ndjenja e lartë e përgjegjësisë për detyrën dhe përvoja e shokëve,  kolegëve, shefave të tij, e kishin kalitur dhe e kishin bërë të ishte kompetent në profesion dhe shumë vigjilent. Ai i qëndronte teknikës fluturuese mbi kokë e nuk lejonte të ngrihej në ajër helikopteri që menaxhonte,  me dyshime e me hamendësi. Për atë njeri, të metat teknike kishin të njëjën peshë e ishin të mbarsura me rreziqe njëlloj,  prandaj Sinani nuk i ndante parregullsitë në të mëdha e në të vogla. Për Sinanin, e vogla mund të shndërrohej në të madhe e të prishte punë njelloj sikur të ishte e madhe. Prandaj, si unë dhe shokët e mi, e kishim për zemër helikopterin me numër anësor 6 – 73, i cili në asnjë rast nuk kishte refuzuar të ngrihej në ajër apo nuk kishte shfaqur parregullsi,  në fluturim.

Rreth orës 10.00 ra sinjali i shumëpritur i alarmit.  Zilja na ftonte për ndonjë detyrë “speciale ” në drejtim që nuk e dinim. U alarmuam e nxituam, secili duke rrëmbyer mjetet e veta të punës dhe për të zënë pozicionin e caktuar në helikopter.  Të tre shfaqnim në fytyrë një gëzim të madh, i cili buronte nga  shkalla e lartë e përkushtimit dhe gatishmëria jonë për t’u ndeshur me të papriturat që sjell një detyrë e tillë e paparalajmëruar.  Gëzimin dhe lumturinë që ndjenim, ia vështronim njëri – tjetrit në sy. Rrëmbeva planshetën (një lloj çante që mbajnë pilotët dhe navigatorët e cila i ka të dyja faqet transparente).  Brenda saj ishte e palosur harta me shkallë 1:200.000, vizorja llogaritëse NL – 10,  raportori,  trekëndëshi,  një tufë lapsash me ngjyra të ndryshme  etj.  Sendet e domosdoshme për punë i kisha  përgatitur që më parë e i kisha sistemuar në planshetë,  në prag të marrjes të detyrës të gatishmërisë.  Kohën e qëndrimit në gatishmëri, e shfrytëzoja,  përveç punës për rritjen e nivelit vetjak kulturor edhe për të përfytyruar variante të ndryshëm detyrash në drejtime e në kushte të ndryshme të motit,  të kohës dhe të terrenit.

Mustafai kishte përvojë të gjatë fluturimesh, si pilot.  Ai kishte fluturuar në detyra të ndryshme ajrore, në Regjimentin e Rinasit, në atë të Qytetit “ Stalin ”,  në Shkollën e Aviacionit (si instruktor i teknikës së pilotimit),  në Skuadrilen e Transportit dhe, së fundmi në Regjimentin e Helikoptereve.  Ai kishte disa tipare karakteristike në tokë e në ajër ku mund të përmendim:  qetësinë  “olimpike ”,  sigurinë në ajër,  falë nivelit të lartë dhe aftësive vetjake si dhe e njihte territorin e vendit në detaje,  si teorikisht dhe kishte fluturuar gjatë, mbi të.

Sinan Breshani, nga Shkoza e rrethit të Vlorës,  menaxheri  i helikopterit të gatishmërisë,  kishte në helikopter, disa vegla të domosdoshme për të likujduar ndonjë parregullsi teknike të rastësishme,  si në tokë dhe në ajër,  ato kishte futur në një çantë veglash dhe i kishte vendosur më një anë në brendësi të makinës luftarake.  Ai në sajë të njohurive të thella dhe të intuitës teknike që kish, tashmë ishte bërë mjeshtër në profesion.

Së bashku me Mustafa Çiçin, me të cilin kishim disa gjëra esenciale profesionale  të përbashkëta,  e kishim më të lehtë të kompensonim njëri-tjetrin,  mbasi ia njihnim dhe huqet shoqi – shoqit.

Papritur, në dhomën e gatishmërisë roja,  u dha Komandanti i Regjimentit të Helikopterëve –  Hetem Mehmeti. Ai e kishte marrë urdhrin për ngritjen e helikopterit dhe e dinte detyrën që do të kryenim.  Për habinë time Komandant Hetemi urdhëroi: “ Në helikopter !”

Na u dha detyra për të marrë një të sëmurë, në Malin me Gropa por jo vendi konkret.  Siç dihet, Mali me Gropa është një masiv malor me disa lartësi (male me lartësi të ndryshme),  siç ishte Miçeku. Shkonim drejt të panjohurës,  dinim drejtimin, por nuk e kishim të qartë vendin konkret ku do te uleshim,  lartësinë e vendit,  a kishte ndonjë shesh me përmasa të kufizuara,  ku do të uleshim,  sa ishte lartësia e vendit të uljes, si ishin kushtet meteorologjike në vendin e uljes,  sa njerëz do të evakuoheshin,  gjendja shëndetesore e tyre (nëse do të ishin për t’u evakuar, me barrelë,  të ulur në ndenjëse apo si?  Të gjitha këto pikëpyetje që kërkonin përgjigje, zgjidhjet u gjetën hap pas hapi. Këto pyetje më buçitnin në vesh,  qysh se komandanti i ekuipazhit e shkëputi  helikopterin nga toka, e provoi,  në “varje” me ngarkesë maksimale (fuqi motorrike), provoi manovrimin dhe nisi ngritjen.  Tek dubloja komandantin e ekuipazhit,  mendja më shkonte tek detyra ime si pilot i dytë- navigator,  si pjesëtar aktiv i atij ekipazhi.

Në gamën e analizës që bëra shkurtimisht e me urgjencë ishte rrjeshtimi i faktorëve që na favorizonte dhe të atyre që kishim kundra.  Ishte ditë e objektet tokësorë dukeshin qartë, për së largu.  Komandanti i ekuipazhit,  Mustafa Çiçi, ishte pilot me përvojë të gjatë në fluturim dhe kish shfytëzuar disa tipa aeroplanësh; reaktivë dhe me helikë. Ai zotëronte teknikë pilotimi të pastër,  ishte i qetë në çdo situatë dhe garantonte veprime të sakta dhe siguri,  për të dalë nga çdo situatë e ndërlikuar ajrore.  Helikopteri me numër anësor 6 – 67, me të cilin fluturonim,  ishte nga më të preferuarit në Regjiment dhe menaxheri i tij,  tekniku i bordit Sinan Breshani, ishte bërë mjeshtër i shfrytëzimit të helikoptereve “Mi-4”. Duke renditur gjithë këta faktorë që i kishim aleatë e që na favorizonin, ndihesha i sigurtë se detyrën,  atë ditë do ta plotësonim suksesshëm.

Rreth orës 10.15, helikopteri u shkëput nga toka dhe bëri provën e plotë,  në “varje”. Të dhënat që fiksuam në “varje ”,  ishin ato që kërkonte instruksioni i shfrytëzimit dhe,  duke marrë me vete përshëndetjet,  së bashku me urimin për një fluturim të mbarë nga një grup pilotësh,  teknikësh,  specialistësh e ushtarësh që ndodheshin në Venqëndrimin e Helikopterëve realizuam ngritjen,  me drejtimin Veri – Perëndimor,  me helikopterin të boshatisur.  Erë në tokë nuk kish dhe temperatura e ajrit ishte +15 gradë celsius. Ishte pranverë.  Helikopteri ishte pa ngarkesë,  ajri i freskët gjë që favorizonte  fluturimin qëndrueshëm,  me motorrin që mbushte mirë e kishte një zhurmë që të kënaqte”.

Kur mbërritën objektivin  (majën e malit me borë),  të ngazëllyer nga suksesi,  ata u ulën mbi shkëmbinj të zbardhur nga bora dhe mbi shkurre,  mbasi shkundën borën nga degët e tyre.

“Në këtë grup studentësh bënte pjesë dhe vajza nga Tragjasi i rrethit të Vlorës, studentja e vitit të tretë të infermierisë, Marjana. Papritur, vajza nga Tragjasi u ndje keq. Asaj iu shfaqën shenja të pamjaftueshmërisë,  të shoqëruara me vështirësi në frymëmarrje,  djersitje, “prerje gjunjësh”  etj., të cilat bënin të pamundur zbritjen në grup,  siç u ngjitën.  Gjendja shëndetësore e vajzës po përkeqësohej dhe ndërhyrja e mjekut dhe e infermieres, të cilët nuk i ndaheshin grupit të studentëve,  as masazhi i shoqeve dhe frymëmarrja artificiale  që i bëri njeri nga shokët e saj, nuk dhanë rezultat,  prandaj u thirr në ndihmë helikopteri,  i cili do ta çonte të sëmurën në Tiranë, për një shërbim mjekësor më të kualifikuar. Sipas hartës që kishim me vete, duke gjykuar nga vijat rrushkulluese,  rezultonte se lartësia e vendit ku do të uleshim, nga niveli i detit, ishte rreth 1800m . Sipas urdhrit të Komandantit të Regjimentit, hodhëm sytë nga oxhakët e kuzhinës të kampingut,  të cilët përcillnin tym në atmosferë.  Tymi që dilte nga oxhakët ngjitej me kënd 35 – 40 gradë gjë që do të thotë se era në tokë ishte përafërsisht  2 – 3 m/sek. Pamë dhe drejtimin e erës,  ajo vinte nga Veriu e shkonte në Jug. Mustafai më pyeti: “Si thua,  a mund të ulemi?” Përgjigja ime ishte: “Bëjmë më parë një imitim, për të parë më saktë sheshin  ku do të ulemi dhe të përcaktojmë në mënyrë të përafërt kushtet e uljes! ”  Pas imitimit të uljes, të dy u bindëm se mund ta realizonim uljen dhe i sygjerova komandantit të ekipazhit se “mund të ulemi!”  “Atëhere, po ulemi”, – vendosi Mustafai  dhe u përfillëm për t’u ulur,  me futjen e parë.  Për të realizuar uljen, ndërtuam manovër standarde, siç veprohet në raste të ngjashëm. Futëm në helikopter të sëmurën me barelën tonë. Shoqet dhe shokët e kishin mbështjellë me kapota.  Marjanën e shoqëroi infermjerja dhe njëra nga shoqet e saj.

Mbyllëm derën e kabinës të pasagjerëve dhe u përfillëm për t’u ngritur.

U spostuam mbrapa 30 – 35 m dhe e shkëputëm helikopterin në lartësinë rreth 5 – 6 m.  Pastaj e ulëm helikopterin në lartësinë 1 metër dhe nga kjo lartësi nisëm ngritjen.  Hoqa duart nga komandat e helikopterit. “ Futi duart! ” –urdhëroi komandanti i ekuipazhit,  Mustafa Çiçi.  Zbatova  urdhrin e tij;  u kapa pas komandave,  pa e penguar atë në veprimet e pilotimit.  Unë vetëm sa dubloja veprimet e komandantit të ekuipazhit. Iu afruam honit  (greminës ). Shpejtësia në instrument ishte 40 – 50 km/orë,  helikopteri ishte i qëndrueshëm dhe komandat ishin të ndjeshme. Mbi greminë ndjeva një rënje të lehtë. Të dy ishim nën një tension nervor si rrallëherë.  Ngritja që po bënim në ato kushte ishte e paprovuar.  Helikopteri kishte fuqi të mjaftueshme,  rezervë.  Mund të kishim marrë, në bord edhe  2 – 3 njerëz (pasagjerë).  Sapo kaluam greminën,  “e ngjeshëm ” helikopterin dhe siguruam shpejtësinë  instrumentale  140 km/orë. Morëm lartësinë e nevojshme,  kaluam Shkallën e Tujanit dhe u drejtuam për t’u ulur në Aerodromin e Tiranës,  në Laprakë. Uljen e realizuam përpara  hangarëve ku ishin parkuar  aeroplanët e transportit  të lehtë  “AN- 2”. Aty na priste një autoambulancë,  me personelin përkatës mjekësor dhe mjeku specialist (Kardiologu ). Ata e transportuan të sëmurën në mjediset e Urgjencës të Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, në Laprakë.”