Tatimet nisin aksionin në bregdet, kontrolle për dokumente e fatura

223
Sigal

Me nisjen e sezonit turistik, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se, ka nisur zbatimin e planit të masave. Ky plan synon informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e tatimpaguesve që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike, në mbarë vendin, në sektorin e veprimtarive të turizmit (bar, restorant, hoteleri etj) për zbatimin me korrektësi të legjislacionit tatimor, si dhe rritjen e nivelit të vetëdeklarimit dhe pagesës së detyrimeve tatimore.

Duke parashikuar një sezon turistik të çliruar nga situata e pandemisë, Administrata Tatimore ju bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që operojnë në fushën e turizmit që të zbatojnë me korrektësi legjislacionin tatimor si dhe në përmbushjen e detyrimeve tatimore.

Më pas do të vijohet me verifikime dhe monitorime në vend, përgjatë gjithë sezonit në lidhje me:

-Respektimin e detyrimit për regjistrim në QKB dhe në Administratën Tatimore.

-Respektimin e detyrimit për dokumentimin e mallrave gjendje apo në transport.

-Respektimin e detyrimit për të lëshuar kupon tatimor apo faturë tatimore për çdo transaksion që tatimpaguesi kryen me klientët e tij.

-Respektimin e detyrimit për të regjistruar të gjithë punonjësit e angazhuar në biznes me kohë të plotë apo të pjesshëm.

-Respektimin e detyrimit për të mos lëshuar fatura me printera jo fiskalë.

-Respektimin e detyrimit për t’u regjistruar për përgjegjësinë tatimore TVSH nëse plotësohen kriteret.

-Respektimin e detyrimit për të afishuar çmimet e shitjes së mallrave apo të shërbimeve të ofruara.

Administrata Tatimore, me të gjitha strukturat e saj është e angazhuar për të qenë në çdo kohë e pranishme në territor, për të kontrolluar dhe verifikuar nga afër situatën në të gjitha zonat turistike të vendit.