Kuvendi i V i shoqatës “Labëria”, një Kuvend i një rëndësie të veçantë

1039
Sigal

Kuvendi i V i shoqatës “Labëria”, një Kuvend i një rëndësie të veçantë

  Për vetë vendin e zgjedhur për të zhvilluar këtë Kuvend, për vetë përgatitjen disa mujore, për vetë pjesëmarrësit dhe angazhimet nëpër trevat e Labërisë, për vetë detyrat që do të caktojë ky Kuvend, është quajtur Kuvend i një rëndësie të veçantë

 Ago Nezha (Kryetar i Shoqatës)

Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” është një organizëm shoqëror që ka mundur të bashkojë labët jo vetëm në trevën e Labërisë, por kudo ku jetojnë e punojnë ata, në mbarë vendin dhe jashtë tij në vendet fqinjë si në Greqi e Itali. Ajo ka krijuar dhe afirmuar në këto 23 vjet fizionominë e saj, me karakteristikat më të shprehura të trevës së Labërisë duke pasur identitetin e vet, që i referohen shumë subjekte të tjera shoqërore.

Patjetër që Gjirokastra ndihet e privilegjuar në këtë Kuvend të V të shoqatës “Labëria”. Ndihet e privilegjuar, pasi jehona e këtij Kuvendi ka marrë dhenë dhe është bërë prezente tek të gjitha mediat shqiptare, ku paraprijëse e propagandës ka qenë gazeta e mirënjohur “Telegraf”. Evente të tilla janë të rralla ashtu si vetë historia e kësaj treve, ashtu si vetë bëmat, luftërat dhe përpjekjet për armimin e të gjithë banorëve të saj. Ky Kuvend do të jetë zemra e këngës, pena e fjalës së bukur atdhetare, ëndrra e çdo labi për ta parë Shoqatën, në vendin që i ka caktuar koha dhe historia. 

 Birçe Hasko (Mjeshtër i Madh)

 Labëria me derte vjen në këtë Kuvend si zonjë. Gjirokastrës i ka hije ky Kuvend, pasi kjo shoqatë vjen e nderuar përpara shoqërisë shqiptare, si më patriotja, më luftarakja, më konkretja në aktivistet e saj me karakter kombëtar. Ky Kuvend do të hyjë në Historinë e Shoqatës si një Kuvend mirësie, largpamësie, solidariteti me vlera të jashtëzakonshme patriotike.

 Agim Çiraku

Aktivitetet e kohëve të fundit të shoqatës “Labëria” mbeten aktivitete të tilla që kujtesa s’mund t’i anashkalojë. Janë aktivitete me përmasa kombëtare që vetëm një shoqatë e tillë di t’i organizojë. Ky Kuvend përbën një event tjetër të kësaj shoqate, për vetë programin, organizimin, publicitetin, mobilizimin, kohështrirjen, të ftuarit special. Në një Kuvend të tillë në një vend të tillë, patjetër që detyrat do jenë më të mëdha, por dhe emocioni është specifik, ku të bën të ndihesh krenar për trevën nga ke origjinën.

 Bujar Leskaj

Këto ditë në Gjirokastër do ndihem si në vendin e shenjtë. E them si në vendin e shenjtë pasi Kuvendet e labëve të tillë janë, të shenjtë. Në historinë e kalasë së Argjirosë do të hyjë dhe një ditë tjetër dhe një histori tjetër, historia e një Kuvendi, të një krahine të shquar, që i ka dhënë ndriçim Shqipërisë në periudhat më të errëta të saj.

 – Akademiku Rexhep Qosja

 “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë!

 Dritëro Agolli

Po të mos kisha studiuar në Labëri, nuk do isha ky shkrimtar e poet që jam sot, se atje jam frymëzuar me fermentin Lab. Kur është sëmur liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndien këtë grip, apo këtë sëmundje është “Labëria”, është trupi i Labërisë dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa edhe për ta shëruar.  

 

Sejmen Gjokoli

 Gjirokastra ka hap gjinë,

Në kuvend mbledh Labërinë,

Gjirokastër si kështjellë,

Labërninë këtu ka mbledh

Gjirokastra mikpritëse, e pushkës, e këngës, e diturisë por edhe e Festivaleve ka mbledhë këtë radhë Kuvendin e V të Labërisë. I takonte ky nder Gjirokastrës, pasi njëkohësisht këto ditë aty zhvillohet dhe Festivali Folklorik Internacional “Argjiro”. Ky Kuvend për shumë arsye do jetë një kthesë e madhe në jetën e shoqatës Kulturore Patriotike Labëria”.

 Xhemil Çeli

 Zgjerimi organizativ i shoqatës, mbështetur në statut e program, është jo si qëllim në vet vete, por si një parakusht që shoqata të realizoj misionin që ka marrë mbi vete për ruajtjen e transmetimin e vlerave më të mira kulturore e atdhetare të trevës së Labërisë dhe të vet labëve. Edhe ky Kuvend këtë mision do të ketë.

 Mikom Zeqo

Ky Kuvend është një manifestim patriotik që tejkalon konceptin gjeografik të kësaj treve për vetë mënyrën e organizimit të saj. Ajo ka shkëlqyer në aktivitete me karakter kombëtar, me të cilat ka qenë si një ferment gjalldhënës për të stimuluar dinjitetin e shqiptarëve, për të mbrojtur vlerat historike të lirisë dhe karakterit të shqiptarit. Kjo shoqatë është shquar në bindjen e thellë të unitetit dhe të individualitetit të kombit tonë, duke bërë veprimtari dhe duke afruar personalitete të mëdha të mbarë kombit Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi duke performuar kështu një figurë të lartë qytetarie.

 Gafur Dudaj

 Kuvendi i Gjirokastrës ka një shkëlqim ndryshe, ashtu siç është vet ky qytet me histori dhe krenar. Pjesëmarrja në këtë Kuvend është kaq e veçantë dhe domethënës sa dhe vet rëndësia e këtij Kuvendi.

***

INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh” Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

– Labëria ka qenë pikë referimi në të gjitha kohërat për heroizmin, patriotizmin, trimërinë dhe bujarinë

 Ku e ka gjetur mbështetjen e saj kjo shoqatë për të realizuar veprimtarinë e saj të suksesshme?

Mbarëvajtja, forcimi dhe rritja e shoqatës “Labëria”, është e lidhur ngushtë edhe me kontributin e pa kursyer financiar të nën/kryetarëve në vite, duke filluar nga i ndieri Enver Guga dhe duke u pasuar nga Gafur Duda, Kastriot Zoto e Fatmir Toçi, që nuk kanë ndier “lodhje” duke përballuar me sponsorizimet e tyre në vite, veprimtaritë që kanë një kosto financiare. Një akt për t’u përshëndetur është edhe afrimi i kontribuuesve më të rinj, si Dr. Bujar Leskaj “Personalitet i Shquar i Labërisë” dhe Agim Rrapaj dhe kohët e fundit “Personaliteti i Shquar i Labërisë, Agim Çiraku që kanë ofruar mundësinë për zhvillimin e disa veprimtarive ceremoniale. Uroj që ky sfond dhe ky gjest, të jetë një reflektim i thellë edhe i atyre biznesmenëve lab, që u ka zënë frymën pasuria, por ose aspak u intereson Labëria që shpirtin e saj patriotik e transmeton përmes këtij organizimi, shoqatës sonë “Labëria”

Cilat janë figurat kryesore që ka vlerësuar kjo shoqatë dhe a vazhdojnë me kontributet e tyre?

Labëria, ka ditur të nderojë dhe vlerësojë jo vetëm bijtë e saj që e kanë për detyrë t’i kontribuojnë trevës së vetë, por edhe ata intelektualë jo lab, të cilët i kanë qëndruar pranë Labërisë dhe i kanë kontribuar çështjes kombëtare. Krahas mbështetjes, që i kemi dhënë çështjes Shqiptare në trevat e Kosovës, Çamërisë, Maqedonisë, e Malit të Zi, në këto 23 vjet të jetës së shoqatës, jemi munduar ta shtrijmë më tej, duke dhënë tituj nderi, për figura të shquara, me kontribute të mëdha mbarëkombëtare, siç është Kryetari i Nderit, Profesor Rexhep Qosja dhe Isa Buletini nga Kosova. Në këtë rrjedhë, janë vlerësuar personalitete të fushave të ndryshme, si Presidentët Rexhep Mejdani dhe Alfred Moisiu që janë anëtar Nderi të Shoqatës “Labëria” si dhe shkrimtari i shquar Dritëro Agolli. Por anëtar Nderi, kemi pasur edhe dy figura të artit dhe muzikës që nuk jetojnë më, si Ramadan Sokolin dhe Tish Dainë si dhe këngëtaren Irini Qirjako që e ka ngritur këngën labe në panteonin e folklorit më popullor, artistin Reshat Arbana “Nderi i Kombit” si dhe Mirush Kabashi “Mjeshtër i Madh”, etj. Të më falin, që në këtë retrospektivë të punës dhe veprimtarisë së Shoqatës Labëria, unë nuk po përmend ato personalitete që janë bijë apo bija të Labërisë, sepse janë të shumtë dhe kontributin e tyre e quaj një detyrim legjitim. Nga ky prezantim i shkurtër që bëra më lartë, del që kemi një larmi figurash të shquara të  politikës, të artit, letërsisë dhe shkencës nga gjithë krahinat e Shqipërisë. (se në opinion e gjerë  shoqëror të trevave të ndryshme të vendit, Labët i identifikojnë me pushkën, trimërinë, heroizmin dhe mirë bëjnë, por harrojnë që janë edhe të penës e të artit). Në majat e letërsisë, kemi shkrimtarin Ismail Kadarenë, në poezi Ali Asllanin,  në artin skenik, të papërsëritshmin, Nderin e Kombit, Kadri Roshin, mjeshtrat e mëdhenj Robert Ndrenikën, Timo Flokon, Birçe Haskon, Bujar Asqeriun, etj.. Në kinematografi, kineastin Dhimitër Anagnosti, në muzikë Feim Ibrahimin, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Kujtim Laron, etj.. Në skulpturë Muntaz Dhramin, Skulptor i Popullit dhe në pikturë, Piktorët e Popullit Skënder Kamberin dhe Nestor Jonuzin, etj.. Ne jemi treguar të vëmendshëm, që të nderojmë ato figura që kanë merita dhe i qëndrojnë pranë “Labërisë”.  Në jetën dhe veprimtarinë e një krijese, 23 vjet jetë, nuk janë shumë, por as pak kur kemi parasysh kohëlindjen e pluralizmit demokratik në Shqipëri. Shoqata “Labëria”  në rrugën e sajë 23-vjeçare,  ka kaluar nëpërmjet baticave dhe zbaticave, për tu ngritur, lartësuar e konsoliduar si një organizëm shoqëror. Kontribuuesit dhe gjithë ata lebër, që nuk kanë kursyer investimin e tyre moral e shoqëror për të vendosur nga një gurë në këtë kështjellë të Atdhetarisë, Patriotizmës, Trimërisë, Besnikërisë, Bujarisë dhe Mençurisë popullore, kanë me se krenohen. Janë emrat e tyre, që shndrisin si gurë diamanti në këtë kështjellë të Atdhetarizmës, që është ngritur në këmbë  me gurët e gdhendur, që kanë vendosur në vite ata njerëz fisnik, që Labërinë e kanë të lidhur me jetën dhe shtëpinë e tyre. Në drejtim të Shoqatës Labëria, kanë lëvizur shumë drejtues si meteor, që i kanë dhënë jetë e prosperitet shoqëror. Shoqata kulturore Atdhetare “Labëria, qysh nga krijimi i saj, ka pasur në drejtim personalitete të shquara që kanë kontribuar me përkushtim për rritjen dhe shëndoshjen e veprimtarisë kulturore, atdhetare të trevës së Labërisë. Do përmendja së pari ata drejtues të forumit që janë ndarë nga jeta, si një homazh për kontributin e tyre të çmuar që ka ngjizur si vlerë e pashlyeshme në trupin e Shoqatës Labëria. Po radhis Kryetarin e parë të Shoqatës Labëria Halil Qëndro, nën/kryetarët që emri i tyre nuk vdes kurrë në Labëri, si Enver Guga, Maliq Lila, Dasho Matodasho, etj.. Por një ndihmesë të veçantë për rritjen, forcimin dhe konsolidimin e shoqatës ka dhënë dhe Sekretari i Përgjithshëm Xhemil Çeli, me përvojën, përkushtimin dhe angazhimin për ta bërë një shoqatë lider në mbarë vendin. Në këto arritje kanë rolin e tyre të veçantë edhe nën/kryetarët, i pa kursyeri Gafurr Duda, Fatmir Toçi, e palodhshmja Lavdie Nanaj, Kastriot Zotaj, si dhe shumë anëtarë të kryesisë që kanë qenë në vite pa u tërhequr në krye të shoqatës.

A janë afruar personalitete në shtëpinë patriotike të Shoqatës Labëria pa marrë parasysh pikëpamjet politike dhe këndvështrimet ndaj  LANÇ?

Duke u nisur nga idetë pluraliste, unë kam bërë një përcaktim për rolin e partive dhe shoqatave në demokraci. Partitë i kam quajtur një kopsht me gjemba që shpojnë dhe helmojnë njëra tjetrën, ndërsa shoqatat, i kam quajtur një kopsht me lule multikolor që i bashkojnë dhe vëllazërojnë njerëzit në gjirin e tyre. Këtë dy simbole flasin qartë për ndikimin që kanë këto dy subjekte në jetën shoqërore të vendit. Në shoqatën Labëria janë përfshirë të gjitha shtresat, kategoritë me pikëpamjet e tyre politike sipas zgjedhjes së tyre. Ne kemi në forumin dhe kryesinë qendrore të Shoqatës Labëria në qendër dhe në degët në rrethe, anëtarë të forumeve me pikëpamje të djathta dhe të majta. Kjo është bukuria që sjellin shoqatat në jetën shoqërore pluraliste. Ndërsa porsa i përket këndvështrimeve për LANÇ, Shoqata Labëria nuk ka asnjë mëdyshje. Ajo e konsideron si epopenë më të lavdishme të popullit tonë që me aktin më sublim të mijëra të rinj   e të reja por edhe brezit më të moshuar sakrifikuan jetën për të sjellë lirinë dhe prosperitetin shoqëror. Ky vit është jubileu i 70-vjetorit të çlirimit të vendit, ku Labëria në programin e saj që do miratojë në Kuvendin e saj të Pestë, ka programuar disa aktivitete kombëtare, si biseda, sesione shkencore, ditë përkujtimore, rinovimin e simboleve të luftës si lapidarë, obeliskë, muze etj..

 Si është vlerësuar Labëria nga personalitete të letrave shqipe në vite?

Labëria ka qenë pikë referimi në të gjitha kohërat për heroizmin, patriotizmin, trimërinë, bujarinë dhe zgjuarsinë natyrale. Kjo pyetje më ngacmon një opinion të disa trevave të vendit që na thonë ne labëve se mburremi me bëmat tona historike. Kjo teori bie poshtë, se të gjithë korifejtë e letrave shqipe na karakterizojnë me disa cilësi të spikatura që i kemi shfaqur në mënyrë natyrale. Po mesa duket, xhelozia do të rrëzojë një opinion pozitiv për rolin e Labërisë në fatet e historisë së Kombit tonë të përplasur në brigje të thepisur të historisë dhe padrejtësive që na kanë  bërë fuqitë e mëdha dhe fqinjët tanë tinëzarë e barbarë. Ata që s’na duan, kanë kërkuar të na mohojnë. Emri i Labërisë i ka trembur pushtuesit dhe fqinjët tanë shovinist. Jo më kot është rasti i antishqiptarit të tërbuar Kryeministrit të Greqisë Napolon Zerva që ka deklaruar se: “Le të ketë një çikë Shqipëri, por mos ketë Labëri”. Ndërsa korifejtë e letrave shqipe duke filluar nga Noli i madh, që shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria” dhe le të kujtojmë amanetin e tij se, “Kur të vdes të më përcillni me këngë Labe, por me këngë labe safi”. At’ Shtjefën Gjeçovi, mbasi iku nga Elbasani ku shërbente si peshkop dhe shkoi në Vlorë për të luftuar kundër pushtuesve Italianë në 1920, prej Vlore I shkruante një letër Kryepeshkopit të Shkodrës se: “Imzot, kur të vij në Shkodër, do t’ju bëj të flisni Labçe, se Vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe fal fëmijën. Në Kuvendin e dytë të Labërisë në Vlorë, Akademiku Kosovar Rexhep Qosja, ka thënë se: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Dhe vazhdon: “Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është Shqiptaria. Labëria shpirtërore, është Shqipëria natyrore, e kjo domethënë Shqipëria etnike. Shkrimtari i shquar Dritëro Agolli, ka thënë se po të mos kisha studiuar në Labëri, nuk do isha ky shkrimtar e poet që jam sot, se atje jam frymëzuar me fermentin Lab. Kur është sëmur liria, kur e ka zënë gripi atë, i pari që e ndien këtë grip, apo këtë sëmundje është “Labëria”, është trupi i Labërisë dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa edhe për ta shëruar.  Ky emër i nderuar që ka krijuar shoqata me punën e pa lodhur të drejtuesve në 23 vite, duhet të ruhet dhe transmetohet te brezi i ri, që të mos shuhet në të ardhmen.  Shpresojmë që geni lab, të triumfojë, si trashëgimi në breza me tërë vlerat patriotike, atdhetare që na lanë të parët tanë.

***

Kuvendi i V-të i shoqatës kulturore atdhetare  “Labëria”ditën e shtunë udhëton për në Gjirokastër për t’u ngjitur në tribunë, më 24-25 maj

 Sot në Gjirokastër, hapet Kongresi i V i Shoqatës kulturore, atdhetare, “Labëria”

Delegatë, të ftuar, personalitete të shquara të Labërisë dhe personalitete të vendit , deputetë dhe kryetari i Nderit të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria Akademiku Kosovar Rexhep Qosja, udhëtojnë ditën e shtunë më 24 Maj për t’u ngjitur në tribunën e Kuvendit të V-të të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, e cila zhvillon punimet për të bërë bilancin katër vjeçar nga koha që u mbajt Kuvendi i IV në Kuç të Vlorës. Kuvendi do të zhvillojë punimet për dy ditë rresht me pjesëmarrjen e delegatëve nga të gjitha degët e trevës së Labërisë duke filluar nga Gjirokastra, zonja e shtëpisë dhe duke vazhduar me Tepelenën, duke ndjekur rrugën e bregdetit si  Himarën, Orikumin, Vlorën dhe zbret në enklavat labe në Myzeqe, si në Fier dhe patos dhe e mbyll maratonën në Kryeqytetin e vendit në Tiranë. Kuvendi i V-të i Labërisë mbahet në Gjirokastër, në Kryeqendrën e kulturës së kësaj treve, ku ka nxjerrë shumë njerëz të shquar që kanë bërë epokë me dijet dhe kulturën e tyre evropiane. Angazhimi, shqetësimi dhe përkushtimi i drejtuesve të Bashkisë dhe Qarkut të Gjirokastrës është maksimal për të krijuar kushte dhe mjedis shumë të përshtatshëm për të realizuar një kuvend madhështor. Ekipi organizator i drejtuar nga Kryetari i Bashkisë Flamur Bimo, ka marrë masa në perfeksion që gjithë dinamika  dy ditore e punimeve të Kuvendit të arrijë synimet e veta. Dita e parë do jetë séancë ceremoniale, ku do mbahet raporti, përshëndetjet e personaliteteve të ndryshme dhe do jepen Tituj që akordon Qarku e Bashkia e Gjirokastrës dhe Shoqata kulturore Atdhetare “Labëria”, si dhe një përshëndetje nga pionierët e qytetit. Dita e dytë, do jetë ditë pune me diskutime nga përfaqësues të degëve në rrethe si dhe zgjedhjet e organeve drejtuese si Kryesia e Shoqatës dhe forumi i saj, Kryetar, Sekretar i Përgjithshëm dhe nën Kryetarët. Gjirokastra ka marrë masa për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e delegatëve për të dy ditët e qëndrimit në zhvillimin e punimeve të Kuvendit. Atmosfera e Kuvendit është ndezur disa ditë përpara jo vetëm në Gjirokastër ku do zhvillohet Kuvendi por edhe në rrethet ku funksionojnë degët e kësaj shoqate. Një punë të mirë informuese ka bërë edhe media e shkruar si gazeta “Telegraf” që për ditë ka botuar shkrime nga jeta dhe veprimtaria e Shoqatës Labëria dhe disa medie elektronike si Top- Channel, Nevvs 24, AS, etj., që kanë sensibilizuar opinionin shoqëror dhe kanë krijuar një atmosferë festive. Roli i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria” , për çështje madhore të kombit është rritur nga njëri Kuvend në tjetrin dhe Kuvendi i V-të do të krijojë impulse të reja për të rritur shkallën e përgjegjësisë të forumeve të shoqatës që në kuadrin e 70 -vjetorit të Çlirimit të Atdheut të organizohen disa veprimtari përkujtimore sipas specifikave që kanë degët në rrethe. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”, do jetë në pararojë të gjithë veprimtarive promovuese me rastin e Jubileut të 70 -vjetorit të Çlirimit. Kuvendi i V-të i shoqatës “Labëria” që do mbahet në Gjirokastër, do mbetet gjatë në kujtesën e pjesëmarrësve si një eveniment historik, jo vetëm për Shoqatën, por për gjithë komunitetin Lab.

Sentenca të korifenjve të letrave shqipe për Labërinë”

-Noli i madh, shkruante se: “Kur lëngon Shqipëria, zgjohet Labëria” dhe le të kujtojmë amanetin e tij se “Kur të vdes të më përcillni me këngë Labe, por me këngë labe safi”.

-At’ Shtjefën Gjeçovi, mbasi iku nga Elbasani, ku shërbente si peshkop dhe shkoi në Vlorë për të luftuar kundër pushtuesve Italianë në 1920, prej Vlore i shkruante një letër Kryepeshkopit të Shkodrës se: “Imzot, kur të vij në Shkodër, do t’ju bëj të flisni Labçe, se Vlonjati për Shqipërinë shet pasurinë, djeg shtëpinë dhe fal fëmijën”.

-Në Kuvendin e Dytë të Labërisë në Vlorë, Akademiku Rexhep Qosja, ka thënë se: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë.

-Shkrimtari i shquar Dritëro Agolli, ka thënë se po të mos studiuar në Labëri, nuk do isha ky shkrimtar e poet që jam sot, se atje jam frymëzuar me fermentin Lab. Kur është sëmur liria, kur e ka zënë gripi atë, I pari që e ndien këtë grip, apo këtë sëmundje është “Labëria”, është trupi i Labërisë dhe jo vetëm e ndien, por ajo merr masa edhe për ta shëruar.