Përfundon armëpushimi tre ditësh “humanitar” , vazhdojnë luftimet në Alepon e rrethuar

472
Sigal

Në qytetin e rrethuar
Alepo në Siri sot kanë vazhduar luftimet, një ditë pas përfundimit
të armëpushimit tri ditësh “humanitar”, që ishte shpallur nga qeveria e
Sirisë dhe aleati i saj kryesor, Rusia.

Raportohet se luftime
ka pasur në lagjet lindore të këtij qyteti, që janë nën kontroll të
kryengritësve.

Observatori sirian për
të drejtat e njeriut, me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren, ka
njoftuar se sulmet nga aeroplanët sirianë apo rusë kanë filluar përsëri
mbrëmë, pas tri ditëve të qetësisë.

Ky observator, po
ashtu, tha se ka pasur edhe përleshje tokësore dhe të shtëna të rënda
artilerike përgjatë linjave të frontit.

Qyteti Alepo është i
ndarë ndërmjet pjesëve që janë nën kontroll të qeverisë dhe atyre që janë nën
kontroll të forcave opozitare.

Konsiderohet se disa
forca kryengritëse, po ashtu, i koordinojnë përpjekjet me grupet – që nga
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia – janë cilësuar si terroriste.

Sulmet ajrore të
Rusisë dhe qeverisë së Sirisë, të fokusuara në pjesën lindore të Alepos, me
popullatë të dendur, që është nën kontroll të kryengritësve, janë dënuar ashpër
në përmasa ndërkombëtare.

Kjo ka çuar në dënim
nga liderët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe thirrjet
nga disa shtete anëtare të BE-së për sanksione të reja ndërkombëtare
kundër qeverisë së Sirisë dhe mbështetësve të saj, Rusisë dhe Iranit.

Më 20 të këtij muaji,
Rusia pati shpallur “pauzë humanitare”, ndërsa qeveria e Sirisë i patë
hapur tetë korridore për evakuime, por vetëm një numër i vogël i njerëzve
kanë kaluar nëpër to.

Kombet e Bashkuara
vlerësojnë se më se 250 mijë civilë ende janë të bllokuar në lagjet e qytetit
të rrethuar, që janë nën kontroll të kryengritësve.

Kombet e Bashkuara
kishin shpresuar që ta shfrytëzojnë armëpushimin për evakuimin e njerëzve me
plagë serioze dhe me gjasë për të dërguar ndihma.

Por, OKB-ja tha se nuk
ishte në gjendje ta bënte këtë për shkak të mungesës së sigurisë dhe
garantimeve për punonjësit humanitarë.

Nga ana tjetër, një
hetim i ri i Kombeve të Bashkuara ka gjetur se forcat e qeverisë së Sirisë janë
pëgjegjëse për sulmin e tretë me gaz helmues në Siri.

Raporti për këtë hetim
i përgatitur nga Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Ndalimin e Armatimit
Kimik, më 21 tetor i është dërguar Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në raport theksohet se
forcat e qeverisë së Sirisë ishin përgjegjëse për sulmet me
helikopter, që kanë përdorë bomba-fuçi të mbushuara me gaz helmues, me
gjasë klor, në qytetin Kmenas në provincën Idlib, më 16 mars të këtij viti.

Në muajin gusht,
hetuesit e Kombeve të Bashkuara e kanë fajësuar qeverinë e Sirisë për dy sulme
të mëhershme kimike në Siri, me përdorim të gazit të klorit.