Obama takon Hollande, në fokus ashpërsimi i luftës ndaj ISIS

498
Njëmbëdhjetë ditë pas atentateve të përgjakshme në Paris, presidentët francez, François Hollande dhe amerikan Barack Obama do të takohen në Uashington për të biseduar për ashpërsimin e luftës kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik, ndërkohë që perëndimorët shqetësohen për rrezikun e sulmeve të tjera.
Përpjekjet për të koordinuar më mirë luftën kundër Shtetit Islamik rrezikojnë të komplikohen nga rrëzimi i një avioni luftarak rus, sulmuar sot nga Turqia, vend anëtar i NATO-s, në kufirin sirian.
Ankara theksoi se avioni rus SU-24 kishte shkelur hapësirën e saj ajrore, gjë që Moska e përgënjeshtron.
Në Bruksel, ku një prej të dyshuarve kryesorë nuk është gjendur ende, niveli i alarmit mbetet maksimal për të kartën ditë radhazi. Në afrim të festës së përvitshme të Thanksgivingut, SHBA-ja ka vendosur një alarm botëror për të nxitur shtetasit e tyre për të pasur kujdes në udhëtimet jashtë vendit.
Për herë të parë që prej atenateve të 13 nëntorit në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona dhe 350 të plagosur, presidenti Hollande zhvilloi një udhëtim jashtë Francës, ku hetuesit po hasin vështirësi për të përcaktuar qartë rolin e disa protagonistëve të sulmeve të marra përsipër nga Shteti Islamik.
Dy krerët do të diskutojnë gjithashtu për një vendosje në Siri të forcave speciale, sipas një diplomati francez. Uashingtoni u shpreh i gatshëm për të vendosur në tokën siriane 50 prej këtyre ushtarëve, ndërkohë që Parisi nuk e ka bërë ende të ditur qëndrimin e tij për këtë çështje.
Duke vazhduar ofensivën e tij diplomatike, François Hollande do të presë nesër kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Sigal