Në pritje të hapjes së kufirit, qindra emigrantë kanë mbetur të bllokuar në kampin grek

49
Të lodhur nën temperatura të acarta, qindra emigrantë vijojnë të presin në një kamp të ngritur në fshatin Idomeni, në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, me shpresën e hapjes së kufirit dhe vijimin e udhëtimit drejt vendeve të pasura në veri dhe perëndim të Europës.
Burra, gra dhe fëmijë të mbuluar me batanije janë detyruar të kalojnë netët e ftohta në tenda ose pranë zjarreve në fushat e braktisura.
Por më shumë se dimri, ata i tremb një vendim i Bashkimit Europian për të nxjerrë nga zona Shengen Greqinë si pasojë e dështimit me menaxhimin e klandestinëve, gjë e cila do ti jepte fund njëherë e përgjithmonë shpresës së tyre për një jetë të re në Bashkimin Europian.
“Kushtet dhe situata janë mjaft të vështira mbi të gjitha për shkak të motit. Edhe pse aktulisht ka diell, temperaturat janë tejet të ulëta, natën shkojnë nën zero”, thotë Katerina Goula, koordinatore e Agjencisë së Ndihmave Praxis.
Ajo shtoi se kontrollet e ashpra kufitare dhe kufizimet do të përkeqësojnë më tej situatën për emigrantët, veçanërisht për gratë dhe fëmijët.
Ajo tha se nuk ka asnjë garanci për ushqim, për mjetet bazike, ilaçe dhe veshje.
Greqia dhe Bashkimi Europian po mendojnë të vendosin Agjencinë Fronteks në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë për të kontrolluar fluksin, edhe pse Maqedonia nuk është anëtare e Bashkimit Europian.
Por Agjensia Europiane për mbrojtjen e kufijve nuk ka mandat për të ndërhyrë në vendet e treta, duke hedhur idenë e një marrëveshje dypalëshe për ti dhënë zgjidhje situatës.