Hahn takon Vuçiç, kritikon vendet që kanë ngritur mure

450
Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, ka vizituar sot një qendër të pritjes së refugjatëve në Serbi, i shoqëruar nga kryeministri Aleksandër Vuçiç. Gjatë kësaj vizite, Hahn është shprehur se kriza e emigrantëve është një problem i përbashkët dhe kërkon përgjigje evropiane. Ndërkohë, ai ka falënderuar qeverinë e Beogradit për gjithçka ka bërë për refugjatët, duke u shprehur se Serbia nuk do të jetë e vetme në përpjekjet e saj. “Asnjë vend nuk duhet lënë i vetëm, por problemi zgjidhet me shpirt solidariteti dhe ndarje të përgjegjësive”, ka thënë Hahn. Ndërkohë, ai ka folur edhe për vendet që kanë ngritur gardhe për të frenuar fluksin e emigrantëve, duke theksuar se kufijtë e rinj apo muret nuk janë ato çka i duhen Evropës. Gjithashtu, komisioneri Hahn ka premtuar mbështetje financiare dhe politike për Serbinë. Ndërsa, ka refuzuar të komentoj tensionet e fundit në kufi me embargon e mallrave dhe automjeteve mes Serbisë dhe Kroacisë, duke thënë se një kamp refugjatësh nuk ishte vendi i duhur për ta bërë këtë.
Sigal