Benjamin List dhe David W.C. MacMillan fitojnë Çmimin Nobel për Kimi 2021

146
Sigal

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave vendosi t’i japë Çmimin Nobel për Kiminë 2021 Benjamin List dhe David W.C. MacMillan “për zhvillimin e organokatalizës asimetrike”.

Ndërtimi i molekulave është një art i vështirë. Benjamin List dhe David MacMillan shpërblehen me Çmimin Nobel për Kiminë 2021 për zhvillimin e një instrumenti të ri të saktë për ndërtimin molekular – organokatalizën. Ky ka pasur ndikim të madh në kërkimin farmaceutik dhe e ka bërë kiminë më të gjelbër.

Katalizatorët janë instrumente të rëndësishëm për kimistët, por kërkuesit prej kohësh kanë besuar se, në parim, janë vetëm dy lloje katalizatorësh në dispozicion – metalet dhe enzimat.

Benjamin List dhe David MacMillan fituan Çmimin Nobel për Kiminë 2021 pasi në vitin 2000, zhvilluan të pavarur nga njëri – tjetri, një lloj të tretë katalizatori. Quhet organokatalizë asimetrike, që mbështetet në molekula të vogla organike.

Organokataliza është zhvilluar me një shpejtësi befasuese që nga viti 2000. Benjamin List dhe David MacMillan mbeten udhëheqës në fushë dhe kanë treguar se katalizatorët organikë mund të përdoren për shumë reaksione kimike. Duke përdorur këto reaksione, kërkuesit mund të ndërtojnë në mënyrë më efikase çdo gjë, nga medikamente të reja tek molekula që mund të kapin dritën në qelizat diellore. Në këtë mënyrë, organokatalizat po sjellin përfitimin më të madh për njerëzimin.