Viti i ri shkollor me abuzime. Klasat me rreth 45 nxënës, stres për mësuesit

446
Sigal

Për një regjistrim paguhet 50 mijë, librat për nxënësit mund të gjenden në treg të zi

 Ankthi i prindërve dhe nxënësve të paregjistruar ende apo për të blerë librat e vitit te ri shkollor 2014-2015, duket se “po ngroh” xhepat e drejtorëve të shkollave dhe sekserëve të tyre. Vetëm pak ditë më parë, në drejtorinë Arsimore të Qarkut kanë mbërritur dhjetëra ankesa dhe denoncime nga qytetarë të ndryshëm, të cilët janë shprehur të indinjuar lidhur me sorollatjet e krijuara me dashje nga drejtues shkollash dhe sekserët e tyre që mbushin muret rrethuese të godinave, të cilët për një regjistrim kanë marrë deri në 50 mijë lekë të vjetra, ndërsa librat po i marrin në tregun e zi me dyfishin e çmimeve. Në shkollat e mesme të qytetit bregdetar, regjistrimi i atyre që kanë mbaruar tetëvjeçaren dhe kalojnë në vitin e parë, është kthyer në biznes fitimprurës. “Kam mbi 10 ditë që pres të regjistroj djalin në vitin e parë, por le që nuk të afron roja tek hekurat e shkollës, por na thonë se regjistrimet kanë mbaruar, se janë plotësuar vendet, klasat dhe në fund, nxjerrin kokën dhe kërkojnë 5 copë dhjetëshe të reja, të pazhubravitura, duke ta thënë shqip fare se kjo punë mbaron kështu”,- u shpreh një prind banor i lagjes nr.17 të Durrësit, i cili kërkoi të mbetej anonim pasi mësuesit do të hakmerreshin ndaj fëmijës tij, i cili kishte shpresa se do të regjistrohej. Tek dyert e shkollave të mesme çdo ditë mblidhen me dhjetëra njerëz, prindër që veç dëftesës së fëmijëve të tyre, mbajnë të palosura edhe paratë e “regjistrimit”, pa llogaritur ato të librave dhe mjeteve të tjera mësimore. Por sikur të mos mjaftonte kjo, korrupsioni i shkollave ka nisur të shtrihet dendur, edhe në provimet e vjeshtës, tek ata që mësuesit e matematikës apo fizikës madje edhe të historisë, i ngelin në klasë vetëm e vetëm se gjatë vitit nuk kanë derdhur “gjobën” në xhepat e tyre. Dikush, madje, në parmakët e një shkolle tha se, “mësuesi kujdestar ja tha troç djalit tim, ore do të ngrihet kati i dytë i shtëpisë time, erdhi dimri më mbeti pa ndërtuar, pra ai kërkon para, pa llogaritur nga 6 klasa me nga 45 nxënës, ku secilit i merr çdo muaj 4-5 mijë lekë për notën e mirë kaluese kurse private apo favor tjetër”. Me situatën skandaloze dhe korrupsionin e shkollave, është njohur edhe Drejtoria e Arsimit, e cila duke u mjaftuar me masa disiplinore, deri sot nuk ka pushuar dhe diskredituar asnjë drejtor shkolle, mësues apo sekser të tyre të korruptuar dhe abuzant. Korrupsioni në shkolla ka marrë përmasa drastike, dhe duket se mbushja e xhepave me para nxënësish, është edhe arsyeja e vetme e cila i ka përgjumur shumicën e arsimtarëve, të cilët deri para pak vitesh me anë të sindikatës së tyre, paralajmëruan protesta për rritjen e pagës mujore. Heshtja e drejtuesve tregon hapur kompromisin mes shefave dhe abuzantëve.

Artur AJAZI