Gëzim TUSHI/ Rasti i Bankës, morali i shtetit dhe qytetarët…

560
Sigal

A ka lidhje morali i shtetit me moralin e shoqërisë?

 Pavarësisht anës penale të rastit të vjedhjes në Bankën e Shtetit apo madhësisë së vjedhjes së realizuar nga zyrtarët e saj, në këtë situatë sociale dhe penale që po zhvillohet këto ditë ka diçka që është më thelbësore se ana e dëmit material dhe sasia e lekëve të vjedhura e të shpërdoruara nga thesari i shtetit. Dhe besoj se sensibiliteti mediatik dhe revolta sociale e qytetarëve shfaqet më shumë moralisht. Kjo do të thotë se, nëse drejtësia do bëjë punën e vet dhe do gjykojë të vërtetën, substancën material të ngjarjes në Bankën e Shqipërisë, media dhe qytetarët kanë reaguar duke e vlerësuar këtë ngjarje dhe aktorët e realizimit të saj, jashtë aspektit të përgjegjësive penale dhe dënimeve të mundshme.  Ky aspekt, domethënë ana juridike e penale e çështjes është ana pasive korresponduese e zgjidhjes së problemit duke vendosur drejtësinë dhe ndëshkuar sipas ligjit përgjegjësit e saj. Por pas ngjarjes empirike të ndodhur në Bankën e Shqipërisë dhe përtej saj problem ka një përmasë tjetër më të rëndësishme dhe me përgjegjësi sociale e morale. Sipas mendimit tim, ngjarja ka një aspekt të thellë moral, i cili duhet diskutuar më gjerësisht këto ditë në debatet që zhvillohen në shoqërinë tonë, përtej inateve personale apo nxitimeve populiste. Ngjarja në Bankën e Shqipërisë, meqenëse, është njëri nga aktet që ka rrezatim të fortë social dhe dimension të gjerë publik, duhet parë e vlerësuar sidomos si raport që rrezikon ndërtimin e besimit moral që duhet rivendosur midis institucioneve të shtetit dhe shoqërisë, nëpunësve dhe qytetarëve.  Në fakt rrallë është diskutuar në periudhën demokratike për mundësinë e ndikimit pozitiv apo kontroversal për lidhjet që vendosen midis rolit të qeverisë dhe ndërtimit të moralit të komunitetit, për ndikimet reciproke që ato kanë në zhvillimin e mbarë të jetës apo në realizimin e programit të ndërtimit të shoqërisë së shëndetshme, e cila njërin nga themelet e forta ka ekzistencën e besimit moral reciprok në marrëdhëniet e shtetit dhe zyrtarëve të saj me shoqërinë dhe qytetarët tanë. Sociologët e kohës moderne këtij moment i kushtojnë rëndësi të madhe. Madje, e konsiderojnë me natyrë ekzistenciale për fatet dhe progresin e shoqërisë. Ata janë të mendimit se, “morali, organizimi i shoqërisë dhe i shtetit janë gjëra fluide dhe sipas tyre, do të ishte e pakuptimtë të kërkohet që të ndahen”. Në këtë kontekst sipas mendimit tim, për shkak të veçorive dhe vështirësive të tranzicionit tonë, është fare evidente që qeveritë e këtij vendi kanë më shumë se dy dekada që merren me çështjet e jetës politike dhe ekonomike (të vështira këto në kushtet e tranzicionit) dhe për pasojë kanë harruar se në të njëjtën kohë qeveritë nuk janë dorëjashtë dhe pa përgjegjësi për problemet e sjelljes etike, ndërtimin e marrëdhënieve me qytetarin dhe zhvillimet morale në shoqëri.  Në se i kthehemi historisë të lidhjeve, marrëdhënieve dhe ndikimeve reciproke të marrëdhënieve sociale dhe morale midis shtetit dhe shoqërisë, nëpunësve të shtetit dhe qytetarit, do të shikojmë se ka traditë ekzistenciale të diversifikuar. Ndaj është i njohur debati për të përcaktuar rolin moral të shtetit në filozofinë politike, etikën dhe marrëdhëniet sociale. Qëndrimet e qytetarëve ndaj moralit të shtetit, janë shumë vigjilente dhe sensitive. Kjo është arsyeja që kur shtetin e “gjykojmë moralisht”, ndeshemi me koncepte dhe ide të larmishme, madje të kundërta. Disa e kanë quajtur shtetin të keqe të domosdoshme, por ka të tjerë që duke çmuar disa anë me rëndësi në ndërtimin e situatave etike në shoqëri, e vendosin edhe në rolin e “ligjvënësit moral”. Besoj se duke e vendosur problemin në kontekstin tonë, duke e parë atë me optikën e betejës së përgjithshme sociale që duhet të zhvillohet frontalisht me korrupsionin, nuk është fjala për ta parë në mënyrë mekanike raportin e shtetit me moralin dogmatik apo etikën e vdekur, me të cilat ajo nuk mund të ketë lidhje organike e funksionale. Mjafton të kujtoni përpjekjet sizifiane të qeverive të kohës së komunizmit, dëshirën e tyre këmbëngulëse për të luajtur rol dominant në procesin e ndërlikuar të krijimit të shoqërisë dhe “njeriut të ri” me moral dhe botëkuptim komunist, për të kuptuar se lidhjet dhe ndikimet morale midis shtetit dhe shoqërisë, qeverisë dhe qytetarit kanë natyrë dhe ndërtohen me “teknologji” tjetër. Kjo do të thotë që në kohën tonë duhen kuptuar të vërtetat e lidhjeve dhe ndikimeve morale midis shtetit dhe shoqërisë që janë ndryshe dhe veprojnë ndryshe. Sepse në kohën e sotme, jo vetëm shoqëria shqiptare është në kushtet kur ka nevojë për “moral të gjallë”, por dhe shteti duhet të bëhet i ndërgjegjshëm për mundësinë dhe vlerat e ndikimit ndaj këtij morali. Në këtë kontekst, shteti nuk mund të jetë indiferent për zhvillimet morale që ndodhin në strukturat e tij dhe që reflektojnë fort edhe në situatat etike që zhvillohen në shoqërinë tonë. Përkundrazi në programin e saj duhen rishikuar dhe përditësuar më mirë ato objektiva, që mund të krijojnë kushtet dhe mjetet për t’i dhënë qëndrueshmëri sociale “moralit të gjallë” që duhet rindërtuar në jetën tonë sociale. Nga ana tjetër, është fare evidente që si shoqëri, shumë rrallë i kemi kushtuar kujdes dhe vëmendjen e duhur dhe të kërkuar anës tjetër të medaljes, që ka të bëjë me vetë nevojën imperative të rindërtimit të “Moralit të Shtetit”. Historia e dy dekadave të fundit në vendin tonë ka plot raste e shembuj, që tregojnë se në veprimtarinë e tyre, qeveritë janë treguar me moral të lëkundur shtetëror, nuk i kanë kushtuar rëndësi dhe nuk kanë vlerësuar si duhet performancën e moralin e nëpunësve të vet. Kujtoni historinë e hidhur e tragjike të vitit 1997 pasojat materiale, sociale e morale që e shoqëruan atë tragjedi, që erdhi pikërisht nga morali i lëkundur i qeverisë së kohës. Pas një shkëlqimi të rremë të viteve 92-93, si rezultat i mungesës së moralit qeverisës erdhi një periudhë kataklizmash dhe rrënimesh të mëdha. Besoj se, edhe dimensionet tragjike të ngjarjeve të Gërdecit janë një tjetër argument  për të vërtetuar tezën e nevojës së “moralit shtetëror”. Natyrisht,roli edukativ i shtetit është me rëndësi të kuptohet dhe duhet të pranohet si mjet, që mund të ndihmojë për të vënë në funksion “moralin e gjallë” të shoqërisë. Sidomos tani që jemi në kushtet kur kemi përballë “egoizmin e llogaritur” të individit. Në këtë kontekst, nevoja e ndërtimit dhe ekzistencës së qeverisë që duhet të shfaqet moralisht edukuese, është kërkesë e kohës, mjet që mund të ndikojë në racionalizimin moral të sjelljes së qytetarëve tanë. Sepse në thelb veprimet e menduara, racionale të shtetit kur janë të mbara, kur performanca etike e  nëpunësve të saj është në nivelin e duhur, ka shumë mundësi që ato të kenë efekt të dukshëm dhe ndikim konkret në moralin e qytetarit. Në këtë aspekt që lidhet me moralin, ka padyshim një lidhje të fortë etike midis rolit të shtetit, funksionimit të qeverisë dhe veprimtarisë së komunitetit qytetar. Unë besoj se, shqiptarët sot kanë krijuar bindjen se në këtë trinom, është me rëndësi të veçantë edhe morali i zyrtarëve dhe nëpunësve të shtetit. Sepse siç mendon filozofi i pragmatizmit amerikan Xhon Djui, ata në strukturat e qeverisë dhe administratës “…janë qenie e përveçme dhe ushtrojnë pushtete të posaçme”. Në se dinjiteti moral i shtetit dhe autoriteti i qeverisë është i plotë, atëherë në të moralisht nuk duhet të ketë vend për zyrtarë të korruptuar, kokëtrashë e mendjemëdhenj, injorantë e militantë të paragjykuar që shfaqen në publik me mendje bosh. Sepse vlera morale e shtetit është si rregull ashtu si moralisht shfaqen, punojnë e veprojnë zyrtarët e tij.  Historia e shoqërisë moderne ka vërtetuar, se morali i shoqërisë tronditet në se ajo drejtohet nga një qeveri e korruptuar apo që kryen veprime arbitrare. Ndikim po kaq negativ ka moralisht fakti, që politikanët dhe zyrtarët nuk duhet të punojnë vetëm për vete, duke vepruar me mburrje personale për postin që u është dhënë, duke cenuar kështu rëndë jo vetëm moralin e tyre por edhe atë publik. Në këtë rast nëpunësit e korruptuar dëmtojnë performancën e pushtetit dhe sjellja e tyre moralisht bëhet “helm moral” për shoqërinë. Vazhdimisht shtrohet problemi se deri në çfarë mase shteti dhe qeveria janë të detyruara të jenë të lidhura dhe të respektojnë rregullat e moralit shoqëror? Nuk ka nevojë për shumë arsyetime filozofike, për të përcaktuar në se një shtet apo qeveri është e shëndetshme apo ka rënë në krizë morale. Çdo shtet dhe qeveri bie në shumë lloje krizash, me natyrë ekonomike apo financiare. Kjo është e natyrshme që edhe mund të ndodhë. Këto lloje krizash janë të shërueshme dhe korrigjohen me terapi, masa sociale e programime ekonomiko-financiare. Esenca e krizës morale është tjetër, sepse ajo është e lidhur thelbësisht me humbjen e besimit të qytetarëve në të. Kjo është e rëndë, me pasoja të mëdha sociale.  Sepse “kriza morale” e shtetit është gjithnjë e thellë, ekzistenciale, e vështirë për t’u rikuperuar. Sociologët e etikës politike janë të mendimit se raportet e qytetarit dhe shtetit me moralin dhe ligjin, nevojën e respektimit të tyre nuk janë njësoj. Sipas tyre individi e ka detyrë të jetojë sipas moralit të bashkësisë e në përputhje me ligjin, ndërsa politikanët, pushtetarët dhe nëpunësit e shtetit e kanë detyrë, për shkak të rolit publik që luajnë, të gjykojë me përgjegjësi për moralin edhe ligjet që veprojnë në shoqëri dhe jo vetëm e thjesht t’i zbatojë ato ashtu si qytetari. Kriza morale por dhe përtej saj në shoqëri vjen kur politikanët, qeveritarët dhe nëpunësit punojnë me bindjen, se qëllimi final i veprimtarisë së tyre është fama dhe pasuria personale dhe jo mbijetesa, mirëqenia, jeta e kuptimtë e komunitetit të qytetarëve shqiptarë. Kjo do të thotë se ata e kanë të detyruar të dinë të respektojnë në të njëjtën kohë kërkesat e moralit të komunitetit qytetar dhe interesat e shtetit. Nga ana tjetër qëndrimet morale të qytetarit, nuk janë pa lidhje me interesat e shtetit, i cili duhet t’i respektoje ato, të vlerësojë reagimet morale të jetës qytetare. Kjo do të thotë se në këtë proces janë dy anë që duhen kombinuar. Nga njëra anë janë vlerat morale të shoqërisë që duhen respektuar nga shteti, dhe nga ana tjetër janë ligjet juridike bazë të shtetit ligjor që duhen respektuar me çdo kusht nga qytetari. Në shoqërinë postmoderne nuk mund të ketë alternativë të njëanshme se kush duhet respektuar më shumë kodi dhe vlerat morale apo ligji juridik? Por që të ekzistojë dhe të jetë e qëndrueshme vlera morale shtetit ata që janë pjesë e tij duhet të kuptojnë se “shenjtëria morale” e shtetit është më e forte, ndikuese më shumë se të gjitha llojet e organizimeve të tjera sociale e komunitare që ekzistojnë në shoqëri. Sociologët mendojnë se kjo vlerë është me e madhe se ajo e institucioneve fetare, shoqërisë civile, sindikatave, madje edhe se e familjes. Sepse “Kur shteti është një shtet i mirë, kur zyrtarët e publikut me të vërtetë u shërbejnë interesave publike, kjo sjell efekte të një rëndësie të madhe.” (Xhon Djui, Publiku dhe problemet e tij”, f.81)

Ka ca aspekte e drejtime të jetës së sotme në të cilat është e pamundur të sigurohet zhvillimi normal i shoqërisë tonë pa rregulluar mekanizmat që krijojnë kushtet e duhura që shteti të ndjejë përveç të tjerave, detyrimin për të qenë edhe “mësues moral” për qytetarin. Ky është një imperative që e kanë barrë sociale mbi kurrizin e tyre të gjithë ata që punojnë në mekanizmat e shtetit apo janë pjesë e aparatit dhe administratës së qeverisë. Kjo është arsyeja pse moralisht në mënyrë të figurshme politologët  e konsiderojnë shtetin “drejtor të mençur dhe mësues të angazhuar”. (John Rawls)

Megjithatë për të mos e tepruar, koha në shoqërinë tonë ka sjellë në mënyrë imperative nevojën e ndryshimit të disa orientime jetësore e morale të në lidhjet etike të shtetit me qytetarët. Në këto kushte pas konceptit moral të shtetit dhe reflektimeve në etikën e individit, duhet të jetë ndërtimi i “moralit të gjallë” jetësor që lidh shtetin me qytetarin reciprokisht në një sistem besimi etik dhe jo morali abstrakt, apo akoma më keq llomotitja e ideve etike kaotike dhe të papersonalizuara…