Starton viti i ri akademik, Nikolla “Në dhjetor nis rankimi e akreditimi”

71

TIRANE – Viti i ri akademik 2014-2015 nisi sot në të gjitha Universitetet publike dhe private të vendit. Rreth 46 institucionet e larta arsimore kanë çelur sot dyert për të pritur studentë. Ky vit i ri akademik nis me 18 universitete më pak se një vit më parë, të mbyllur pas vendimit të qeverisë për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte në Fakultetin e Mjekësisë, nga ku uroi studentët për nisjen e vitit të ri akademik.
 
Në fjalën e saj Nikolla theksoi se arsimi iu përket të gjithëve dhe jo vetëm politikanëve, duke u bërë thirrje studentëve që të bëhen pjesë e debatit për reformën në arsimin e lartë. Në këtë kontekst, Ministrja Nikolla, tha këto reforma kanë si qëllim kthimin e cilësisë së arsimit të lartë si dhe tregut të punës.

“Unë padyshim, kam tërë kënaqësinë, për gjithçka ne do të mund të realizojmë, sepse të gjithë bashkë besojmë se politika në arsim është politika më e mirë. Arsimi nuk është ishull i vetmuar që i përket politikanëve por të gjithëve, dhe të gjithë duhet të jemi në dijeni të reformave për të kthyer cilësinë në arsimin e lartë. Ndaj ju ftoj të bëheni pjesë e rëndësishme me debatin për arsimin e lartë, dhe për të formësuar cilësi në arsimin e lartë. Universiteti i mjekësisë është nga ata që ka nevojë tregu i punës.” tha Nikolla

Duke folur më konkretisht për reformat, Lindita Nikolla, risolli në vëmnedje mbylljen e universiteteve dhe filialeve që nuk plotësonin standartet e duhura. Gjithashtu, Nikolla shtoi se në dhjetori pritet të nisë edhe reforma tjetër në arsim, që ka të bëjë me akreditimin dhe rankimin e universiteteve. Për këtë ministrja, nënvizoi se procesi do të kryhet në bashkëpunim me agjencinë britanike QAA.

Ky proces, sipas Nikollës do të mundësojë rritjen e transparencës për publikun si dhe të cilësisë në arsimin e lartë, çka siç theksoi ministrja do të ndikojë edhe në tregun e punës.

“Duhet t’i japim fund, ku spitale mungojnë mjekë dhe ne me politika të reja, do të mund të adresojmë edhe këtë moment që e shkuara ka sjellë në një moment defiçitar. Përmes një strukture të re, ne do të mund t’i japim standard të ri jo vetëm spitaleve. Ju e dini që momenti i parë që kaluam Universitetet publike e private, ndodhi edhe mbyllja e disa filialeve, dhe arsyeja nuk ishte se nuk donim të mbështesnim ata të rinj dhe të reja që zgjidhnin këta filiale, por se ata nuk përmbushnin standartet e kërkuara cilësore. Në dhjetor, me një moment tjetër do të përballen universitetet tona, që lidhen me rankimin dhe akreditimin. Një agjensi e huaj britanike, QAA, është bërë pjesë dhe partner i programit tonë për të mundësuar procesin e akreditimit dhe rankimit. Unë do të uroja që Universiteti i Mjekësisë ta kalojë këtë proces, duke mundësuar transparencën e plotë, se ajo çfarë këto auditore ofrojnë janë të duhurat, ato që garantojnë pjesëmarrjen e universiteteve për të qenë pjesë e hapësirës europiane. Kjo ka të bëjë me suksesin nesër tuajin në tregun e punës. Ju do të jeni dora e parë e shërbimit, që do të lidhet me luftën ndaj korrupsionit.” u shpreh ministrja.