Pse tremben Kaçani dhe Londo? Ja faktet e falsifikimit të dokumenteve

1317
Sigal

Falsifikimi i listës së notave, reagojnë dekani i FIM dhe drejtori i shkollës “Pavarësia” në Vlorë, z. Gentian Boçi

Pas kryeartikullit të djeshëm të “Telegraf” mbi fenomenin e marrjes së pozicioneve drejtuese në institucionet arsimore nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të Institucioneve të Larta publike Arsimore, vjen reagimi i drejtorit të komanduar të shkollës së mesme profesionale “Pavarësia” në Vlorë z. Gentian Boçi, (i akuzuar për falsifikimin të listës së notave), si dhe përgjigja zyrtare, nga ana e dekanit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, prof. Andonaq Londo, për mospërfshirjen në zbardhjen e së vërtetës, duke mbuluar në këtë mënyrë, një vepër të dënuar penalisht. Në dokumentet që do i bëjmë publike sot, ngrihen shumë hije dyshimi për vërtetësinë dhe origjinalitetin e tyre. Në reagimin e tij, z. Boçi na vë në dispozicion dokumentet bazike të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, që vërtetojnë diplomimin e tij në këtë fakultet, e pikërisht diplomën dhe listën e notave. Në këto dokumente vërtetohet se personi në fjalë ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në periudhën 1989-1999. Porse, ajo çka vihet re, është se diploma e tij është vulosur dhe firmosur nga dekani Andonaq Londo, më 16.7.1999. Sipas verifikimeve paraprake, prof. Andonaq Londo, në këtë kohë, nuk ka ushtruar autoritetin e dekanit në këtë fakultet, madje, për më tepër, sipas burimeve tona, bëhet me dije se nuk ka qenë fare në Shqipëri në këtë periudhë, të paktën deri në gusht të këtij viti (gjithsesi, mbetet për t’u verifikuar më tej). Ky do të ishte elementi i parë i falsifikimit të një dokumenti të rëndësishëm të Universitetit Politeknik. Së dyti, edhe lista e notave (ku emërtohet në rastin konkret “Çertifikatë e notave”?), e paraqitur nga vetë z. Boçi, rezulton të jetë firmosur dhe vulosur nga dekani Andonaq Londo?! Dhe, për më tepër, rezulton të jetë me gabime të tmerrshme drejtshkrimore, të pafalshme për një institucion të arsimit të lartë, që në emërtimin e fakultetit, citoj dokumentin: Universiteti PPoliteknik. Të gjitha këto vejnë në dyshim vërtetësinë dhe origjinalitetin e këtyre dokumenteve ( ka ende të tjera).

 Hije dyshimi në përgjigjen zyrtare të dekanit të FIM

Porsa i takon përgjigjes zyrtare të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, fillimisht, dua të vë në dukje, se dokumenti zyrtar i këtij institucioni nuk përfaqëson gjuhën shqipe, sepse në hartimin e tij mungojnë 2 shkronja të shqipes “ë” dhe “ç”. Më tej, dua të theksoj se përgjigjja nga ana e dekanit të FIM Londo, nuk është gjë tjetër veçse një justifikim, gjoja i mbështetur ligjërisht (sepse duhet marrë parasysh edhe Ligji “Për të drejtën e informimit”, në barazpeshë me të), për të mos bërë transparencë për një dokument që i përket këtij institucioni. Kujtojmë këtu prononcimin për “Telegraf”, të ish Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, znj Flora Çabej, e cila u shpreh se informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij, e sidomos kur kemi të bëjmë me një pozicion publik. Nga ana tjetër, në përgjigjen zyrtare, është zbardhur përbërja e komisionit shtetëror, që ka dhënë vendimin e diplomimit të z. Boçi, por dekani është lënë anonim(?!). A nuk është ky një element për të vënë në dyshim seriozitetin dhe integritetin e këtij institucioni?

Drejtori i shkollës “Pavarësia”, Vlorë z. Gentian Boçi: Nuk jam falsifikues. Ja dokumentet e mia

 Pas shkrimit “Falsifikimi i notave, Kaçani dhe Londo refuzojnë të përgjigjen për skandalin”, të botuar dje në “Telegraf”, vjen dhe reagimi i drejtorit të komanduar të shkollës së mesme profesionale “Pavarësia” në Vlorë z. Gentian Boçi, të cilit, deri më tani, për etikë dhe profesionalizëm nuk ia kishim bërë publik emrin. Ai hedh poshtë akuzat, duke u shprehur se “nuk është e vërtetë që nuk kam listën origjinale të notave, ndaj dhe po jua dërgoj të skanuar”, dhe shton se pranë zyrës së tij mund të gjendet gjithë dokumentacioni zyrtar që vërteton diplomimin e tij brenda të gjitha kornizave ligjore. “Po kështu, në Ministri ekziston fotokopja e noterizuar e diplomës origjinale dhe e listës origjinale të notave. Dosja ime ka qenë në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, pasi andej ishte varësia jonë dhe tani kemi plotësuar dosje të re për tek Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”, shprehet z. Boçi në reagimin e tij. Drejtori i komanduar nga MAS, gjithashtu, flet për një mbështetje ndaj tij të opinionit publik në Vlorë duke folur për ndryshimet e pësuara në shkollë, gjatë 1 viti e gjysmë nën drejtimin e tij. Sipas z. Boçi vlerësimet për ndryshim vijnë nga gjithë qytetarët e Vlorës, por dhe nga personalitete të pushtetit vendor dhe qendror. Në reagimin e tij z. Boçi thekson se “shkollimi im nuk ka zgjatur 10 vjet, por në bazë të ligjit, diplomën mund ta mbroje brenda 5 vjetëve nga dita e përfundimit të studimeve, por në diplomë shënohet data e fillimit dhe e mbarimit”. Në përfundim të reagimit të tij, ai shprehet se nuk mban përgjegjësi, pse Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike nuk i përgjigjet kërkesës sonë si media.

Dekani i FIM, Londo: Zbardhja e së vërtetës, vepër penale

 Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike (FIM) në Universitetin Politeknik Tiranë, më në fund, i ka kthyer një përgjigje zyrtare kërkesës së “Telegraf”, porse mohon zyrtarisht dhënien e informacionit të kërkuar; një vërtetim për të verifikuar vërtetësinë e listës së notave të z. Gentian Boçi.

Ja përgjigjja zyrtare e FIM

Lidhur me kërkesën tuaj për t’ju vënë në dispozicion listën e notave të ish studentit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike z. Gentian Boçi, diplomuar në 7 korrik 1999 me vendim të Komisionit Shtetëror, i krijuar me vendimin nr. 15, datë 1.7 1999 të dekanit të FIM dhe i përbërë nga prof.as. dr. Gëzim Demiraj, prof.as.dr. Adnan Bodinaku, prof.as. dr. Kasem Bokshi, prof.as.dr. Përparim Decolli dhe dr. Emil Lamani anëtar, ju sqarojmë si më poshtë:

Publikimi dhe shpërndarja e të dhënave personale, në këtë rast në formën e listës së notave, nuk mund të kryhet nga institucioni i arsimit të lartë për arsyet e mëposhtme ligjore: Udhëzimi nr.7, datë 9.6.2010 “Për përpunimin e të dhënave personale në sektorin e arsimit” i mbështetur në shkronjën “c” të pikës 1 të nenit 30 të ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale parashikon se:

– Kreu 3, neni1: Studentët kanë të drejtë të privatësisë së të dhënave personale. Duhet të merren masat e duhura të sigurisë kundër eksesit të paautorizuar, ndaj zbulimit apo shkatërrimit të të dhënave, si dhe humbjen aksidentale të tyre. Standardet e larta të sigurisë janë thelbësore për të gjitha të dhënat personale.

-Kreu 3, neni 3: Mbështetur në nenin 6 të ligjit nr. 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, parashikohet se të dhënat personale përpunohen vetëm nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin.

– Kreu 3, neni 5: Kontrolluesit, përpunuesit dhe personat, që vihen në dijeni me të dhënat e përpunuara, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë, edhe pas përfundimit të funksionit. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara me ligj.

-Kreu 3, neni 6: në të gjitha rastet, kjo nënkupton që ata nuk duhet t’i bëjnë me dije ndonjë personi të paautorizuar të dhëna personale, të cilat ata i shohin, apo që i mësojnë gjatë punës. detyrimi për ruajtjen e konfidencialitetit zgjat pambarimisht. Detyrimi nuk mbaron kur personat nuk ushtrojnë më funksionet e tyre. Thyerja e detyrimit të konfidencialitetit përbën vepër penale të parashikuar nga Kodi Penal (neni 123). Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen të gjithë kontrolluesit publikë e privatë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të citimit të dispozitave të mësipërme ligjore, në emër të IAL Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit Politeknik të Tiranës si dhe në mungesë të pëlqimit për përpunim (përfshi këtu edhe publikimin e të dhënave personale me karakter arsimor), apo një vendimi gjykate për publikimin e këtyre të dhënave, e kemi të pamundur t’ju pajisim me informacionin e kërkuar, pasi një veprim i tillë do të përbënte një vepër penale.

Ledjana Saliu