Drejtuesit e paaftë fshehin situatën alarmante. Drejtoresha e “K. Kristoforidhit” e paaftë të menaxhojë situatën
Gjimnazet e Elbasanit janë ndoshta vendet më të frekuentueshme për shitësit e drogave. Kjo situatë ka gjetur terren pas paaftësisë së drejtuesve të tyre dhe pamjaftueshmërisë së masave nga DAR, duke fshehur situatën alarmante. Rritja dhe trashja e fenomenit shqetësues për mësuesit por jo për drejtuesit e rinj të shkollave, ka krijuar problematika të cilat shumë prindër duan t’ia bëjnë prezent me urgjencë edhe MAS dhe personalisht zonjës Nikolla. Ata shprehen se “duke mos pasur menaxhim serioz dhe profesional nga drejtorët dhe nëndrejtorët e shkollave, fëmijët tanë, kryesisht ata në shkollat e mesme, janë të rrezikuar nga drogaxhinjtë”. Duket si një “kambanë” që ka vite që bie, madje edhe shqetësim i drejtuesve dhe mësuesve në shkollat e mesme te qytetit të Elbasanit. Fenomeni i drogmenëve dhe përdorimit të drogave, kryesisht në shkollat e mesme në Elbasan nga adoleshentë, ka vite që përmendet si shqetësim në mbledhjet e DAR me drejtuesit e mësuesit e shkollave, në takimet me prindër, apo takime shoqatash, madje edhe në përvjetor të ditës së luftës kundër drogës. Aktualisht Elbasani ka disa shkolla te mesme, gjimnaze dhe shkolla te tjera të profilit profesional, me stafe të mjaftueshëm mësuesish dhe drejtuesish, të përkushtuar të cilët bëjnë shumë punë bindëse për të parandaluar dhe denoncuar fenomenin që po merr përmasa shqetësuese tek të rinjtë, kryesisht adoleshentët. Droga ka gjetur terren në disa gjimnaze si në “K. Kristoforidhi”, ku drejtoresha nuk e ka situatën në dorë, duke emëruar nëndrejtoreshë duke shkelur ligjin, duke mos marrë miratimin e kolektivit dhe duke përdorur afera korruptive. Sipas burimeve zyrtare “disa drejtues gjimnazesh në Elbasan e stimulojnë fenomenin e drogmenëve, duke e bërë sa shqetësues aq edhe i frikshëm, madje vetë prindërit shpesh vijnë në mbledhjet e përdyjavshme dhe na ankohen se djali apo vajza kanë nisur rrugën e keqe, aman bëni diçka, por ky problem kërkon angazhimin e të gjitha strukturave arsimore e qytetare”. Por ankesat e prindërve, mësuesit duket se kanë vendosur t’ia përcjellin drejtuesve të shkollave, apo duke njoftuar policinë, e cila dërgon shpesh agjentët e saj antidrogë, por edhe këta të fundit mjaftohen me kontrolle rutinë në klasa dhe ambientet e tjera. Shpesh kontrollet e tyre shtrihen në lokalet pranë shkollave të mbushura me nxënës të gjimnazeve, të cilët jo vetëm lënë orë mësimi, e prishin goxha para gjatë ditës, por atje bëjnë edhe pazaret e cigareve të hashashit. Problemi i drogave në shkollat e mesme, apo i atyre që vijnë shpesh me krahët e nxirë në klasa, ka ngjallur shpesh shqetësimin e mësuesve dhe familjarëve. Sipas disa mësuesve, të cilët për arsye të ndryshme nuk deshën të identifikohen në faqet e gazetës, thanë se “shpesh ka qëlluar të na vijnë në klasa kryesisht djem apo edhe vajza që duken të përgjumur apo të shpërfytyruar, duke prishur orët e mësimit apo duke provokuar incidente të tjera, të vjen keq tek shikon nxënës të shkollave të mesme të katandisur në atë gjendje”. Duke pyetur në Urgjencën e Spitalit Elbasan mësuam nga mjekët se, “rastet e urgjencave që vijnë nga gjimnazistë të droguar janë me qindra, ne i regjistrojmë sepse na quhet shkelje ligjore, vijnë tek ne pasi marrin lloj-lloj drogash te pista duke rrezikuar shëndetin”. Sipas burimeve nga bluzat e bardha “spitali Elbasanit nuk ka një pavijon të posaçëm ku të trajtohen drogmenët, dhe shpesh ata që vijnë në gjendje kome, nisen drejt Tiranës, ndaj mbetet shumë e nevojshme të ngrihet një sektor i trajtimit të personave të droguar, pasi tek ne trajtohen sipas kushteve dhe mundësive tona, duke u bërë serume, qetësues etj.”. Ndërkohë statistikat policore e rendisin Elbasanin tek qytetet me probleme të mprehta sociale, duke mos lënë pas numrin në rritje të drogmenëve adoleshentë. Sipas tyre, “rreth 2000 të rinj sot drogohen apo njihen si shpërndarës të drogave në periferitë dhe skutat e errëta te qytetit, si ish-vendstrehime, vagonë trenash të braktisur, automjete të braktisura etj. Por policia dhe sektori antidrogë mbetet akoma të pafuqishëm për t’i bërë “zap” adoleshentët drogmenë. Mbi 32 për qind e tyre sot janë autorë të krimeve si vjedhje, grabitje, plagosje madje edhe vrasje. Dhe kjo situatë e rënduar ka ardhur si pasojë e tolerimit që u është bërë atyre qysh në bankat e gjimnazeve, duke “trashur” vit pas viti vesin i cili sot i ka katandisur ata në qenie të shpërfytyruara dhe tepër të rrezikshëm për shoqërinë. Drejtoria Arsimore, nga ana e saj, mbetet e pafuqishme për të parandaluar dhe drejtuar në rrugën e mbarë elementë që kanë rënë pre e grupeve që tentojnë ti joshin ata me drogë. DAR ka heshtur dhe ka fshehur vazhdimisht problemet në shkollat e mesme, madje duke ushtruar presione mbi drejtorët për të mos publikuar lajme të tilla dhe nuk ka kërkuar praninë e policisë dhe agjenteve te antidrogës



















