Njohja e diplomave profesionale e universitare në Itali

2461
Titujt e studimit të marrë jashtë nuk kanë vlerë ligjore në Itali, me përjashtim të rasteve kur ekzistojnë konventa ndërkombëtare ose kur janë marrë pranë shkollave të njohura nga shteti italian. Proçedura që duhet ndjekur ndryshon në bazë të motivit për të cilin kërkohet njohja e titullit të studimit:
– Për të vazhduar në Itali studimet e larta ose pasuniversitare si doktoraturë e master;
– Për të ushtruar profesionin (inxhinier, arkitekt, ekonomist etj.).
Në të gjitha rastet nevojitet përkthimi zyrtar i diplomës së studimit që do të kërkohet të njihet, që duhet çuar në konsullatën italiane në vendin ku është lëshuar diploma për të marrë të ashtuquajturën “deklaratën e vlerës në vend”, në italisht “Dichiarazione di valore in loco”, (në përfaqësitë italiane ka zyra të posaçme për studentët) që më pas duhet legalizuar me vulën apostile. Mund të qëllojë që, kur kërkohet njohja e diplomës pranë zyrës kompetente, duke paraqitur “deklaratën e vlerës” dhe dokumentacionin që dëshmon provimet e mbrojtura, të interesuarit t’i kërkohet të bëjë disa provime plotësuese.
Nëse kërkohet njohja për të vazhduar shkollën e mesme në Itali, i interesuari duhet t’i drejtohet zyrës shkollore të provincës.
Nëse kërkohet njohja për ndjekjen e një kursi universitar, pasuniversitar të një masteri apo të një doktorature, duhet t’i drejtohet sekretarisë së studentëve të Universitetit të zgjedhur. Në kuadrin e autonomisë janë vetë universitetet që vendosin për njohjen e titujve të huaja të studimeve.
Kërkesës që i drejtohet Rektorit të Universitetit, i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:
– Diploma e pjekurisë e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” të lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit;
– Diploma universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe me “deklaratën e vlerës” të lëshuar nga përfaqësia konsullore italiane në vendin ku është lëshuar titulli i studimit;
– Certifikatë e provimeve universitare, e përkthyer, e legalizuar dhe e autentifikuar nga konsullata italiane;
– Programi i studimeve për çdo provim të dhënë i përkthyer, i legalizuar dhe i autentifikuar nga konsullata italiane dhe fotokopja e lejes së qëndrimit.
Autoritetet e universitetit që e marrin në shqyrtim mund të konsiderojnë kursin e studimeve të barasvlershëm me të vetin dhe të njohin të gjitha provimet, ose të njohin diplomën pjesërisht e të kërkojnë dhënien e disa provimeve plotësuese për njohjen e titullit.
Njohja e titullit profesional për qëllime pune
Në rastin kur njohja e titullit bëhet për të ushtruar profesionin në Itali, i interesuari duhet të paraqesë kërkesë njohjeje pranë ministrisë kompetente.
Për shembull, për profesionet e sektorit të mjekësisë është kompetente ministria e Shëndetësisë, për profesione si avokat, llogaritar, biolog, kimist, agronom, gjeolog, inxhinier, psikolog, konsulent pune, gjeometër, gazetar, punonjës i kualifikuar në bujqësi dhe industri, ministria e Drejtësisë. Listën e plotë të ministrive kompetente për profesionet e gjeni në këtë faqe të ministrisë së Universitetit (http://www.miur.it/0002Univer/0052Cooper/0069Titoli/0359Il_ric/0366Ricono/0372Docume/1487Profes.htm).
Nëse dokumentacioni është i saktë dhe i plotë, ministria kompetente, me një dekret që botohet në Gazetën Zyrtare italiane, do të njohë titullin. Pas njohjes, i huaji mund të regjistrohet në Urdhrin Profesional, nëse ekziston një i tillë për profesionin që dëshiron të ushtrojë. Në disa raste, mund të parashikohen sidoqoftë plotësime për njohjen e plotë të titullit ose periudha praktike pune. 
(Shqiptari i Italisë)
****
Skandal pensioni në Itali, të vdekur prej kohësh paguheshin çdo muaj
Kishte vdekur që në fillim të tetorit 2014 në Shqipëri, por në Pinerolo të Torinos INPS vazhdonte t’i jepte pensionin social, një shumë të vogël që shteti italian u jep më të varfërve për të mbijetuar në Itali. Ka qenë Guardia di Finanza që ka zbuluar rastin e mashtrimit në dëm të INPS-it. Sipas policisë financiare, i biri L.A. i gruas së vdekur ka vazhduar të tërheqë pensionin social të saj që derdhej nga instituti i sigurimeve shoqërore italiane në një librezë postare. Duke i shkaktuar INPS-it një dëm prej 1.714 eurosh. E nuk mbaron me kaq. Financierët kanë zbuluar se edhe i shoqi i të vdekurës, J.A., merrte një pension social në emër të tij, 568 euro në muaj. Edhe ky padrejtësisht. Nga kontrollet mbi të është vërejtur që burri nuk ka hyrë në Itali që nga korriku i vitit të shkuar, ndaj ka përfituar padrejtësisht nga INPS 5.672 euro. Me sinjalizimin e policisë financiare, INPS ka pezulluar të dyja pensionet e ka nisur proçedurat për rikuperimin e rreth 7.500 eurove që at e bir i kanë marrë pa pasur të drejtë.
Sigal