Fluks i ulët për regjistrimet në universitete

678
Drejtuesit e Universitetit Politeknik thonë, se kjo situatë është e zakontë, pasi shumë kandidatë presin për të fituar programin e parapëlqyer
Dita e parë e regjistrimeve është shoqëruar me një numër të ulët maturantësh fitues që i janë drejtuar sekretarive të fakulteteve për të bërë regjistrimin. Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës, Andrea Maliqari, thotë se kjo situatë është e zakontë, pasi shumë kandidatë presin për të fituar programin e preferuar. “Mbyllja e fazës së parë 48 orëshe të raundit të parë përcakton njëkohësisht edhe trendin e spostimit të listave që është shumë i rëndësishëm për të parë mundësinë për të zgjedhur atë degë që ka kërkuar secili nga kandidatët. Pra, nuk është e thënë që të regjistrohen qenë momentin e parë, në qoftë se shikojnë trendin dhe ekziston mundësia për t’u regjistruar në atë program që ata e kanë preferencë të mundet ta ndjekin si proces”, tha rektori. Maliqari këshillon maturantët, që të ndjekin online ndryshimin e renditjes së tyre në listat e fituesve, për të marrë vendimin përfundimtar për degën ku do të regjistrohen. “Të gjithë kandidatët duhet të jenë online në protalin u-albania për të ndjekur të gjithë procedurën e përzgjedhjes ose seleksionimit të studentëve kandidat”, tha Maliqari.

Teknologjia e informacionit, Inxhinieria e ndërtimit dhe Arkitektura kanë qenë tre fakultetet më të kërkuara. Rektori sqaron se në këto programe studimi, mesatarja e fituesve nuk zbret nga nota 9. “Është Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit me të tre programet studimit bachelor, Inxhinieri informatike, Inxhinieri elektronike dhe Inxhinieri telekomi. Përkatësisht me 2095, 2562 dhe 2693 kërkesa. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit me degën Ndërtim 1959 si dhe Fakulteti i Arkitekturës me master e integruar të shkencave në Arkitekturë me 1875. Mesatarja në këto programe studimi të trendit lëviz nga 9.96 që është mesatarja më lartë në mesataren 9.65-9.55 që është një mesatare relativisht e lartë”, tha rektori.

Vitin e ri akademik, për studimet e ciklit të parë bachelor në Universitetin Politeknik, do të pranohen 1960 studentë të rinj.
Degët më të kërkuara
Inxhinieri informatike 2693 aplikime
Inxhinieri elektronike 2562 aplikime
Inxhinieri telekomunikacioni 2095 aplikime
Inxhinieri ndërtimi 1959 aplikime
Arkitekturë 1875 aplikime
Sigal