Tjetër sezon aplikimi për formularin A1Z

558
Në datat 4-5-6 shtator 2017 do të jetë i hapur sistemi i Matura Online për aplikimet me formularin A1Z. Ministria e Arsimit njoftoi dje se sistemi do jetë i hapur nga ora 8.00-16.00 të secilës nga datat. Aplikimet me formularin A1Z bëhen në mjediset e shkollave ku kandidatët kanë përfunduar shkollën e mesme. “Kandidatët që mund të plotësojnë këtë formular do të jenë: 1. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2017 dhe nuk kanë për të dhënë provime të Maturës, por duan të aplikojnë në IAL; 2. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njehsuar dokumentet shkollore nga MAS”, theksohet në njoftimin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Për të gjitha rastet që do të paraqiten pranë shkollave për aplikim do të ndiqen procedurat e përcaktuara në udhëzimin përkatës. Sipas udhëzimit, do të plotësojnë formularin A1Z vetëm kandidatët që nuk e kanë plotësuar këtë formular në sesionin e parë apo të dytë të Maturës Shtetërore 2017.

Ndërkohë mbyllet sot raundi i parë i regjistrimeve në universitete për fituesit e shpallur në degë të ndryshme. Pas këtij raundi që zgjat 48 orë, do të ketë edhe 6 mundësi të tjera për aplikantët për të siguruar mundësinë e studimit në shkollat e larta. Përfundimi i raundit të parë do të krijojë mundësinë e zhvendosjes së vijës së kuqe të fituesve në disa degë dhe do të hapë mundësi të reja për shumë maturantë. Gjithashtu, aplikantët do të kenë të drejtën e çregjistrimit për të zgjedhur një degë që mund të jetë në preferencat kryesore të tyre. 
Sigal