Falsifikohen protokollet e universiteteve publike

1008
Sigal

Ja si falsifikohen dokumentet nga drejtuesit e Universitetit të Vlorës. Prokuroria nis hetimet për skandalin e radhës

Sapo të vijmë në pushtet do të mbyllim të gjitha fabrikat e diplomave që po tronditin jo vetëm Shqipërinë, por edhe mbarë Europën. Kjo ishte deklarata e Kryeministrit aktual  Edi Rama, kur paraqiti programin socialist të arsimit publik dhe privatë. Koha tregoi se, Rama kishte të drejtë dhe nuk vonojë që të vërë para përgjegjësisë të gjithë abuzuesit duke mbyllur me dhjetëra universitete, të cilat kishin problem të mëdha me ligjin dhe që nuk vinin era arsim. U mbyllën universitetet private, por edhe degë të universiteteve shtetërore, të cilat ishin turpi dhe fyerja e arsimit shqiptar. Por kjo situatë nuk duhet të mbyllet këtu dhe se, Universiteti i Vlorës ka pasur probleme të mëdha gjatë viteve si në drejtim ashtu edhe në procesin mësimor. Madje, ka edhe pedagogë të emëruar që kanë qenë të lakuar nga organet e huaja të drejtësisë për skandale deri tek përdorimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Veç kësaj emërimet nepotike të disa  pedagogëve dhe nëpunësve të administratës lënë shumë për të dëshiruar dhe tregon se ky universitet ka nevoja të mëdha për t’u reformuar. Gazeta “Telegraf” ka siguruar dosjen hetimore (me rreth 400 faqe) ndaj drejtuesve të Universitetit të Vlorës, përkatësisht Rektorit A. Qarri, Dekanes së Fakultetit të Ekonomisë E. Bazini si dhe shefave të departamenteve të ndryshëm. Hetimi i Prokurorisë së Vlorës ka pasur si objekt shkeljen e ligjit në regjistrimet Master, falsifikim dokumentesh, dhënie diplomash të pavlefshme, rekrutime nepotike me konkurse fiktive të stafit akademik etj.. Për këto abuzime është vënë në dijeni edhe Kryeministri Edi Rama, si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla. Nga provat e siguruara vihet re një mospërfillje totale e ligjit dhe një praktikë pune abuzuese, që të habit.

Sot po publikojmë një fletë nga libri i protokollit i Dekanës së Fakultetit të Ekonomisë, ku shihet se nga data 16.09.2013, regjistrimi shkon direkt në datën 03.10.2013, pastaj kthehet përsëri në datën 16.09.2013, vazhdon në datën 25.09.2013, pastaj nga data 08.10.2013, kthehet pas në datën 07.10.2013, shkon në datën 29.10.2013, kthehet pas në 28.10.2013, shkon në 31.10.2013, kthehet përsëri në datën 30.10.2013 e kështu vazhdon abuzimi me regjistrin e protokollit. Dhe të gjitha këto shkresa të Dekanes janë shkresa në dalje nga zyra e saj dhe të cilat kanë numër progresiv protokolli, por datat sipas një kalendari të çuditshëm, që përdoret ndoshta vetëm në Universitetin e Vlorës. Dhe kjo gjë ndodh, pasi shkresat bëhen ndoshta vetëm për të justifikuar veprimet abuzuese që kanë ndodhur më parë. Ndaj është detyrë e institucionit të MAS që të nisë kontrollin dhe të zbardh situatën ku janë katandisur Universitetet Shqiptare. Po çudia me shkresat e Universitetit të Vlorës nuk mbaron me kaq. Një vendim i Senatit, i firmosur nga vetë Rektori i Universitetit, Albert Qarri, që është edhe Kryetar i Senatit, është protokolluar në datën 19 Shtator 2014, ndërkohë që, mbledhja e Senatit gjatë, të cilës pretendohet se është marrë ky vendim është zhvilluar në datën 20 Shtator 2014!!!  Një nga shkaqet që Ministria e Arsimit përdori për mbylljen e universiteteve private ishte që nuk mbaheshin shkresat në rregull dhe që nuk kishin libra protokolli në rregull. Nga faktet që po publikojmë vihet re se edhe Universiteti i Vlorës nuk ngelet pas tyre në këtë drejtim. Këta janë shembuj që tregojnë një praktikë abuzuese pune në Universitetin e Vlorës. Në ditët në vazhdim do publikojmë fakte të tjera për drejtuesit e këtij universiteti.