Provimet e Lirimit, edhe gjuha e huaj provim i detyruar

2709
Të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend do të nisin Provimet e Lirimit më 6 qershor me Gjuhën e huaj, risia e këtij viti, do vijojnë me Gjuhën Shqipe më 11 qershor dhe do përfundojnë më 16 qershor me provimin e Matematikës. Ndërsa nxënësit e pakicave kombëtare (greke dhe maqedonase) zhvillojnë edhe provimin kombëtar të arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare. Provimi kombëtar i arsimit bazë në lëndën Gjuhë amtare, do të zhvillohet më datën 18 qershor.
Sigal

Gjuha e huaj

Është viti i parë që gjuha e huaj shtrihet si provim i detyruar në arsimin 9-vjeçar. Kështu, nxënësit e klasës së 9-të do të japin në 6 qershor lëndën e gjuhës së huaj, e cila mund të jetë anglisht, frëngjisht ose ndonjë gjuhë tjetër që nxënësit e kanë zhvilluar në shkollë gjatë viteve të studimit. 

1. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2.

2. Lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar janë: anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

3. Nxënësit e klasave të IX parapërgatitore për seksionet dy gjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze janë të lirë të zgjedhin midis gjuhës së huaj të parë që kanë filluar në klasën III dhe gjuhës së huaj të seksionit përkatës të filluar në klasën VI.

4. Testi i gjuhës së huaj për nxënësit e klasave të IX parapërgatitore për seksionet dygjuhëshe italiane, gjermane dhe franceze të hartohet dhe të korrigjohet në bashkëpunim me mësuesit e huaj dhe shqiptarë të këtyre seksioneve.

Procedura e Provimeve të Lirimit

1. Provimet kombëtare të arsimit bazë, të fillojnë në orën 10.00 dhe të zgjasin 2 orë e 30 minuta.

2. Procedurat e hartimit dhe vlerësimit të testeve përcaktohen në Rregulloren për “Procesin e organizimit dhe zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë 2015”.

3. Për shkollat e pakicës kombëtare greke, teza për provimin në lëndën gjuhë amtare, përgatitet nga DAR Gjirokastër. Zyra Arsimore Delvinë dhe Zyra Arsimore Sarandë, tërheqin në DAR Gjirokastër tezën ditën e provimit.

4. Për shkollat e pakicës kombëtare maqedonase, teza për provimin në lëndën gjuhë amtare, përgatitet nga DAR Korçë dhe tërhiqet ditën e provimit nga drejtori i shkollës, shoqëruar nga përfaqësuesi i DAR Korçë.

5. Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.

6. Për institutin e nxënësve që nuk shikojnë, drejtoria e institutit tërheq testin nga AKP, një ditë para zhvillimit të provimit dhe e kthen atë në sistemin e shkrimit brail.

7. Nxënësi mbetës në provimet kombëtare të arsimit bazë ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë.

8. Inspektoriati Shtetëror i Arsimit monitoron procesin e provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe raporton për çdo parregullsi të vërejtur në zhvillimin e tyre.

9. Arkivimi i testeve të bëhet pranë DAR/ZA-ve qendra.

10. Sektori i Statistikës i DAR/ ZA-së merr nga QVT-ja dhe ruan të dhënat e çdo nxënësi, të vlerësuesve të jashtëm dhe të mjediseve ku janë realizuar provimet e lirimit. Këto të dhëna dërgohen në AKP, ISHA dhe MAS.

Datat e Provimeve të Lirimit 

Gjuhë e huaj 6 qershor

Gjuhë shqipe 11 qershor

Matematikë 16 qershor

Gjuhë amtare për pakicat kombëtare 18 qershor