Prof. Dr. Arben Malaj: Efekti i marveshjes së re politike – do të ‘certifikohet’ nga ekonomia

357

 

Prof.Dr. Arben Malaj

Partitë politike duhet të ulen sa më shpesh në tavolinë për sfidat e vështira që kalon vendi. Këshilli politik duhet të synojë jo thjesht arritjen e një marrëveshjeje për reformën zgjedhore por zgjidhje për dilemën e publikut, nëse kjo marrëveshje do të jetë fillimi i fundit të kulturës së politikës kriza-sjellëse apo do të sigurojë vazhdimin e mbijetesës së përhershme dhe të përbashkët për të njëjtët politikanë?!

Diskutimet publike për arsyet kryesore mbështetëse apo hezituese të produktit të kësaj marrëveshjeje duhet ta bashkëshoqërojnë këtë proces.

Certifikimi real i efekteve të saj do të vijë nga ekonomia, sepse është imediate dhe jetike dalja nga kriza aktuale që në thelb është:

  • krizë mos besimi ndaj politikës;
  • është krizë që prodhon përditë më shumë paqartësi dhe pa siguripërtë ardhmen;
  • është krizë e braktisjes së vendit, prandaj po rrezikohemi nga deficiti demografik në rritje, i ushqyer nga braktisja e vendit dhe plakja e përshpejtuar e popullsisë.

Varfëria jo monetare që shfaqet tek rënia e cilësisë së arsimimit dhe shëndetit po kërcënon të ardhmen. Varfëria materiale e materializuar tek papunësia, pabarazia dhe mungesa e kohezionit dhe solidaritetin social ka prekur të tashmen dhe bën më të vështirë të ardhmen.

Pasojat direkt dhe indirekt të situatës së renduar ekonomike e sociale nuk mund të ndalen pa gjetur një zgjidhje për të dalë nga cikli i krizave politike, të thelluara edhe nga disa zgjedhje pa zgjidhje, si parlamentare dhe vendore.

Distanca midis votuesve dhe të zgjedhurve të tyre e ka përkeqësuar deficitin demokratik, i cili u rrit ndjeshëm nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Sistemi me lista të mbyllura preferenciale të kryetarëve të partive jashtë një sistemi konkurrues dhe përzgjedhës nga anëtarësia krijoi pushtet absolut në duart e kryetarëve të partive, çka e vrau demokracinë e brendshme në partitë politike.

Distancimi nga votuesit në përzgjedhjen dhe mandatimet politike solli kriminalizmin e parlamentit dhe të disa bashkive. Kriminalizmi i politikës është “novacioni” për mbijetesë personale dhe do të mbetet një kontribut turpërues për liderin politik që e favorizoi dhe e keqpërdori atë për mbijetesë politike vetëm personale, në aleancë me ‘të fortët’ dhe në shërbim të ‘të fortëve’ dhe oligarkëve.

Reforma që po negociohet duhet të krijojë kordonin sanitar, moral e ligjor që kriminalizimi politik dhe në ekonomi të mos ndodhë më kurrë.

Rritja e deficitit demokratik – është pasojë e dështimeve të rënda jo vetëm politike. Duke dëmtuar cilësinë e përzgjedhjes së përfaqësuesve të popullit, u dëmtua rënde kredibiliteti publik i Kuvendit, i qeverisë dhe i disa bashkive. Duke iu shërbyer oligarkëve ata varfëruan popullin e tyre.

Mbijetesa e sistemeve politike dhe elektorale qe e rrisin dhe thellojnë deficitin demokratik, do t’i zgjasë pasojat negative në ekonomi.

Anëtarët e Këshillit Politik për Reformën duhet ta kenë mbi tavoline thënien kuptimplote: “Është ekonomia, budalla!” Që ata ta përkthejnë marrëveshjen e tyre politike në efekte pozitive në ekonomi kërkohet që pas këtyre ndryshmeve të fillojnë të reduktohen paqartësitë dhe pasiguritë për zhvillimet e ardhshme ekonomike, sociale dhe politike.

Duhet të mbahet parasysh se reforma politike për sistemin elektoral lehtëson mundësinë që në Maj ose gjatë vitit 2020 të ketë një qëndrim pozitiv nga BE për çeljen e negociatave. Për referencë ashtu siç anëtarësimi në NATO eliminoi çdo paqartësi apo pasiguri nga kërcënimet e presidentit Iranian, Integrimi ekonomik me BE-në sjell efekte pozitive përballë “armiqve ekonomikë”, krizave ekonomike

Prandaj anëtarësimi në BE duhet të jetë vizion strategjik dhe destinacioni i vetëm i Shqipërisë dhe shqiptareve. BE ka politika dhe instrumente konkrete për minimizim e risqeve, rikthimin në normalitet pas krizave dhe sidomos për kohezionin dhe solidaritetin social.

Pa plotësuar 9 kushtet e parlamentit gjerman me të cilat bashkohen edhe skeptikët nga disa vendeve të BE-së, çdo shpresë që gjatë vitit 2010 të krijohet mundësia për çeljen e negociatave, do të rezultonte një pamundësi e përsëritur kryesisht nga dështimet tona.

Prandaj fillimi i angazhimit të përbashkët të partive politike përreformën zgjedhore, edhe pse është shumë i vonuar në kohë, është një hap i duhur në drejtimin e duhur.

Hijet e dyshimeve për dobishmërinë e marrëveshjes që synohet të arrihet bazohen kryesisht në:

1 Historitë e “marrëveshjeve të mëdha” në të shkuarën edhe të afërt, që në thelb kanë siguruar mbijetesë individuale, por jo premisa për ndryshime dhe zhvillime pozitive të ndjeshme dhe të qëndrueshme.

  1. Tranzicioni shqiptar ka prova të qarta, se pak ose shumë pak figura e kanë dominuar dhe drejtuar Shqipërinë në këto 30 vite. Ata kanë qeverisur kryesisht në funksion të ambicieve të tyre personale, duke iu vetë shërbyer më të fortëve deri edhe me aleanca publike, siç janë rastet e kriminalizimit të politikës, Partneritetet Publike Private – preferenciale dhe rastet flagrante të kapjes së shtetit.
  2. Është rritur ndikimi i oligarkëve në jetën politike të vendit, ata tentojnë të bashkojnë politikanë të partive të ndryshme politike nën ombrellën e ndikimit të tyre, që nëpërmjet korruptimit dhe kapjes së shtetit të mbrojnë interesat për fitime të shpejta, të mëdha dhe shpesh abuzive.
  3. Liria e mendimit dhe fjalës së lirë sipas organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare janë ne risk dhe po tkurren. Dominimi i medias me kasata qeveritare e bashkiake parafabrikate, është prova se ka risk që marrëveshja të jetë sipërfaqësore dhe mund të mos sjellë efekte pozitive reale dhe të qëndrueshme, sidomos në ekonomi.
  4. Efektet e çdo marrëveshjeje politike për ndryshime kushtetuese apo përmirësim edhe të sistemit elektoral, duke reduktuar deficitin demokratik, do të testohet në jetën e përditshme të shqiptarëve.

Nëse edhe kjo marrëveshje:

  • nuk rrit besimin publik për të ardhmen e tyre;
  • nuk ndal arsyet reale të braktisjeve masive;
  • nuk redukton pasiguritë dhe paqartësitë;
  • nëse nuk e ndihmon Shqipërinë të behet një vend i lirë;
  • nëse nuk ndikon pozitivisht individët dhe biznesin vendas dhe të huaj:
  • nëse nuk prodhohen në dinamikë dhe në mënyrë të integruar mpakte pozitive në jetën e përditshme të shqiptarëve, duke u krijuar më shumë vende pune, më pak varfëri e pabarazi, më shumë të ardhura reale të disponueshme që nënkupton një mirëqenie më të mire, efektet e saj rrezikojnë të jenë sipërfaqësore dhe afatshkurtra. Rrënjët e krizës aktuale do të vazhdojnë të kalbëzohen.

Ndoshta ndonjë politikan me këtë marrëveshje mund të ketë blerë edhe pak kohë për mbijetesë personale, por me reputacion publik të gërryer nga dështimet, korrupsioni dhe kapja e shtetit, trashëgimia (legacy) politike dhe fati politik do të ketë si stacion post politik – dështimin.