Zef Preçi: Rritja e tarifave të ujit? Ja përse jam kundër

404
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Të varfërit taksohen jo se kanë shumë, por se janë shumë”

ERRU deklaron se Ujësjellës-kanalizime ka nevojë për 5 miliardë USD investime, një pjesë e kostos do kalojë te faturat”.  Për këtë qëllim, kërkohen rreth 200 milionë Euro/vit, duke patur parasysh projektimin e tyre në 25 vite. Mënyra e synuar e financimit të nevojave fizike të sektorit përcaktohet në draft Strategjinë e Financimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve nëpërmjet sistemit të 3T-ve, përkatësisht nga Taksat (buxheti i shtetit), Transferta (financimi i donatorëve), si dhe nga Tarifat (faturat e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve nga konsumatorët)”, thuhet në raport.

Dmth, qytetarëve shqiptarë nuk ju mjaftojnë 3P (PPP) që po gërryejnë buxhetin e shtetit dhe varfërojnë më tej edhe brezat që vijnë, por duhen edhe 3T, ndër të cilët, T e fundit (Tarifat), ndikon drejtpërdrejt mbi nivelin e jetesës së qytetarëve, duke i bërë të varfërit edhe më të varfër. Kjo përkon edhe me një ide tjetër, shumë të diskutueshme të dhënë në një raport të mëparshëm të performancës së këtij sektori, ku ERRU propozonte dy variante konkrete për agregimin (bashkimin) e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

E para, aplikimi i një fature e unifikuar për sektorin, në vlerën prej rreth 1400 lekë/muaj, (aktualisht vlera mesatare e faturës mujore varion nga 350 deri në 2,000 lekë në muaj).

Kjo, automatikisht do të çonte në një katërfishim të faturës për ata që sot paguajnë me vlerë minimale. Ndërsa shkruaj këto radhë m’u kujtua shprehja: “të varfërit taksohen jo se kanë shumë, por se janë shumë”.

Por a janë vërtet kushtet për të rritur me rreth 200 milionë euro investime në vit në këtë sektor për një ujë që në shumicën e territorit duke filluar me Tiranën është i papijshëm (një arsye djallëzore, përse në të gjitha raportet zyrtare, “cilësia e ujit” lihet jashtë raportimit ?

Në vlerësimin tim jo, është ende shpejt për të rritur tarifën fundore, përveçse nëse ndokush ka vendosur ta marrë me koncesion a PPP edhe këtë sektor ende në duart e shtetit. Për këtë mjafton të shihni progresin e bërë që nga vitit 2013, sipas të dhënave zyrtare të raporteve vjetore të ERRU-s.

Disa konkluzione, me dorë të lirë, janë:

Mbulimi me ujë (zyrtarisht të pijshëm) i territorit të vendit është përkeqësuar.

Mbulimi me kanalizime ka mbetur në vendnumëro.

Kohëzgjatja e furnizimit ka shënuar një përmirësim, por që nuk justifikon qindra miliona Euro, shumica kredi te KfW, Bankës Botërore, etj, të hedhura kuturu në këtë sektor.

Mbulimi i kostos totale është përkeqësuar dukshëm. Në fakt, ky është ndër treguesit më sintetikë se si është menaxhuar sektori. Po kështu edhe mbulimi i kostos operative dhe menaxheriale.

Është përmiresuar norma e arketimit, ndonëse mund te ishte me pak represiv dhe që merr në konsideratë ndikimin mbi nivelin e jetesës së qytetarëve.

Është përmirësuar eficiensa e stafit, ndonëse mungojnë të dhënat zyrtare mbi shpërndarjen midis stafit drejtues dhe atij që punon në terren. Në shtyp është denoncuar përdorimi ndëmarrjeve të ujësjellës-kanalizmeve si hambar votash, strehe propagandistësh mediatikë dhe patronazhistësh politikë.

Është përkeqësuar uji pa të ardhura, dmth., gjatë 10 viteve të fundit, në çdo 3 litra ujë që hidhen në rrjet, vetëm 1litër kthehet në lekë, ndërsa dy të tjerat ose vidhen ose humbasin në rrjet (humbje teknike). Ky është edhe treguesi më komprometues që flet për rezervën kolosale në efektivitetin të Ujësjellës-Kanalizimeve, duke investuar me përparësi në rrjet, por edhe për përmirësimin e menaxhimit me stafin në dispozicion, pa patur nevojë për rritjen e tarifave për familjet shqiptare.

Është përmirësuar niveli i matjes, dmth, faturimit të ujit, ndonëse ka një rezerve shumë të madhe edhe këtu për përmirësimin e efektivitetin të investimeve të kryera dhe atyre që do të kryhen në të ardhmen.

Për të gjithë këta tregues, personalisht jam kundër rritjes së tarifës së ujit në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, duke e konsideruar këtë, si një politikë anti-popullore që nuk lejon përmirësimin real të menaxhimit të këtij sektori.

Është koha që të gjithë ata që marrin përsipër të qeverisin fatet e vendit në pushtet qendror dhe lokal, të kuptojnë se pa e bërë ujin e papijshëm (sot), të pijshëm (nesër), çdo debat tjetër për çështje tarifash, etj., shkon vetëm në dobi të tenderxhinjve, oligarkëve dhe abuzantëve me pushtetin, që duan të ruajnë status quon-në.