Zbulohet në Durrës një depo e lashtë, ku fshiheshin ushqimet në kohë lufte

91

EKSLUZIVE/ Flet për “Telegraf”, arkeologu durrsak Dr.Prof.Fatos Tartari, i cili ka bërë kërkimet në zonën e Ishmit

Zbulohet në Ishëm një depo nëntokësore e periudhës së lashtësisë, e cila u ka shërbyer banorëve të kësaj treve për të fshehur zahiretë ushqimore nga ekspeditat grabitqare të periudhave të lashtësisë. Kjo depo ndodhet në kufi të fshatrave Daraç -Bize të Komunës së Ishmit, në pronat e fermerit Gegë Prroj. Objekti është mjaft i ruajtur dhe ka një thellësi rreth 3.5 m si dhe një perimetër të brendshëm 2 m. Ai është i mbuluar me rrasa të gurta. Deri tani objekti është i pa studiuar, për të dhënë saktësisht vjetërsinë e tij dhe pamjet e para të objektit po jepen ekskluzivisht të fotografuara nga “Telegraf”. Arkeologu i njohur durrsak Dr. Profesor Fatos Tartari, i cili ka bërë kërkime në afërsi të kësaj zone, thotë se kultura e kësaj zone dhe objektet arkeologjike të gjetura nga ekspeditat e bëra vite më parë,   i përkasin kryesisht objekteve të shekullit VII-të e të VIII- të erës sonë dhe se këto objekte janë një dëshmi e vazhdimësisë së kulturës Iliro-Arbërore.

Depoja

Depoja e fshehtë ndodhet në afërsi të disa themeleve të disa banesave të lashta dhe është ruajtur mjaft mirë nga mbulesat e gurta që ka pasur sipër saj. Z. Prroj që e ka gjetur është një person, i cili ka studiuar agronomi dhe që për shumë vite është marrë edhe me qendrat e kulturës së Ishmit. Ai ka një nivel mjaft të mirë njohurish pasi edhe si autodidakt ka studiuar historikun e zonës dhe sapo e ka konstatuar këtë objekt, e ka vlerësuar dhe e ka rimbuluar me gurë për të mos e dëmtuar. Ai kujton se si një ditë gjatë kullotjes, një lopë i ka rrëshqitur këmba dhe i ka hyrë në thellësi te gropës. Nga kjo ai e shikoi me vëmendje dhe pasi e kontrolloi e konstatoi se çfarë kishte qenë. Ai thotë se këto lloje deposh historikisht kanë shërbyer për të fshehur zahiretë dhe ushqime të ndryshme kur shpërnguleshin popullsia për arsye kalimi të trupave ushtarake që vrisnin njerëz dhe grabisnin gjithçka. Në Ishëm, thotë ai ka pasur edhe të tjera, por këto janë mbushur me dhe me kalimin e viteve. Në afërsi të kësaj zone, thekson Gega, ndodhen, por nuk janë specifikuar ende, se cilat ekzaktësisht edhe themelet e një kishe të Shën Nikollit. Ka disa hamendësime për këtë, por ende nuk është përcaktuar saktësisht.

Kërkimet

Në këtë zonë nga kërkimet arkeologjike rezulton se janë gjetur objekte të rëndësishme që dëshmojnë për konjuktivitetin e kulturës Iliro- arbëreshe të shekullit të VII-të e të VIII-të të erës sonë. Arkeologu i njohur durrsak Dr. Profesor Fatos Tartari flet mbi këto zbulime si dhe për një varr monumental të asaj periudhe që është gjetur rreth 80 m larg vendit të depos. Duke u nisur nga afërsia në këtë fazë paraprake mund të hamendësohet edhe një hipotezë se depoja e gjetur në këtë zonë të Ishmit mund të jetë më e vjetër nga sa mendon zbuluesi i saj, i cili dyshon se ajo ka funksionuar në periudhën e okupacionit turk. Tartari thekson se, për të përcaktuar moshën e saj do të duhen disa analiza të mënyrës së ndërtimit të mureve si dhe të gjetjeve materiale që mund të ndodhen në brendësi të saj. Ai thekson se në varrin monumental të violentuar gjatë sistemit kooperativist, si dhe gjetjet e tjera në afërsi dëshmojnë për kapërcimin e qytetërimit Ilir në atë Arbëror, duke filluar nga zona e Ishmit me një rreze shtrirje deri në zonat e Krujës e të Lezhës. Këto gjetje, sipas Dr. Profesor Tartarit janë me mjaft interes për të dëshmuar këtë kulturë në Qarkun e Durrësit.