“Qeveria i shton luksin administratës dhe i shtrëngon litarin në fyt invalidëve”

608
Sigal

BERAT/ Kryetari i shoqatës, Petrit Muçogllava: “200 invalidë, tre muaj pa marrë pensionin. S’ka Vit të Ri për ne”

Invalidët e Qarkut të Beratit do të mbyllin vitin 2012 me një keqardhje, për shkak të mos marrjes së pensionit të invaliditetit që prej tre muajsh. Sipas tyre, kjo është një fatkeqësi e madhe dhe për këtë situatë ata fajësojnë neglizhencën e Qeverisë, e cila po u shton vuajtjet që u ka dhënë jeta. Invalidët thonë se për Qeverinë në pushtet, shtresa e tyre nuk ka asnjë rëndësi dhe kjo duket qartë në mënyrën sesi trajtohen ata. Kreu i Shoqatës së Invalidëve në këtë qark, Petrit Muçogllava, u shpreh për “Telegraf” se, Qeveria i ka braktisur dhe nuk do t’ja dijë për ekzistencën e tyre. “Që të gjithë të ishim të kënaqur dhe ta gëzonim këtë Vit të Ri, duhej që çdo gjë të programohej që më parë. Qeveria nuk i ka bërë mirë llogaritë. Mesa di unë i jepet punonjësve të administratës shpërblim 10 mijë lekë të rinj në një kohë që shtresa jonë nuk ka bukë për të shtruar në darkën e ndërrimit të viteve. Kjo është e dhimbshme. Qeveria i shton luksin administratës dhe ju shtrëngon litarin në fyt invalidëve. Ne ndihemi të pafuqishëm. Zëri jonë nuk dëgjohet. Por mbi të gjitha ne nuk po i kërkojmë Qeverisë shpërblim, por pensionet që na takojnë me ligj”, tha Muçogllava.

Kërkesa

 “Kur Qeveria deklaron se, nuk ka lek, pse i jep administratat shpërblim? Kjo tregon qartë se Qeveria atje, ku do bënë, atje ku nuk do, nuk bënë dhe ne jemi tek pjesa e dytë. Të gjithë e dinë përveç Qeverisë që ne s’kemi lekë për të blerë ushqimet mujore dhe ilaçet e domosdoshme, pa të cilat na shtohen dhimbjet”, u shpreh kreu i shoqatës, Muçogllava. Disa invalidë të tjerë, të cilët ndihen pesimist kur i pyesim sesi do e festojnë Vitin e Ri, i kërkojnë Qeverisë që të mendojë edhe për ata. “Edhe ne jemi njerëz si ata të administratës, edhe ne kemi familje, edhe ne duam të gëzojmë këtë festë tradicionale, duke blerë një gjel deti, pasi edhe ne kemi jetë”, u shprehën ata, ku cituan se denoncojnë veprimet e qeverisë, e cila i ka braktisur prej kohësh. Kreu i shoqatës tha për këtë problem që: “I them Qeverisë se edhe ne kemi shpirt njeriu prandaj mos kërkoni të luani me jetën tonë, e cila sa vjen dhe rëndohet për shkak të kushteve të vështira që jetojmë, duke shtruar dhe dorën tuaj të shtrënguar. Ne jemi bërë invalidë nga natyra, nga puna dhe nga aksidentet e ndryshme që na kanë ndodhur. Shumica prej nesh kanë kontribuuar në ndërtimin e vendit, ku kemi punuar në shumë kantiere dhe ndërmarrje, të cilat na kanë bërë invalidë. Ky nuk është faji jonë, por fati ynë, prandaj Qeveria të mos na bëj diferencim nga pjesa tjetër e shoqërisë”, tha Muçogllava.