Tiranë, 30 aksidente nga mbrëmja deri në mëngjes. Situata në rrugë, ku duhet të bëni kujdes

Reshjet e dëborës që mbrëmjen e djeshme përfshinë edhe Shqipërinë e mesme, kanë shkaktuar probleme me qarkullimin. Rrugët e Tiranës, Durrësit e Elbasanit u mbuluan nga dëbora, ndërsa qytetarët dolën për të shijuar atmosferën.
Por temperaturat e ulëta që pasuan, shkaktuan ngrica, duke regjistruar 30 aksidente në Tiranë, që prej mbrëmjes së djeshme e deri në orët e para të mëngjesit.
Mësohet se nga aksidentet nuk ka patur të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Ndonëse Bashkia e Tiranës angazhoi borëpastruesit për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës dhe skories, rreziku i aksidenteve si pasojë e akullit në rrugë ka qenë i pranishëm.
Prej mbrëmjes së djeshme, kryebashkiaku Veliaj, por edhe krerë të institucioneve të tjera në vend, këshilluan përdorimin e zinxhirëve, në mënyrë që të shmangen aksidentet.
Edhe mëngjesi e sotëm, Tirana është zgjuar e mbuluar nga dëbora, ndërsa rrezik përbën edhe prania e akullit.
Aktualisht akset Tiranë-Rinas, Tiranë- Dajt dhe autostrada Tiranë-Durrës janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Akset në qytet janë drejt normalizimit.